“Demokracia nuk ndërtohet njëherë e përgjithmonë”
Fjalimi i z. Gianni Buquicchio, President i Komisionit të Venecias, gjatë ceremonisë së marrjes së titullit “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës, 28 janar 2015
Është një nder i madh për mua që jam sot në Universitetin Europian të Tiranës dhe të marr titullin “Doctor Honoris Causa”. Jam mirënjohës që puna ime ndër vite me Komisionin e Venecias është kaq e vlerësuar.
Duke respektuar traditën, do të mbaj një fjalim para kësaj audience të shquar. Do të shfrytëzoj këtë rast për të treguar origjinën e Komisionit të Venecias dhe rolin e tij në skenën politike europiane. Pasi në fund të fundit në këtë ceremoni nuk vlerësohen vetëm arritjet e mia si President i Komisionit, por më e rëndësishmja suksesi i Komisionit, si një institucion të cilin ka ndihmuar ta ndërtoj 25 vjet më parë dhe që e kam në zemrën time që atëherë.
Është një kënaqësi e veçantë për mua që të flas për Komisionin e Venecias në këtë sallë në Shqipëri. Unë jam rritur në Bari, në anë tjetër të Adriatikut. Më kujtohet që kur isha fëmijë Shqipëria më ka intriguar gjithmonë, duke qenë mbase vendi më misterioz në Europë, kaq afër, por në të njëjtën kohë kaq i mbyllur.
Siç mund ta dini, puna mbi projektin e Kushtetutës së Shqipërisë ishte një nga përpjekjet e para të mëdha të Komisionit të Venecias pas krijimit të tij në vitin 1990. Më kujtohet shumë mirë vizita e parë në vendin tuaj, në 1991, pas zgjedhjeve të para pluraliste, kur së bashku me Presidentin e atëhershëm të Komisionit Europian, Antonio La Pergola, erdhëm në Tiranë.
Kujtoj sa e vajtueshme ishte infrastruktura në atë kohë, po ashtu kujtoj raftet bosh në ushqimore. Ishte periudha kur autoritetet italiane filluan “Operacionin Pelikani”, duke dërguar autokolona me ndihma humanitare dhe sidomos ushqime në vendin e shkatërruar nga politikat izolacioniste dhe militariste të regjimit të mëparshëm.
Në nëntor 1991, pas vizitës sonë të parë në Tiranë, një grup pune i Komisionit u takua me përfaqësues të autoriteteve shqiptare në Venecia dhe diskutuan tekstin e parë të projekt Kushtetutës së Shqipërisë. Ekspertët e Komisionit përgatitën një komentar nen për nen të tekstit dhe jua paraqitën autoriteteve.
Në vijim, një task-forcë e përhershme u krijua në Komision për të ndihmuar autoritetet shqiptare në procesimin e përgatitjes së kushtetutës së re.
Gjatë viteve të mëpasme kam takuar të gjithë krerët e shtetit dhe kam punuar së afërmi më shumë politikanë dhe juristë shqiptarë. Mund të përmend disa prej tyre si Sabri Godo, Arben Imami, Genc Pollo, Krenar Loloçi, Kristaq Traja dhe shumë të tjerë që ishin përfshirë në procesin e shkrimit të Kushtetutës së re.
Kujtoj se shumë vëzhgues në mes të viteve ‘90 profetizuan një katastrofë për reformën kushtetuese shqiptare. Shoqëria dhe elitat ishin të ndara; referendumi i vitit 1994 nuk arriti të aprovonte projektin e parë të Kushtetutës së re dhe u desh të fillonte një raund i ri projektimi dhe diskutimesh. Ata që dëshmuan procesin e negociatave politike e mbajnë mend sjelljen e mosbesimit reciprok të partive politike shqiptare.
Mendoj se ishte përfshirja e Komisionit që ndihmoi në zgjidhjen e pjesës më të madhe të kundërshtive; ekspertët tanë morën pjesë edhe në diskutimet në parlament, duke u përpjekur të bindin forcat politike kundërshtare për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe duke u propozuar atyre rezultate të testuara në kohë në vende të tjera. Më së fundmi, në nëntor 1998 u adoptua Kushtetuta e re. Kjo Kushtetutë është në fuqi prej 16 vitesh dhe ndonëse për një demokraci të vjetër kjo periudhë kohe nuk është shumë e gjatë, për një vend në tranzicion do të thotë shumë.
