Pas Greqisë Spanja? – Partitë e protestës rrisin popullaritetin
Sipas DW: Në Spanjë “Podemos” një parti e të indinjuarve që kryeson në sondazhe, demonstroi në Madrid të shtunën (31.01) kundër politikës së kursimeve. Sinjalet që vijnë nga jugu europian janë të qarta: mjaft më me kursim
Dhjetra mijëra përkrahës të partisë së re spanjolle “Podemos” – “Ne mundemi” dolën në rrugë ditën e shtunë për të protestuar kundër politikës europiane të kursimit. “Po është e mundur” thërrisnin demonstruesit në “Marshin e ndryshimit” në qendër të kryeqytetit spanjoll. Partia e themeluar para disa muajsh me profil populist të majtë synon në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në nëntor 2015 të imitojë suksesin e Syrizas dhe të arrijë të rrëzojë nga pushteti partitë tradicionale, njoftojnë agjencitë e lajmeve.
Demonstruesit dolën në rrugë me sllogane si “E ardhur bazë për të gjithë” dhe “Tik-tak, tik-tak ora e ndryshimit po vjen”. Një mësuese 23 vjeç dhe e papunë nga Manovari e ardhur qëllimisht për demonstratën në Madrid, Dori Sanchez u shpreh për agjencinë e lajmeve, afp se “shumë vetë janë të një mendimi; kemi nevojë për ndryshim. Mjaft më me vjedhje, mjaft më me të korruptuarit që i marrin të gjitha dhe ne nuk mund të bëjmë asgjë”. Sipas Podemos u morën me qira 260 autobusë për të sjellë në kryeqytetin spanjoll përkrahësit e protestës. Qindra banorë të Madridit ishin të gatshëm të strehonin protestuesit në shtëpitë e tyre. Drejtuesi i Podemos, Pablo Iglesias kërkon një ndryshim radikal kursi në politikën spanjolle. Gjatë fushatës zgjedhore në Greqi, docenti i shkencave politike mbështeti politikën e kreut të Syrizas, Alexis Tsipras.
Premtime populiste
Sipas statistikave, Spanja ka dalë nga recesioni dhe ekonomia, sipas të dhënave të publikuara të premten, u rrit vitin e kaluar me 1,4%, por ndryshimi ende nuk i ka dhënë frytet e veta në uljen e papunësisë. Gati çdo i katërti spanjoll është i papunë. Papunësia e lartë ka prekur sidomos të rinjtë, që ndjehen pa perspektivë në vendin e tyre, shumë prej tyre emigrojnë. Po ashtu në vitet e krizës rrogat në Spanjë u zvogëluan, ndërkohë që numri i të punësuarve me kontrata afatshkurtër është rritur së tepërmi.
Podemos lindi në janar të vitit 2014 si një lëvizje proteste e të “indinjuarve -“Indignados” dhe në mesin e nëntorit u regjistrua si parti. Po ashtu si partia greke, Syria, Podemos refuzon në mënyrë strike politikën e kursimeve dhe reformave, për të cilën u angazhua qeveria spanjolle në Madrid dhe Athinë si përgjigje kundrejt ndihmave të kreditorëve ndërkombëtarë. Në zgjedhjet e majit për Parlamentin Europian, gati 1,2 milionë spanjollë votuan Podemos, e cila siguroi pesë mandate në PE.
Ndërkohë sondazhet e nxjerrin partinë e re Podemos si fituese të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të nëntorit, si para partisë qeverisëse konservatore të kryeministrit, Mariano Rajoy ashtu edhe para partisë socialiste në opozitë. Rajoy i paralajmëroi me urgjencë spanjollët nga loja e “ruletës ruse”, nëse votojnë për Podemos. Kjo parti “premton të sjellë yjet në tokë, por nuk mund t’i mbajë këto premtime”, është shprehur kryeministri spanjoll Rajoy për Podemos.