Një projeksion modest: 2015-2025
Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama Online, 6 janar 2015
Në Shqipëri, “hardware” kushtetues e institucional (që nënkupton, mbi të gjitha, zgjedhje të lira e demokratike, mbrojtje të lirive politike dhe të drejtave civile, ndarjen e pushtetit dhe kontroll-balancimin e tij, zbatimin e ligjit apo një gjyqësor të pavarur) është mishërim i një potenciali demokratik bashkëkohor. Por, ndryshe prej tij, “software” politik, mentaliteti i politikës diku e bllokon, diku e pengon, diku e gërryen atë. Kjo bëhet më e dukshme kur “matet” niveli i demokracisë brenda partive politike, sidomos kur analizohet financimi i tyre apo procesi i përfaqësimit. Ndërsa në terma të administrimit publik-politik, ai “lexohet” në planifikimin strategjik, në zbatimin dhe integrimin e strukturave të ndryshme shoqërore në politikë-bërje etj. Në fakt, gjatë viteve të fundit nuk ka pasur ndryshime pozitive në konsolidimin dhe stabilitetin e strukturave demokratike e kushtetuese, përkundrazi. Edhe kriza financiare ka prodhuar ngërçe e deformime institucionale shtesë me monopolizim pushteti politik dhe synim për marrje kontrolli të agjencive të pavarura. Po ashtu, gjatë ushtrimit të masave të ashpra dhe zbatimit të reformave strukturore, konsensusi shoqëror është harruar fare, bile shpesh dhe konsultimi me shoqërinë civile është bërë i panevojshëm. Për fat të keq, edhe media, në mjaft raste, e ka humbur zërin e saj të pavarur! E gjitha kjo e ka dëmtuar besimin e qytetarit te qeverisja, te cilësia dhe kapacitetet vendimmarrëse e ekzekutuese të saj, duke favorizuar kështu rritjen e polarizimit politik, daljen e forcave të reja apo radikalizmin e tyre…
Pjesëmarrja politike
Procesi elektoral. Pas abuzimeve të rënda elektorale të 24 majit 1996, që krijuan shqetësime serioze në komunitetin demokratik ndërkombëtar, prirja e vazhdueshme ka qenë për rregullime qoftë dhe pjesore të këtij procesi. Ndërsa në zgjedhjet e fundit konstatohet një stabilizim i dukshëm i tij. Po ashtu, sistemi zgjedhor proporcional (rajonal) dhe ligji mbi barazinë gjinore e ka rritur dhe pjesëmarrjen e gruas në procesin politik, në vendimmarrjen administrative-institucionale. Sidoqoftë, kërkohen rregullime të tjera për administrimin e procesit zgjedhor, listat e zgjedhësve, përdorimin e medias, financimin e partive politike gjatë fushatës dhe jashtë saj, në shmangien e blerjes së votës apo rritjen e cilësisë e kandidatëve (për dekriminalizimin e përfaqësimit) etj. E drejta e organizimit. Mbrojtja e lirive dhe e drejtave politike është ende një pjesë e brishtë e kulturës politike. Ende nuk është çliruar qytetari shqiptar nga frika e pushtetit politik. Kurse vetë shoqëria civile, ose shfaqet anemike në reagimin ndaj pushtetit politik, ose i shmanget atij.
Liria e shprehjes. Mbetet ende problem mbi lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes. Në një mënyrë apo tjetrën, konstatohet qartë nënshtrimi e shërbimi i shumicës së mediave tradicionale, sidomos atyre televizive ndaj pushtetit politik, aq sa mund të bësh “nominimin” e tyre. Kurse gazetarët, në shumicën e rasteve, kanë vartësi të dukshme nga pronarët e medias, nga interesat komerciale e qëllimet e tyre politike. Nuk mungon as gazetaria tabloide! Edhe RTSH-ja është më tepër shtetërore sesa publike. E gjitha kjo e ka cenuar lirinë e medias. Madje, aktorët politikë, grupet ekonomike të interesit, pronarët e mediave dhe gazetarët kanë formuar kështu rrjete joparimore, ku marrëdhëniet opake e personale janë vendosur shpesh mbi standardet dhe etikën profesionale. E gjitha kjo i ka rrezikuar arritjet pas rënies së regjimit komunist.
Pritshmëri për periudhën 2015-2025. Në mesin e kësaj periudhe mendohet se prirjet pozitive do të jenë në rritje, madje do të bëhen më të qëndrueshme, shoqëruar kjo dhe me plotësimin e kritereve të integrimit në BE. Natyrisht, do të vazhdojnë të mbeten si detyra shtëpie mangësitë funksionale në administrimin e procesit zgjedhor, regjistrimit të votuesve, përzgjedhjes së kandidatëve, financimit të fushatës elektorale. Një problem që pret përgjigje është ai i votimit të shqiptarëve jashtë vendit, përfshirë votimin elektronik apo me postë elektronike (e-mail). Në lidhje me lirinë e shtypit dhe pluralizmin mediatik nuk priten përmirësime serioze. E thënë ndryshe, ndikimet politike do të vazhdojnë të jenë të pranishme në një periudhë të parë, edhe pse opinioni publik do të bëjë, nëpërmjet zgjedhjes, rregullimet e veta. Një peshë shumë më të madhe do të ketë dhe media sociale.
Zbatimi i ligjit
Ndarja e pushtetit. Pavarësisht rritjes së përpjekjeve të ekzekutivit për theksimin e karakterit kryeministror të republikës parlamentare apo synimeve të fundit për reduktimin kompetencave të Presidentit të Republikës, deri diku është ruajtur ndarja e pushteteve, qoftë dhe me ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të parimeve kushtetuese të kontroll-balancimit (checks and balance). Sidoqoftë, shembujt e një prirjeje të kundërt nuk kanë qenë të pakta, madje janë shfaqur tendenca të qarta në procesin e akumulimit të pushtetit individual. Ato, në jo pak raste, kanë rezultuar të rrezikshme për zhvillimet demokratike në Shqipëri, në shtet e shoqëri. Kjo është arritur duke shfrytëzuar shumicën parlamentare në miratimin e ligjeve që kanë çuar në dobësimin e mekanizmave të kontroll-balancimit; nëpërmjet trysnive të drejtpërdrejta mbi Gjyqësorin; apo me masa shtrënguese financiare mbi biznesin, përfshirë dhe atë mediatik.
Gjyqësor i pavarur. Një problem në vete, paralelisht me pavarësinë kushtetuese e legale të Gjyqësorit, ka qenë niveli i profesionalizmit dhe i etikës në sistem. Për më tepër, infeksioni i korrupsionit brenda sistemit është shndërruar në një rrezik serioz. Kjo shfaqet si në humbjen e besimit të qytetarit ndaj sistemit, ashtu dhe në ndërhyrjen e vetë politikës në vendimmarrjen juridike, deri duke cenuar rëndë pavarësinë e Gjyqësorit. Në leximin aktual, ky ndikim është fare i qartë në gjykatën administrative, ku urdhri politik shfaqet në mënyrë më të drejtpërdrejtë.
Të drejtat civile. Mbrojtja e lirive dhe të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtën e jetës dhe të sigurisë individuale, trajtimi i barabartë përpara ligjit, garantimi i një procesi të duhur gjyqësor, janë elemente bazike në fondamentin kushtetues shqiptar. Por, me gjithë respektimin formal të të drejtave civile, ende ka raste të shkeljes së tyre; aq më tepër që mbrojtja gjyqësore shpesh rezulton joefektive. Edhe përdorimi me teprim i forcës duhet parë me këtë sy.
Pritshmëri për periudhën 2015-2025. Në gjysmën e dytë të kësaj periudhe priten rregullime legjislative dhe konsolidim i strukturave kushtetuese. Në vetvete ato do të jenë dhe pjesë të përmirësimeve institucionale-ligjore në kuadër të procesit të integrimit europian. Megjithatë, disa probleme të ndeshura mbi funksionimin e ndarjes së pushteteve dhe mekanizmat e kontroll-balancimit do të mbeten ende të pranishme, edhe pse do të mbulohen me “paketa” ose “kryerje detyrash shtëpie” apo një propagandë të fuqishme proeuropiane.
