Projektligji për arsimin e lartë, një analizë e nevojshme
Nga Edi Puka, botuar në Mapo Online, 30 janar 2015
U bënë disa kohë që në vendin tonë diskutohet dhe analizohet një model i mundshëm për të reformuar sistemin arsimor në përgjithësi dhe arsimin e lartë në veçanti. Janë dorëzuar dhe publikuar drafte pas draftesh dhe vetëm përpara disa javësh u arrit hartimi i një projektligji për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.
Projektligji në tërësi ka sjellë disa ndryshime thelbësore duke rritur shpresën dhe besimin për një reformë të mundshme dhe rrënjësore.
Për shembull e drejta për t’u arsimuar dhe kriteret e pranimit në IAL-të publike dhe private. Çdo individ i Republikës së Shqipërisë i cili ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm, gëzon të drejtën për t’u arsimuar, sigurisht duke plotësuar kriteret hyrëse ose pranuese të çdo IAL-je, të cilët do të vendosin në mënyrë të pavarur kriteret e pranimit për të gjitha ciklet e studimit. Matura Shtetërore, përfundimisht, duhet theksuar në mënyrë të qartë, nuk mund të mbetej kriter për pranimin në universitet. Ajo duhet të mbetet thjesht kriter përmbyllës i ciklit të arsimit të mesëm, duke iu dhënë kështu mundësi universiteteve të aplikojnë autonominë e tyre të munguar.
Një tjetër hap pozitiv që vërehet, është krijimi i një baze kombëtare të të dhënave për kërkimin shkencor. Kjo nismë është shumë e rëndësishme për t’i dhënë fund një herë e mirë anarkisë së krijuar deri më tani me të dhënat shkencore në rang kombëtar. Në këtë rast kemi krijimin e një agjencie, e cila do të luajë rolin e koordinuesit dhe vlerësuesit të cilësisë së këtij kërkimi, siç është AKKSh-ja. Këtu mbase duhet theksuar dhe sanksionuar me ligj, që kjo agjenci duhet të bëjë edhe renditjen e revistave shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare në fasha të ndryshme sipas rëndësisë shkencore, në të cilat botohet dhe duhet të botohet në të ardhmen. Kjo do t’i jepte fund papërgjegjshmërisë së treguar deri më tani me paqartësinë e theksuar qëllimisht që karakterizonte sistemin e botimit, duke krijuar koncepte evazive që pengonin arritjet shkencore.
Megjithë hapat pozitivë të hedhur, vërehen edhe disa mangësi, të cilat do të sillnin problematika të theksuara në organizimin dhe menaxhimin e IAL-ve, nëse do të miratoheshin pa u përmirësuar.
Së pari, dhënia e mundësisë IAL-ve për të hapur filiale është një nocion i cili nuk mund dhe nuk duhet të ekzistojë. Ky fakt bazohet në eksperiencën e hidhur disavjeçare të filialeve që aktualisht u mbyllën ose u pezulluan në bazë të parregullsive të panumërta që u vunë re nga kontrollet e ushtruara nga MAS. Vendi ynë aktualisht, numëron rreth 15 universitete publike dhe 26 institucione private të arsimit të lartë, të cilat në situatën aktuale e kanë të vështirë që të ofrojnë edhe shërbimet më elementare që një institucion i tillë duhet të ofrojë, e aq më tepër t’iu jepet mundësia e krijimit të kopjeve të shëmtuara të vetvetes.
Së dyti, është i nevojshëm një përmirësim dhe qartësim lidhur me kompetencat e ministrit të Arsimit. Ndër kompetencat që kjo figurë ka dhe duhet të ketë, vërehet shtimi i një kompetence, e cila për hir të së vërtetës ka munguar dhe si e tillë ka sjellë jo pak çrregullime në organizimin e sistemit të arsimit të lartë, që ka lidhje me figurën e rektorit të IAL-ve publike, i cili për shkelje të ligjit dhe akteve nënligjore mund të shkarkohet nga ministri përkatës, pa marrë miratimin e Presidentit të Republikës. Deri këtu nuk do të kishte asnjë problematikë të veçantë nëse nuk do të binte ndesh me një kompetencë të Presidentit të Republikës, të shprehur po në të njëjtin projektligj, siç është emërimi i rektorëve, pas fitimit nga ana e tyre të zgjedhjeve në IAL-të përkatëse. Praktikisht, rektori emërohet nga Presidenti dhe shkarkohet nga ministri?!
Së treti, titullari i institucionit publik të arsimit të lartë, ashtu siç na mëson eksperienca botërore, duhet të emërohet bazuar në konkurrencën e hapur dhe demokratike të konkurseve kombëtare dhe ndërkombëtare dhe si i tillë duhet më pas të marrë meritat apo të shlyejë detyrimet bazuar në aftësitë e tij. Përzgjedhja e tyre nga stafi pedagogjik ka evidentuar një eksperiencë negative, e cila e ka reflektuar negativitetin e saj në të gjithë sistemin.
Një sistem arsimor cilësor dhe me standarde të qarta është themeli i çdo shoqërie të shëndoshë. Është e vetmja rrugë e mundshme për të dalë nga ankthi dhe zymtia aktuale, pasojë e një vendimmarrjeje jopozitive. Ky koncept duhet kuptuar qartë dhe shpejt në mënyrë që të ndërmerren hapat e nevojshëm në kohën e duhur, pavarësisht interesave personale dhe lobimeve dashakeqe ndaj interesit publik dhe të mirës së përbashkët.