Mbyllet një vit plot me sfida por dhe me jo pak punë të mbara

Fjala e Kryeministrit Rama në takimin me gazetarët, 31 dhjetor 2014

14-12-31-07-26-53banner_km_konferenca_e_vitit_te_riGëzuar të gjithëve Vitin e Ri 2015!

Sot mbyllet një vit që për Shqipërinë ishte i vështirë plot me sfida por dhe me jo pak punë të mbara dhe shenja të mira inkurajuese për rilindjen që duam.

Dua të falënderoj ministrat, deputetet e PS-së dhe LSI-së, drejtuesit dhe punonjësit e ministrive dhe të agjencive te tjera shtetërore, në krye të tyre, Policinë e Shtetit, Tatimet dhe Doganat, Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Blegtoral, ALUIZNI-n, Agjencinë Kombëtare të Prodhimeve, Qendrën Universitare Spitalore “Nënë Tereza”, Departamentin e Administratës Publike, Shërbimin Social Shtetëror, Institutin e të Përndjekurve Politikë, Inspektoratin Shtetëror të Punës, Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe të tjera, të cilat këtë vit mbajtën barrën e rëndë të një trashëgimie të vajmedetshme, duke u bërë fuqi e ndryshimit dhe duke çelur të gjitha shtigjet, për të hapur më pas, rrugën e reformave transformuese.

Dua të falënderoj posaçërisht Ilir Metën, bashkëkryetarin e Koalicionit për Aleancën e Shqipërisë Europiane, i cili më ndihmoi pa u kursyer në përpjekjen tejet të vështirë për të rikthyer shtetin në detyrë, një përpjekje që vazhdon e po ashtu, për krijimin e kushteve optimale për bashkëpunimin mes Kuvendit dhe Qeverisë. Një falënderim këtu, edhe për dy kryetarët e grupeve tona parlamentare, Gramoz Ruçin dhe Petrit Vasilin.

Gjithashtu dua të falenderoj të gjithë anëtarët e KEK-ut, përfaqësuesit e sipërmarrjeve, bankave dhe institucioneve ndërkombëtare, pjesëtarë të këtij Këshilli, që ka luajtur një rol ky në ecurinë pozitive të reformave financiare dhe ekonomike, gjatë këtij viti.

Falenderoj Presidentin e Republikës për përmirësimin e marrëdhënieve institucionale mes Qeverisë dhe kreut të shtetit, pas pothuaj një dekadë, që, nëse s’do të ishte kjo e sotmja një ditë feste, do ta quaja të turpshme për shtetin tonë. Padyshim kemi pasur dhe kemi mosdakortësitë tona me Presidentin, por ato nuk na kanë penguar dhe nuk do të na pengojnë të punojmë sëbashku, për të krijuar dhe konsoliduar një shembull të ri komunikimi mes institucioneve.

Falënderoj drejtuesit dhe pjesëtaret e institucioneve të tjera kushtetuese të vendit, me të cilat marrëdhënia ka qenë korrektësisht institucionale, edhe kur pozicionet mbi çështje të caktuara kanë qenë krejt të ndryshme, ose edhe të kundërta.

Shtetndërtimi është themeli i përpjekjes sonë dhe dinjiteti i sjelljes institucionale është shembulli që duhet të japim në radhë të parë duke respektuar të drejtën, detyrën dhe autoritetin kushtetues dhe ligjor të çdo institucioni apo figure institucionale.

Falenderoj mediat, gazetarët, analistët, botuesit, të gjithë pa përjashtim, sepse edhe kush nuk më sheh dot me sy më ndihmon që të shoh më mirë dhe të kuptoj më shumë. Por veçanërisht falenderoj ju gazetarët dhe kameramanët që ndiqni aktivitetin tim. Ju kërkoj ndjesë që jam shkak për një ngarkesë jo normale për ju, për shkak se e konsideroj komunikimin intensiv me publikun, një domosdoshmëri për ecurinë e mbarë të qeverisjes në këtë fazë të parë, jashtëzakonisht të vështirë.

E di që shumëkush e mendon se e teproj me daljet në TV, por mbase duhet t’i ngushëllojë fakti që nuk kam ndërmend të rri shumë gjatë në këtë detyrë. Dua që ta përdor dhe ta përdorim pushtetin për të bërë reforma që nuk janë bërë 20 vjet, punët që duheshin bërë prej 20 vjetësh, ndryshimet që njerëzit kanë 20 vjet që i presin, por nuk i shohin sa dhe si i dëshirojnë dhe jo të përpiqem të zgjas sa më shumë në pushtet, duke u konsumuar nga pushteti, larg qoftë, në pikën që largqoftë të bëhem i ngjashëm me paraardhësin tim që jua solli në majë të hundës të gjithë shqiptarëve.

Pas falenderimeve nuk dua vetëm të rreshtoj çfarë kemi bërë, pasi nuk dua që kjo e sotmja të ngjajë si një paradë suksesesh, i kam përçmuar gjithmonë paradat e sukseseve, por kam dëshirë të them njëkohësisht, çfarë sot mendoj se mund të kishim bërë më saktë, mund të kisha bërë më mirë ose ndryshe.

Mbase më vonë mund t’i gjej punës sime edhe më shumë të meta nga ç’mund të shoh sot për sot, lidhur me këtë vit, por që sot mund të them se, për shembull, duhet të kishim qenë edhe më të duruar me opozitën, sidomos në Kuvend. Opozitën nuk e zgjedhim, thjesht e kemi dhe sado e mbrapshte të na duket, apo të jetë në të vërtetë ajo, i takon shumicës që qeveris, në radhë të parë, të jetë në çdo hap e dinjitetshme në sjelljet ndaj opozitës.

Nuk kam asnjë dyshim se ky ka qenë viti më i mirë i një qeverie dhe i një shumice në këtë drejtim, në raportet me opozitën, por nuk mjafton dhe nuk mund të na mjaftojë kurrsesi krahasimi me të shkuarën, aq më pak me vitet e zymta të qeverisjes së palës tjetër.

Ne nuk e kemi marrë autorizimin e shqiptarëve për të qeverisur që të jemi e keqja më e vogël në këtë vend, por që të punojmë përditë dhe të kujtohemi nesër si forca shtytëse e të mirës në qeverisjen e këtij populli. Fatmirësisht nuk janë shumë rastet që kemi gabuar, por fakti që janë pak nuk vlen në asnjë mënyrë si justifikim për ne. Prandaj, ndjesë gjithë opinionit publik për çdo rast kur në marrëdhëniet tona me opozitën është shfaqur përmes nesh, sjellja e vjetër ndaj opozitës.

Do të kisha dashur dhe e them sinqerisht, që opozita të ishte e para sot në renditjen e falenderimeve të mia, por më vjen keq sinqerisht, nuk e pata të mundur se do të ishte hipokrizi. Jo se nuk na ka ndihmuar, në aspektin e ngushtë. Na ka ndihmuar me çoroditjen dhe me dobësitë e saj dhe po në aspektin e ngushtë, kjo opozitë që bërtet, po nuk merr vesh as vetë atë që thotë është një komoditet për Qeverinë. Sepse gjatë gjithë kohës, opozita nuk e ka fshehur dot që problem i saj nuk është as sesi po ecën Shqipëria, as cila janë shqetësimit e qytetarëve, apo çfarë cilësie kanë reformat tona, por thjesht dhe vetëm, humbja e merituar e pushtetit me të cilën opozita nuk po mundet ende, nuk arrin dot të pajtohet.

Sidoqoftë, me sinqeritet faleminderit edhe opozitës, për rastet e vërteta të personave të padenjë për të qenë shërbëtorë publikë, që ka denoncuar gjatë këtij viti, në morinë e njerëzve ndaj të cilëve ka bërë mëkatin e shpifjes publike. Janë 8 apo 9 raste individësh mes qindrash që janë verifikuar pas çdo denoncimi, për të cilat është marrë menjëherë masa e largimit nga detyra. E në këtë aspekt, me keqardhje të thellë për qindra njerëz që përgojohen padrejtësisht në publik dhe përbalten padenjësisht nga opozita, ne mirëpresim çdo denoncim që ndihmon për të vazhduar pastrimin e një administrate shtetërore që e trashëguam si mos o Zot, të mbërthyer nga korrupsioni dhe të kalbëzuar deri në palcë.

Faleminderit opozitës dhe për aq kontribut sa dha edhe në mbështetje të kandidaturës së Shqipërisë për statusin, me gjithë propagandën e padenje kundër Policisë së Shtetit, deri dhe pas operacionit të vonuar 20 vjet, për shkuljen e Lazaratit nga harta e turpit ndërkombëtar, që ishte dhe një nder arritjet e jashtëzakonshme të këtij viti dhe një nga shtysat vendimtare që Shqipëria ta merrte më në fund, statusin e vendit kandidat.

E mori me meritë dhe natyrisht, pasi kreu të gjitha detyrat e filluara me vite. Kjo është e vërteta, siç është e vërtetë se pa përkushtimin e jashtëzakonshëm, pa punën mbresëlënëse të kësaj qeverie në sytë e KE, po ashtu të të gjitha vendeve skeptike ndaj Shqipërisë, të cilat u detyruan të vlerësojmë faktet dhe rezultatet e arritura nga tetori deri në qershorin e këtij viti, si dhe pa një aktivitet këmbëngulës, të shkëlqyeshëm, diplomatik që ne bëmë në kryeqytetet europiane, vendi ynë nuk do ta kishte këtë vit statusin e vendit kandidat për BE. Unë jam krenar për këtë, por kjo arritje historike nuk më pengon, përkundrazi, të shoh se ne duhet të kishim qenë akoma më të shpejtë dhe më rezultativë në disa drejtime.

E di që jemi kritikuar përse shpejtojmë, madje dashamirësisht na është kërkuar ta ulim pak ritmin. Kujtoj këtu një kritik dashamirës, mik shumë i mirë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, të cilin përfitoj nga rasti ta falënderoj nga zemra për gjithçka bëri për Shqipërinë dhe shqiptarët. I uroj një vit të mbarë atij dhe familjes së tij, shëndet dhe sukses në vazhdimin e karrierës në Departamentin e Shtetit, por mbetem i patundur në bindjen time se Shqipëria nuk ka as shansin, as luksin të ulë ritmin, përkundrazi, Shqipëria duhet të nxitojë edhe më shumë sesa këtë vit, për të përfituar nga koha e pafundme që ka humbur, duke i lënë punët e sotme për nesër, duke marrë borxh të ardhmen për të shtyrë të tashmen, duke u kënaqur me pak dhe duke u varfëruar mbi të gjitha në aspiratat e saj.

Operacioni jetik për të imponuar ligjshmërinë në konsumin e energjisë është deri këtu, një sukses që do të thellohet me vendosmëri vitin që vjen. Por unë dua të jem deri në fund i ndershëm me ju, duhet të kishte nisur disa muaj më parë dhe duhet të kishte arritur sot, më thellë, në përpjekjen drejt zhdukjes së kancerit të hajdutërisë kolektive në sistemin e shpërndarjes së energjisë. Për shkak të kësaj hajdutërie çmendurake, të pakuptueshme në Europë, të një politike të çmendur, – skam fjalë tjetër, – qeveritare të mbylljes së syve dhe duke u fundosur vit pas viti, njësoj si ai gomari që mbyllte sytë dhe thoshte “inshalla është ëndërr”, kur e hante ujku, Shqipëria u zhyt 1,1 miliardë dollarë borxhe vetëm në sistemin energjetik, ndërsa nga xhepi i shqiptareve që paguajnë taksat, përveçse paguajnë energjinë, nxirren prej vitesh 250 milionë dollarë çdo vit, për të mbuluar varrin e hapur të energjisë, e cila tanimë është kthyer – dhe kjo nuk është më një metaforë, – në një çështje jete apo vdekje për Shqipërinë.

Në varrin e hapur të energjisë, konflikti i mbartur me shoqërinë CEZ ishte një pengesë themelore, për të zhbllokuar jo vetëm rrugën e rimëkëmbjes se sektorit, por dhe rrugën e rimëkëmbjes ekonomike dhe financiare të vendit në tërësi. Kur ne morëm detyrën shtatorin e kaluar, përveçse i gjetëm në rrëmujën e rrënimit të gjithë sektorët, gjetëm siç e dini, edhe 720 milionë dollarë borxhe ndaj kompanive, punë publike të papaguara, ndihmë ekonomike dhe pagesa për aftësinë e kufizuar të papaguara prej muajsh, furnizim ilaçesh për spitalet apo shkollash të papaguara, TVSH të parimbursuara, sipas ligjit, për kompanitë e kështu me radhë. Një katrahure financiare ku kërcënimi i një grope fundore për shkak të konfliktit që hapi qeveria e shkuar me CEZ-in ishte jo vetëm real, por edhe pengesë për të çelur programin e ri të ndihmës me Bankën Botërore, e cila qysh në fillim, – në fakt ashtu si dhe gjithë rrethi ynë i këshilltarëve dhe ekspertëve të huaj, – na sugjeroi me këmbëngulje të na mbështesë fort për të shkuar drejt një zgjidhje të negociuar, për të shmangur gjyqin ndërkombëtar, ku dhuna dhe budallallëqet administrative të qeverisë së shkuar ndaj CEZ-it do të na kishin fundosur me ndonjë gjobë marramendëse, në pamundësi për t’u mbrojtur edhe ndaj asaj pjese të përgjegjësisë që ishte e kompanisë CEZ.

Është realisht e jashtëzakonshme sot, sesi opozita ka kurajën të na akuzojë për gjithçka ndodhi me CEZ-in, pasi ishin ata që sot akuzojnë, të cilët bënë një privatizim skandaloz në favor të CEZ-it. Ju jeni dëshmitarë se PS në opozitë e ka denoncuar këtë privatizim dhe ka parashikuar dështimin e sigurt të këtij privatizimi dhe përkeqësimin e sektorit. Hynë në marrëdhënie të errëta me CEZ, marrëdhënie që degraduan pastaj, në ato skena të turpshme, ku CEZ nga njëra anë shkonte të ulte çelësat dhe policia nga ana tjetër shkonte të ngrinte çelësat dhe në fund përdorën dhunën, duke e nxjerrë jashtë Shqipërisë, CEZ-in, pa u kujdesur të përgatisnin një dokumentacion dinjitoz që do të mund t’i jepte Shqipërisë, mundësinë të mbrohej në një arbitrazh ndërkombëtar.

Në fakt, kështu bëjnë për të gjitha plagët dhe gropat që kanë hapur nga të katër anët, gjatë gjithë viteve të keqqeverisjes, akuzojnë qeverinë që po lufton me ato plagë dhe po i mbush pak nga pak ato gropa, me mund të madh, me sakrifica të të gjithëve, qytetarëve të ndershëm dhe korrektë me ligjin dhe me detyrimet e tyre, në radhë të parë dhe me punë, që për hir të së vërtetës ka qenë e palodhur nga gjithë ekipi qeveritar.

Në fillim të janarit, ne do të ndajmë me publikun, një përmbledhje domethënëse të operacionit të energjisë, pasi të kemi marrë edhe shifrat e plota të dhjetorit. Por mund t’ju them që sot, se rezultatet janë shumë inkurajuese edhe dua t’i falenderoj nga zemra të gjithë qytetarët që po lidhin marrëveshjet e rregullta me OSHEE dhe po paguajnë rregullisht atë që konsumojnë. Duke i ftuar gjithë të tjerët që të nxitojnë dhe të përfitojnë nga mundësia që nuk do të përsëritet dhe që është e hapur deri në 28 shkurt, që duke paguar menjëherë borxhin, të ulin 80% kamatëvonesat, apo të skedulojnë me kompaninë një pagesë borxhi të shtrirë në kohë. Pas 28 shkurtit, kjo mundësi nuk do të ekzistojë më, për askënd.

Të gjithë duhet ta mësojnë nga ana tjetër, se të paguash energjinë nuk është thjesht të paguash një detyrim për atë që konsumon, por të investosh, të marrësh pjesë në një investim të domosdoshëm për rimëkëmbjen e rrjetit të amortizuar të shpërndarjes, për rritjen e cilësisë së shërbimit që meriton, nga ana e kompanisë, për kalimin në ekonominë, pra, në funksionin tënd si konsumator dhe qytetar i këtij vendi, të parave që sot hidhen në gropën e humbjeve të shkaktuara nga vjedhjet, jo pak, 250 milionë dollarë çdo vit, 150 shkolla të reja çdo vit, 6 spitale rajonale moderne çdo vit, 100 kilometra rrugë kombëtare çdo vit, një shumë e barabartë me shumën që të gjithë sëbashku përmes taksave paguajmë për ndihmën ekonomike dhe aftësinë e kufizuar çdo vit, një shumë e barabartë që marrim nga tatimfitimi i kompanive çdo vit. Është e padrejtë, madje më shumë sesa e padrejtë, është e turpshme dhe është thikë mbas shpinës së të gjithë qytetarëve shqiptarë që paguajnë energjinë elektrike, që t’ju marrësh paratë edhe nga taksat, për të mbushur një gropë që hapet çdo vit nga hajdutët e energjisë elektrike.

Unë dua t’i kërkoj sot ndjesë dhe një ndjesë të ndjerë dhe të sinqertë çdo qytetari që paguan dhe nuk merr furnizimin e rregullt me energji; çdo familjeje që përjeton shkëputje të energjisë në këto ditë të ngarkuara dhe nga një mot jashtëzakonisht i keq, edhe pse paguan; çdo biznesi që ka pasur ndërprerje energjie gjatë këtij vitit për shkak defektesh teknike, të shkaktuara nga një sistem shpërndarjeje i lënë prej vitesh pa asnjë investim dhe pa asnjë kujdes nga shteti. E mirëkuptoj nervozizmin e gjithë atyre që thonë që mirë që e paguajmë energjinë, po pse na shkëputet, pse mbesim pa drita, pse na vjen tensioni i ulët e me radhë, pse na vjen fatura afrofe, pse nuk na funksionon mirë sahati, pse nuk më është lexuar saktë konsumi. Janë të gjitha legjitime, të mirëkuptueshme. Por kërkoj mirëkuptimin dhe durimin e secilit, sepse rindërtimi i sistemit ka nisur dhe kërkon kohën e vet. Janë 250 milionë dollarë që janë drejtuar për investime në sistem dhe do të investohen gjatë vitit të ardhshëm. Po gjatë vitit të ardhshëm do të nisë një projekt historik për sistemin energjetik shqiptar, të kalimit në teknologjinë e re të matjes së energjisë, përmes së cilës do t’i japim fund, përgjithmonë, qoftë afrofeve, qoftë abuzimeve të çdo natyre si nga ana e kompanisë, si nga ana e konsumatorëve, sepse matja e konsumit do të fillojë të bëhet përmes një sistemi modern inteligjent, dixhital dhe në harkun e katër viteve do të kemi mbuluar gjithë Shqipërinë dhe do të kemi në këtë drejtim, një sistem ultramodern, të pakorruptueshëm nga askush.

Por, e përsëris dhe jam i bindur që më mirëkuptojnë të gjithë ata që e dinë ç’është puna dhe që kanë punuar qoftë dhe një ditë të vetme, se gjërat që bëhen me punë, gjërat që kërkojnë punë dhe gjërat që janë shkatërruar për shkak se nuk është punuar për t’i bërë apo për t’i mbajtur, nuk bëhen as brenda natës dhe as kur dëshira na e do, por bëhen kur merret koha e nevojshme për t’i bërë. Për të ndërtuar një shtëpi, apo qoftë edhe për të lyer shpinë nuk mjafton të hapësh e të mbyllësh sytë, duhet punë dhe duhet punë e madhe.

Ndërkohë, ne kemi marrë një vendim të guximshëm në favor të konsumatorëve. E them të guximshëm, sepse nuk kemi rritur çmimin e energjisë, por vetëm kemi hequr fashën mbrojtëse 300 kilovat. Dua ta bëj të qartë, edhe një herë, dallimin. Rritje e çmimit të energjisë do të thotë rritje uniforme e çmimit, do të thotë që nga çmimi mesatar që kemi sot, përpara sesa të hyjë në janar çmimi i ri, prej 10.6 lekë të ngjitemi më lart për të gjithë. Kjo nuk ka ndodhur. Përkundrazi, çmimi mesatar për të gjithë është ulur në 9.5 lekë. Rritja e çmimit, e cila rezulton për një fashë të caktuar nga heqja e fashës mbrojtëse, ka marrë adresimin e duhur moral dhe financiar të qeverisë, sepse të gjitha ato kategori, për të cilat është vendosur fasha mbrojtëse dhe për të cilat çmimi pas heqjes së fashës do të jetë më i lartë, janë marrë në mbrojtje nga qeveria dhe diferenca mes çmimit me fashë dhe çmimit pa fashë do të mbulohen nga buxheti i shtetit, duke çuar në pensionet e pensionistëve kryefamiljarë, në pagesën e familjeve në ndihmë ekonomike dhe në pagën e aftësisë së kufizuar, – se këto të tria janë kategoritë që me demek do të merrte në mbrojtje fasha, – shumën e parave plus, çdo muaj, me të cilën do të paguajnë energjinë. Të tjerët janë të gjithë përballë një çmimi mesatar të ulur nga 10.6 lekë në 9.5 lekë. Kjo është e vërteta, të tjerat janë bar SHQUP-i, i vaditur me lot krokodili.

Ka nisur puna për ndërtimin e linjës 400 kilovolt të interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, e cila u pengua për vite të tëra, edhe pse është një projekt strategjik kombëtar për shqiptarët në të dyja anët e kufirit. Ju e dini më mirë se kushdo tjetër se arsyet e pengesës ishin korruptive.

Ka filluar puna për zbatimin projektit të Unazës së Jugut të Shqipërisë, flas të sistemit të furnizimit me energji dhe në jugun e Shqipërisë, posaçërisht në zonën e bregdetit dhe ky është investimi i parë pas viteve ’70-të në sistemin e shpërndarjes së energjisë. Zona më problematike e Shqipërisë, duke qenë edhe zona më turistike e Shqipërisë, kur vjen puna për të mbajtur fjalimet që janë mbajtur për turizmin dhe për perlën e Mesdheut për 20 vjet me radhë, merr investime në sistemin e shpërndarjes për herë të parë pas viteve ’70-të.

Po ashtu ka filluar një proces shumë i rëndësishëm, pagesa e detyrimeve të prapambetura të qeverisë ndaj HEC-eve të vegjël privatë. Pagesa që qeveria e mëparshme ia ngarkoi KESH-it, duke bërë kontratat më të korruptuara dhe më të papërgjegjshme që një qeveri mund të bëjë me këto kompani private, duke ju marrë përsipër që t’jua blinte energjinë me paratë e taksapaguesve, gjithmonë 10 lekë mbi importin. Domethënë, prodhimi vendas, që supozohej të rritej, do të kushtonte më shumë se importi. Mund ta kuptoni se çdo të thotë kjo? Dhe 60 milionë dollarë janë borxh i papaguar për energji të marrë prej tyre, por të papaguar nga ana e shtetit, nga ana e KESH-it. Sepse politika e qëndrimit në pushtet, jo për të bërë reforma, jo për të çuar përpara vendin, jo për ta konsumuar pushtetin në funksion të qytetarëve, por për ta përdorur pushtetin që të rrish sa më gjatë në zyrë, duke u konsumuar nga pushteti deri në atë pikë që ndodhi konsumi, vetëm këtu mund të të çojë, në këto lloj situatash që janë të turpshme për çdo shoqëri dhe për çdo vend dhe për më tepër, për një vend europian, me statusin kandidat për në BE.

Po ashtu kemi një situatë të ndryshuar në sektorin e minierave dhe hidrokarbureve. Kur them të ndryshuar, nuk them një situatë tërësisht të ndryshuar, them një situatë të ndryshuar. Janë revokuar 145 leje minerare që nuk kishin plotësuar detyrimet ligjore ata që i kishin marrë. Janë pezulluar 43 licenca të tregtimit me shumicë të karburanteve. Janë mbyllur me paratë e buxhetit të shtetit, 119 gryka galerish të braktisura, nga ato vrimat si në djathin e kaçkavallit që kërcënonin jetë njerëzish. E, ndërkohë ka filluar ndryshimi përmes kalimit në një model tjetër. Nga modeli merr lëndën e parë, o burra kush ta marrë dhe sigurisht ta marrin më të fortët, banditët lokalë të lidhur me zyrtarët në Tiranë dhe nxirre lëndën e parë jashtë si në vendet më të pazhvilluara të Afrikës, duke e shitur për një përfitim të shpejtë dhe të majmë për personat, por për një copë bukë për vendin, po kalojmë në modelin e përpunimit të lëndës së parë në vend dhe të rritjes së vlerës së saj në eksport. Kështu ka filluar puna për thellimin e pusit në Bulqizë, puna për hapjen e traverbankut në Qafën e Buallit, është tenderuar hapja e traverbankut në Klos, është vënë në punë impianti i seleksionimit të kromit në Klos, ka filluar punë pas 20 vjetësh, uzina e Ferrokromit në Burrel, është vënë në punë fabrika e pasurimit të kromit në Golaj, vazhdon intensivisht ndërtimi i fabrikës së pasurimit të kromit në Kalimash, që do të thotë rritje vlerore financiare e pasurisë minerare që nxjerrim nga nëntoka dhe rritje me disa mijëra e vendeve të punës, direkte dhe indirekte dhe flasim për vende pune që paguhen mesatarisht 600 dollarë.

Nga ana tjetër është rritur prodhimi i naftës bruto në vend, mbi 10%, edhe Albpetrol e ka rritur rreth 40%. Po ashtu, edhe rafinimi i naftës bruto në vend është rritur 400%, nga rreth 60 mijë tonë që rafinoheshin në 2010, janë 250 mijë tonë të rafinuara në 2014. Por sigurisht nuk mjafton dhe sidoqoftë, unë besoj se edhe në këtë drejtim duhet të kishim ecur më shpejt. Nuk duhet të prisnim vitin tjetër, për të operuar gangrenën e pashërueshme të Albpetrol në radhë të parë, një ndërmarrje e katandisur prej vitesh në një monstër hibride, mes një strukture të fjetur asistence sociale dhe një foleje grabitqarësh që ka gllabëruar çdo vit, gjatë qeverisjes së shkuar, shuma marramendëse.

Më shpejt duhet të ecnim edhe me eksplorimin dinjitoz nga kompani serioze ndërkombëtare, jo me fantazma spekulantësh siç ka ndodhur në të shkuarën, që kanë marr fushat e naftës dhe i kanë shfrytëzuar shumë më zi sesa pushtuesit, që i kemi parë nëpër filmat e Realizmit Socialist, që shfrytëzonin naftën shqiptare. Ju marrin të keqen, pushtuesit, këtyre spekulantëve grabitqarëve dhe të pangopurve që kanë pasur licencën e pushtetit të kaluar dhe kanë ndarë me pushtetit e kaluar, llokmat e një pasurie kombëtare që sot po kthehet me shpejtësi në duart e publikut. Sidoqoftë jemi gati si me paketën për procedurat për blloqet e lira të naftës, qoftë edhe me programin e operacionit radikal të Albpetrolit, të gangrenës së Albpetrolit.

Jam i vetëdijshëm se më parë duhet të kishte nisur edhe operacioni për ndalimin e ndërtimtarisë pa leje dhe më thellë duhet të kishte shkuar thika për shkuljen e çibanëve që i marrin frymën dhe dinjitetin banorëve të urtë e të ndershëm të qyteteve tona, që e shëmtojnë dhe e pengojnë të zhvillohet si një vend i bukur dhe turistik, Shqipërinë, që krijojnë ndjesinë e pasigurisë dhe të kaosit, përveçse të papastërtisë dhe të një peizazhi të Lindjes së Mesme në zonat më të pazhvilluara, tek çdo investitor serioz, i huaj apo vendas, tek çdo vizitor për Shqipërinë.

Jam i vetëdijshëm se ka një shqetësim, ka edhe një akuzë këmbëngulëse se po prishim, po nuk po ndreqim. Në fakt e vërteta është se po prishim për të ndrequr dhe kemi ndrequr shumëçka është prishur për vite e vite të tëra. E mbyllim vitin 2014, meqë akuzohemi si prishës shtëpish, me 21 mijë leje legalizimesh falas, të kryera nga prilli deri në dhjetor. Sepse nga tetori deri në prill na u desh një herë të sistemonim në dollapë dosjet e legalizimit që ishin nëpër banjo, nëpër korridore, nëpër zyrat e rojeve dhe që nuk dihet se ku e kishin fillin, nga fillimi në fund. 21 mijë legalizimi falas janë as më shumë e as më pak po thuajse të barabartë me legalizimet e bëra nga PD në 8 vjet, ka bërë 21 mijë e 700. Ne kemi bërë 21 mijë. Do ta dyfishojmë vitin e ardhshëm. Në 2015 do të kemi dyfishin. Sepse tanimë struktura është ngritur dhe mekanizmi funksionon.

