Shqipëria 2015: Rruga drejt BE-së e penguar nga përplasjet politike
Nga Aleksandra Bogdani, BIRN
Ndërsa opozita kërcënon me bojkotimin e zgjedhjeve vendore, sherri në politikë duket më i madh se sa më parë – dhe ka gjasa do të ketë efekt negativ në shanset e vendit për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE
Shqipëria po hyn në një vit zgjedhor pasi partitë e mëdha politike arritën një marrëveshje me ndërmjetësimin e Parlamentit Europian në dhjetor për t’i dhënë fund bojkotit gjashtëmujor të parlamentit nga opozita.
Por ndërsa bojkoti u mbyll, opozita po kërcënon të mos marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor.
Partitë kryesore mbeten thellësisht të ndara mbi reformën e ndarjes administrative të vendit, e cila u ndërmorr nga qeveria e qendrës së majtë drejtuar nga Edi Rama në korrik.
Kjo reformë uli numrin e bashkive dhe komunave nga 380 në vetëm 61. Por opozita, e drejtuar nga Partia Demokratike, e hedh poshtë këtë reformë si jokushtetuese.
Argumentohet se reforma është hartuar në mënyrë të tillë që të favorizojë partinë socialiste të Ramës në zgjedhjet për pushtetin vendor në qershor 2015 dhe kjo është arsyeja se pse opozita kërcënon me bojkot.
Ndërkohë, përgjatë vitit të fundit, qeveria ndërmorri një seri reformash, synimi i të cilave qe forcimi i sundimit të ligjit, një kërkesë kyçe për progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në vitin 2015, suksesi i këtyre reformave do të bëhet i qartë, duke forcuar ose dobësuar shanset e Tiranës për të hapur bisedimet për anëtarësim me Brukselin.
Një bojkot tjetër
Presidenti Bujar Nishani vendosi 21 qershorin si dita kur shqiptarët do të shkojnë në zgjedhje për zyrtarët e rinj vendorë.
Gjithsesi, udhëheqësi i Partisë Demokratike dhe kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha ka akuzuar qeverinë se ka vizatuar hartën territoriale në përputhje me synimet e veta elektorale.
“Ndarja e re territoriale është një ndarje elektorale dhe ne nuk do ta pranojmë kurrë atë,” deklaroi Basha pasi parlamenti e miratoi ndryshimin në korrik.
Partia e sfidoi reformën në Gjykatën Kushtetuese. Gjithsesi, gjykata në dhjetor vendosi kundër saj, me shtatë gjykatës që mbështetën kushtetutshmërinë e reformës dhe dy që votuan për rrëzimin e saj.
Demokratët nuk e kanë bërë ende të qartë se do të pranojnë vendimin e gjykatës apo se do të marrin pjesë në zgjedhjet vendore ku do të përdoret harta e re administrative.
Pavarësisht kërcënimeve të opozitës, shumë pak analistë besojnë se demokratët do të bojkotojnë zgjedhjet.
Analisti politik Arjan Vasjari tha se është e vështirë të imagjinohet që demokratët të refuzojnë të marrin pjesë në zgjedhje kaq herët pasi i dhanë fund bojkotit të gjatë të parlamentit.
Vasjari vëren se opozita nuk mundet lehtësisht të dënojë një reformë që Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar si të ligjshme.
“Opozita do të reflektojë pas rikthimit në parlament dhe do të zgjidhë dilemën e vet mbi pjesëmarrjen në zgjedhjet vendore,” thotë ai.
Përveç zgjidhjes së dilemës nëse duhet të marrë pjesë në zgjedhje, udhëheqësi i partisë Basha do të duhet të vendosë nëse ai vetë dëshiron të garojë sërish si kandidat për bashkinë e Tiranës.
Maxhoranca në pushtet pritet të përballet me probleme gjithashtu, veçanërisht në lidhje me dilemat se cilët kandidatë do të duhet të mbështesë në bashkitë ku ka më shumë gjasa të fitojë, për shkak se disa prej kandidatëve do të duhet t’i përkasin partnerit më të vogël në qeverisje, Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Procesi zgjedhor mund të përballet me sfida teknike, vëren Koalicioni i Vëshguesve të Zgjedhjeve.
Komisioni Qendror Zgjedhor, KQZ, institucioni zyrtar i ngarkuar me mbikëqyrjen e proceseve elektorale, ka vetëm gjysmën e anëtarëve të vet.