Integrimi politik e social
Sistemi partiak. Partitë politike dhe sistemi partiak janë institucionalizuar e konsoliduar jo pak gjatë 25 vjetëve të tranzicionit, duke artikuluar diku realisht, diku në mënyrë propagandistike interesa të agregateve të caktuara shoqërore. Veçse ato, në përgjithësi, nuk mishërojnë ndonjë pozicionim solid ideologjik e programime sociale të qarta. Po ashtu, në partitë kryesore, pavarësisht ç’deklarohet, ka probleme serioze në lidhje me demokracinë e brendshme, në zgjedhje-përzgjedhjen e drejtimit, në përcaktimin e kandidatëve për deputetë ose kryetarë bashkish etj. Në shumicën e rasteve kanë vazhduar të zgjidhen dhe të mbijetojnë drejtues populistë. Grupet e interesit. Vitet e fundit kanë filluar të dalin në pah lëvizje sociale më të profilizuara, grupe qytetare, organizime profesionale, bashkime sociale interesi, struktura lobuese, OJQ e struktura të ndryshme të tipit “think thank”, grupe në mbrojtje të mjedisit etj. Këtu futen dhe grupe ekonomike, organizime të biznesit dhe sindikatat, që tentojnë të jenë pjesë e axhendës politike, të dëgjohen në vendimmarrjen qeverisëse dhe procesin e planëzimit. Ndryshe nga vende të tjera, në Shqipëri, një mbështetje të dukshme nga biznesi ka pasur Partia Socialiste; kurse në dy legjislaturat e fundit, në vend të mbështetjes financiare e lobimit, është theksuar më tej përfaqësimi i drejtpërdrejtë i biznesit në Grupin Parlamentar të PS-së.
Kapitali social. Ndryshe nga periudha e paratranzicionit, kapitali social është ende sot tepër i dobët. Kjo pasqyrohet edhe në organizimet sociale e veprimtaritë vullnetare që janë relativisht anemike. Gjithashtu, pavarësisht propagandës mbi kohezionin social, bëhet ende pak për fuqizimin e këtij kapitali social. (Një lëvizje vullnetare, që deri diku ishte një shtysë në ushqimin e kapitalit social, ishte ajo kundër importit të armëve kimike nga Siria, që brenda një kohe të shkurtër, gati provokoi rënie kryeministrore…).
Pritshmëri për periudhën 2015-2025. Në këtë periudhë, në partitë kryesore nuk priten ndryshime të rëndësishme demokratike në funksionim e organizim. Megjithatë, shpresohet që në gjysmën e dytë do të tentohet që të futen rregulla kohore në drejtimin partiak (me synim demokratizimin e drejtimit), apo ato të natyrës etike (sidomos në përzgjedhjen e përfaqësimit). Në lidhje me kapitalin social mund të bëhet diçka, po jo brenda kësaj legjislature. Kjo dhe si rrjedhojë e masave ligjore e ekzekutive tepër drastike, jo gjithmonë të justifikueshme. Sidoqoftë, pritet një ndërgjegjësim dhe rritje e reagimit qytetar ndaj korrupsionit, sidomos e kritikës publike mbi abuzimet qeverisëse e administrative. Kjo mendohet që do të shoqërohet edhe me efekte pozitive në rrafshin politik-institucional dhe atë social-ekonomik.
Përfshirja dhe jo përjashtimi
(jo diskriminimi)
Identiteti shtetëror. Pavarësisht “lojërave” me bazë varfërinë, me ndryshim emri e dhënie pensioni, ky identitet vlerësohet i lartë. Ai rezulton më i qartë në përplasje konkrete etnike-politike, siç ishte ajo gjatë krizës së Kosovës. Në momente konkrete, si në rastin e ndeshjes së futbollit në Beograd, ai rishfaqet me forcën e vet historike, sidomos ndaj fqinjëve që e kanë manifestuar dukshëm shovinizmin e tyre. Ndryshe prej tij, karakteri kozmopolit i shqiptarëve dhe “europianizmi” i tyre mbeten vlera me peshë në proceset integruese.
