Pesë rreziqet e ekonomisë botërore

Inflacioni i ulët, rreziqet gjeopolitike, mungesa e reformave strukturore. Por edhe rënia e BRIKS-it, fundi i likuiditetit në para dhe kohët e këqija që po kalon FED-i amerikan. Sipas Panorama.it, 30 dhjetor 2014

Global-FinancialEfekti “Flutur”

Gjendja “shëndetësore” e ekonomisë botërore është kaq e brishtë, sa do të mjaftonte një përplasje e flatrave të një fluture në Japoni, për të provokuar një tërmet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sesi do të jetë ekonomia e botës në vitin 2015, mund të shpjegohet edhe në këtë mënyrë, me të ashtuquajturin efekti “Flutur”. Gjatë 7 viteve që pasuan shpërthimin e flluckës në tregun e pasurive të patundshme në SHBA, dhe 6 vite pas fillimit të krizës në eurozonë, në sistemin financiar janë injektuar shuma të mëdha parash. Një akt ky pozitiv, në kushtet e një emergjence të jashtëzakonshme. Por një veprim negativ, nëse merren në konsideratë ç’ekuilibrimet e mundshme që sjell ky operacion. Ja cilat janë në mënyrë të përmbledhur 5 rreziqet e ekonomisë botërore.

Inflacioni tepër i ulët

Është skenari që tremb jo pak eurozonën, por jo vetëm. Edhe ekonomia botërore mund të ndjejë efektet e deflacionit, që ka prekur zonën e euros. Banka Qëndrore Evropiane ka ndërmarrë politika monetare të jashtëzakonshme, sikurse është edhe operacioni për rifinancimin në një periudhë afatgjatë të bankave të ndryshme, apo blerja e aksioneve të korporatave të mëdha sikurse janë “covered bond”. BQE, është shfaqur e gatshme edhe për blerjen e aksioneve të tjera sikurse janë edhe letrat me vlerë që emetojnë qeveritë e vendeve të bllokut. Gjithçka bëhet në emër të një objektivi të qartë: që norma e inflacionit të jetë pranë një niveli të përbashkët, të përcaktuar nga “Eurotower”, që është 2 përqind. Si duhet të veprohet nëse edhe këto masa nuk japin efektet e pritura pozitive? Në fakt, mjetet që BQE ka në dispozicion janë ezauruar të gjitha, me përjashtim të blerjes së bonove qeveritare. Por të përdorësh edhe këtë kartë të fundit mund të rezultojë e kotë. Tek e fundit, rendimenti i tregjeve të tilla nuk ka qenë kurrë më i ulët që prej futjes në përdorim të euros e deri më sot. Dhe sa më tepër ulet norma e inflacionit, aq më tepër ekonomia tkurret. Stanjacioni, nga një gjendje paniku, mund të shndërrohet në normalitetin e ri për eurozonën, duke kontribuar në degradimin e mëtejshëm të ekonomisë botërore.

Greqia dhe rreziqe të tjera gjeopolitike

Në eurozonë nuk është vetëm Greqia, ajo që duhet mbajtur nën mbikëqyrje të rreptë. Vërtet Athina këto ditë tremb disi për shkak të zgjedhjeve të parakohshme presidenciale, të kërkuara nga vetë kryeministri Antonis Samaras, por vendi që duhet veprojë me kujdes në vitin 2015 është Italia. Në parim është e vërtetë që historia nuk bëhet me “nëse”, as edhe me “por”. Megjithatë, në mjedisin financiar sikurse dhe në atë politik, janë shtuar zërat që shohin tek viti 2015, erën e zgjedhjeve të reja parlamentare. Një skenar ky, që nga njëra anë mund të ngadalësojë proçesin e ripërtëritjes, për të cilën vendi ka nevojë jetike dhe nga ana tjetër të frenojë shtytjen europeiste të qeverisë aktuale, duke i lënë më tepër hapësirë populizmit të Lega Nord-it apo “Lëvizjes së 5 Yjeve”. Këtij kuadri i duhen shtuar tensionet gjeopolitike që ende janë aktive. Frontet e betejës janë të mirënjohura: Lindja e Mesme dhe Rusia. Dhe sikurse ka rikujtuar “Stratfor”, në një raport të ditëve të fundit, “bota nuk ka qenë kurrë më pak e dobët dhe e pasigurtë sesa sot”.

Mungesa e reformave strukturore

Si kurrë më parë, Eurozona do të gjendet në vitin 2015 para një dileme të madhe: ose të ndërmarrë një reformë të plotë strukturore, që në fakt e pati premtuar në vitet e shkuara, ose investitorët do të humbasin edhe atë besim të vakët që kanë ende tek kontinenti i vjetër. Vëmendja është përqëndruar kryesisht tek Italia dhe Franca, të cilave Komisioni Evropian u ka lënë dorë të lirë për pak muaj, deri në mars të vitit të ardhshëm, kohë kur do të duhet të kenë gati masat që do të marrin, për të siguruar bilancet e tyre publike në vitet në vazhdim. Kjo kërkon një reformë të tregut të punës, sistemit të dretësisë, tregut financar, racionalizimin e shpenzimeve publike dhe më shumë lehtësira në sistemin fiskal. Ndërsa ka mbaruar koha e kërkesave, ka ardhur momenti i përgjigjeve. Por meqënëse qeveritë duhet me të vërtetë të vënë në jetë ato që kanë premtuar, dhe rrezikojnë të humbin mbështetjen në popull, është e vëshitirë që t’i japin BQE-së ndihmesën që kjo e fundit po kërkon prej kohësh.

Rënia e BRIKS-it

Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, kush më pak e kush më shumë, po tregojnë dobësitë e tyre. Ndonjë syresh si psh Brazili që po lodhet të gjejë dimensionin e tij industrial. Rusia po vuan çdo ditë e me tepër pasojat e sanksioneve të vendosura nga BE dhe SHBA dhe po shteron mjetet e saj të politikës monetare. Ndërkaq India, është e detyruar që të riformatojë të gjithë sistemin e saj financiar, duke përshtatur një model të ri tejet të kujdesshëm makroekonimik, që të rezultojë sa efikas ashtu edhe i qëndrueshëm. Kina ka në brendinë e vet një ç’ekulibilër të tillë financiar sa të vërë me shpatulla pas murit ekonominë botërore. Së fundmi, Afrika e Jugut po lufton kundër vetvetes, në përpjekje për të kryer hapin e madh, përsa i përket lëndëve të para që nevojiten në industri. Vendet në zhvillim u shfaqën në skenën botërore dhe e bënë këtë në mënyrën më të keqe të mundshme, duke përshtatur gërmë për gërmë modelin e zhvillimit të ekonomive perëndimore, pa patur megjithatë asnjë paragjykim. Ngërçi që së fundmi po kalojnë ekonomitë e këtyre vendeve, mund të përkthehet si një rënie e kërkesës agregate në rang botëror, e aftë që të ndikojë si eurozonën ashtu edhe SHBA-në.

Mbarimi i rezervave në para nga FED-i amerikan

Në këtë vorbull kemi amerikanen Federal Reserve (banka qendrore). Pasi injektoi në sistemin financiar botëror miliarda e miliarda dollarë në 3 kohë të ndryshme përmes asaj që njihet si “quantitative easing” (mënyra përmes së cilës krijohen monedha nga Bankat Qëndrore dhe injektohen përmes operacioneve në tregje të hapura si në sistemin financiar, ashtu edhe atë ekonomik), guvernatorja Xhenet Jellen vendosi që t’i rikthehet praktikës normale. Në 3-mujorin e fundit të këtij viti, Jellen ka urdhëruar tërheqjen e likuiditeve të krijuar nga QE dhe tashmë bota financiare, do të shohë shumë shpejt se cili do të jetë efekti i kësaj lëvizjeje. Sikurse sqaroi muaj më parë banka “Goldman Sachs”, “efektet e fundit të QE janë ende të papërcaktuara”. Nuk është pra e mundur, të bësh parashikime në një periudhë afatgjatë. Praktika e QE që rigjallëroi tregjet në Uoll Strit, la megjithatë një trashëgimi të rëndësishme, me gjasë të rrezikshme. Duke qenë se FED-i ka blerë në të shkuarën bono të qeverisë amerikane dhe letra të tjera me vlerë, “Mortgage-backed security” tituj që ishin garantuar së bashku nga garancitë hipotekore dhe që ishin në organizmin e vetë bankave, shkaktuan jo pak çregullime. Investitorët, bankat përfshirë, ende të tronditura nga falimentimi i “Lehman Brothers”, shkuan të kërkojnë fitime aty ku mundnin. Ishin pikërisht ato që privilegjuan grupin e kapitaleve, si bono qeveritare apo MBS-të, që nga ana e tyre mund të mbështeteshin tek garancia që jepte FED-i. Me këtë rast u krijuan fllucka të tjera, sikundër edhe ndodhi me tregun e garancive hipotekore të kredive të shtëpive. Pyetja që ngrenë investitorët është përherë e njëjta: a mundet që bankat qëndrore të shmangin shpërthimin e papritur të krizave të tilla? /panorama.it/
a.g./www.bota.al

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi