Pensionet e emigrantëve, ja shtetet që do t’i njohin
Sipas Shekullit, 14 janar 2015
Qeveria shqiptare shton numrin e marrëveshjeve dypalëshe që do të mundësojnë njohjen e pensioneve për shqiptarët që jetojnë e punojnë në vende të ndryshme të Evropës. Në këtë proces të nisur tashmë, janë drejt përfundimit aktet ligjore dhe marrëveshja me Luksemburgun e Belgjikën. Përveç këtyre dy vendeve, Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme edhe me Turqinë, Gjermaninë, Çekinë, Rumaninë, Hungarinë dhe Austrinë. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë do të nënshkruajë shume shpejt marrëveshjen me Kanadanë, Hungarinë dhe Maqedoninë. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj deklaroi dje gjatë takimit të mbajtur në kryeministri për skemën e re të pensioneve, se po punohet për t’i çuar drejt finalizimit bisedimet e nisura me këto shtete.
Pensionet për emigrantët
Shteti shqiptar ka nisur negociatat me disa vende për të garantuar njohjen e pensioneve për emigrantë. Një marrëveshje e tillë është nënshkruar me Belgjikën. Numri i qytetarëve shqiptarë në Belgjikë është rreth 35 mijë, të cilët në një formë apo në një tjetër, mund të jenë objekt i marrëveshjes. Këtyre qytetarëve u lind e drejta për përfitime nga skema e sigurimeve shoqërore në një periudhë të dytë, kur ata të kenë mbushur moshën për pension. Qytetarët shqiptarë që janë në Belgjikë dhe kanë më pak se 15 vite pune të siguruara nuk do të jenë në të ardhmen subjekt i kësaj marrëveshjeje, por, duke pasur parasysh që ata janë relativisht të rinj dhe duan të paktën 10 vjet për të dalë në pension, efektet financiare do të fillojnë pas një periudhe mesatarisht 10-vjeçare. Gjithashtu një tjetër marrëveshje është ajo me Luksemburgun, e cila u jep mundësi emigrantëve shqiptarë të tërheqin me vete edhe kontributet e pensioneve që kanë depozituar në shtetin shqiptar, nëse vendosin të qëndrojnë në Luksemburg, ose anasjelltas. Ministri i Mirëqenies sociale dhe Rinisë është shprehur në lidhje me këtë marrëveshje se: “nënshkrimi i marrëveshjeve të tilla me vende si Belgjika apo Luksemburgu bëjnë të mundur që një emigrant shqiptar në Greqi apo Itali, mjafton të ketë punuar qoftë edhe një muaj në një nga vendet me të cilat Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjen dhe mund të përfitojë njohjen e kontributeve të pensionit të fituara në secilin prej vendeve të BE-së”. Përveç Belgjikës dhe Luksemburgut, Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme edhe me Turqinë, Gjermaninë, Çekinë, Rumaninë, Hungarinë dhe Austrinë. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë do të nënshkruajë shumë shpejt marrëveshjen me Kanadanë, Hungarinë dhe Maqedoninë. Ndërkohë qe kanë nisur negociatat edhe me Italinë, një nga vendet ku ka më shumë emigrantë shqiptarë. Një fakt i tillë është bërë i ditur gjatë vizitës së kryeministrit italian Mateo Renci (Matteo Renzi) në Tiranë. “Sapo kemi filluar, pas vizitës së Kryeministrit italian, bashkëbisedimin për të ngritur grupet negociatore, për një vend ku numri i emigrantëve është i jashtëzakonshëm, ku negociatat janë më të vështira, por ku edhe mesazhi i bashkimit të shqiptarëve rreth vendit amë do të jetë shumë i fortë, pasi të gjithë ata shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, me finalizimin e kësaj marrëveshjeje, për gjithë vitet që kanë punuar në Itali dhe janë rropatur në Itali do të marrin pension italian dhe për vitet që kanë punuar në Shqipëri, pjesën tjetër. Dhe mesatarja do të jetë sigurisht një pension i rëndësishëm”, – deklaroi dje kryeministri Edi Rama i cili theksoi se mazhoranca aktuale është e para qeveri në Republikën e Shqipërisë që po bën atë që duhet të ishte bërë vite më parë, si pothuajse të gjitha gjërat që duhet të ishin bërë vite më parë, lidhur me punën e shqiptarëve në emigracion. “Askush, asnjëherë nuk mori mundimin të hapë negociatat me vendet e tjera ku shqiptarët rropaten në punë. I jam shumë falënderues ministrit që siguroi në një hap të parë, por jo të fundit, 35 mijë emigrantë që jetojnë dhe punojnë në Belgjikë, që falë marrëveshjes me Belgjikën do të kenë një pension shumë dinjitoz, të bazuar tek vitet e punës që kanë pasur në Shqipëri dhe tek vitet e punës që kanë bërë në Belgjikë, ku kanë paguar sigurimet dhe nuk janë në të zezë. Kjo është edhe një shtysë që në bashkëpunim me këto vende të rrisim formalizimin edhe në ato vende”, – deklaroi ai.