Barrierat social-ekonomike. Situatat e vështira të fillimit të tranzicionit u kapërcyen deri diku në dhjetëvjeçarin e dytë të tij. Por, kriza financiare e ekonomike globale, pas një rezistence disavjeçare, ka futur aktualisht thonjtë e vet dhe në Shqipëri. Mbi të gjitha, brezi i ri, me papunësinë e lartë të tij, është goditur rëndë; ai, gati-gati, është i përjashtuar. Po ashtu, veçimi social zona rurale – zona urbane është bërë më i theksuar. Si reagim ndaj masave të ashpra është rikthyer jo vetëm mosbesimi qytetar, por dhe polarizimi politik, aty-këtu dhe një axhendë nacionaliste. Oportuniteti i njëjtë. Flitet për diçka të tillë, por kjo është larg të qenit e vërtetë. Në fakt, ka probleme serioze për punësimin e të rinjve, për punëtorët e pakualifikuar, për vajzat dhe gratë (krahasuar me punësimin në komunizëm). Në lidhje me minoritetet, Shqipëria, në krahasim me vende të tjera, mund të merret si shembull, si model në trajtimin e tyre. Natyrisht, historia është fare tjetër për grupe të tjera kulturore si ai i romëve. Megjithatë, në cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe të shkollimit të lartë, ka mjaft probleme shqetësuese, deri duke cenuar dhe parimin e barazisë së mundësive, të oportuniteteve.
Pritshmëri për periudhën 2015-2025. Në një periudhë të parë, barrierat social-ekonomike do të ndryshojnë shumë pak. E njëjta gjë pritet dhe për mirëqenien sociale. Madje, për një pjesë të popullsisë, pasojat e krizës do të jenë të pranishme dhe në vitet që vijnë. Do të duhet kohë që shteti të bëjë diçka serioze për përmirësimin e gjendjes sociale të tyre. Me borxhin e lartë publik, ende nuk është e qartë kur do të rifutet vendi në rrugën e një rritje të qëndrueshme që, normalisht, do ta rindërtonte kohezionin social, përfshirjen sociale. Edhe problemi i diskriminimit të romëve apo i grupeve të tjera kulturore do të vazhdojë të mbetet një problem social, institucional e strukturor dhe për dhjetëvjeçarin e ardhshëm.
Kapaciteti strategjik dhe efektiviteti
Prioritetet dhe efektiviteti. Përcaktimi i prioriteteve strategjike dhe përdorimi efektiv i burimeve të brendshme kanë qenë relativisht të paqartë. Më të mirëpërcaktuara janë ato që lidhen me integrimin në BE. Në fakt, në qeverisje, planëzimi dhe vetë kapacitetet strategjike janë ende të dobëta, përfshirë ndërveprimin rajonal që favorizon integrimin europian. Një gjë e tillë lidhet me logjikën e brendshme politike, me përzgjedhje jodinjitoze apo me ethe pushteti të drejtuesve kryesorë. Janë të dukshme dobësi në nivele ministrore, në burokracitë përkatëse, në decentralizimin e shërbimeve publike dhe kapacitetet administrative të tyre (si p.sh., në kujdesin shëndetësor, transportin publik, heqjen e mbeturinave etj.). Relativisht i dobët është shfrytëzimi racional i burimeve njerëzore, financiare e organizative, veçanërisht në ndërtimin e një administrate profesionale e efektive. Riorganizimet drastike me pretendime e parulla antikomuniste, me luftë kundër korrupsionit, me rilindje etj., kanë dëmtuar rëndë memorien institucionale, sidomos atë të shërbimit civil. Tepër serioz mbetet zëvendësimi i nëpunësve civilë me militantë partie. Një problem në vete është dhe monitorimi institucional. Në lidhje me ndërveprimin rajonal, pavarësisht deklaratave, nuk ka ndonjë trend konkret, pozitiv ose negativ në politikë-bërje. Ai më shpesh lidhet me preferenca politike e lojëra konkrete, sidomos ato elektorale. Së fundi, ndryshe nga një shikim i plotë strategjik, projeksioni politik qëndron brenda ciklit zgjedhor, duke manifestuar kështu dobësi substanciale, përfshirë dhe përdorimin efektiv të burimeve njerëzore, financiare-materiale e organizative.
Politika antikorrupsion.
