Telenovela President-mazhorancë

Nga Roland Lami, botuar në Mapo Online, 9 janar 2015

roland-lami1Fillimi i vitit ka rindezur tensionin mes Presidentit dhe mazhorancës. Procedura e përzgjedhjes së kandidatëve për KLD ka rihapur debatin mes aktorëve politikë mbi mënyrën sesi duhet lexuar ligji dhe Kushtetuta. Opozita mbështet procedurën e ndjekur nga Presidenti për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, e cila bazohet tek neni 136 i Kushtetutës së Shqipërisë, si dhe kuadri ligjor që është në fuqi, përkatësisht nenet 3 dhe 4 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë”. Ndërsa LSI dhe PS kërkojnë nga Presidenti që përzgjedhja e anëtarëve të Gjykatës së Lartë të realizohet në bazë të ndryshimeve të bëra në ligjin e miratuar në parlament më 18 dhjetor 2014. Në këtë ligj parashikohet krijimi i një Këshilli Emërimesh pranë kreut të shtetit pikërisht për të filtruar dhe për të propozuar kandidatët që do t’i nënshtrohen dekretimit nga ana e Presidentit për Gjykatën e Lartë.

Debati në këtë rast është – Presidenti, cilit ligj duhet t’i referohet – Ligjit të vitit 2000 apo ligjit të 2014? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje lind nevoja të jepen disa detaje juridike për të kuptuar më mirë se ku qëndron argumenti juridik dhe ai politik.

Në kohën që ndryshimet ligjore të shumicës, të datës 18 dhjetor të 2014 kanë shkuar në tryezën e Presidentit për dekretim, ky i fundit ka çelur procedurën ligjore sipas ligjit “të vjetër” të vitit 2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”. Termi i vjetër është vendosur me qëllim në thonjëza nga autori i shkrimit, pasi këtu qëndron edhe thelbi i përplasjes ndërmjet Presidentit dhe mazhorancës.

Presidenti nuk mohon faktin se mazhoranca më datë 18 dhjetor 2014 ka miratuar një ligj të ri për procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për KLD, por ligji në fjalë nuk është dekretuar akoma, pasi ky i fundit nuk është shprehur, duke menduar të shfrytëzojë kohën që i lë në dispozicion Kushtetuta, specifikisht neni 84 pika 1, e cila është 20 ditë pas miratimit në parlament të ligjit, si dhe koha që nevojitet që ligji të hyjë në fuqi nëse Presidenti shprehet pro ose e kalon në heshtje pasi është botuar në Fletoren Zyrtare. Në këto kushte, kushdo që ka një kulturë minimale juridike e kupton se Presidentit, për sa kohë nuk ka ezauruar afatet kushtetuese, i lind e drejta ta konsiderojë ligjin e propozuar nga mazhoranca nul dhe t’i referohet ligjit aktual, atij të vitit 2000. Vetëm në rast se do të kishim kalim afatesh kohore nga ana e Presidentit dhe ky i fundit nuk do të ishte shprehur, atëherë në bazë të nenit 84 pika 2 të Kushtetutës, ligji konsiderohej i dekretuar dhe pritej koha e hyrjes në fuqi të ligjit pasi ishte botuar në Fletoren Zyrtare. Mirëpo asnjëra prej këtyre dy pikave nuk janë të ezauruar.

Në krahun tjetër, mazhoranca ushtron presion ndaj Presidentit për të dekretuar ligjin e ri dhe të rihapë garën për vendet vakante në KLD duke iu referuar procedurës që parashikon ligji i ri. Pra është e vetëdijshme që ligji nuk ka hyrë në fuqi ende për sa kohë Presidenti nuk është shprehur. Ndërkohë është Presidenti, i cili vendos të shprehet për sa kohë Kushtetuta ka vendosur afat kohor. Një rast tipik shqiptar ku vullneti politik ambalazhohet me argument juridik.

Mirëpo ajo çfarë mund të kuptojmë nga ky rast janë tri mesazhe. Mesazhi i parë – Formalisht, për sa kohë ligji i ri nuk ka hyrë në fuqi, mazhoranca i kërkon Presidentit të bëjë një interpretim politik dhe jo juridik. Njëkohësisht ka përjashtuar çdo mundësi për të negociuar me të politikisht, duke i rrëzuar tri kandidatura me arsyetim politik. Jo vetëm kaq, por ka propozuar ndryshim procedure për t’i kufizuar mundësinë Presidentit në përzgjedhjen e kandidatëve për KLD pa u konsultuar me të dhe pret që Presidenti të heqë dorë me dëshirë nga kompetencat që i njeh ligji aktual për të miratuar një ligj tjetër që i kufizon ndjeshëm këto kompetenca. Konflikt interesi i pastër nga ana e Presidentit.

Mesazhi i dytë – Ndërhyrja në kompetencat e Presidentit përsa kohë ligji ekzistues ia njeh ato, tregon për vullnetin e mazhorancës për të ndërhyrë në KLD. Kjo e dhënë e përforcuar edhe nga rrëzimi i pjesshëm i ligjit për KLD nga ana e Gjykatës Kushtetuese, të ndihmojnë për të kuptuar filozofinë e mazhorancës në drejtim të pavarësisë së gjyqësorit dhe si rrjedhim dhe cilësinë e mundshme të reformës në drejtësi, që pritet të ideohet në ditët në vazhdim.

Mesazhi i tretë – Pak kohë më parë, me bekimin e ndërkombëtarëve, mazhoranca mori përsipër të respektojë disa nga kërkesat e opozitës, njëra nga këto kërkesa kishte të bënte me angazhimin e mazhorancës për të respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, rasti në fjalë fakton pikërisht të kundërtën, mungesën e vullnetit për të mos respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Një sjellje që bie ndesh qoftë me angazhimet e dhëna para faktorit ndërkombëtar, por edhe në klimën e vendosur me opozitën.

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan