Gara shekullore për vendin e fundit

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 22 janar 2014

Afrim_KrasniqiMidis shumë tipareve të përbashkëta që kanë të gjithë ata politikanë që kanë udhëhequr Shqipërinë përgjatë shekullit është vlerësimi i gjithësecilit mbi ditën e parë dhe të fundit të mandatit të tyre. Kur lexon fjalimet dhe intervistat e Mbretit Zog, apo më parë edhe të kryeministrit e më vonë të Presidentit Zog, ato të Nolit kryeministër, të Hoxhës kryeministër dhe më pas shef absolut i shtetit komunist, dhe në tranzicion, – fjalimet e Berishës apo Nanos në ardhje-ikjet nga pushteti dhe së fundi edhe të Ramës lehtësisht gjendet i njëjti vlerësim: Shqipëria që ata morën ishte më e varfra në Evropë, në krizë të thellë, pa miq dhe pa perspektivë. Për ditën e fundit të mandatit secili rezervon vlerësimin e kundërt: Shqipëria që ata lanë ishte e zhvilluar, moderne, vitale dhe në mirëqenie.

I njëjti kontrast i thellë gjendet edhe në botimet historike të secilës periudhë. Secili kapitull historik nis me të njëjtin vlerësim: Shqipëria që gjetën ishte më e varfra, e fundit në Evropë, agrare në formim dhe në udhëkryq politik. Përcaktimi i vendit më të fundit ka sens kur merret si pjesë e një vlerësimi krahasues midis vendeve dhe në një lexim retrospektiv afatgjatë që sheh të sotmen si produkt edhe të së kaluarës së largët dhe të afërt. I marrë jashtë këtij konteksti, si përcaktim simbol për momentin e caktuar politik me qëllim të bëjë kontrastin me të kaluarën e afërt, – sindroma e më të fundit, keqpërdoret, abuzohet dhe shndërrohet alibi paralajmëruese për dështimin e të ardhmes.

Konkretisht, nëse regjimet e Zog ishin të pritura të bënin krahasimin me 1912 ose periudhën e mesit të Luftës së Parë Botërore, periudhat më negative të së kaluarës së afërt, qëllimi primar ishte nxjerrja në pah e ndryshimeve të reja, justifikimi i çdo vendimmarrje politike të tij dhe paralajmërimi se nëse janë bërë gabime, ato janë të falshme për shkak të kontrastit të thellë midis dy periudhave të krahasuara. Nëse më pas përgjatë 45 viteve regjimi komunist i adresohej krahasimit me vitin 1938 qëllimi ishte i njëjtë: nxjerrja në pah e ndryshimeve, krijimi i një kontrasti të thellë midis periudhave dhe justifikimi i gabimeve dhe vendimmarrjeve të sistemit.

Pas viteve ‘90 të gjitha referimet e ndryshimeve u bënë gjithashtu duke u krahasuar me vitin më të keq, atë 1990-1991, për të njëjtat motive dhe synimeve politike. Në çdo fjalim, deklarim dhe analizë që demokratët i bënin viteve 1992-1996 referimi negativ merrej me vitin 1991. Pas rotacionit politik (1997), çdo fjalim, deklarim dhe analizë e socialistëve gjatë 1997-2005 referoheshin krahasimeve me vitin më të keq të Shqipërisë, 1997. Pas rikthimit të demokratëve në pushtet çdo krahasim politik i viteve 2005-2013 referohej me të dhënat e vitit 2004, vitin më negativ të qeverisjes socialiste.

Pas 2013 socialistët po vijojnë të njëjtën praktikë, – krahasimi me vitet negative të demokratëve në mandatin e dytë. Për ta Shqipëria dhe historia nis me 23 qershor, gjithçka përpara shumëzohet me zero, gjithçka më pas shumëfishohet me 1 milionë. Një truk propagandistik që përsëritet, merret e rimerret, edhe pse të gjitha palët, kur janë në opozitë, premtojnë se do t’i japin fund praktikave të tilla abuzive.

Ky fenomen negativ nuk mbetet vetëm cilësi e përbashkët e të gjithë udhëheqësve politikë përgjatë shekullit eksperimental shqiptar, por edhe një lexim abuziv për realitetin e njëjtë: Shqipëria e Ahmet Zogut, e Fan Nolit, e Enver Hoxhës, e Sali Berishës, e Fatos Nanos dhe e Edi Ramës ka qenë, është dhe pritet të jetë gjatë në fundin e listës së vendeve të zhvilluara kontinentale.

E tillë ishte edhe në shekujt e fundit të sundimit otoman, e tillë ishte edhe periudhën e jetësimit të shtetit, e tillë u trashëgua nga secili brez politik, të tillë pritet ta pasojmë edhe tek fëmijët tanë. Arsyet janë të shumta, disa objektive dhe të tjera subjektive. Ato që lidhen me gjeopolitikën, bilancet e shekujve të kaluar apo sistemet që kemi provuar janë një justifikim i besueshëm dhe efektiv. Ato që erdhën për shkak të pafuqisë së elitave tona politike për të bërë ndryshimin, janë e mbeten kosto shqiptare, të evitueshme, por njëherësh, dëshmi të një dështimi konsensual dhe periodik.

Projekti evropian i vitit 1914 u minua nga fanatizmi provincial dhe feudal shqiptar, themelet e kalasë demokratike të viteve 1920-1924 u minuan nga ambiciet e shfrenuara klanore për pushtet, ngjarjet e mesit dhe fundit të vitit 1924 na rikthyen në format e dhunshme të ushtrimit të pushtetit, modeli republikan e monarkist 1925-1938 krijoi institucione dhe solli ndryshime por pa reformuar dot thelbin autoritar dhe klanor të tij, modeli komunist eksperimentoi një monarki të dhunshme absolute dhe ideologjike, modeli demokratik pas vitit 1991 provoi kalime pushteti midis klientelave politike dhe ekonomike pa arritur të gjenerojnë shpresë, stabilitet, demokraci funksionale dhe standarde të referueshme me modelet e demokracive të Evropës Qendrore dhe Perëndimore.

Teza kritike që e përfshin Shqipërinë midis vendeve me traditë orientale dhe për rrjedhojë, parasheh një proces të gjatë dhe kompleks të kalimit drejt demokracisë, duket se u jetësua. Të vetmet faza historike kur Shqipëria pati shenja të largimit nga vendi i fundit, ishin periudhat që nuk lidhen me progresin tonë të shpejtë, por me dështimet me të cilat u përballën disa shtete të tjera relativisht të krahasueshme me ne. Më 2014 jemi përsëri të fundit, ose në grupin e vendeve më të fundit, qoftë në standardet e jetesës, të zhvillimit ekonomik, të demokracisë dhe të jetësimit të shtetit të së drejtës.

Përballë këtij bilanci të lexueshëm pyetje mbetet: atëherë përse liderit tanë vijnë në pushtet me pritshmëri për sjellje dhe akte heroike, si shpresa të ndryshimit, si reformatorë historikë dhe më pas, largohen prej tij gati në mënyrë të dhunshme, me vota masive kundër dhe të etiketuar si përgjegjës të dështimeve historike të radhës? Dhe mbi të gjitha, a kemi ne potencial të krijojmë modele të ndryshme politike, modele reformatore, udhëheqës që bëjnë ndryshimin, burra shteti që mbahen mend jo për përdorimin e dhunës apo arrogancën e tyre ndaj rivalëve e qytetarëve sesa për aktet e tyre të vendimmarrjes që kapërcejnë interesat politike të ditës dhe krijojnë perspektivë të re për vendin?

Unë jam skepktik, madje në këto rrethana edhe më shumë se kaq. Modeli ynë politik vijon të mbetet modeli i ecjes me turmën, përdorimi saj për pushtet dhe identifikimi me pushtetin si rrugëzgjidhja e vetme për vendin. Diçka që sjell trishtim dhe mban peng perspektivën. Diçka që krijon e rrëzon mite por nuk sjell qytetari, krijon e rrëzon pushtete piramidale por nuk lejon ndryshimin e kulturës politike, krijon e rrëzon udhëheqës partiakë por nuk prodhon shtetarë.

Një përfundim dramatik përpara të secilit secili ka nevojë të përballet si para pasqyrës, sa herë që merr kurajën ta identifikojë veten me shpresën dhe zgjidhjen e vetme. Mësimi mbetet aktual: Shqipëria e këtij modeli dështoi kur synoi të krijojë demokraci pa demokratë, kur synoi rilindje pa patur rilindas, kur premtoi parajsën duke ia besuar realizimin mëkatarëve, në këto kushte, nëse nuk ndryshon, nuk reflekton dhe nuk çlirohet nga (vet)mallkimi i vendit të fundit në kontinent, e ka të pamundur të bëhet evropiane pa pasur mendje, zemra, projekte, vullnete, vizione dhe sjellje të tilla.

Afrim Krasniqi

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi