BQE do të riblejë më shumë se 1000 miliard euro të borxhit
Konferencë shtypi e Presidentit të BQE-së, Mario Draghi, 22 janar 2015
Banka Qendrore Europiane ka marrë një hap dramatik stimulues për ekonominë e trazuar të eurozonës, duke zbuluar një program masiv të blerjes së obligacioneve me vlerën e të paktën 1.3 trilionë dollarëve.
Presidenti i BQE-së, Mario Draghi, tha se programi i këtij institucioni financiar do të mbulojë garancitë e sektorit publik e privat, përfshi – për herë të parë – edhe bonot e lëshuara prej qeverive të eurozonës.
Blerjet e tyre do të nisin në mars, me një normë mesatare mujore prej 60 miliardë eurosh (70 mld dollarë) dhe priten të vazhdojnë deri në fund të shtatorit të vitit të ardhshëm, ndërkohë që lehtësimet sasiore (me hedhjen në qarkullim të parave të reja) mund të zgjasin përtej këtij afati.
“Ato do të kryhen në çdo rast, deri sa ne të shohim një përmirësim të qëndrueshëm drejt inflacionit, gjë që është edhe në përputhje me objektivin tonë të ruajtjes së normave të inflacionit nën 2%, por shumë pranë këtij pragu, sa i përket objektivave afatmesme”, u shpreh Draghi.
Banka Qendrore Europiane ndërmori këtë hap për shkak se masat e vjetra stimuluese, përfshi edhe uljen rekord të normave të interesit dhe blerjen e aseteve të tjera, dështuan të forconin pritshmëritë inflacioniste.
Çmimet anembanë eurozonës ranë gjatë dhjetorit, duke u nxitur edhe nga ulja e mprehtë e kostove energjitike. Europa po vuan gjithashtu edhe nga aktiviteti ekonomik në depresion, ndërsa papunësia mbetet pranë niveleve më të larta rekord.
Draghi anashkaloi kundërshtimin e Gjermanisë për blerjen e obligacioneve sapo Europa ra në deflacion, gjë që kërcënon edhe më tej në rënien e një spiraleje deflacioniste të ngjashme me atë që preku Japoninë për afro 2 dekada.
Këshilli qeverisës i BQE-së ishte unanim në pikëpamjen e tij se blerja e obligacioneve ishte një mjet legjitim për t’u përdorur nga Banka, ndërkohë që një mazhorancë e theksuar ishte në favor të nisjes së këtij programi, tha Draghi.
Blerja e obligacioneve është arma e fundit e rëndësishme e mbetur në duart e BQE-së dhe shumica e ekspertëve thonë se përdorimi i saj është tejet i vonuar. Por, ata paralajmërojnë gjithashtu se hedhja në qarkullim e parave të reja, si masë e vetme, nuk do të ishte e mjaftueshme për të shpëtuar Europën. Ndaj dhe më e mira që mund të bëjë BQE është t’u ofrojë kohën e nevojshme qeverive për të ndërmarrë reformat tejet të vonuara.
Kjo pikëpamje u përforcua nga Draghi. “Nëse duam që të kemi rritje, atëherë nevojiten investime, por për të investuar nevojitet besueshmëri. Për këtë të fundit janë tepër të nevojshme reformat strukturore”, u shpreh kreu i BQE-së. “Banka Qendrore ka marrë një masë tejet ekspansioniste sot, por gjithçka do të mbetet në duart e qeverive për të implementuar këto reforma strukturore”. / Top Channel