Në Shqipëri janë evidente mangësitë në lidhje me efektivitetin qeverisës dhe politikat konkrete kundër korrupsionit. Edhe kapacitetet strategjike janë të ulëta. Kështu, deklarimi i pasurisë dhe të ardhurave personale të qeveritarëve, konflikti i interesave e kodi i sjelljes janë larg të qenit efektive në luftën kundër korrupsionit. Ende përdorimi i zyrës publike dhe i mandatit politik për qëllime dhe përfitime private është relativisht masiv ose, të paktën, perceptohet si i tillë. Po ashtu, ai është toleruar nga elitat politike. Disa skandale të zhurmshme janë shoqëruar diku me dorëheqje, diku me protesta mediatike e publike, por jo me procedime gjyqësore të suksesshme. Edhe financimi partiak nuk kontrollohet deri në fund. Me pretendimin e luftës kundër korrupsionit kanë dalë në skenë edhe parti të reja politike me objektiv kryesor këtë luftë. Por ato, edhe në zgjedhjet e fundit, nuk arritën të bindnin elektoratin.
Pritshmëri për periudhën 2015-2025. Pritet një ndërveprim më i mirë me shoqërinë civile, me komisione joqeveritare ekspertësh në procesin e planëzimit e hartimit të legjislacionit të ri. Kapacitetet strategjike do të vazhdojnë të mbeten modeste ose të pazhvilluara. Pra, nuk priten cilësi të reja në administrim, përfshirë dhe kërkesën për ndërveprim më të mirë në nivel rajonal. Ndërsa në lidhje me luftën kundër korrupsionit rezultatet do të mbeten modeste, aq më tepër që korrupsioni kapilar e favorizon status quo-në. Edhe dobësitë në kapacitetet administrative dhe në planifikimin kohë gjatë do të vazhdojnë të mbeten të dukshme, deri penguese. Një rol në rritje pritet të ketë media sociale, por dhe protestat qytetare demokratike.
Ndërtimi i konsensusit
Trajtimi i konflikteve. Gjatë periudhës gati 25-vjeçare të tranzicionit, karakteristikë ka qenë ajo e konfliktit, e përplasjeve politike dhe sociale; por, në asnjë rast, përfshirë dhe krizën e piramidave, ato nuk kanë vënë në pikëpyetje identitetin shtetëror. Në raste të veçanta, si p.sh. ai i përballjes së krizës së Kosovës, konsensusi shoqëror ka pasur një bazë shumë të gjerë, kurse në raste të tjera ky konsensus ka munguar, ose ka qenë thjesht kohëshkurtër.
Pjesëmarrja e shoqërisë civile. Edhe pse kontributi i shoqërisë civile ka ardhur në rritje në procesin e konsultimit dhe vendimmarrjes, përsëri ajo nuk e ka marrë dot peshën e oponencën dhe korrektimit dhe, mbi të gjitha, atë të kontrollit e auditit social, në ciklin politik. Nuk mungojnë rastet që ajo hesht përpara ngjarjeve negative qeverisëse ose bëhet deri bashkëfajtore në procesin qeverisës, duke harruar misionin e saj. Edhe ndërveprimi i qeverisë me sindikatat, me bashkimet e ndryshme të biznesit, me organzimet profesionale e akademike, me komunitetet fetare, me grupet e interesit ka qenë relativisht i dobët. Pritshmëri për periudhën 2015-2025. Nisur dhe nga ngjarja e fundit, pas rënies dakord për draftin me 4 pika të propozuar nga eurodeputetët Kukan e Fleckenstein, PD-ja ndërpreu bojkotin parlamentar. Pra, pas negociatave të zhvilluara me ndërmjetësimin e dy europarlamentarëve, duket se demokratët dhe socialistët e “gjetën” gjuhën e përbashkët. Po a nuk mund ta gjenin ata këtë gjuhë pa përfaqësuesit europianë?! Pa dyshim që po. Prandaj pritet që në periudhën 2015-2025, ndërtimi i dialogut ndërpartiak dhe konsensusi të mos kenë më nevojë për ndërkombëtarë, aq më tepër që ekzistojnë strukturat e duhura kushtetuese, por dhe lojtarët kryesorë të konfliktit mund të kenë një rol gjithnjë e më të vogël në vitet që vijnë. Edhe roli i grupeve të ndryshme shoqërore do të ketë peshë më të madhe, gjë që do të shoqërohet dhe me hapjen e mëtejshme të sistemit politik ndaj tyre. Po ashtu, forma të reja të aktivizimit dhe pjesëmarrjes do të rrisin ndikimin e tyre nëpërmjet medias sociale.