Komisioni gjithashtu ka dhënë kontribut ndërkohë në reformën e gjyqësorit (1995), ofroi këshillim në tema si heqjen e dënimit me vdekje (1999), komitetet hetimore parlamentare (2001), legjislacionin zgjedhor (2004), etj. Opinioni i fundit lidhur me Shqipërinë (për shtesat në kodin e procedurës penale dhe kodin e procedurës civile) u adoptua së fundmi, në qershor 2014. Në total Komisioni ka prodhuar më se një duzinë opinionesh, komentesh etj., në lidhje me Shqipërinë.
Pra, vendi juaj ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes tonë. Ose për ta thënë ndryshe, Shqipëria përherë e ka konsideruar këshillën miqësore të Komisionit të Venecias si një mjet i rëndësishëm për ndërtimin e një shteti modern demokratik.
Ata që nuk e ndjekin nga afër punën e Komisionit të Venecias, dhe që mbase as nuk kanë qenë në dijeni të ekzistencës sonë, mund të pyesin: Kush janë këta ekspertët e Komisionit të Venecias? Pse autoritetet shqiptare ju drejtohen atyre kaq shpesh? Cili është mandati i Komisionit dhe nga e ka marrë emrin ky Komision?
Do të filloj duke ju përgjigjur pyetjes së fundit, më të lehtës. Emri zyrtar i Komisionit është “Komisioni Europian për Demokraci përmes Ligjit”. Sidoqoftë, kur Komisioni u krijuar në vitin 1990, u vendos që sesionet plenare të mbahen në Venecia. Ndoshta zgjedhja e vendit nuk ishte rastësore, pasi në fund të fundit roli primar i Komisionit ishte, siç edhe ende është, të sjellë stabilitet për demokracitë e reja dhe Venecia ka qenë një nga regjimet më të qëndrueshme demokratike të mijëvjeçarit të kaluar të historisë europiane.
Për shumë shekuj Venecia shërbeu si një avanpost më shumë sesa një urë në shkëmbimet tregtare dhe kulturore mes Perëndimit dhe Lindjes. Por sido që të jetë, emri jozyrtar ngeli dhe ne sot njihemi si Komisioni i Venecias.
Duhet po ashtu të dini se ndonëse takimet e Komisionit mbahen në Venecia, Sekretariati e ka qendrën në Strasburg, në zyrat e Këshillit të Europës. Komisioni i Venecias u krijua nga Këshilli i Europës si një nga organet e tij, por u shtri gjeografikisht përtej kufijve të Europës.
Pyetja tjetër është se çfarë bën Komisioni i Venecias. Në vitin 1998 një jurist i shquar italian, La Pergola, i cili atë kohë ishte Ministër i Italisë për Çështjet Europiane, i propozoi Këshillit të Europës krijimin e një organi këshillimor juristësh konstitucionalistë. Ishte një lëvizje gjeniale, momenti ishte i duhuri dhe ideja u kuptua. Siç mund ta kujtoni, në vitin 1989 ra muri i Berlinit.
Ishte periudha e një entuziazmi të vërtetë popullor për vlerat e Këshillit të Europës, të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit. Qeveritë e reja post-komuniste kishin nevojë për asistencë nga ekspertët e huaj për të trupëzuar aspiratat e tyre në kushtetuta dhe tekste legjislative. Kështu, Komisioni i Venecias shfrytëzoi këtë mundësi historike dhe u bë një partner i rëndësishëm në këto reforma.
Do të kishte qenë e gabuar që ne të pretendonim të shkruanim drejtpërdrejtë legjislacionin dhe kushtetutat. Komisioni i Venecias nuk mund t’ju heqë njerëzve fuqinë e tyre kushtetutëbërëse. Roli ynë ishte teknik dhe i tillë mbetet, duke ndarë eksperiencën dhe mësimet e marra nga shtetet në procesin e reformave kushtetuese.
Për disa arsye kjo nuk ka qenë një detyrë e lehtë. Së pari, në shumë fusha nuk kishte standarde të qarta ndërkombëtare. Krahasoni për shembull demokracitë liberale të qëndrueshme të Europës: Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe më thoni cila mund të përdoret si model?
