Humnera sociale që vazhdon të thellohet

Nga Jonathan Fenby, botuar në The Independent, 10 janar 2015

jonatanSulmi terrorist në Paris ndaj redaksisë së revistës satirike “Charlie Hebdo”, vjen në një kohë kur Franca po njeh një rritje të “qëndrueshme” të tensioneve etnike. Edhe pse është herët për të dalë në përfundime lidhur me përgjegjësinë e sulmit, duhet të pranojnë se revista në fjalë, bëri goxha bujë në vitin 2008, kur publikoi një seri karikaturash të profetit Muhamed. Ajo i mbrojti publikimet në emër të lirisë së të shprehurit. Bashkë me rritjen e tensioneve etnike ka ardhur edhe ngritja e partisë së ekstremit të djathtë, Frontin Kombëtar.

Sipas sondazheve, nëse zgjedhjet presidenciale do të mbaheshin sot, Marine Le Pen, do të kryesonte raundin e parë të zgjedhjeve. Kandidatët e Frontit Kombëtar morën rezultate të kënaqshme në zgjedhjet lokale, si edhe në ato europiane, duke marrë dy vende në Senat vitin e shkuar. Edhe pse Le Pen e ka zbutur disi retorikën e ashpër nacionaliste të babait të saj, i cili ka themeluar edhe këtë parti, përsëri ajo ka në thelb të saj një “luftë” kundër emigrantëve. Artikulli kryesor i “Charlie Hebdo-s” këtë javë ishte për novelën e fundit të shkrimtarit kontrovers, Michael Houellebecq, i cili kishte punuar edhe një karikaturë që tregonte qeverinë e ardhshme franceze të kontrolluar nga një parti islamike dhe presidentin mysliman që ndalonte të drejtën e grave për t’u punësuar në çdo sektor. Pra mesazhi ishte i qartë: të ndalohej Le Pen-i.

Një sondazh në vitin 2014 tregoi se francezët besojnë se emigrantët përbëjnë 31 % të popullsisë së vendit, çka në fakt është katër herë më shumë se raporti real. Gjithashtu, është vënë re një rritje e pakënaqësisë ndaj emigrantëve edhe te partitë e moderuara të djathta. Kështu, 86 % e mbështetësve të partisë së Sarkozy-së mendojnë se në Francë ka shumë emigrantë. Ndërsa në vitin 2006, ishin vetëm 62 % e tyre që mendonin se Franca ishte mbushur plot me emigrantë. Po kështu, ka edhe një rritje të njerëzve që mendojnë se po jetojnë në kushtet e pasigurisë së jetës, nga 38 % në vitin 2006 në 73 % në vitin 2014.

Franca gjithmonë ka pritur se emigrantët do të përshtateshin me modelin e tyre republikan, mirëpo rritja e tensioneve sociale është bërë shumë e dukshme, sidomos në brezin e dytë të fëmijëve të emigrantëve që vijnë nga Veriu dhe Perëndimi i Afrikës. Politikat ndaj emigrantëve dhe komunitarizmi francez po vihen në pikëpyetje. Deri tani, është konfirmuar se 900 të rinj nga Franca janë duke luftuar me forcat ekstremiste në Siri dhe Irak. Sipas sociologëve, për shumë të rinj, përkatësia fetare është një ndjenjë më e fortë sesa përkatësia ndaj republikës. Këtë e tregojnë shumë ngjarje që ndoshta janë nënvlerësuar.

Protestat e vazhdueshme ndaj Izraelit kanë shpërthyer në dhunë. Tashmë antisemitistët po sulmojnë sinagogat dhe pronat e hebrenjve. Këtë e ka konfirmuar edhe ministri i Brendshëm, i cili ka deklaruar se sulmet antisemitike u dyfishuan në 7 muajt e parë të vitit 2014 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013. Antisemitizmi po merr një trajtë të frikshme, pasi ai nuk orkestrohet më nga partitë e ekstremit të majtë, por nga të rinj emigrantë me prejardhje arabe apo afrikanoveriore.

Pra janë pikërisht këta njerëz që shihen si kërcënim nga ekstremi i djathtë. Në maj të vitit 2014, një francez me prejardhje algjeriane u arrestua nga policia për vrasjen e katër njerëzve në Muzeun Hebre të Brukselit. Dy vjet para këtij rasti, një francezo-algjerian, Muhamed Merah, vrau me armë shtatë ushtare dhe një nxënës hebre në qytetin Tuluz. Sulmet e Izraelit në Gaza si kundërpërgjigje e raketave të Hamasit kanë shërbyer si katalizator për rritjen e dhunës në Francë. Antisemitizmi po kthehet nga dita në ditë në normë në familjet me prejardhje myslimane në Francë. Ai po shërben si burim zemërimi për shume lëvizje të tjera ekstremiste apo fundamentaliste që në qendër kanë islamin.

Pra, çështja nuk është më antisemitizmi, por ndarja e thellë fetare që po ndodh në Francë. Zemërimi është i madh nga të dyja palët. Të krishterët u frikësohen myslimanëve dhe i shohin ata si përgjegjësit kryesorë të dhunës dhe pasigurisë, ndërsa myslimanët ndihen të ofenduar dhe zemëruar nga përjashtimi apo cilësimi si shkaktarë të të gjitha trazirave.

Pra, Franca po përjeton një hendek të madh social. Ajo është kthyer tashmë në një kafaz të madh ku brenda saj po jetojnë nën gjemba çdo ditë macet së bashku me qentë. Nëse nuk ndërhyhet që tani, shumë shpejt mund të ndodhë gjëma!
Marrë nga “The Independent”
Përktheu: Erald Deliu

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi