Përse 2015 mund të jetë viti kur Europa nis të shpërbehet
Nga Robin Oakley, CNN, botuar bota.al, 2 janar 2014
Shumë pak politikanë të Bashkimit Europian do të kenë ngritur një gotë për Vit të Ri, me pritshmërinë e një të ardhmeje më të ndritur. Shumëkush druhet se 2015 mund të jetë viti kur si Euro, ashtu edhe vetë Bashkimi Europian do të fillojnë të shpërbëhen.
Edhe një herë, telashet do të nisin fillimisht në Greqi, një vend që pranua shkujdesshëm në Euro përpara se financat e tij të ishin në rregull, dhe të cilit i është dashur të shpëtohet dy herë në përpjekjen për të rimëkëmbur ekonominë e tij.
Edhe një herë, ekonomia e Greqisë është në qendër të krizës së euros. Dështimi i qeverisë greke të Antonis Samarasit për të fituar një shumicë në parlament në favor të kandidatit presidencial që ajo mbështeste, do të thotë që Greqia mund të zhvillojë zgjedhje të parakohshme në 25 janar, një lajm i cili bëri që bursa e Greqisë të bjerë me 5% brenda ditës.
Sondazhet thonë se me shumë gjasë, fituesi do të jetë Alexis Tsipras dhe partia e tij populiste e krahut të majtë, Syriza. Problemi për BE është që, teksa më shumë se një e katërta e popullsisë në Greqi është e papunë, pavarësisht disa shenjave të rimëkëmbjes ekonomike, Syriza po fiton mbështetje të gjerë për shkak të premtimit që ka bërë për të hequr dorë nga shumica e angazhimeve që erdhën bashkë me paketat e shpëtimit nga pjesa tjetër e Europës.
Tsipras dëshiron t’i japë fund programit të kursimit që është imponuar kryesisht me këmbënguljen e Gjermanisë, të shfuqizojë shkurtimet që i janë bërë pagës minimale si dhe të mos pranojë pjesën më të madhe të borxhit grek. Ndonëse Tsiprasi e ka zbutur retorikën e mëparshme dhe thotë se dëshiron që Greqia të mbetet në Euro, është e vështirë të kuptosh si mund të ndodhë nëse ai fiton dhe mban premtimet e fushatës.
Largimi i Greqisë do të ishte goditja e parë e madhe për Euron, si dhe më gjerë për BE-në. Por Greqia nuk është e vetme sa u përket partive euroskeptike që kanë fituar mbështetje sipas sondazheve. Edhe në Spanjë dhe Portugali do të zhvillohen zgjedhje gjatë këtij viti.
Në spanjë, Podemos, një parti që i kundërvihet fort programeve të shtrëngimit që janë krijuar për të mbajtur vendin në euro, aktualisht është në krye në sondazhe.
Portugalia, e cila përballet me pasojat e një pakete shpëtimi 78 miliardë Euro, aktualisht është e zhytur në pasiguri, pas arrestimeve për skandale financiarë të zyrtarëve dhe politikanëve kryesorë në të dy partitë e mëdha.
Ndërkohë që eurokratët në Bruksel shpresojnë se trazirat e mundshme në Greqi do i shtyjnë votuesit në Spanjë dhe Portugali që të kërkojnë sigurinë, kjo mund të ketë efektin e kundërt, duke u dhënë guxim votuesve që t’u shkojnë pas partive populiste pa programe financiarë koherentë.
Edhe në Itali, tre nga katër partitë më të mëdha – Forza Italia, Lega Nord dhe Cinque Stelle e Beppe Grillos – po bëjnë gjithnjë e më shumë zhurmë euroskeptike.
Megjithatë, rreziku më i madh për të ardhmen e Europës vjen prej zgjedhjeve të përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar, një vend që ka qëndruar jashtë Euros.
Politologët e pranojnë se zgjedhjet në Britani, që do të mbahen në maj, janë më të vështirat për t’u parashikuar qysh prej kur nuk mbahet mend. Partia euroskeptike UKIP ka provuar si me fitoren në zgjedhjet parlamentare të 2014-ës, ashtu edhe me suksesin në nënzgjedhjet për Westminster kohët e fundit, se mund të shkëpusë vota nga të dy partitë e mëdha, konservatorët dhe laburistët.
Pjesëmarrja në qeverinë e koalicionit i ka dëmtuar rëndë liberaldemokratët, partnerët konservatorë dhe pas referendumit për pavarësinë e Skocisë, Partia Kombëtare e Skocisë mendohet që do i shkëpusë deri 20 vende në parlament laburistëve.
Asnjë parti e madhe nuk duket në gjendje të fitojë zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar e vetme, por është krejt e pasigurtë se cilët do të ishin partnerët e një koalicioni që do të qeveriste pas muajit maj. Që tani, administratën që pritet të formohet e kanë pagëzuar “Qeveria e Humbësve”.
Nëse konservatorët e udhëhequr nga David Cameroni do të jenë sërish partia më e madhe dhe do të jenë pjesë e një qeverie tjetër koalicioni, atij do i duhet të zbatojë betimin për të organizuar një referendum “Jashtë ose Brenda”, në lidhje me vazhdimin e qëndrimit të Britanisë në BE, pasi ka kërkuar që të rinegociojë kushtet e kësaj anëtarësie me udhëheqës të tjerë në Bruksel.
Rreziku për BE është se, në përpjekjen për t’iu kundërvënë suksesit të UKIP, Cameroni ka bërë premtime edhe më të fortë për të frenuar imigrantët, apo për t’u mohuar atyre pagesat sociale nëse futen.
Nëse Europa nuk arrin të bjerë dakord për një kompromis mbi lëvizjen e lirë brenda kufijve të Bashkimit Europian, atëherë pritshmëritë që ka shkaktuar Cameroni do të zhgënjeheshin dhe shumë konservatorë me shumë gjasë do i bashkoheshin mbështetësve të UKIP në votimin kundër vazhdimit të qëndrimit të Britanisë në BE, nëse ky referendum do të mbahet në 2017-ën.
Kjo mundësi shfaq një dilemë për udhëheqës europianë si ANgela Merkeli, e cila ka këmbëngulur prej kohësh se parimi i lëvizjes së lirë është i shenjtë.
Në 1 janar 2015, udhëheqësit e BE mundën të festojnë për një matës të progresit: Lituania u bë e fundit e tre republikave balltike të cilat u anëtarësuan në BE në 2004-ën, që hoqi dorë nga monedha e vjetër, litas, duke u shndërruar në një anëtar me të drejta të plota e euroklubit. Ndoshta mund të jetë gjëja e fundit që ata udhëheqës festojnë, për pak kohë. /CNN/