Nga ana tjetër kemi prishur dhe do të vazhdojmë të prishim struktura pa leje nëpër trotuare, nëpër rrugë, nëpër hapësira brenda pallateve, çibanë që i janë ngjitur nga mbrapa komuniteteve dhe lagjeve e rrugëve tona dhe që janë një turp i pashembullt për një vend europian dhe që nuk mundet dot të ngremë kokën, nëse nuk bëjmë këtë operacion. Por kujdes, në prishjen e këtyre strukturave, së pari kemi qenë jashtëzakonisht të qartë, jo prish për të prishur, por prish për të siguruar përmirësimin e infrastrukturës. Jemi i vetmi vend në Europë, jemi i vetmi vend në rajon që rrugët kombëtare i kemi të bllokuara dhe të pasigurta deri në ekstrem për shkak të ndërtimeve pa leje dhe ndërtimeve të legalizuara, të cilave s’kemi ç’ju bëjmë tjetër, veçse kur kemi mundësi i shpronësojmë, siç kemi bërë shpronësimet për gjithë vijën liqenore, një nga magjitë e Shqipërisë, të liqenit të Pogradecit, apo siç do bëjmë shpronësime të tjera në të tjera vija strategjike.

Në prishjen e shtëpive kemi qenë absolutisht të kujdesshëm dhe absolutisht të kursyer dhe numërohen me gishtat e duarve, aty ku është e pamundur. Dhe nga viti i ardhshëm, ne do të fusim në fuqi një vendim, që të gjithë atyre që do t’u cenohet shtëpia pa leje, vetëm kur cenohen projekte me interes kombëtar, apo kur cenohet zhvillimi brendapërbrenda qyteteve, do t’u vëmë në dispozicion pagesën e qerasë për dy vite, në mënyrë që të largohen dhe te kenë mundësi të sistemohen pas dy vitesh dhe jo siç ndodh kur vjen puna tek ndërtimet pa leje të ngritura për qëllime fitime, të cilave jo vetëm nuk mund t’u japim asnjë lloj shpërblimi apo dëmshpërblimi, por do t’i prishim pa asnjë ekuivok dhe pa asnjë tërheqje. Kemi paguar këta që ankohen për shtëpitë e njerëzve. Kanë lënë pa paguar subvencionet për të pastrehët në 2.8 milionë dollarë, na i kanë lënë neve dhe ne i kemi paguar. Nga ana tjetër, Enti Kombëtar i Banesave ka nënshkruar pesë marrëveshje, me bashkitë Lushnje, Berat, Korçë, Fier dhe Librazhd, për ndërtimin e disa qindra apartamenteve të reja. Po ashtu kemi kallëzuar 145 subjekte që kanë marrë kredi të parregullta nga qeveria e mëparshme dhe kemi shfuqizuar vendimin e turpshëm të Këshillit të Ministrave, që trajtonte me strehim nëpunësit e lartë të administratës shtetërore dhe funksionarët politikë. Turp i pashembullt që me paratë e taksapaguesve u janë dhënë kredi, si të ishin në ndihmë ekonomike, funksionarëve të lartë politikë dhe funksionarëve të lartë shtetërorë! Nuk ekziston më kjo.

Nga ana tjetër, ndërhyrjet tona kanë qenë të gjitha të lidhura me strategjinë e zhvillimit. Dhe nëse po ndërhyjmë në vijën liqenore të Pogradecit, unë ju siguroj që verën e ardhshme dhe në vijim, transformimi i peizazhit dhe transformimi i infrastrukturës në të gjithë atë rrugë që lidh qytetin e Pogradecit me rrugën nacionale do të jetë spektakolar dhe do të ndikojë në rritjen ekonomike të drejtpërdrejtë të qytetit dhe në të ardhurat të gjithë bizneseve për shkak të rritjes së vizitorëve në qytet.

Kemi filluar një sërë projektesh për vijën e Jonit, duke filluar nga projekte më të vogla në Qeparo dhe në Kudhës, për të vazhduar vitin e ardhshëm me projekte më të mëdha për Himarën, për Lungomaren e Vlorës që do të financohet nga BE dhe që të jetë një nga modelet më spektakolare të Rilindjes Urbane të vendit tonë dhe duke u ngjitur lart, me një tjetër projekt të rëndësishëm zhvillimi, me Velipojën dhe duke u shtrirë hallkë pas hallke në të gjithë bregdetin.

Por ndryshe nga çdo vit tjetër patëm një vit me plazhe të pastra. Pastruam të gjitha plazhet e Shqipërisë.

Përpara dy ditësh Këshilli Kombëtar i Territorit të Republikës, ashtu sikundër unë e paralajmërova në Parlament që me vendosjen përfundimtare të penalizimit me tre vite heqje lirie në Kodin Penal të ndërtimit pa leje, mori vendimin për të zhbllokuar të gjitha ndërtimet për banesa njëfamiljare apo për rikonstruksione për banesa ekzistuese. Pra, në nivelin e parë të ndërtimtarisë, duke filluar nga janari, të gjitha bashkitë dhe të gjitha komunat do të jenë absolutisht të lira që të japin leje për ndërtim banesash njëfamiljare apo për ristrukturim banese. Kështu që nuk do të ketë më asnjë pengesë për njerëzit që duan të ndërtojnë, apo të rikonstruktojnë shtëpinë, siç ka pasur, por siç nuk ishte dot e shmangshme që të kishte, sepse në radhë të parë donim të sistemonim situatën. Sot kemi një situatë tërësisht të re, nuk kemi pothuajse fare ndërtime pa leje në Republikën e Shqipërisë, pas 20 vitesh “gjej shesh e bëj një përshesh”.

Ashtu sikundër, kemi një situatë në të cilën të gjitha ndërtimet që kanë një karakter zhvillimor ekonomik apo turistik vazhdojnë rregullisht të marrin lejë, të marrin një dritë jeshile nga KKT, pastaj të marrin lejen përkatëse nga njësitë vendore.

Po shqyrtojmë edhe një kërkesë të Bashkisë të Tiranës për një sërë kërkesash për lejesh ndërtimi, të bëra përpara se sa të hynte në fuqi akti i pezullimit të plotë që ne i bëmë – dhe bëmë shumë mirë – lejeve të ndërtimit dhe KKT do të japi përgjigjen bazuar në ligj dhe në nevojën për të mos penguar në asnjë rast kur projekti përputhet me planin e zhvillimit të qytetit.

Vijmë tek ekonomia. Të shohim se si do të mbyllet viti, sepse edhe sot vazhdon të jetë e hapur mundësia për të marrë mbrapsht paratë që ne kemi disbursuar për të shlyer borxhin prej 720 milionë dollarësh që gjetëm ndaj kompanive. Deri përpara pak javësh që i kishim shlyer mbi 300 milion dollarë, janë në dispozicion 400 milionë dollarë, pra, edhe 100 milionë dollarë të tjera janë në dispozicion, mjafton që kompanitë të paraqesin dokumentacionin e plotë dhe të marrin paratë.

Ka qenë një stimul i rëndësishëm për ekonominë, ka zhbllokuar të gjithë atë zinxhir që e kishte lidhur bashkë, ata që kishin bërë kontrata me paraardhësit tanë, bënin punë e nuk paguheshin, furnizonin me ilaçe e nuk paguheshin, furnizonin shkollat e nuk paguheshin, s’merrnin TVSH-në etj.. Bankat që ju kishin dhënë kredi dhe i kishin bllokuar pastaj, sepse këta nuk shlyenin dot kreditë. Pra, zhbllokimi është bërë dhe ekonomia ka marrë një lehtësim.

Ndërkohë ka rihyrë në ritmin e rritjes, siç e kishim paralajmëruar. Për këtë vit parashikonim as më shumë e as më pak, por një rritje me 2%, pak mbi 2%. Jemi në ato parametra dhe vitin e ardhshëm parashikojmë një rritje me 3%, por kemi shumë besim që do të shkojmë me lart, sepse në parashikimin që kemi bërë jemi treguar shumë të rezervuar, pa marrë parasysh impaktin që do të kenë në ekonomi një sërë investimesh të huaja për të cilat po përgatitemi dhe një sërë privatizimesh dhe liberalizimesh, si dhe projektesh me partneritet publik privat për të cilat jemi përgatitur.

Ka një tregues absolut, të pakontestueshëm, lidhur me ekonominë, që është rritja e konsumit. Kemi një rritje të konsumit me 5%, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit dhe një rritje tërësore të konsumit gjatë këtij viti, krahasuar me vitin e shkuar, që mos ta harrojmë ishte një vit edhe elektoral.

Këto faktorë nuk po rri t’i diskutoj, por besoj që në radhë të parë më duhet të nënvizoj që këtë vit, shqiptarët kanë pasur më shumë para në xhep, për shkakun e thjesht se për 97% të tyre janë ulur taksat. Të gjithë ata që marrin një rrogë në publik apo në privat nën 1.5 milionë lekë të vjetra kanë pasur më shumë para në xhep. Është shumë e thjeshtë. Ashtu sikundër është rritur me 11.2% balanca e blerjeve të mëdha, ka shënuar një kthesë pozitive kredia për konsum dhe një tjetër e dhënë që na jep një shenjë shumë pozitive për vitin e ardhshëm është rritja me 14.1% në tremujorin e dytë e importit të makinerive dhe pajisjeve dhe në tërësi, – presim shifrat e fundit, – për një rritje me mbi 10% e importit të makinerive dhe pajisjeve, çka do të thotë se po importohen makineri dhe pajisje që do të stimulojnë prodhimin, që do të stimulojnë përpunimin, që do të stimulojnë punësimin.

Rritja e manifakturës ka qenë absolutisht shumë inkurajuese me 28%, sikundër rritja e importit të materialeve të importit dhe të metaleve me 26%, që flet përsëri për stimulim të prodhimit, për stimulim të përpunimit dhe për stimulim të punësimit, i pritshëm në vitin e ardhshëm.

Nga ana tjetër dua ta theksoj fort shifrën e forcave të reja të punës të regjistruar. Shifër që nuk është përfundimtare e këtij viti, por që deri para pak më shumë se një muaji ishte 81352 forca të reja pune. Sigurisht, një pjesë e tyre janë punonjës që janë shkulur nga kthetrat e skllavërisë së punës në të zezë dhe janë formalizuar, që paguajnë taksa dhe sigurime shoqërore tanimë, por një pjesë e konsiderueshme janë vende te reja pune. Vende të reja pune të cilat janë krijuar nga investime të reja dhe nga shtrirje të mëtejshme të linjave të prodhimit dhe të përpunimit.

Kemi marrë vlerësime ndërkombëtare që janë inkurajuese, edhe pse, e përsëris, nuk dua të bëj thjesht një bilanc arritjesh. Por ngjitja me 40 vende në renditjen e Bankës Botërore për bërjen biznes apo ngjitja me 15 vende në renditjen Bankës Botërore për lehtësirat fiskale, apo vlerësimi nga BERZH i Shqipërisë si vend lider për reformat në rajon, vlejnë si inkurajim.

Padyshim kemi më shumë për të bërë, padyshim mund të kishim bërë edhe më shumë gjatë këtij viti në funksion të rritjes së ritmit të një sërë privatizimesh dhe partneritetesh publike private.

Nga ana tjetër, po të vijmë tek çmimet, kemi rënie çmimi në shumë produkte të rëndësishme për shportën e përditshme të qytetarëve, që nuk është domosdoshmërisht një gjë e mirë në ekonomi që të jemi të drejtpërdrejtë, por që tregon sesa butaforike është e gjithë propaganda se janë rritur taksat, se janë rritur çmimet. Në Shqipëri, nëse ka dy gjëra që nuk janë rritur janë: taksat dhe çmimet. Të paktën në qasjen time, rritjen e taksës së duhanit nuk e quaj rritje takse, po rritje të presionit për t’u shkëputur nga një rrezik për jetën. Nga ana tjetër, rritja e akcizës mbi naftën jo vetëm nuk ka sjellë, përsëri ashtu si vitin e kaluar, rritje çmimi, por për shkak të konjukturës ndërkombëtare nuk ka asnjë ndikim. Atëherë, cilat taksa janë rritur në Shqipëri?! Por për rritje taksash, për rritjen e çmimit të energjisë, për rritje çmimesh në tërësi ankohen ata të cilët nuk paguajnë taksa, nuk paguajnë energjinë, apo nuk i blejnë vet ushqimet.

Në sektorin e bujqësisë përsëri kemi të dhëna shumë inkurajuese. Jam i vetëdijshëm për problematikën, mund të kishim bërë më shumë dhe unë e konsideroj këtë një të metë në drejtim të ujitjes dhe të kullimit, edhe pse mundësitë i kemi pasur shumë të kufizuara. Ashtu sikundër do të bëjmë dyfishin e mbështetjes financiare për skemat e reja në bujqësi. Por një gjë është e rëndësishme, edhe në bujqësi kemi ndërruar 120 gradë model. Që do të thotë kemi ndërruar plotësisht skemën e zhvillimit. Nga një skemë mbijetese, lëmoshash, thërrmo buxhetin dhe jep lëmosha lart e poshtë, në një skemë zhvillimi për të futur elementin e konkurrencës dhe për ta kthyer sektorin bujqësor në një sektor konkurrues, duke stimuluar zinxhirët e vlerave dhe duke stimuluar prodhimin dhe përpunimin, bazuar në shembujt e suksesit. Kështu që, edhe në bujqësi kemi marrë rezultate shumë pozitive në drejtim të punësimit real. Jo të punësimit të regjistruar si punësim meqë njerëzit janë në fshat dhe konsiderohen të gjithë si të vetëpunësuar, por punësim real.

Përsa i përket financave besoj që ka qenë një vit absolutisht i suksesshëm, po të nisemi nga objektivat. I kemi përmbushur plotësisht objektivat e një programi aspak të lehtë dhe objektiva të vendosur edhe si rrjedhojë e një angazhimi aspak të lehtë me FMN-në. Por përsëri kemi një fushë beteje ende jashtë kontrollit, që lidhet me informalitetin, që lidhet me evazionin dhe që lidhet me sigurimet shoqërore. Megjithatë besoj që asnjëherë më parë, biznesi në Shqipëri nuk është ndjerë më i lirë, më i respektuar dhe më i mbështetur sesa gjatë këtij viti. Vitin e ardhshëm kemi një sërë masash të tjera lehtësuese, qoftë masa lehtësuese me efekte financiare, rreth 1.48 miliardë lekë, qoftë masa lehtësuese pa efekte financiare që kanë të bëjnë me Kodin Doganor, që kanë të bëjnë me ligjin e ri për TVSH-në, që kanë të bëjnë me procedurat tatimore dhe që kanë të bëjnë në tërësi me rritjen e dinjitetit dhe të lirisë së të bërit biznes në Shqipëri. Kemi miratuar një Kod Doganor që nuk na e kërkoi Bashkimi Europian, por që ja imponuam vetes, Kodin Doganor të Bashkimin Europian. Që është një sfidë e madhe për vitin e ardhshëm, sepse i jep shumë më tepër prioritet biznesit dhe i lë shumë më pak vend për abuzim apo për ushtrim force administratës.

Është me shumë rëndësi të theksohet fakti që kemi mbajtur çdo angazhim të marrë në raport me biznesin. Ashtu sikundër kemi mbajtur çdo angazhim të marrë edhe në raport me të punësuarit, flas përsa i përket taksave. Biznesit të madh i kemi thënë që në fushatë që do ta rrisim taksën dhe e kemi rritur. Por i kemi thënë që nuk do të rritet më shumë dhe nuk u rrit më shumë, me gjithë presionin ka pasur nga FMN-ja për të riparë taksën nga kjo që kemi 15%, as nuk e kemi riparë dhe as nuk do ta rishohim. Ashtu sikundër, biznesit të vogël i kemi thënë që do ta përgjysmojmë dhe e kemi përgjysmuar. Ashtu sikundër të punësuarve u kemi thënë që kush fiton më pak, do të paguajë më pak dhe kush fiton më shumë, do të paguajë më shumë dhe e kemi bërë.

Për më tepër kemi hyrë në një fazë tërësisht të re dhe përfundimtare në raport me të përndjekurit politikë. Një tjetër plagë e madhe e të shkuarës, një tjetër borxh i madh i politikës ndaj një kategorie të përdorur, të shpërdorur dhe të tallur, ndaj të cilës ne kemi ndërtuar një qasje tërësisht të re, siç e kemi premtuar dhe jo për votën, por për të vendosur një drejtësi morale mes Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe asaj shtrese. Praktikisht janë 2350 të përndjekur që kanë marrë këstin e tretë dhe fillon sot kësti i katërt për 450 të tjerë dhe do të vazhdojë në vijim.

Po ju them se çka kemi thënë dhe kemi shkruar në program do ta bëjmë realitet. Madje mendoj që do të shkojmë dhe pak më tutje, duke qenë se kemi mundësi për shkak të performancës shumë të mirë të financave. Së pari, vitin e ardhshëm do të kemi përfunduar shlyerjen e plotë të të gjithë dëmshpërblimeve për ish të përndjekurit politikë mbi 75 vjeç, ndër të cilët kishte shumë që nuk kishin parë asnjë qindarkë, apo që kishin vdekur dhe nuk kishin marrë akoma asnjë qindarkë. Ndërkohë që, nga ana tjetër, të tjerët kanë vajtur deri tek nipi dhe tek mbesa që kanë marrë dëmshpërblimin. Brenda këtij mandati do të shpërblejmë të gjithë të përndjekurit politikë që kanë mbijetuar. Ma bëri vërejtjen Sherif Merdani dhe nuk po them që janë gjallë, por që i kanë mbijetuar burgut. Me këta e kemi ne, çështjen kryesore morale. Pastaj do të shikojmë më tutje për bijtë, bijat, nipërit e mbesat. Por nuk mundet dot të marrin ata që kanë vuajtur si pasojë, nga ata që kanë vuajtur drejtpërdrejtë dhe që e kanë në shpirt e në lëkurë, akoma, djegien në rrethin e 9-të të ferrit të komunizmit.

Ashtu sikundër kemi kaluar ligjin për dosjet dhe historia pa fund, 20 vjet do hapim dosjet sot, do hapim dosjet nesër, merr fund. I jep fund kësaj historie, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Edhe kjo është shumë e rëndësishme.

Nga ana tjetër, për të mos u zgjatur me shifra për tatimet e doganat, dua të falenderoj Drejtoren e Përgjithshme të Tatimeve, Drejtoren e Përgjithshme të Doganave, që kanë udhëhequr me një lidership të adhurueshëm, një transformim rrënjësor në vijën e sjelljes së tatimeve dhe doganave dhe një projekt super ambicioz të ardhurash, të realizuar me sukses të plotë. Kjo nuk do të thotë që unë jam i lumtur me gjithçka përsa i përket doganave dhe përsa i përket tatimeve. Kjo nuk do të thotë që ne jemi të kënaqur dhe tani nuk na mbetet vetëm të festojmë Vitin e Ri, duke i thënë vetes ç’kishim për të bërë e bëmë. Jo! Deri kur të mos ketë asnjë sipërmarrës që të jetë i shqetësuar, qoftë edhe për mënyrën sesi i drejtohet një agjent tatimor apo doganor, ne nuk do të gjejmë paqe. Jo më po të kemi parasysh që ka ende jo pak zuzarë, qoftë në tatime qoftë në dogana, që tentojnë apo ku munden edhe vazhdojnë me avazin e vjetër të ushtrimit të presionit korruptiv mbi sipërmarrjen. Nëse do të mohonim këto, do të ishim tërësisht të pavërtetë dhe do të ishim në rrugën e gabuar.

Do të doja nga ana tjetër, sot të lajmëroj se janari do të fillojë me një lajm shqetësues lidhur me sigurimet shoqërore. Ka një gropë të madhe borxhesh, edhe aty. Borxhesh të pakuptueshme dhe të pajustifikueshme institucionesh buxhetore dhe jo buxhetore, jo private, private po e po dhe borxhe që kapërcejnë 100 milionë dollarë. Borxhe ndaj sistemit të pensioneve, për para që të gjithë të punësuarit, – ka dhe gazetarë plot – kanë paguar sigurimet dhe kujtojnë se kanë paguar për pensionin, por paratë kanë shkuar në drejtim të paditur.

Kjo nuk do të thotë që pensionistët të shqetësohen sot, pasi kjo s’ka lidhje me pagesat sot, por kjo do të thotë që duke filluar nga janari, kush ka borxhe duhet të vrapojë dhe t’i shlyejë një më një dhe duke filluar nga janari, duhet të bëhet një hetim i thellë për përgjegjësinë, sidomos në institucionet buxhetore dhe jo buxhetore, se ka mbi njëmijë institucione buxhetore dhe jobuxhetore që kanë borxhe ndaj sistemit të sigurimeve, që do të thotë se nuk kanë garantuar pensionet e punonjësve të tyre.

Kjo është Shqipëria që kemi trashëguar nga ata që dalin përditë dhe që bëjnë sikur po ju dhimbset sesi po shkon Shqipëria. Këto janë arsyet pse operacionet tona duhet të vazhdojnë edhe më intensivisht, sepse thika e reformës duhet të vazhdojë edhe më thellë. Kanceri nuk luftohet me aspirina, nuk luftohet me kozmetikë. Kanceri luftohet me terapi intensive dhe me operacione të dhimbshme, por ama e rëndësishme është që të gjitha këto operacione shkojnë në favor të qytetarëve dhe të qytetarëve që janë korrekt me shtetin, duke u munduar që të shtojmë numrin e tyre, patjetër.

Dje kemi marrë një lajm të jashtëzakonshëm, në fakt dy, por njëri është i jashtëzakonshëm, nga takimi me Kryeministrin Italian, i cili është angazhuar edhe publikisht për të hapur negociatat për pensionet. Kemi mbyllur marrëveshjen për pensionet, për njohjen e punës në emigracion dhe për marrjen e pensionit me Belgjikën, Luksemburgun, Hungarinë e Kanadanë. Pra, të gjithë ata që punojnë si emigrantë në këto vende kanë të siguruar pensionin, qoftë jetofshin atje, qoftë jetofshin këtu. Ajo që është e rëndësishme është se për herë të parë po ndodhin këto gjëra dhe se Italia do të hapi negociatat me ne dhe me Qeverinë e Renzit, ne do ta mbyllim këtë proces që është jashtëzakonisht i vështirë, sepse bëhet fjalë për një numër jashtëzakonisht të madh emigrantësh shqiptarë, që asnjë pikë djerse e emigrantëve shqiptarë të mos shkojë kot dhe që asnjë ditë punë e emigrantëve të mos shkojë kot, kur të vijë puna për njohjen e pensionit. Është kënaqësi ta bëj këtë kontratë me Italinë, sepse janë dhe 20 mijë italianë që punojnë këtu dhe po vazhdojnë të vijnë. Një pyetje duhet t’i bëjnë vetes shumë shqiptarë që ankohen në internet apo nëpër kafe, se si ka mundësi që italianët po vijnë duke u shtuar, duke ardhur për të punuar këtu në Shqipëri. Ne nuk flasim këtu për investitorë, flasim edhe për njerëz që vijnë për të punuar këtu. Ku e gjejnë punën?

Nga ana tjetër kanë filluar dhe po ecin negociatat me Gjermaninë dhe Austrinë. Gjermania është një tjetër vend ku ka një numër të konsiderueshëm emigrantësh dhe në janar, ne presim këtu një delegacion, për të çuar më tutje negociatat, që edhe me Gjermaninë jemi shumë besimplotë se do t’i mbyllim me Qeverinë e Kancelares Merkel.

Jam shumë krenar që kemi bërë një reformë të rëndësishme lidhur me pensionet, një reformë që i ka dhënë fund rrezikut të madh, kërcënimit të madh se do të gjendeshim një ditë, si vend, në pamundësi për të paguar pensionet dhe që ka hapur një epokë të re. Reformë e kërkuar prej më shumë se 10 vjetësh nga institucionet financiare dhe nga realiteti i gjendjes së pensioneve, gjithmonë është shtyrë, shtyje sot e shtyje nesër, për të blerë kohë, për të qëndruar në pushtet, për të riprodhuar pushtet, por punë e madhe se ç’bëhet me ata që ta kanë dhënë pushtetin për të punuar për ta.

Kemi hequr 20 mijë abuzues nga skema e ndihmës ekonomike dhe vitin e ardhshëm do të futet në funksion të plotë filozofia jonë se, nëse të ofrohet një punë dhe nuk e pranon, nuk e merr më ndihmën ekonomike, hiqesh dhe nga ndihma ekonomike. Është shumë e rëndësishme që njerëzit që janë në ndihmë ekonomike të mos i shohim si njerëz të paaftë dhe as të mos i lëmë të lëngojnë në cepin e jetës sociale, por t’i shohim si potenciale të mëdha dhe si burime kontributesh, duke iu ofruar punë të ndershme dhe punësim real. Kush nuk e pranon punësimin real, le të heqë dorë edhe nga ndihma ekonomike. Ndihma ekonomike sot jepet për familje që janë realisht në nevojë dhe që i plotësojnë kriteret për ndihme ekonomike. 20 mijë abuzues që kishin benza e kishin shtëpi me tre kate, e kishin të ardhura të tjera, por që ishin futur ne listën e ndihmës ekonomike për vota, apo se ishin kushërinjtë e kryetarëve të komunave, sot nuk janë më.

Besoj se është shumë e rëndësishme të flitet për arsimin, për gjithçka ka ndodhur me arsimin. Ka ndodhur një ndryshim i madh që do thellohet edhe më shumë vitin e ardhshëm. Një ndryshim që do të sjellë me patjetër, nevojën për thellimin e reformave. Për thellimin e reformave duke i dhënë fund korrupsionit në rekrutimin e mësuesve, duke i dhënë fund farsës së dhjetëra teksteve që bënë çorap mendjen e mësuesve dhe të nxënësve, duke i dhënë fund farsës së diplomave false dhe duke i dhënë fund shfrytëzimit të ëndrrës së prindërve për të arsimuar fëmijët e tyre, duke marrë në fund, një diplomë pa asnjë vlerë dhe duke bërë akreditimin e të gjitha universiteteve tona me një agjenci nga me prestigjiozet në botë, Agjencinë e Sigurisë së Cilësisë Britanike.

Për të mos u zgjatur me tutje, tek arsimi dua vetëm të nënvizoj se e konsideroj një arritje të madhe marrëveshjen për njehsimin e teksteve dhe për njehsimin e gjithë procesit arsimor me Kosovën, në të gjithë sistemin arsimor para universitar.

Ka shumë për të thënë edhe për shëndetësinë, e cila ka filluar të lëvizë në drejtimin e duhur, ndaj të cilës ne vetë jemi kritikë, ministri i Shëndetësisë i pari, që gjej rastin ta falenderoj, ashtu sikundër ministren e Arsimit, pasi janë dy ministra në vijën e parë të dy sektorëve nga me jetikët dhe më të infektuar në Shqipëri nga sëmundja e përgjithshme e kancerit në sistemin tonë të funksionimit të shtetit.

E për ta mbyllur do të ndalem në pak fjalë tek Policia e Shtetit që me të drejtë të plotë mori edhe falenderimin e parë ndër strukturat shtetërore që kanë qenë në vijën e parë për të transformuar Shqipërinë nga një vend në rrënim të vazhdueshëm, në një vend që po rilind. Policia e shtetit meriton mbështetjen e plotë dhe besimin e plotë të të gjithë publikut, sepse ndryshimi në Policinë e Shtetit ka qenë baza e ndryshimit në tërësi në raportet mes qytetarit dhe ligjit.

Kemi shumë për të bërë edhe në Policinë e Shtetit. Mund të kishim bërë më shumë, sidomos me futjen e teknologjisë së re. Projekti për të futur teknologjinë e re në punën e Policisë së Shtetit është gati dhe vitin e ardhshëm do të shikojmë ndryshime të mëdha në këtë aspekt, që do të lehtësojnë shumë marrëdhëniet mes qytetarit dhe policisë dhe do të ndihmojnë shumë policinë që të jetë e efektshme në luftën kundër kriminelëve dhe në luftën kundër shkeljes së ligjit dhe kundërvajtjes, pa qenë shumë prezentë dhe pa qenë shumë në kontakt me qytetarët në jetën e përditshme.

Vitin e ardhshëm në janar do ta fillojmë me një platformë të re antikorrupsion që e kemi paralajmëruar, e kemi prezantuar, është në testimin përfundimtar dhe që do të jetë një instrument i rëndësishëm për një bashkëpunim intensiv me qytetarët në luftën kundër korrupsionit.

Pastaj, patjetër, viti i ardhshëm do të jetë dhe viti i Reformës në Drejtësi. Edhe këtu mund të kishim ecur më shpejt, por besoj se tani janë krijuar plotësisht kushtet për të shkuar përpara dhe për të pasur një reformë thelbësore dhe themelore për vendosjen e drejtësisë në një pozicion më të favorshëm që të bëjë drejtësi. Nuk kam bilanc për numrin e ligjeve. Më kujtohet që përpara ky ishte bilanci kryesor. Kemi aprovuar kaq qindra ligje, kemi aprovuar kaq qindra vendime etj.. Unë kam qasje tjetër. Sa më shumë ligje, aq më pak ligjshmëri. Këtë e tregojnë edhe statistikat e vendeve të tjera. Ne, në pjesën më të madhe të punëve që kemi bërë dhe sidomos për ligjzbatimin i jemi referuar ligjeve ekzistuese. Nuk i jemi referuar ligjeve që i kemi bërë vetë. Ka shumë ligje ekzistuese që nuk i dinë as ata që i kanë votuar dhe që sot në opozitë dalin dhe ankohen se po bëhet shtet policor. Në fakt, thjesht po zbatohen ligjet që ata i kanë votuar.

Faleminderit!

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi