Sfidat e guvernatorit të ri
Nga Monitor, 3 janar 2015
Nga rikthimi i besimit të publikut, rishikimi i ligjit, ulja e shpenzimeve, rënia e të ardhurave, shënjestrimi i inflacionit dhe deri te problemet e kreditimit, disa nga dosjet e para të guvernatorit të ardhshëm
Pas disa negociatave të zhvilluara mes kreut të Kuvendit, Kryeministrit, shefit të opozitës dhe këshillit ekzistues të bankës, duket se është arritur në konkluzionin e një zgjidhje më të shpejtë dhe pa kosto të mëtejshme në vakancën më shumë se 100-ditore në postin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, një nga pozicionet më të rëndësishme të funksionimit të shtetit.
Por cilat janë problemet dhe sfidat kryesore të guvernatorit të ardhshëm?
Rikthimi i besimit të publikut
Lajmi për vjedhjen e të paktën 713 milionë lekëve në thesarin e Bankës së Shqipërisë, përveçse një skandal i rrallë për bankat qendrore, u kthye në objekt shakash dhe batutash mes bankierëve dhe rrjeteve të mëdha mediatike. Pakënaqësia e publikut ndaj humbjes financiare u gërshetua me veprime publike dhe të nëndheshme në botën politike, ekonomike dhe financiare që mbante të lidhura fijet me Bankën e Shqipërisë dhe sistemin bankar në tërësi.
Arrestimi i paprecedentë dhe më pas shkarkimi i guvernatorit Fullani tronditi kryesisht vetë Bankën Qendrore dhe bankat tregtare. Por, gjithsesi, tranzicioni me ngarkimin me detyrën e guvernatorit të zv.guvernatores së parë, Elizabeta Gjoni, ishte më i zbutur se sa parashikohej.
Parametrat kryesorë të sistemit bankar, politikës monetare, kursit të këmbimit dhe veprimtarisë rutinë me thesarin dhe sistemet e pagesave ndërmjet bankave kanë qenë optimale.
Por, gjithsesi, banka qendrore nuk mund të mbetet gjatë pa guvernator, numri katër në hierarkinë e autoriteteve shtetërore të një vendi dhe për këtë arsye, zgjedhja e shefit të ri të institucionit qendror monetar është imediate. Sfida e parë dhe kryesore e guvernatorit të ri do të jetë rikthimi i besimit te Banka e Shqipërisë për gjithë aktorët dhe faktorët e tregut, në radhë të parë bankave tregtare, publikut, biznesit, politikës dhe gjithë palëve të interesuara për stabilitetin dhe shëndoshjen e sistemit financiar dhe atij bankar në veçanti.
Ndryshimi i ligjit në favor të llogaridhënies
Nga pikëpamja ligjore, Banka e Shqipërisë është e konsoliduar në pavarësinë e saj, por rasti i skandalit me vjedhjen e thesarit shtroi problemin e gjetjes së një ekuilibri mes pavarësisë dhe llogaridhënies.
Në nenin 161 të Kushtetutës, Banka e Shqipërisë pozicionohet nga pikëpamja institucionale si banka qendrore e shtetit shqiptar, ku shprehet në mënyrë të drejtpërdrejtë ekskluziviteti i saj në: nxjerrjen dhe qarkullimin e monedhës shqiptare (leku), zbatimin e pavarur të politikës monetare dhe mbajtjen dhe administrimin e rezervave valutore të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu dhe ligji “Për Bankën e Shqipërisë” parashikon një pavarësi në shkallë sipërore për guvernatorin dhe garancitë për pavarësinë financiare të institucionit.
Pas skandalit të vjedhjes së thesarit, shumë deputetë dhe ekspertë të ekonomisë janë shprehur për amendimin e ligjit për gjetjen e ekuilibrave mes pavarësisë dhe llogaridhënies, transparencës dhe përgjegjshmërisë që janë dhe parimet kryesore për çdo bankë qendrore. Ndaj dhe sfidë kryesore do të jetë procesi i rishikimit ligjor të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë” dhe spektrit ligjor të legjislacionit bankar, sidomos për problemet me ekzekutimin e kolateraleve dhe kreditë me probleme për të cilat Shqipëria mban rekordin në rajon.
Inflacioni nga 2-4 drejt 3% dhe rritja ekonomike
Debatet për rolin e politikës monetare tej mbajtjes së inflacionit dhe ndikimi në ekonomi janë shtuar pas fundit të krizës financiare botërore. Mbajtja e një politike monetare puritane me inflacion nën kontroll duket e tejkaluar dhe tashmë instrumenti i normës bazë duket i pamjaftueshëm.
Një shqetësim të tillë, deputetët e mazhorancës e ngritën në Kuvend, por edhe vetë z. Sejko duke paralajmëruar se ndryshimet në mekanizmin e politikës monetare janë të domosdoshme. Prej vitesh, Banka e Shqipërisë po mendon të kalojë nga banda e inflacionit 2-4% drejt inflacionit të shënjestruar 3% sipas praktikave të Bankës Qendrore Europiane, por pasiguritë dhe rreziqet e një ekonomie të brishtë rrezikojnë shumë mbajtjen e objektivit të shënjestruar në 3%. Aktualisht, inflacioni është nën nivelin e poshtëm të objektivit 2% dhe pritshmëritë mbeten për inflacion të ulët edhe për vitin 2015.
“Superstruktura” me 537 punonjës dhe shpenzimet
Pavarësia financiare e Bankës së Shqipërisë i ka siguruar guvernatorit, Këshillit Mbikëqyrës dhe nëpunësve të bankës paga dhe shpërblime të konsiderueshme financiare që janë disa herë më të larta se nivelet e ngjashme në administratën publike.
Madje paga dhe shpërblimet e guvernatorit (rreth 9 milionë lekë në vitin 2014) janë rreth 300% më të larta se ajo e kreut të shtetit dhe në mënyrë proporcionale variojnë edhe pagat e anëtarëve të këshillit krahasuar me bordet e tjera, drejtorëve të drejtorive dhe specialistëve krahasuar me pozicionet homologe në ministri apo institucionet e tjera të pavarura publike. Kjo lloj pabarazie ka krijuar xhelozi me administratën dhe publikun, ndërkohë që Banka e Shqipërisë e justifikon nivelin e pagave, duke e krahasuar me sistemin bankar dhe jo me pjesën tjetër të administratës publike.
Në këtë mënyrë, një nga sfidat e guvernatorit të ri do të jetë rishikimi i strukturës të shtuar vit pas viti të bankës qendrore duke arritur në rreth 537 punonjës aktualisht që kanë shpenzuar rreth 1 miliard lekë vetëm shpenzime personeli për vitin 2014 dhe nivelit të pagave dhe shpërblimeve për të reduktuar në maksimumin e mundshëm shpenzimet.
Qiratë dhe investimet, banka me katër godina
Aktualisht, banka qendrore e zhvillon veprimtarinë e saj në katër godina, selinë qendrore në sheshin “Skënderbej”, ish-vilën e VEFA-s dhe dy godina në Rrugën e Dibrës, duke krijuar kosto operacionale të konsiderueshme për shkak se banka duhet të ofrojë sigurinë e sistemeve të saj në secilën prej tyre. Më shumë se kokëçarje në komunikim mes departamenteve, guvernatori i ri do të përballet me faturat e kripura të investimeve në godinën e ish-hotel Dajtit dhe pagesat e qirave në tre godinat e tjera.
Shifra e lartë e blerjes nga qeveria e ish-hotel Dajtit rreth 32 milionë euro është përkthyer në shpenzime të rritura progresive të amortizimit vit pas viti, ndërkohë që banka po investon edhe në sistemet e reja të teknologjisë së informacionit në godinën qendrore dhe mbajtjen e rrjeteve në godinat e tjera. Në një vit, Banka e Shqipërisë shpenzon rreth 4 miliardë lekë ose rreth 40 milionë dollarë dhe në disa zëra të shpenzimeve, guvernatori i ri duhet të vendosë “gërshërët”.
I pyetur nga deputetët lidhur me këtë pikë, kandidati Sejko tha se “ne e dimë që BSH ka bërë disa investime që kanë lidhje me godinën e re dhe investime të tjera. Për hir të së vërtetës, këto investime duhet të ishin bërë, sigurisht jo në ato përmasa, por nuk mund ta gjykojmë në këtë moment. Banka kishte nevojë për një godinë të rikonstrukturuar pasi Banka ekzistuese ka qenë në kushte të mjerueshme. Unë kam punuar në ato zyra dhe vetëm bankë nuk mund të ishte. Pra ato shpenzime dhe shpenzime të tjera ka bërë që të ketë një nivel të caktuar shpenzimesh për disa investime. A duhet të kishte qenë i kontrolluar ky nivel? Unë mendoj se po”.
Problemet me rënien e të ardhurave
Ulja e shpenzimeve duket një veprim i panegociueshëm për guvernatorin e ri, për shkak të rënies së interesave të investimit të rezervës valutore në tregjet e huaja dhe të ardhurave nga interesat për veprimet me qeverinë. Vitet e fundit, në mbarë botën, ka pasur ulje të normave të interesit dhe për bankat qendrore, kjo përkthehet në rënien e të ardhurave.
Pavarësisht se objektiv kryesor i një banke qendrore nuk është realizimi i fitimit, efekti në rënien e të ardhurave duhet parë nëpërmjet reduktimit të shpenzimeve. Të ardhurat për veprimet me qeverinë (rreth 52% e totalit të të ardhurave) janë në rënie prej disa vitesh për shkak të vetë politikës monetare që ka ndjekur Banka e Shqipërisë.
Ulja e normës bazë të interesit nga Banka Qendrore është reflektuar në uljen e yield-it të bonove të thesarit dhe obligacioneve që për qeverinë do të thotë ulje shpenzimesh, ndërsa për bankën, ulje e të ardhurave. Por ndonëse në tregun e brendshëm, efekti përfundimtar është i njëjtë, problem mbeten të ardhurat nga rezerva valutore. Gjatë gjysmës së dytë të vitit 2014, lehtësimi i mëtejshëm i politikës monetare nga ana e Bankës Qendrore Europiane (ECB) ka pasur pasoja për Bankën e Shqipërisë.
Sipas një deklarate të muajit tetor të Këshillit Mbikëqyrës, “norma e kthimit për investimet në euro, në instrumente financiare me afat maturimi deri në tre vjet, me nivel të pranueshëm të rrezikut të kredisë është negative (poshtë zeros)”. Kjo është hera e parë që rezerva valutore e vendit, e cila menaxhohet nga Banka e Shqipërisë, nuk gjeneron të ardhura, por shpenzime, të cilat do të reflektohen në pasqyrat financiare të Bankës së Shqipërisë për vitin 2014. Edhe për vitin 2015, tendenca mbetet e njëjtë dhe pritet të gjenerojë kosto për Bankën e Shqipërisë.
Kreditimi, ngërç biznes-banka?!
Ngecja e kreditimit dhe shifra rekord e kredive me probleme kanë krijuar pasiguri besimi mes bankave dhe biznesit dhe një sfidë po aq e rëndësishme e guvernatorit të ri do të jetë ringjallja e kreditimit. Duke pasur përvojë në Bankën Qendrore dhe disa banka tregtare, i dekretuari për guvernator z. Sejko e ka të qartë pamjen nga ana e bankave. “Rimodelimi i kredidhënies është i nevojshëm, BSH-ja duhet të ketë bashkëpunim më të thellë me bankat e nivelit të dytë, për të përmirësuar kredidhënien. Problemi është te ngërçi biznes-bankë, duhen lëshuar rregullore të reja nga Banka Qendrore drejt bankave të nivelit të dytë, për të lehtësuar frymëmarrjen e bankave dhe për të rritur efektivisht procedurat e rregullta të kredisë. Banka qendrore ka një rol kyç në dhënien e frymëmarrjes së bankave, rritjen e kredimarrjes për ekonominë, rritjen e stabilitetit”, deklaroi Sejko në seancën dëgjimore.
Por tangoja ka dy palë dhe ndoshta veprimet e para të Guvernatorit të ri do të duhet të jenë ulja dhe diskutimi me biznesin e problematikës reale që ka kreditimi për të marrë dhe një opinion të pjesës tjetër, asaj matanë banakut të bankës, për mënyrat se si mund të zgjidhet problemi kreditimit.