Reforma e pensioneve: A ka vërtet të humbur?
Nga Enkelejd Musabelliu, botuar në Shqiptarja.com, 7 janar 2015
Njerëzimi, historikisht, ka pasur një prirje për t’i përshkruar në terma katastrofike fenomenet që e ka të vështirë t’i kuptojë. Pikërisht, te ky moskuptim ose te kjo mosdëshirë për të kuptuar e kanë burimin edhe disa alarme sporadike se skema e re e pensioneve do të falimentojë. Ç’është e vërteta, skema e pensioneve deri më sot ka kryer një funksion shumë të rëndësishëm social, edhe përballë shtrëngesave të mëdha financiare dhe, ç’është akoma edhe më e rëndësishme, skema do mund ta kryejë edhe më mirë rolin e vet social si rezultat i reformës që hyri në fuqi në 1 janar 2015.
Argumentet e ngritura së fundi ndaj reformës mund të përmblidhen si më poshtë: si rezultat i reformës së pensioneve, 5% e kontribuesve do marrin pension të lartë, 15-20% do marrin pension sa për të jetuar normalisht dhe 80% do të marrin vetëm pensionin social. E kësisoj, sa u përket pensioneve, shqiptarët ndahen në të ledhatuar, të djegur e të përcëlluar.
Të gjitha këto argumente nuk qëndrojnë, por le t’i marrim me rradhë. Është absolutisht e pavërtetë se vetëm 5% e kontribuesve do të marrin pension më të lartë. Sipas formulës së re të llogaritjes, masa e pensionit për të gjitha fashat e pagave do të rritet, duke filluar nga 176 lek për pagat minimale, për të vazhduar me një rritje prej 2,132 lek për pagat mesatare e gjer në 4,641 lek për pagat maksimale.
Për të qenë të saktë, kjo llogari është bërë për një pensionist mesatar me 35 vite të siguruara që del në pension gjatë vitit 2015, sepse në vitet e ardhshme, ndërkohë që pakësohen vitet e siguruara para 1994, rritja e pensionit do jetë edhe më e madhe. Kështu që, reforma e pensioneve i ledhaton të gjithë, sigurisht jo të gjithë njësoj, por në bazë të kontributit të derdhur.
Sa për pretendimin se ata me paga të larta do dalin të humbur, se në total paguajnë më shumë nga sa marrin, po, është e vërtetë, ashtu siç është e vërtetë që ata me paga nën mesatare marrin më shumë nga sa kontribuojnë në total. Quhet rishpërndarje dhe solidaritet dhe ndodh në çdo vend të botës.
Së dyti, të djegurit ose ata që kanë punuar në të zezë. Është e vërtetë që puna në të zezë është njëkohësisht një fatkeqësi ekonomike dhe sociale. Faji për këtë është i shtetit në rradhë të parë, por është edhe i individit që pranon të punojë në të zezë, ashtu siç është edhe i punëdhënësit që nuk siguron punonjësit e tij.
Të gjithë këta individë, që kanë punuar ose punojnë në të zezë, rrezikojnë të mbeten pa asnjë të ardhur në pleqëri. Falë reformës në pensione, të gjithë këta do mund të përfitojnë pensionin social, i cili për vitin 2015 do të jetë në masën 6700 lek. Pa reformën s’do përfitonin asnjë të ardhur, kurse me reformën garantojnë minimumin jetik. Të thuash se këta që s’përfitonin fare, tani përfitojnë dhe janë të djegur si rezultat i reformës nuk është serioze.
Nga ana tjetër, qeveria e ka shpallur formalizimin e tregut të punës si aksionin kryesor të vitit 2015. Bërja e skemës së pensioneve më tërheqëse dhe rritja e punësimit janë hapat e tjera të nevojshme në këtë drejtim. Kështu që, është shumë e rëndësishme të kuptohet se mbledhja e kontributeve të paderdhura dhe formalizimi i tregut të punës janë dy rrugët e vetme që do të ndjekë qeveria për të rritur të ardhurat e skemës së pensioneve.
Të gjitha pretendimet se do të rriten kontributet janë gënjeshtra dhe absolutisht të pavërteta. Merreni dhe lexoni ligjin, është miratuar që në 31 korrik 2014. Norma e kontributit për sigurimin shoqëror do të vazhdojë të mbetet 24.5% e pagës bruto nga të cilat 15% i paguan punëdhënësi dhe 9.5% punëmarrësi.
Së treti, të përcëlluarit ose ata që kanë paguar sigurime shoqërore deri diku në rregull dhe kanë paga më të larta se minimalja dhe më të ulëta se maksimalja. Këta do u ndëshkokan nga reforma sepse si rezultat i zëvendësimit të pensionit minimal me pensionin social do marrin pension 10 apo 15 mijë lek në muaj. Ky është pretendimi më absurd dhe i pavërtetë dhe mund të bëhet ose nga një individ që s’merr vesh hiç nga matematika ose s’do të marrë vesh. Po marr shembullin e një mësuesi të shkollës së mesme me 35 vjet sigurim, i cili del në pension në vitin 2015. Me këtë rast po sqaroj edhe si lidhet një pension, që të paktën ta kuptojnë ata që duan të kuptojnë.
Mësuesi i shembullit tonë i bie të ketë nisur punë në vitin 1980. Hapi i parë që duhet bërë për të llogaritur pensionin e tij është nxjerrja e pagës mesatare për çdo vit, pra nga 1980 deri në 2015. Sigurisht që paga e 30 viteve më parë është shumë herë më e ulët se niveli i çmimeve sot, ndaj edhe paga e çdo viti shumëzohet me një koefiçient indeksimi dhe jep atë që quhet bazë e vlerësuar. Për shembull, mësuesi pagën më 1994 e ka patur 6,400 lek. Për efekt të llogaritjes së pensionit kjo pagë shumëzohet me koeficientin 8.59, e kështu 6,400*8.59 = 55.000.
Pra, kur llogaritet pensioni një mësuesi, paga e tij e vitit 1994 nuk vlerësohet aq sa e ka pasur atë kohë, pra 6,400 lek, por aktualizohet dhe vlerësohet si 55,000 lek. E njëjta procedurë ndiqet për çdo vit të siguruar. Pasi llogaritet baza e vlerësuar për çdo vit, nga ato derivohet baza mesatare e vlerësuar e një individi, ose me fjalë të tjera, paga mesatare e gjithë jetës së një individi. Pas kësaj mbetet vetëm që të zbatohet formula e llogaritjes së pensionit.
Në rradhë të parë, duhet theksuar se si rezultat i reformës janë ndryshuar edhe koefiçientët e indeksimit të pagave. Kësisoj, koefiçienti i indeksimit për vitet përpara 1994 është rritur nga 5.86 në 8.59. Për koefiçientët e plotë referojuni VKM-ve të datës 29 dhjetor 2014. Si rrjedhojë e këtyre ndryshimeve, baza mesatare e vlerësuar e mësuesit që morëm shembull rritet nga 37,054 lek që do t’i dilte sipas formulës së vjetër, në 57,240 lek që i del sipas formulës së re. Tani le të llogarisim pensionin sipas të dyja formulave.
Formula e vjetër e llogariste pensionin si pension bazë plus një shtesë prej 1% të bazës mesatare të vlerësuar për çdo vit të siguruar. Pra, P = 12,024 + 35% *37,054 = 24,993 lek. Aplikimi i tavanit sipas të cilit pensioni maksimal s’mund të jetë më i lartë se dyfishi i pensionit bazë, pra 12,024 x 2, na jep pensionin 24,048. Shtojmë edhe kompensimet prej 500 lek dhe përfundimisht pensioni i një mësuesi të shkollës së mesme sipas formulës së vjetër është 24,548 lek.
Sipas formulës së re, pensioni llogaritet si pension social plus një shtesë prej 1% të bazës mesatare të vlerësuar për çdo vit të siguruar. Pra, P = 6,700 + 35% * 57,240 = 26,734 lek. Në ndryshim nga formula e vjetër këtu nuk aplikohet asnjë pension tavan dhe mësuesi i shkollës së mesme do të marrë një pension prej 26,734 lekësh.
Si përfundim, një mësuesi me 35 vite sigurim formula e vjetër i jep një pension 24,548 lekësh, ndërsa formula e re i jep një pension prej 26,734 lekësh, ose 2.186 lek më shumë. Dhe këta na qenkan të përcëlluar meqë pensioni u del dukshëm më i lartë?!
Cilido që pretendon se pensioni ulet apo ngrihet nga reforma dhe formula e re, duhet të bëjë një llogari të tillë për ta vërtetuar pretendimin e tij. Kushdo që bën deklarata absurde dhe të pambështetura në asnjë llogari të bërë, thjesht është duke gënjyer.