Të tria janë qartazi regjime demokratike, por a duhet të kemi një model Uestminster si në Britani, një demokraci parlamentare me një president nominal si në Gjermani, apo një president të fortë të zgjedhur nga populli si në Francë? A mund të mbijetojë një demokraci pa një kushtetutë të shkruar, pa një kartë të të drejtave, apo një Gjykatë Kushtetuese, siç është rasti i Britanisë së Madhe deri së fundmi, apo duhet të zgjidhet modeli gjerman, me kushtetutë, kartë të të drejtave dhe një Gjykatë Kushtetuese të fuqishme?
Nga një pikëpamje legaliste demokracitë e reja europiane që kanë qenë klientët tanë të parë në fillime, nuk janë detyruar të marrin si model një vend të caktuar. Sidoqoftë ishte në interesin e tyre pragmatik që të bënin zgjedhje që do të adoptoheshin më mirë me kushtet e tyre lokale, ndaj realiteteve politike, ekonomike dhe kulturore, me trashëgiminë e së kaluarës dhe sidomos me fantazmat që ndjekin gati çdo shoqëri post-totalitare – mungesën e kulturës politike të dialogut, mosbesimin në institucione dhe ngashënjimin e personaliteteve të forta në pushtet, si edhe varfërinë dhe si rezultat ndjesinë e pafuqisë në popull.
Mendoj se të gjitha këto probleme janë të njohura për ata që e kujtojnë shoqërinë shqiptare pas rënies së regjimit komunist.
Kështu, ishte e nevojshme që të drejtoheshim tek ligji krahasues dhe mësimet e marra nga eksperiencat kombëtare të vendeve të Europës perëndimore, që i kaluan proceset e dhimbshme të tranzicionit demokratik shumë më herët. Këtu roli i Komisionit të Venecias ishte thelbësor. Ai ofroi jo vetëm një pastër abstrakt të teksteve, kërkoi të gjente zgjidhje enkas për nevojat e një vendi të veçantë.
Kjo përqasje përcaktoi më së shumti metodat tona të punës. Opinionet e Komisionit zakonisht bazohen në rezultatet e vizitave në vendin përkatës dhe konsultat me të gjitha palët e interesuara: politikanë të shumicës dhe opozitës, ekspertë të qeverisë, gjyqtarë, OJF, akademikë, etj. Opinionet tona janë pra kontekstuale dhe sipas specifikave të vendit.
Kjo nuk do të thotë që Komisioni i Venecias vepron në vakum dhe nuk ka standarde për të ndjekur. Pavarësisht përqasjes pragmatike Komisioni i Venecias është i lidhur fort me vlerat bazë të Këshillit të Europës që janë arsyeja e ekzistencës së saj. Komisioni përpiqet që të sigurojë përputhje të plotë të legjislacionit kombëtar me standardet ndërkombëtare dhe ato parime bazë të pakontestuara që përbëjnë bazat e kushtet e konstitucionalizmit europian.
Shpesh herë pyetem nëse Komisioni i Venecias është një organ politik. Përgjigja varet nga çfarë kuptoni me “politik”. Ne kemi një axhendë politike, të njëjtën me Këshillin e Europës, në ekzistojmë për të promovuar demokracinë, për të forcuar respektin për sundimin e ligjit dhe për të drejtat e liritë bazë.
Por ne nuk jemi “politikë” në kuptimin që nuk i shërbejmë ndonjë interesi të veçantë politik. Kur ne ndërhyjmë në një vend, nuk bëjmë lojën e njërës palë kundër tjetrës. Komisioni ka një perspektivë shumë më të gjatë dhe nuk i kushton shumë rëndësi personaliteteve që janë në pushtet apo në opozitë në një moment të caktuar.
Por kush janë ata që përgatisin dhe përshtatin opinionet tona? Nëse shikoni CV-të e anëtarëve të Komisionit do të zbuloni se shumë prej tyre janë profesorë të së drejtës që mbajnë gradat më të larta nga universitetet më të shquara botërore.
Por do të zbuloni edhe se shumë prej tyre janë praktikantë të ligjit, gjyqtarë dhe kryetarë të gjykatave kushtetuese dhe gjykatave të larta, avokatë të popullit, ministra të drejtësisë dhe madje edhe kryeministra dhe krerë shtetesh. Komisioni kështu bashkon dijen e fortë teorike dhe eksperiencën në praktikë.
Po ashtu anëtarë të Komisionit janë edhe ekspertë të pavarur me emër për eksperiencën e tyre në institucionet demokratike. Pra jo të gjitha anëtarët e Komisionit janë medoemos juristë të shquar konstitucionalistë dhe këtu përfshihem edhe unë.
Në statutin e Komisionit shprehet qartë që anëtarët e tij duhet të veprojnë në mënyrë të pavarur. Kjo është arsyeja se pse opinionet e Komisionit vlerësohen kaq shumë, sepse vendi që kërkon opinionin tonë e di se Komisioni do të veprojë në mënyrë të pavarur dhe neutrale.
Këtu mund të përmend edhe anëtarët shqiptarë të Komisionit, Aleks Luarasi, Luan Omari, Ledi Bianku, e cila më vonë është bërë edhe gjyqtare në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, si edhe dhe anëtari aktual, Viktor Gumi. Dua të theksoj se anëtarët shqiptarë gjithmonë kanë ilustruar këto dy cilësi që kërkohen nga një anëtar i Komisionit sipas statutit të tij: pavarësinë dhe profesionalizmin.
Së fundmi, do të doja të theksoja se ndonëse opinionet e Komisionit të Venecias janë shumë autoritare, ato nuk janë detyruese. Dikush mund ta shohë si dobësi të institucionit tonë, por unë e shoh si një fuqi. Është e natyrshme që ndonjëherë ka rezistencë ndaj propozimeve tona.
Duhet të respektojmë demokracinë, në fund ju përket parlamenteve të vendosin. Nëse një parlament debaton me seriozitet pozicionin tonë, por në fund arrin në një konkluzion të ndryshëm, kjo është diçka që na duhet ta pranojmë, përveçse në rastet kur zgjidhja e zgjedhur dhunon qartazi standardet ndërkombëtare.
Sidoqoftë, siç e thashë, karakteri jo detyrues i opinioneve tona na lejon të jemi më aktivë dhe paradoksalisht me më shumë influencë. Fakti që opinionet tona nuk janë detyruese ju jep autoriteteve kombëtare më shumë frymëmarrje. Ne nuk imponojmë zgjidhje, ne i propozojmë ato. Si rezultat, autoritetet kombëtare janë më pak ngurrues për ti paraqitur kundërshtitë e tyre politike para arbitrazhit tonë.
Pasi thamë këtë, përsëris së karakteri autoritar i opinioneve tona nuk diskutohet. Autoritetet kombëtare mund të mos i pëlqejnë ato ndonjë herë, por ata rrallë i sulmojnë ato në mënyrë të hapur dhe përherë përpiqen me sa munden që të përputhen me rekomandimet tona. Kështu Komisioni i Venecias ushtron një lloj fuqie të butë. Dhe ndërsa shpesh nuk është e mundur që të shtysh një vend drejt adoptimit të një reforme pozitive, ne të paktën mundet që ta parandalojmë një vend që të shkojë në një drejtim të gabuar.
…
Zonja dhe zotërinj,
Përmblodha një pjesë të punës së Komisionit gjatë 25 viteve të kaluara. Cilat janë tendencat e ardhme që tregojnë një ndryshim në temat e adresuara?
Besoj se Komisioni do të vazhdojë të merret me “çështjet e mëdha kushtetuese”, balancën e pushtetit dhe shpërndarjen e fuqive mes presidentit, qeverisë dhe parlamentit, zgjedhjet, pavarësinë e gjyqësorit, drejtësinë kushtetuese dhe mbrojtjen e lirive themelore.
Sidoqoftë, ne tani shohim më qartë atë që në të kaluarën e kemi nënvlerësuar, rëndësinë e kulturës politike. Ndryshimet në kushtetuta janë shpesh të pamjaftueshme, për ti bërë regjimet vërtet demokratike dhe liberale. Vërej me shqetësim se në shumë demokraci të reja, dhe jo më dhe aq të reja, ne sërish dëshmojmë një kulturë “ fituesi i merr të gjitha”, ku shumica që ka fituar zgjedhjet merr kontrollin e plotë të shtetit.
Balancat e pushtetit shihen si një pengesë dhe jo si një pjesë e domosdoshme e një qeverie demokratike dhe të qeverisjes së mirë. Ne kemi ndihmuar krijimin e një procedure ligjore dhe institucioneve ligjore, por këto procedura dhe institucione duhet të zënë rrënjë në shoqëri.
Kjo detyrë është veçanërisht e vështirë. Ndryshimi i mendësisë kolektive është më i komplikuar sesa ndryshimi i ligjeve. Dhe për këtë unë kam besim në brezat e rinj të juristëve.
Ata kanë eksperiencën e të jetuarit në një shoqëri më pluraliste dhe më të hapur. Të rinjtë në Shqipëri nuk kanë jetuar të izoluar nga pjesa tjetër e botës, siç kanë jetuar prindërit e tyre, 30, 40, apo 50 vjet më parë. Të rinjtë kanë parë, në Shqipëri dhe vende të tjera, se Kushtetuta mund të jetë një instrument esencial ligjor me aplikim të drejtpërdrejtë dhe jo vetëm një deklaratë e pavlerë e qëllimeve të mira.
Komisioni mbetet, kryesisht, një organ i përbërë nga juristë konstitucionalistë, por ne nuk mund të shmangim hyrjen në thellësi të indit kushtetues. Ne duhet të identifikojmë dhe të zgjidhim problemet që nuk duken në sipërfaqe, por që shpjegojnë pse institucionet “primare” të një shteti demokratik nuk funksionojnë ose nuk funksionojnë me eficiencën e planifikuar.
Siç mund ta shihni, jam optimist se Komisioni i Venecias nuk do të ndalojë punën në të ardhmen e afërt. Institucionet dhe normat duhet të krijohen, por gjithashtu ato duhet që vazhdimisht të ushqehen, mbrohen dhe mbështeten nga institucionet e tjera dhe normat. Sistemi kushtetues shpesh krahasohet me një strukturë solide, një ndërtesë, por mendoj se më shumë ngjan me një organizëm të gjallë të brishtë ose edhe me një ekosistem të tërë.
Dhe ne nuk duhet të kurrsesi të mendojmë që demokracia mund të ndërtohet njëherë e përgjithmonë, që liria është “e fituar” dhe se tranzicionet demokratike janë të pakthyeshme, sidomos nëse mendësia demokratike nuk është fituar në mënyrë të pakthyeshme.
Jam i bindur se ekspertiza e anëtarëve tanë do të ndihmojë shtetet anëtare për të mos rrëshqitur sërish drejt zakoneve të vjetra autoritare. Së paku, kjo ka qenë ambicia ime gjatë 25 viteve të punës në Komisionin e Venecias dhe do të mbetet qëllimi im për të ardhmen.
Së fundmi, do të doja të rikthehesha aty ku e nisa. Kushtetuta e Shqipërisë është në fuqi prej 16 vitesh dhe shumë të rinj që janë tani në këtë sallë janë rritur me të dhe e kanë studiuar.
Kushtetutat janë dokumente shumë komplekse; funksionimi i tyre varet nga fakti nëse juristët janë gati ta aplikojnë Kushtetutën, apo në të kundërt nëse e quajnë si thjesht një deklaratë e qëllimeve të mira që është krejt e huaj për jetën e vërtetë.
Është shumë e rëndësishme që të rrisim një brez juristësh me mendësi kushtetuese; ndryshe të gjitha përpjekjet tona janë të pavlera. Dhe universitetet luajnë një rol kyç këtu. Mendoj se shteti dhe komuniteti akademik shqiptar duhet të bashkojnë përpjekjet për të përforcuar edukimin ligjor, kështu që vlerat e kushtetutshmërisë nuk do të ngelen të pazbatuara, të pa vëna në praktikë, por do të jetojnë dhe lulëzojnë.
Më lejoni sërish zonja dhe zotërinj që të shpreh mirënjohjen për titullin e nderuar që më dorëzuat sot dhe ju falenderoj për vëmendjen tuaj.
*Fjalimi i z. Gianni Buquicchio, President i Komisionit të Venecias, gjatë ceremonisë së marrjes së titullit “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës