Rrënjët antike të ndërtimeve pa leje

 

Nga Artan Lame, botuar në Shekulli, 17 janar 2015

alame

 

Unë kam vite që merrem me çështje të planifikimit, urbanistikës, etj. Duke qenë për shumë vite anëtar i shoqërisë civile dhe duke qenë dhe “dashnor” i përjetshëm i trashëgimisë kulturore e kam vrarë mendjen shumë për t’i hyrë në themel nga vjen ky ilegalitet i lartë në Shqipëri, ilegalitet jo thjesht në konceptin e ndërtimit, por në përgjithësi në mungesën e formalizimit të gjërave.

E nisa me këta 20 vjet, por kuptova se ishte dhe më thellë, te regjimi komunist, por më pas doli që kishte rrënjë më të thella, në periudhën e parë të shtetit shqiptar. Por në atë periudhë doli që kishte problematika të trashëguara nga periudha e perandorisë osmane, aty doli që ajo vinte si pasojë e asaj çfarë kishte gjetur në terren kjo perandori që nga periudha e Mesjetës.

Kur hyra te Mesjeta më rezultoi se Mesjeta u formatua në mënyrë të tillë në trojet shqiptare se e tillë erdhi nga antikiteti. Dhe eca më përpara deri sa arrita te dy njerëzit e parë, te dy njerëzit e parë që takuan njëri-tjetrin dhe vendosin që t’i vendosin rregullat njëri-tjetrit. Në fund të fundit, formaliteti apo vendosja e rregullave lind kur njerëzit takohen me njëri-tjetrin.

Aty ku takohen ka dy mënyra për të jetuar me njëri-tjetrit, ose bien dakord: kjo është shpella ime, kjo është çomangia jote dhe unë s’do ta marr, ose njëri është më i fortë se tjetri dhe i imponohet tjetrit. Në përgjithësi, shoqëritë e kanë filluar nga imponimi dhe pastaj kanë vajtur drejt barazisë. Me këtë desha të them se asgjë nuk ndodh krejt rastësisht.

Çdo gjë vjen nga diçka e mëparshme, ka një trashëgimi, derisa vijmë te shoqëria e sotme. Pa dashur ta merrja shoqërinë shqiptare nga epoka e shpellave, ajo që do të formatonte elementet e para të vazhdimësisë që vijnë deri në epokën tonë është Mesjeta. E gjithë shoqëria europiane e sotme, rregullat e vazhdimësisë së saj i ka në Mesjetë, disa konsiderojnë vitin 800, në periudhën e Karlit të Madh, apo në vitin 1000 dhe më pas Europa nuk ka më përmbysje të mëdha, ka vazhdimësi dhe limosje të sistemit.

Ne, për fat të mirë, duhet ta kishim edhe më të vjetër këtë pjesë, sepse duhet ta na fillonte që nga periudha bizantine, e cila pati vazhdimësi nga antikiteti dhe e kaloi më butë periudhën e dyndjeve barbare. Por problemi është se shoqëria e atëhershme, ishte një shoqëri rurale, fshatare dhe duke qenë e tillë nuk kishte nevojë për ato rregulla, që ka nevojë jeta në qytet.

Fshati nga pikëpamja urbane nuk vendos dot rregulla. Duke qenë e tillë, shoqëria shqiptare nuk kishte nevojë për rregulla të forta dhe për më tepër, duke qenë një shoqëri e shpërndarë nëpër kodra, nëpër male, kishte akoma më pak kontakte me njëra-tjetrën. Në Kanun ka rregulla të tilla që “shpia nga shpia duhet të jetë një e shtënë pushke larg”, pikërisht sepse paaftësinë për të mos i vendosur rregulla njëri-tjetrin e zgjidhnin duke i qëndruar larg njëri-tjetrit.

Problemet fillojnë në momentin kur shoqëria fillon grumbullohet, kur fillojnë lindin qytetet, kur fillojnë lindin konglomeratet. Mesjeta ka elementë të shkëlqyer nga kjo pikëpamje edhe në Shqipëri, si shembull do të sillja Statutet e Shkodrës. Ato janë të shekullit 13-14 dhe kanë rregulla shumë të qarta se si ndërtohet, si hapet dritarja, si duhet të jeta shkalla, si duhet të jetë rruga në zonë të pjerrët, sa dyer lejohen në çdo mur, e me radhë.