Gjysma tjetër dha dorëheqjen në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. KQZ ka aktualisht vetëm katër komisionerë nga shtatë, të cilët u zgjodhën nga ish maxhoranca e djathtë.
“Zgjedhjet do të zhvillohen por pyetja e madhe është si,” thotë Dritan Taulla, përfaqësues i Koalicionit.
Sipas Taullës, procesi elektoral është gjithashtu në pikëpyetje për shkak të një numri kërkesash për referendume vendore, të cilat sfidojnë reformën administrative.
“Nëse vetëm një nga këto kërkesa konsiderohet si e ligjshme nga gjykatat, reforma administrative mund të dështojë, duke krijuar një situatë të paprecedentë,” tha ai.
Vasjari tha se dialogu politik do të jetë kyç për suksesin e zgjedhjeve vendore. Gjithsesi, ai është pesimist dhe nuk pret që partitë politike të ndryshojnë sjelljen e tyre. “Në Shqipëri ne nuk shkojmë zakonisht në zgjedhje pa tension politik,” tha ai.
“Zgjidhja e problemeve me zgjedhjet e 21 qershorit varet nga dialogu politik, por historia na mëson se në Shqipëri një dialog i tillë nuk është gjithmonë i pranishëm,” thotë Taulla.
Në lojë bisedimet me BE-në
Pasi Shqipëria mori statusin e vendit kandidat për në BE në qershor 2014, qeveria e qendrës së majtë njoftoi synimin e saj për të hapur bisedimet për anëtarësim me Brukselin më 2015.
Gjithsesi, para se të bie dakord për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, zyrtarët e BE-së thonë se duan të shohin një sukses më të qartë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Me këtë në mendje, gjatë gjatë vitit të fundit, qeveria e Shqipërisë ka nisur një seri reformash dhe fushatash që synojnë të fuqizojnë sundimin e ligjit.
Viti 2015 do të jetë një vit kyç në të cilin rezultati i këtyre iniciativave do të gjykohet.
Një nga fushat kryesore të reformave të shënjestruara nga BE-ja është sistemi i drejtësisë, i cili perceptohet universalisht si i korruptuar dhe subjekt i presionit politik.
Gjithsesi, reforma e sistemit të drejtësisë ka nevojë për konsensus me opozitën, e cila ka bojkotuar parlamentin për gati gjysmën e vitit 2014.
Tashmë që fushata zgjedhore po afrhet, gjasat janë të pakta që konsensusi mbi një iniciativë të madhe reforme mund të arrihet në të ardhmen e afërt mes demokratëve të Bashës dhe socialistëve të Ramës.
Rritje më e fortë, por edhe taksa më të larta
Ekonomia pritet të rritet me 3.3 për qind më 2015, duke lënë pas pesë vjet rritjeje shumë të ngadaltë.
Gjithsesi, shqiptarët do të duhet të presin edhe ca për të parë konvertimin e rritjes ekonomike në standarde më të larta jetese.
Qeveria pritet të mbledhë gjysmën e të gjithë rritjes ekonomike në formën e taksave shtesë më 2015, mbi duhanin, naftën dhe tatimin mbi të ardhurat personale.
Çmimet më të ulëta të naftës në tregjet ndërkombëtare pritet të sjellin përfitime të kufizuara për konsumatorët vendës për shkak se qeveria po rrit taksat mbi nënproduktet e naftës duke filluar nga 1 janari.
Dollari amerikan, monedha që përdoret për të blerë naftën, është tashmë 12 për qind më e shtrenjtë kundrejt lekut nga sa qe pak muaj më parë.
Rënia e çmimeve të naftës mund të ndihmojë ekonominë në tërësi, por prodhimi vendës i naftës bruto pritet të vuajë për shkak se kostot e prodhimit këtu janë të larta. Kjo mund të sjellë rënie të eksporteve dhe, për rrjedhojë, edhe të ardhurave të qeverisë nga renta minerare.
Inflacioni pritet të mbetet i ulët më 2015. Zgjedhjet vendore pritet gjithashtu të sjellin një bum afatshkurtër në investimet publike. Kjo mund të jetë ndihmuese për ekonominë dhe të krijojë vende pune për një periudhë të shkurtër edhe pse përfitimet afatgjata janë të pakta.