INSTAT: Ekonomia në tremujorin e tretë 2014, rritje me 3% nga 2013-ta
Instituti i Statistikave ka publikuar sot të dhënat për 3 mujorin e tretë të vitit të kaluar sipas treguesit të Vlerës së Shtuar Bruto. Sipas INSTAT ekonomia në tremujorin e tretë të vitit 2014 vlerësohet me rritje prej 3,30% kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2013.
Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë si Tregti, Hotele dhe Restorante me 1,71 pikë përqindje; Shërbimet e tjera me 1,09 pikë përqindje; Ndërtimi me 0,81 pikë përqindje; Industria me 0,37 pikë përqindje; Bujqësia, Gjuetia dhe Pyjet me 0,24 pikë përqindje; Posta dhe Komunikacioni me 0,15 pikë përqindje. Dega që ka kontribuar negativisht është Transporti me -1,05 pikë përqindje.
Aktiviteti Bujqësor në tremujorin e tretë të vitit 2014 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë pati rritje prej 1,19 %. Grupi i Industrive pati rritje prej 2,45 % në tremujorin e tretë të vitit 2014 krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2013. Në këtë grup, Industria Nxjerrëse dha ndikimin më të madh pozitiv me një rritje prej 4,53 %, ndërsa Industrisë Përpunuese u rrit me vetëm 0,93 % e ndikuar nga nën dega Energjia Elektrike e cila pati një rënie me 30,15 %.
Aktiviteti i Ndërtimit në tremujorin e tretë të vitit 2014 pati rritje prej 7,53 % krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2013. Grupi i degëve Tregti, Hotele dhe Restorante pati një rritje prej 10,41 % në tremujorin e tretë të vitit
2014 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Në këtë grup, tregtia pati një rritje prej 11,11 % ndërsa hotele dhe restorante patën rritje me 5,75 %.
Aktiviteti i Transportit ka shënuar një rënie prej 24,07 % në tremujorin e tretë të vitit 2014 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Grupi Posta dhe Komunikacioni u shfaq me një rritje prej 5,39 % në tremujorin e tretë të vitit 2014 përkundrejt tremujorit të tretë të vitit 2013.
Grupimi Shërbimet të tjera në tremujorin e tretë të vitit 2014 pati rritje me 3,76 % kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2013. Në këtë grup, ndikim pozitiv dhanë sektorët si; administrata publike, shëndetësia, dhe aktivitetet e tjera të shërbimit kolektiv, social, kulturor etj. Ndërsa me rënie u shfaq arsimi, sektori financiar dhe sektori i pasurive të patundshme, rentës dhe aktiviteteve ndihmëse të biznesit (aktivitete ligjore, të arkitekturës, inxhinierike si dhe konsulenca financiare, komerciale etj).