1 trilion euro për shpëtimin e Eurozonës
Nga Genci Burimi, botuar në Shekulli Online, 23 janar 2015
Ajo që imagjinohej, por që nuk shpresohej, më në fund ndodhi. Banka Qendrore Europiane vendosi të hapë digat e “fabrikimit” në masë të euros. Me fjalë të tjera, të shtypë monedhë deri sa t’ia shtypë kokën deflacionit që është ana e kundërt, dhe po aq e rëndë e inflacionit. Një vendim kurajoz, që tingëllon si një fitore e francezëve kundër gjermanëve. Te parët, që me ardhjen e Hollande në pushtet, ishin bërë zëdhënës të PIGS-it (vendet në krizë të Europës Jugore: Portugalia, Italia, Greqia dhe Spanje, që njihen me nofkën derra).
Stabilitet financiar me çmim të lartë social
Çfarë kërkonte Jugu i Europës që prej pesë vjetësh, kur filloi kriza financiare ? Kërkesa ishte, që vendet anëtare të euros në vështirësi të theksuara financiare, si rasti i Greqisë në falimentim, por dhe i Italisë, Spanjës, Portugalisë, të mos lypnin borxhe në tregjet financiare, por pranë Bankës Qendrore Europiane. Në tregjet financiare, spekulantët ua matnin kokën me interesa të llahtarshme, që i kalonin dhe 10% . Ndërkohë që, banka mëmë, fare mirë mund t’u jepte borxh çka u nevojitej me interesa jashtëzakonisht të buta, thuajse zero. Por, përpara u doli një Merkel me një jo kategorike. Vetë Merkeli fshihej pas jo-së të gjykatës kushtetuese gjermane në Karlsruhe, sipas së cilës, tekstet themeltare të krijimit të Eurozonës, nuk parashikonin që Banka Qendrore Europiane, të blinte borxhet e shteteve anëtare. Gjermanët, në fakt, ishin unanim dhe konsekuentë me politikat e tyre ekonomike, që i kishin dhënë provat e suksesit. Sipas gjermanëve, në ekonomi nuk duhet të bësh hile me monedhën për të mbushur vrimat aty-këtu, por të bësh menaxhim të atillë, që shteti të mos ketë nevojë të marrë borxh. Gjermania ishte e fortë sepse marka ishte e fortë. Gjermania është e fortë, pasi euro është e fortë dhe stabël. Kur Sarkozy shkoi t’u kërkonte një këst për grekët, maksimumi që bënë gjermanët nuk ishte të hapnin “arkën” e Bankës Qendrore Europiane, siç po e bën më në fund Mario Dragi, por me zor sa lëshuan një garanci për Greqinë me dy kushte: që në lojë të futej dhe FMN-ja dhe t’ia jepte ajo borxhin kryesor Greqisë, dhe së dyti, që Greqia të ndërmerrte reforma të ashpra strukturore, në mënyrë që shteti grek, të mos ishte më në deficit.
Gjermanët ishin të sigurt se po të arrinin sukses me grekët, këtë formulë të rrepte, por efikase, do të mund t’ua servirnin më pas edhe vendeve të tjera. Laku po shtrëngohej rreth qafës së Francës, e cila nga viti 2012, kishte një president të ri socialist. Problemi ekonomik po kthehej në politik. Kurrë, e majta e të majtës franceze dhe partia e ekstremit të djathte të Le Pen-it nuk do ta lejonin Hollande ta linte Merkel-in t’i impononte Francës atë që ua imponoi Greqisë, Spanjës dhe Italisë. Ka patur shume pallavra e vajtje ardhje midis dy vendeve këto muajt e fundit. Franca shihej me shpresë nga Renzi dhe nga grekët. A do të arrinte Hollande ta thyente Merkel-in ? Ditën kur ndodhën atentatet në Paris, Hollande e Merkel kishin parashikuar përsëri të takoheshin atë javë. Merkel i kishte kërkuar takim partnerit të saj francez në Strasburg, pikërisht për t’i kërkuar llogari se kur Franca do të fillonte reformat serioze, pasi kjo e fundit e kishte të kotë të shpresonte në një ndryshim të kursit të Bankës Qendrore Europiane. Por, Merkeli në çastin e fundit ndërroi destinacion. Në vend të Strasburgut preferoi të manifestonte në Paris kundër terrorizmit dhe ekstremizmave. Një epokë e re po hapej në Europë. Më shumë se kontabiliteti publik, tani ka rëndësi integriteti i shoqërive europiane, të cilat, nën efektin e krizës dhe rritjes së ekstremizmave, rrezikojnë te dislokohen. Sa rëndësi ka t’i çosh Greqinë dhe Francën pranë ekuilibrit financiar kur çmimi që duhet paguar është ardhja e SYRIZA-s dhe e Le Pen-it në pushtet ? Akti i dytë i historisë së euros mund të fillojë. Fjalën e ka tani maestro Dragi.
Banka Qendrore Europiane hap rubinetin
Është thuajse një puç që Mario Dragi ua bën autoriteteve gjermane. Ai vendosi këtë të enjte të paimagjinueshmen. Tabuja më e madhe ra. Ai vendosi të hape rubinetin e parasë. Sigurisht mund të duket se këtë gjë e kishte bërë edhe para një viti, kur gjermanët u dukën se lëshuan pak pe. Asokohe, një revolucion më vete, ata i lejuan Dragit të hapte rubinetët e parasë, por vetëm për bankat në zonën euro. Këto të fundit mund të merrnin kështu borxh sa të donin me përqindje zero te banka mëmë europiane. Por kjo nuk dha asnjë rezultat ekonomik. Eurot që i merrnin borxh kollaj, bankat preferonin t’i luanin në bursa apo t’i mbanin në rezervë për të shëndoshur bilancet, sesa t’i vinin në qarkullim në ekonomi për të financuar investimet e ndërmarrjeve që kërkonin me dëshpërim kredi. Ndërkohë që pas krizës së “Lehman Brothers”, Amerika dhe Britania e Madhe dolën thuajse të palagura nga kriza, Europa s’po del nga një ngërç i tmerrshëm ekonomik. Papunësi në rritje, mungese investimesh dhe tani edhe terrorizëm antieuropian. Dragit autorizohet tani që rubinetin e parave ta hapë drejtpërdrejtë për shtetet dhe jo vetëm për bankat. Me këtë , Dragi dhe politikanët e Jugut të Europes shpresojnë tri gjera. Avantazhi i pare do të jetë ndryshimi i raporteve me tregjet financiare. Deri tani këto të fundit kishin interes të huazonin vetëm në shtetet europiane dhe me përqindje të larta, sepse këto s’kishin ku të gjenin valute gjetiu për të lare këstet e borxheve të mëparshme, për të paguar rrogat e pensionet e funksionarëve, asistencën sociale etj.
Meqenëse këto shtete do t’ua kthejnë tani kurrizin tregjeve financiare, pasi eurot qe u nevojiten do t’ua japë Banka Qendrore, atëherë, tregjet financiare që kanë nevojë dhe ato te qarkullojnë paranë, do të preferojnë më në fund t’u huazojnë firmave private dhe me përqindje të buta, gjë që e kishin përbuzur deri tani. Arrihet pra objektivi i parë, si të financohet investimi privat, pasi privati krijon vende pune dhe jo shteti. Avantazhi i dytë do të jetë inflacioni. Pikërisht atë që Gjermania kërkonte me çdo kusht ta evitonte. Veçse Gjermania ia kishte shtrënguar kaq shume rripin europianëve, sa lufta kundër inflacionit shkoi ne overdozë, në deflacion. Inflacioni është rritja e çmimeve. Maksimumi ai duhet të jetë 2%. Por çmimet në vend të rriten, 2% e pakta, kane rënë me 0,2%. Ky quhet deflacion dhe është më i rrezikshëm se inflacioni, pasi tregon që çmimet bien pasi mallrat nuk blihen, pasi nuk ka para të blihen. Pra gjithçka bie, çmimet, investimi, punësimi. Midis dy të këqijave, Dragi me gjestin e tij tregon se preferon të parin në mënyre që të rivihet makineria ekonomike në punë. Avantazhi i tretë do të jetë zhvlerësimi i euros, gjë që ka filluar tashmë, sepse tregjet financiare e prisnin një lëvizje të tillë. Si kurrë më parë, euro po bie në nivelin e dollarit. Një euro e zhvlerësuar i bën eksportet europiane më të konkurrueshme. Pas Kinës, SHBA-ve, Japonisë dhe Britanisë së madhe, Banka Qendrore vendos kështu dhe ajo të hyjë në vallen e kombeve që manipulojnë monedhën për të stimuluar ekonominë.
A do të funksionojë strategjia e re? Një gjë është e sigurt. Çdo muaj deri në shtator 2016, ajo do t’u lëshojë shteteve të eurozonës 60 miliardë euro në muaj, që do të thotë 1trilion euro në total. Dhe kjo pa bekimin e gjermanëve, të cilët, që nga Davosi me ane të Merkelit, lëshojnë thirrjen që hapja e qeses mos t’i devijojë europianët nga rruga e reformave. I vetmi lëshim që Dragi u bëri gjermanëve është që mos ta zgjidhë qesen njësoj për të gjitha vendet, por në proporcion me aksionet që ato mbajnë pranë Bankës Qendrore. Kjo është lëvizja më madhe, por edhe e fundit që po bëjnë autoritetet financiare europiane për ta nxjerre zonën euro nga kriza. Nuk ka mbetur më një xhol i fundit në mëngën e Dragit. Po Shqipëria, dhe sa kohe do të presë ta tentojë edhe ajo këtë lëvizje shahu të shpresës së fundit, kur paraja dhe investimet kanë rënë? Një temë që meriton një debat më vete…