Vendet me të cilat po bashkëpunohet
Belgjika është ndër vendet e para me të cilin kanë nisur negociatat për njohjen e pensioneve të emigrantëve që jetojnë atje dhe më pas edhe Luksemburgu. Ndërkohë janë nënshkruar marrëveshjet me Turqinë, Gjermaninë, Çekinë, Rumaninë, Hungarinë dhe Austrinë. Do të bashkëpunohet në këtë fushë edhe me Kanadanë, Hungarinë dhe Maqedoninë. Kanë nisur negociatat edhe me Italinë e Gjermaninë.
Zyrtari gjerman: Shanset për azil politik në Gjermani janë zero
Shqipëria dhe Gjermania pritet të nënshkruajnë një marrëveshje për njohjen e pensioneve. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj gjatë një konference për shtyp me Jorg Asmussen, sekretarin e Përgjithshëm për shtetin gjerman tha se ekipet e dy vendeve do të nisin punën në 19 janar, në Tiranë. “Kemi filluar një përpjekje serioze për të negociuar marrëveshje, mes Shqipërisë dhe disa vendeve. Kemi një lajm të shkëlqyer sot. Do të fillojmë negociatat me Gjermaninë. Është një hap konkret në vazhdim të procesit të integrimit, pas takimit mes kryeministrit dhe kancelares Merkel. Kjo vizitë sot e sekretarit Asmussen konkretizon këtë iniciativë bashkëpunimi mes dy vendeve. Ekipi gjerman do të jetë në datën 19 në Tiranë, më pas ekipi shqiptar do shkoj në Gjermani e brenda këtij viti do kemi një marrëveshje për njohje të pensioneve”, tha ministri Veliaj. Sipas tij qytetarët shqiptarë që nuk punojnë në të zezë, dhe që kanë vite pune në Gjermani do të përfitojnë nga kjo marrëveshje. Edhe sekretari i Përgjithshëm për Shtetin, Jorg Asmussen konfirmoi angazhimin e Berlinit për të arritur një marrëveshje brenda këtij viti. “Ekspertët teknik mbërrijnë të hënën në Tiranë, kam shpresë se do arrijmë progres. Besoj se do jemi gati kur unë të vij në Tiranë gjatë këtij viti për të nënshkruar marrëveshjen.
Duam të bashkëpunojmë me ju në një mënyrë evropiane”, – deklaroi zyrtari gjerman. Një tjetër pikë që dy zyrtarët kanë diskutuar ishte dhe kërkesa për azil në Gjermani nga shqiptarët. Zyrtari gjerman tha se qytetarët shqiptarë, nuk mund të marrin azil politik në Gjermani. “Ju përmendët çështjene kërkesave për azil. Në historinë e vendit tonë e drejta për azil politik është thelbësore. Ka njerëz që janë të persekutuar në vendet e tyre dhe ne jemi të hapur për njerëzit që kërkojnë azil politik. Por me situatën politike që keni në Shqipëri, shansi për të marrë një azil politik në Gjermani është zero. Rruga e duhur për ekonominë tonë dhe tuajën është punësimi”, deklaroi Jorg Asmussen. Edhe ministri Veliaj, duke iu referuar ngjarjes së Vlorës, ku disa qindra persona u mashtruan se do të përfitonin azil në Gjermani kundrejt një pagese, tha se shanset për të marrë azil janë zero. Ai tha se Shqipëria është një vend normal. Ministri Veliaj tha se mes dy vendeve po punohet për kontrata punësimi, por kurrsesi shqiptarët nuk duhet të gënjehen dhe të aplikojnë për azil. “Ngjarja e Vlorës tregoi se kishte njerëz që ishin gënjyer dhe ishin angazhuar apo rekrutuar për të shkuar në Gjermani për azil, këto raste duhet të evitohen. Siç e dëgjuat edhe nga ambasadori gjerman, Shqipëria është një vend normal, jo perfekt por normal. Shanset për të marrë azil në Gjermani janë zero. Ne do të mundësojmë kontrata punësimi, por jo azil”, – deklaroi Veliaj. I pyetur për hapjen e dosjeve në Shqipëri sipas modelit gjerman, ministri Veliaj tha kjo është transparencë dhe prodhon një shoqëri më të mirë. “Një model gjerman për hapjen e dosjeve, e pjek vendin, e maturon kombin dhe prodhon një shoqëri më të mirë. Kombi ynë do tëbëhet një komb më i mirë falë kësaj transparence. Ne do të vazhdojmë konsultime publike. Asistencën gjermane do ta vazhdojmë edhe pasi ligjin ta kemi kaluar në Parlament”,- deklaroi ministri Veliaj.