Është një gjë e jashtëzakonshme, por e fshehta e kësaj është se ato statute nuk janë tonat, janë nga Venecia, nga rregullat e Italisë që ishte e organizuar dhe për fat të mirë iu imponua qyteteve tona. Ne i nisëm shekujt 15-16 me një sistem krejt të ri vlerash duke filluar që nga kurrizi që ia kthyem Perëndimit deri në një sistem tjetër me rregullat e veta.

Këtij sistemi iu deshën gati 200 vjet që të rikrijonte qytetet për shkak të riruralizimit të jetës në Ballkan, sepse ky nuk është vetëm fenomen shqiptar, por ballkanik për shkak të dyndjeve osmane. U rikrijuan qytetet osmane me koncepte komplet të tjera urbane. Koncepti lindor është koncepti i konglomeratit pa rregulla të brendshme.

Secili hapet deri aty ku është “bërryli” i fqinjit dhe kështu krijohen dhe shtresëzohen qytetet osmane. Po të marrësh Beratin e vjetër nuk ka asnjë rregull në ndërtimin e lagjeve. Rregullat e para që fryjnë pak nga Perëndimi filluan në shekullin 19, atëherë kur Perandoria Osmane filloi të ndikohej nga Perëndimi.

Shembulli i parë i një konglomerati urban me rregulla të brendshme dhe sistemim të brendshëm janë lagjet ortodokse të Korçës dhe Fieri i vjetër. Një tjetër shembull i parë, por pak më i vogël është në Tiranë, në disa lagje të saj, të cilat i disiplinoi Esat Pasha. Ndërsa flladi i parë i vërtetë vjen me Luftën e Parë Botërore.

Përtej atyre kornizave të luftës që shoqërohet me shkatërrime, dëme, në një vend si Shqipëria që ishte e shkatërruar solli vetëm mirë sepse çdo ushtri sillte infrastrukturën e vet. Një oficer nuk mund të rrinte në kasolle me kallama, donte shtëpi dhe shteti ia financonte. U bënë rrugët, u ndërtuan disa ndërtesa, u hapën vende pune, ishte një zinxhir i madh që solli lufta, janë përpjekjet e para që bëhen për disiplinimin urban të qyteteve.

Austriakët u morën me Shkodrën, Tiranën, Durrësin, Lezhën, Fierin, ndërsa italianët u morën shumë me Vlorën dhe gjitha ndërtesat më të bukura që trashëgojmë dhe sot janë ndërtuar gjatë pushtimit të parë italian 1914-1920. Francezët u morën me Korçën e Pogradecin. Fundi i luftës së parë botërore sjell atë periudhën e kalimeve në shumë qeveri njëra pas tjetrës që nuk lënë gjurmë, derisa fillon stabilizimi në vitet ’30 dhe bumi i madh i planeve urbane të periudhës së Mbretit Zog.

Kjo periudhë vazhdoi dhe me pushtimin italian sepse ata e imagjinonin Shqipërinë në përgjithësi dhe aksin Tiranë-Durrës në veçanti si qendër të perandorisë së tyre Ballkanike. Dhe vijmë te periudha e komunizmit, e cila ka shumë të mira nga pikëpamja urbane, por ka dhe disa të këqija të tmerrshme të cilat i trashëgojmë ne sot. Për shembull, një të keqe shumë të madhe që humbi vlerën e dokumentit dhe të pronës që do të thotë letra nuk kishte më vlerë në kohën e komunizmit sepse u kthye çdo gjë në pronë të përbashkët.

Humbja e vlerës së dokumentit është një nga krisjet më të mëdha që kemi pësuar. Pastaj vjen Në këtë krizë vjen ‘90, ku ne u gjendëm në një farë mënyre si në “Far West”, sepse regjimi kishte ndërtuar një digë të fortë që ishte dhuna, me anë të së cilës kishte detyruar 1 milion shqiptarë të rrinin në fshat.

Papritur kjo digë u hoq dhe gjithë kjo masë njerëzish, që jetonin një jetë shumë të keqe në fshat, u dynd pa asnjë kontroll drejt qyteteve. Me një shtet shumë të dobët dhe pa eksperiencë, që po kalonte nga një shtet i vjetër në një shtet të ri, pra e ndërrojmë dhe një herë sistemin nga fillimi, gjendet në këtë situatë.

Strukturat e vjetra bien, pengesat bien dhe kjo masë njerëzish, rreth 1 milionë, dyndet rreth qyteteve duke krijuar një unazë të hekurt dhe sot jemi në situatën që jemi.

Kemi një bllok të madh unazash që kanë rrethuar qytetet tona duke mos lejuar më që të shpërthejnë dhe zmadhohen. Durrësi, për shembull, po mbytet brenda vetes sepse nuk mund të hapet më pasi ka këtë unazë rreth 1 km ndërtimesh informale që e kanë bllokuar dhe është i detyruar të gjenerojë brenda vetes, të riciklojë veten, të shkelë mbi të shkuarën e vet sepse nuk hapet dot. Kjo ndodh me Tiranën, Elbasanin, Shkodrën etj.

Dyndje drejt qyteteve ka pasur e gjithë bota dhe shumica e qyteteve të mëdha europiane janë krijuar si pasojë e dyndjeve nga fshati, por atje kanë ndodhur për arsye të tjera, sepse në qytet kishte nevojë për krah pune, etj.

Vijmë në vitin 2002 kur hidhet ideja e parë për legalizimin gjatë një projekti të Bashkisë së Tiranës dhe vetëm në 2005 u kthye në ligj, por një ligj me elementë elektoralë. Në vitin 2006 e merr pushtetin PD-ja dhe e ribën ligjin përsëri me elementë elektoralë brenda dhe kjo çështje tashmë është kthyer në problem politik. Çdo palë që vjen nuk e sheh vetëm me syrin teknik, si ta zgjidhim, por dhe me syrin politik, si të bëj më shumë vota me këtë çështje.

Pa dashur të bëj politikë, PD-ja dështoi në 8 vjet për legalizimet dhe dështoi për dy arsye kryesore, e para se PD-së, por më shumë liderit të saj, nuk i interesonte legalizimi sepse ishte një masë njerëzish të cilët i mbante varur duke ia premtuar dhe mos ia bërë dhe e dyta burimet ekonomike dhe njerëzore që vuri në dispozicion të procesit, edhe në momente kur donte partia që të ecte procesi, ishin të atilla që nuk mjaftonin që ta bënin të mundur.

Me ndryshimin e qeverisjes u ndryshuan shumë gjëra por thelbi i ligjit mbeti po ai, legalizimi dhe urbanizimi i zonave informale. Ka qenë një debat i vjetër që në vitin 2004 se kush duhej bërë më parë urbanizimi apo legalizimi apo e kundërta, unë teknikisht kam qenë me logjikën bëjmë urbanizim dhe pastaj legalizojmë.

Ajo që ne kemi përqafuar sot është një shkrirje e të dy elementëve, urbanizim në letër, legalizim dhe urbanizim në fakt. Kjo do të thotë, bëjmë në letër planet se si duhen urbanizuar këto zona, bëjmë legalizimin sipas këtyre planeve dhe pastaj bëjmë urbanizimin në terren. Kjo është skema që me shumë vështirësi po zbatohet aktualisht në vend.

Sot jemi në një Shqipëri që ka 280 mijë objekte pa leje në listë pritje, janë legalizuar në 8 vjet të PD-së 21.700, këto 9 muaj janë legalizuar 21 mijë dhe me këto ritme i bie të mbarojë pas 30 vitesh, ndërkohë që rihapja e procesit të vetëdeklarimeve ka sjellë dhe 82 mijë objekte të tjera.

Por duhet të pranojmë që ka një parim të madh në këtë aspekt. Në momentin që një njeri, dy apo tre bëjnë një kundërvatje, faji është i tyre. Kur e bëjnë të gjithë, faji nuk është më i tyre, por i ligjit, i qeverisjes.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi