Çfarë pritet të ndryshojë në marrëdhëniet shqiptaro-greke

Nga Ksenofon Krisafi, botuar në Mapo Online, 27 janar 2015

shqip-euml-ria-dhe-greqia-kaq-af-euml-r-dhe-kaq-larg_hdZgjedhjet, qofshin ato të përgjithshme ose për organet e pushtetit vendor, janë ngjarje për çdo vend ku zhvillohen. Në botën e sotme, të karakterizuar nga fenomenet e globalizimit dhe nga ndërthurjet e ndikimet që janë rezultat i proceseve integruese, ato shndërrohen në ngjarje që priten me interes edhe në vendet e tjera, veçanërisht në vendet e një rajoni.

Më tepër akoma kur është fjala për vende fqinje, që kanë marrëdhënie të veçanta, të mbështetura mbi faktorë historikë dhe aktualë. I tillë është rasti i Greqisë për Shqipërinë dhe për shqiptarët dhe anasjelltas. Greqia është një vend fqinj, politika dhe zhvillimet e së cilës, për një varg arsyesh, kanë ndikime të drejtpërdrejta për Shqipërinë. Le të përmendim përveç faktorit historik, lidhjeve të hershme tradicionale midis dy vendeve edhe praninë e një numri të konsiderueshëm shqiptarësh në Greqi, si dhe të jo pak bizneseve greke në Shqipëri.

ksenofonkrisafiParë në këtë vështrim, si dhe vlerësuar mbi të dhënat, komentet e para dhe mbi traditën e zhvillimeve të deritanishme politike, zgjedhjet e parakohshme të 25 janarit 2015 në Greqi, përbëjnë një hap pozitiv për popullin grek. Është folur shumë këto kohë, duke bërë edhe ndonjë përcaktim ose vlerësim për forcën politike Syriza, që mori shumicën e votave.

Ka pasur hamendësime të ndryshme për të “papriturat eventuale” që qeverisja e saj mund t’i ketë rezervuar të ardhmes së grekëve, madje edhe për ndikimet e saj në Eurozonë dhe eventualisht në BE. Por mendoj se nuk mund t’i japësh vetes të drejtën për të gjykuar ose paragjykuar verdiktin e një populli. Fqinjët tanë grekë kanë një përvojë të gjatë dhe të pasur elektorale, politike, qeverisëse, të cilën besoj se kanë ditur ta përdorin me mençuri në interesin e të ardhmes së vendit të vet.

Nga kjo pikëpamje gjykoj se grekët kanë bërë zgjedhjen që e kanë gjykuar më të përshtatshme në kushtet aktuale në të cilat ndodhen, duke i dhënë shansin një force tjetër politike, jo aq tradicionale sa partitë që e kanë qeverisur për disa dekada. Duhet menduar pozitivisht edhe sepse në krye të qeverisë do të jetë z. Aleksis Cipras, një intelektual i formuar, kurajoz e guximtar, i ri në moshë, që e do vendin e vet dhe që aspiron më të mirën e mundshme për të. Ka edhe diçka tjetër me rëndësi të veçantë në vlerësimin e ndryshimit të ekipit drejtues të Greqisë.

Zakonisht në kontekstin e zhvillimeve aktuale, pothuajse në çdo vend, asnjë forcë politike që vjen në fuqi nëpërmjet zgjedhjeve të zhvilluara në përputhje dhe në respekt të legjislacionit kushtetues, cilado qoftë prirja e saj, nuk e ka të lehtë që të bëjë devijime radikale, nga një kurs i përgjithshëm tradicional zhvillimesh. Aq më pak mund të ndodhë një gjë e tillë kur është fjala për shtete që bëjnë pjesë në aleanca ose bashkime shtetesh, si BE, NATO ose organizata të tjera ndërkombëtare, sikurse është rasti me Greqinë.

Orientimi i saj kryesor, i përgjithshëm politik dhe ekonomik, është tashmë i përcaktuar dhe i konsoliduar dhe është përpunuar edhe sipas angazhimeve juridiko-institucionale që imponon përkatësia e saj në këto organizata.

Rotacioni politik në pushtet është një zhvillim normal dhe krejt i natyrshëm. Ai është mbi të gjitha shprehje e mjedisit demokratik në një vend, që iu hap rrugën zhvillimeve pozitive dhe perspektivave më të mira për popujt që ushtrojnë të drejtën e vet për ndryshimin e forcave politike në krye të vendit të vet dhe rrjedhimisht edhe të ekipeve drejtuese. Pa paragjykuar forcat e mëparshme politike që ishin në pushtet te fqinjët tanë dhe liderët e tyre, e shoh pozitivisht ardhjen e Syrizës dhe koalicionit të ri qeverisës.

Nga sa është deklaruar prej tyre deri tani, vihet re se ajo do të vazhdojë t’i përmbahet politikës së fqinjësisë së mirë, të bashkëpunimit dhe të miqësisë me Shqipërinë. Në këtë drejtim besoj fuqimisht se ardhja e kësaj force do të ndikojë edhe në rishikimin, modernizimin dhe demokratizimin e disa qëndrimeve arkaike greke në fushën e politikës së jashtme, veçanërisht në marrëdhëniet me Shqipërinë, të cilat janë mbështetur mbi dogma të tejkaluara, që vijnë nga kohë të errëta dhe që nuk përkojnë me interesat e të dy popujve dhe me perspektivën e të ardhmes së tyre europiane.

Siç është vënë re dhe siç është theksuar në shumë raste, ka vend për një rikonceptim modern, emancipues, qytetërues të aspekteve të caktuara të politikës greke ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ajo duhet t’i shikojë ata si qytetarë europianë që jetojnë dhe përpiqen të zhvillohen në hapësirën e tyre, si partnerë të barabartë, miqësorë dhe bashkëpunues, që meritojnë të trajtohen me gjithë respektin e duhur që buron jo vetëm nga afërsia gjeografike dhe dora e shtrirë miqësore e tyre ndaj Greqisë dhe grekëve, por edhe nga parimet e rëndësishme që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve sovrane, si fqinjësia e mirë, barazia, respekti, mosndërhyrja në punët e brendshme të njëri-tjetrit, ndihma e ndërsjellë etj.

Është dëshira e të gjithë shqiptarëve që qeveria e re greke të vazhdojë trajtimin miqësor të qindra mijëra bashkatdhetarëve të tyre që jetojnë dhe punojnë në Greqi. Në këtë optikë janë inkurajuese deklarimet e z. Cipras, se qeveria e re do të ndërmarrë nisma për përmirësimin e mëtejshëm të statusit të tyre, duke u orientuar nga standardet demokratike europiane dhe ndërkombëtare të trajtimit të emigrantëve etj.

Një faktor tjetër shumë i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve është pjesëmarrja e gjerë në to e dhjetëra mijëra shqiptarëve në Greqi, të cilët shkuan në kutitë e votimit edhe duke u udhëhequr nga deklarimi i z. Cipras se Greqia do të jetë shteti, atdheu i përbashkët i të gjithë atyre që jetojnë në tokën e saj. Pjesëmarrja e tyre, madje e disave edhe si kandidatë, është gjithashtu një zhvillim shumë pozitiv.

Ne shqiptarët, popull me rrënjë të lashta, trashëgimtarë të një qytetërimi dhe kulture të zhvilluar, që kemi ecur përmes vështirësish të shumta, të cilat në të shkuarën na janë krijuar edhe nga fqinjët, nuk mund të mos gëzohemi, duke dëshiruar sinqerisht dhe duke shpresuar që grekët, me zgjedhjet e së dielës, të kenë shënuar arritje të mëtejshme drejt zhvillimeve progresive, demokratike dhe prosperitetit të tyre ekonomik e social

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi