Dështimi i paralajmëruar i PPP-ve

Nga Ornela Piperi, Monitor, 2 shkurt 2019

Sa kapacitet financiar kanë kompanitë e përzgjedhura për projektet me Partneritet Publik-Privat që të realizojnë investime të mëdha. Si paraqitet aftësia e tyre paguese, a janë të ngarkuara me borxhe dhe a janë bankat të gatshme t’i financojnë ato. Pse të gjitha institucionet ndërkombëtare, por dhe ekspertët, janë kundër PPP-ve. Kronika e një dështimi të paralajmëruar dhe fillimi i tërheqjes së qeverisë

Teksa qeveria është angazhuar në një valë projektesh të Partneritetit Publik-Privat (PPP), që arrijnë në mbi 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, dilema të shumta po e shoqërojnë këtë proces. Institucionet financiare si FMN, BERZH, Banka Botërore e kanë shprehur hapur skepticizmin, duke përmendur rrezikun e borxhit të fshehur jashtë bilanci, aftësinë administrative për t’i menaxhuar ato, raportin kosto-përfitime, mosdarjen e riskut me privatin, mungesën e procedurave konkurruese etj. Edhe ekspertët janë kundër, të cilët shkojnë deri aty sa të shtrojnë pikëpyetjen nëse këto projekte mund të shërbejnë për pastrimin e parave.

Qeveria parashikon dhënien me koncesione të ndërtimit të rrugës Milot-Balldren (160 milionë euro, që është fituar nga A.N.K); Orikum-Himarë (48 milionë euro, e fituar nga Gjikuria); ndërtimi dhe operimi i aksit Tiranë-Thumanë-Vorë, që për momentin u pezullua (360 milionë euro, ishte fituar nga Gener 2), Rruga e Arbrit (240 milionë euro, e fituar nga Gjoka Konstruksion); Autostrada Kashar-Rrogozhinë (680 milionë euro, në projekt); Autostrada Tiranë-Durrës (390 milionë euro, në projekt me pretendent Alb-Star). Në total janë projekte me vlerë rreth 1.9 miliardë euro, e barabartë me rreth 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto vjetor, ose gati gjysma e buxhetit të një viti.

Arsyeja kryesore që dha qeveria për projektet e Partneritetit Publik-Privat lidhej me faktin që buxheti i shtetit nuk ka fonde të mjaftueshme për të ndërtuar këto vepra madhore, ndaj kompanitë do të ndërtonin me fondet e veta apo nëpërmjet kredive bankare dhe shteti do t’u paguante me këste dhe interesa (pagesa e parë bëhej kur të kishin mbaruar të paktën 25% e punimeve). Këtu lind dhe një tjetër dilemë, më pak e debatuar deri tani, ajo e kapacitetit financiar që kanë kompanitë e angazhuara për të përballuar me fondet e veta fazën fillestare të projektit. Kësaj i shtohet dhe dilema tjetër, nëse bankat në Shqipëri, që vitet e fundit, po tregohen tepër të kujdesshme në huadhënie, janë të gatshme që të kreditojnë shuma të mëdha, përmes huave sindikatë.

“Monitor” ka analizuar bilancet financiare të vitit 2017, të kompanive që janë angazhuar me kontrata Partneriteti Publik-Privat A.N.K., Gjikuria, Gener 2, Gjoka Konstruksion, si dhe Albstar. Sipas deklarimeve zyrtare në bilanc, kompanitë kanë të ardhura, likuiditete dhe kapital modest në raport me projektet që pretendojnë të financojnë, ndërkohë që kanë nivel më të lartë detyrimesh në raport me mjetet e veta (me përjashtim të Alb-Star), çka e bën të vështirë marrjen e kredive në banka.

Dy kompanitë më të mëdha janë Alb-Star dhe Gener 2, me të ardhura rreth 68 milionë euro secila. Këto janë dhe kompanitë më të mëdha të ndërtimit në Shqipëri, sipas të ardhurave. Alb-Star ka një kapital total prej 50 milionë eurosh dhe Gener 2, rreth 28 milionë euro.

Asetet afatshkurtra, që tregojnë likuiditetin e kompanisë (si cash-i në bankë dhe llogaritë e arkëtueshme) janë 60 milionë euro për Alb-Star dhe 38 milionë euro për Gener 2.

Pas tyre renditet Gjoka Konstruksion me 36 milionë euro të ardhura dhe asete afatshkurtra 43 milionë euro.

Kompani më të vogla janë Gjikuria dhe A.N.K, me të ardhura përkatësisht 19.5 dhe 16.5 milionë euro dhe asete afatshkurtra që nuk i kanë 14 milionë euro secila.

Me përjashtim të Gjoka Konstruksion, që ka një normë fitimi prej 16%, kompanitë e tjera e kanë këtë tregues minimal, në 1-4%. (Për më shumë detaje shiko tabelën në fund: “Të dhëna financiare të disa kompanive të përfshira në projektet PPP”).

Kapacitetet

Kompanitë kanë të ardhura, likuiditete dhe kapital modest në raport me projektet që pretendojnë të financojnë, ndërkohë që kanë nivel më të lartë detyrimesh në raport me mjetet e veta, çka e bën të vështirë marrjen e kredive në banka.

Kompanitë, më shumë borxhe sesa mjete të vetat

Sipërmarrjet e ndërtimit të rrugëve nuk i kanë “shpëtuar” tendencës së përgjithshme të ekonomisë shqiptare, ku kompanitë kanë një nivel të lartë të detyrimeve (borxheve), në raport me mjetet e veta, kryesisht të marra nga palë të treta jo banka, psh ortakët.

Raporti optimal i borxhit ndaj kapitalit konsiderohet të jetë maksimumi 1, pra detyrimet të jenë të barabarta me kapitalin. Ai përdoret për të matur qëndrueshmërinë, shëndetin e kompanisë dhe aftësinë e saj për të paguar detyrimet. Në rast se ky raport po rritet, kompania po financohet nga kreditorët sesa nga mjetet e veta, që mund të jetë një tendencë e rrezikshme. Huadhënësit dhe investitorët zakonisht preferojnë raporte të ulëta të borxhit ndaj kapitalit. Bankierët pohojnë se në Shqipëri ata preferojnë që ky raport, i cili tregon se sa kompania financohet me borxhe dhe sa me mjetet e veta, të jetë më i ulët se 1, për shkak se do të jenë më të mbrojtura në rast se biznesi ka probleme.

Nga kompanitë në fjalë, vetëm Alb-Star ka një raport të detyrimeve/kapitalit prej 0.8, pra më të ulët sesa 1 (ka më pak borxhe sesa mjete të veta) dhe Gjoka e ka këtë raport në 1.13. Treguesin më të përkeqësuar e ka Gjikuria, pra 4.96 (detyrimet janë pesë herë më të mëdha se kapitali), A.N.K e ka 3.96 dhe pak më të ulët e ka Gener 2, në 2.13.

Bankat, skeptike për kredi sindikatë

Teksa kompanitë më të mëdha të ndërtimit në vend nuk rezultojnë të kenë kapitalet e mjaftueshme për të ndërtuar projekte që i tejkalojnë disa herë të ardhurat e tyre vjetore dhe kapitalin e disponueshëm, shpresa kryesore e financimit të PPP-ve është nëpërmjet kredive bankare. Bëhet fjalë për hua në shuma të mëdha, të cilën, një bankë e vetme është e pamundur ta financojë një koncesion. Bankat, në bazë të ligjit, nuk mund të japin kredi për një klient të vetëm më shumë se 20% të kapitalit të tyre rregullator (10% kur bëhet fjalë për një kompani që ka lidhje me grupin bankar).

Banka më e madhe në vend ka një kapital prej rreth 300 milionë eurosh, pra nuk mund të japë hua më shumë se 60 milionë euro për një klient të vetëm. Ndonëse bankat vitet e fundit e kanë rritur kapitalin, si kërkesë rregullatore e Bankës së Shqipërisë apo se një pjesë e fitimeve nuk janë shpërndarë si dividend, por kanë kaluar si shtesë kapitali, bankat nuk kanë qenë të prira të rrisin shumën e financimit për një klient të vetëm.

Zgjidhja e vetme për kredi në shuma të mëdha, pohojnë bankierët, është nëpërmjet huave sindikatë.

Por, këto hua janë pak të preferuara nga bankat në Shqipëri. “Projektet sindikatë janë me risk të lartë dhe nuk kanë rezultuar shumë të suksesshme”, thotë drejtuesi i departamentit të kredisë së një banke, që ka qenë e përfshirë në një hua të tillë. Bankat shpesh kanë hasur vështirësi në gjetjen e gjuhës së përbashkët, për vendime si p.sh. ristrukturimi i huasë. Për më tepër që pjesa më e madhe e bankave janë përfshirë në një proces shitblerjesh, duke e lënë mënjanë huadhënien.

Në fund të vitit 2017, kapitali rregullator i sistemit bankar, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë ishte rreth 1.1 miliardë euro. Sikur të gjitha bankat të mblidheshin bashkë (që nuk ka gjasa të ndodhë), shuma maksimale që mund të jepej për një klient të vetëm është 220 milionë euro.

Një tjetër problem është ekspozimi i kredimarrësit. Nëse kompania ka hua në të paktën një prej bankave të projektit sindikatë, kjo mund të çojë në mosmiratimin e kredisë së përbashkët.

Kreditë sindikatë

Teksa kompanitë më të mëdha të ndërtimit në vend nuk rezultojnë të kenë kapitalet e mjaftueshme për të ndërtuar projekte që i tejkalojnë disa herë të ardhurat e tyre vjetore dhe kapitalin e disponueshëm, shpresa kryesore e financimit të PPP-ve është nëpërmjet kredive bankare sindikatë. Por, këto hua janë pak të preferuara nga bankat në Shqipëri. Për më tepër, sikur të gjitha bankat të mblidheshin bashkë (që nuk ka gjasa të ndodhë), shuma maksimale që mund të jepej për një klient të vetëm është 220 milionë euro.

BERZH: Përdorni huatë nga institucionet ndërkombëtare të kombinuara me grante

Për Matteo Colangeli, kreu i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shqipëri, PPP-të mund të jenë një instrument i nevojshëm për financime në infrastrukturë, veçanërisht në projekte që gjenerojnë të ardhura si aeroportet ose autostradat. Ai shton se kur PPP-të konsiderohen si mjeti duhur për financim, kërkesa duhet të përgatitet nga sektori publik dhe t’u ofrohet investitorëve nëpërmjet një procesi tenderimi konkurrues.

Kjo do të siguronte më shumë transparencë dhe do të gjeneronte më shumë të ardhura për qeverinë, sesa përdorimi alternativ i ofertave të pakërkuara të nisura nga vetë investitorët. “Kur PPP-të konsistojnë thjesht në një detyrim ndaj investitorit privat, që do të duhet të shlyhet nga qeveria për disa vite me radhë, atëherë nuk kemi një ndarje të vërtetë të riskut të projektit me investitorin privat dhe si rrjedhim detyrimet do të zvogëlojnë hapësirën fiskale në mënyrë të ngjashme me borxhin publik”, pohon z. Colangeli.

Ai thotë që huatë nga Institucionet Financiare Ndërkombëtare të kombinuara me grante të donatorëve, veçanërisht nën Platformën për Investime të Ballkanit Perëndimor (WBIF) të mbështetur nga BE, mbeten mënyra me kosto efektive për financimin e infrastrukturës në Shqipëri.

PPP-të, pa lidhje me korridoret rajonale

Qeveria ka vendosur ndërtimin me koncesion të projekteve që nuk konsiderohen si prioritare në kuadër të rrjetit ndërlidhës europiane: Programit Trans-Europian të Rrjetit të Transporti (TEN-T). Shqipëria përfshihet në rrjetin europian TEN-T, përmes autostradave Adriatiko – Joniane (që në pjesën më të madhe në territorin shqiptar përputhet me aksin rrugor Veri – Jug), pjesë e Korridoritt të Mesdheut, që kalon në bregdetin kroat, me rrugët përgjatë bregdetit malazez dhe përshkon Shqipërinë nga Muriqani në Lezhë-Tiranë-Fier-Tepelenë-Gjirokastër dhe përfundon në Kakavijë. Për këtë segment, (për të cilin ka filluar studimi fisibilitetit), Shqipëria mund të aplikojë për kredi e fonde tek donatorët europianë, por duket se qeveria ka preferuar të përqendrojë vëmendjen te projektet PPP, që po rezultojnë me kosto të fryra, si rrjedhojë e procedurave jo konkurruese të ndjekura deri tani.

Fillon tërheqja nga koncesionet

Pa u vënë mirë në punë projektet e sapomiratuara, kanë filluar tërheqjet e para. Ministrja e re e Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë, Belinda Balluku, në daljen e parë publike, tha se “kam vendosur ndërprerjen e procedurës së Partneritetit Publik -Privat për aksin Thumanë-Kashar.

Në të njëjtën kohë, qeveria çoi në Kuvend një draft të ri për koncesionet, sipas të cilit nuk do të jetë më e mundur të propozohen nga sektori privat projekte koncesioni/PPP, në formën e propozimit të pakërkuar për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale me rëndësi të veçantë. Përjashtim bëjnë vetëm ofertat për realizimin e punimeve dhe/ose ofrimin e shërbimeve në porte, aeroporte, për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, energjisë për ngrohje dhe shpërndarjen e gazit natyror.

Drafti parashikon dhe shfuqizimin e sistemit të shpërblimit me pikë bonus të propozuesve të pakërkuar dhe forcon rolin monitorues dhe kontrollin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, jo vetëm gjatë fazës së përgatitjes së projekteve të koncesionit/PPP, por edhe në zbatimin e kontratave të koncesionit/PPP.

TE GJITHE KUNDER PPP-ve

Nga institucionet ndërkombëtare, tek ekspertët e ekonomisë, të gjithë shprehin rezerva për rendjen e qeverisë drejt projekteve të Partneritetit Publik-Privat. Shqetësimet e tyre, ata i kanë shprehur në intervistat dhënë për “Monitor” për pritshmëritë e ecurisë ekonomike për vitin 2019.

FMN: Kostot mund të jenë më të larta sesa pritet

  1. Jan Kees Martijn, shefi i Misionit të FMN-së për Shqipërinë, ka pohuar se, ndërsa është e mundur që PPP-të të ofrojnë cilësi të mirë dhe kosto më të ulët, në shumë vende ka rezultuar, që kostot fiskale aktuale të PPP-ve mund të jenë shumë më të larta se sa pritej. “Shqipëria ende nuk ka një sistem të mirë për të menaxhuar kostot dhe rreziqet që vijnë nga PPP-të. Ne këshillojmë që Ministria e Financave të ndërmarrë një vlerësim të plotë të rreziqeve të lidhura me PPP-të, ndikimin e tyre në kuadrin afatmesëm buxhetor dhe qëndrueshmërinë e borxhit.

Ne mirëpresim përpjekjet e deritanishme për t’i dhënë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë rol më të fortë si gardianë në frenimin e kostos fiskale potenciale të PPP-ve. Ne gjithashtu këshillojmë që të nxitet procesi konkurrues i ofertave, duke ndaluar pranimin e propozimeve PPP të pakërkuara në të gjithë sektorët”, ka pohuar z. Martijn.

Përveç kësaj, FMN ka këshilluar qeverinë që të marrë në konsideratë zbatimin e “kontabilitetit me të drejta të konstatuara” dhe të forcojë diskutimin lidhur me rreziqet fiskale që lidhen me PPP në Deklaratën Fiskale të Rreziqeve. Kjo deklaratë duhet të ofrojë një pasqyrë gjithëpërfshirëse të të gjitha kontratave të PPP-së dhe të përshkruajë politikën e qeverisë për zbutjen e këtyre rreziqeve.

Banka Botërore: Po shtohen rreziqet fiskale jashtë bilanci

Znj. Maryam Salim, Përfaqësuese e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, ka tërhequr vëmendjen se po shtohen rreziqet fiskale jashtë bilanci, përfshirë shpenzimet e larta të qeverisë nëpërmjet PPP-ve dhe krijimit të detyrimeve të prapambetura, të cilat kërkojnë përmirësime domethënëse në menaxhimin e riskut, që vjen nga detyrimet potenciale. Për më tepër, duke pasur parasysh nivelet shumë të larta të borxhit, forcimi i transparencës fiskale do të rriste besimin e tregjeve dhe do të ulte rreziqet e financimit në tregjet e brendshme dhe të jashtme.

Ajo shton se në fillim të këtij mandati, Kryeministri shpalli projektin “1 miliard”, si një mënyrë për mobilizimin e burimeve për investime që janë shumë të nevojshme në vend. Disa nga këto investime janë nisur përmes PPP-ve. “Ndërsa është shumë herët për të gjykuar mbi ndikimin e këtyre investimeve, ne gjithmonë kërkojmë për shqyrtim të fortë të ndikimeve fiskale afatshkurtra dhe afatgjata të PPP-ve. PPP-të, në vetvete, janë një instrument i ligjshëm, por përdorimi i tyre kërkon një mjedis të fortë për sa i takon një administrate të fortë publike, mekanizmave të kontrollit dhe transparencë të plotë”, pohon znj. Salim.

Banka Botërore do të mbështesë qeverinë për (i) forcimin e kapaciteteve teknike të stafit në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave dhe ministrive të linjës për të hartuar, për të vlerësuar dhe për të monitoruar PPP-të; (ii) bërjen më transparente dhe më të përgjegjshme të aktivitetit të PPP-ve, përfshirë edhe publikimin e një njoftimi mbi rreziqet fiskale që do të bënte transparence mbi detyrimet potenciale që lindin nga PPP-të; (iii) integrimin e procesit të përzgjedhjes së PPP-ve në strategjinë e përgjithshme të Shqipërisë për menaxhimin e investimeve publike, duke forcuar funksionin ndërmjetës të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të siguruar që PPP-të të jenë të qëndrueshme nga ana fiskale, duke reduktuar varësinë nga propozimet e pakërkuara “ad-hoc” për PPP-të dhe duke kufizuar përjashtimet prej ligjit për PPP-të.

Ekspertët, nga rreziku i klientelizimit deri tek pastrimi i parave

Edhe ekspertët e ekonomisë nuk janë më pak skeptikë, duke paralajmëruar për pasojat afatgjata që mund të kenë në ekonomi kontratat e Partneritetit Publik-Privat. Prof. dr. Adrian Civici, president i UET pohon se PPP, në vend që të bëhen faktor i rritjes së investimeve dhe zhvillimit, janë shndërruar në klientelizëm të pastër oligarkik dhe burim konfliktualiteti të ashpër politik e shoqëror; etj.

Ndërsa prof. Selami Xhepa, dekan i Fakultetit të Ekonomisë në UET, shprehet se zhvillimet në borxhin publik, për shkak të kontratave të Partneritetit Publik-Privat, do të vazhdojnë të mbeten një rrezik potencial serioz, jo thjesht për vitin 2019, por në një perspektivë më afatgjatë.

Më i drejtpërdrejtë është dhe Sherefedin Shehu, ish-zv.ministër i Financave, tani Këshilltar i Lartë për Programin e Stabilizimit Ekonomik të Libisë. Ai thotë se rreziku i Partneriteteve Publike – Private (PPP) do të rritet gjatë vitit 2019 dhe për rrjedhojë, do të ulet vëllimi dhe cilësia e investimeve publike të bazuara në studime dhe me ndikim afatgjatë në rritjen ekonomike.

“Mungesa e disiplinës dhe rregullave në miratimin dhe zbatimin e projekteve të investimeve publike ka bërë që ato të dominohen nga PPP-të, të cilat kanë kosto më të lartë dhe efektivitet më të ulët. Edhe në buxhetin e vitit 2019, ato do të shtohen, ndonëse niveli i sotëm i tyre prej 31% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) është i lartë dhe me rreziqe. Sfidat më të mëdha të sotme dhe për vitin 2019 lidhen me nivelin e lartë të informalitetit dhe mungesën e investimeve me efekte afatgjata.

Qarkullimi dhe investimi i parave informale deformojnë tregun, godasin sektorët prodhues të ekonomisë dhe ulin cilësinë e investimeve publike. Ekonomia do të dominohet nga investimet në sektorin e ndërtimeve të banesave dhe të koncesioneve ku paratë informale mund të përdoren më me lehtësi. Të parat janë investime që nuk sjellin efekte në rritjen ekonomike të viteve të ardhshme, ndërsa të dytat do të mbajnë peng pjesën e buxhetit për zhvillim në 10-15 vitet e ardhshme”, pohon z. Shehu.

Kundër projekteve të Partneritetit Publik-Privat është shprehur vazhdimisht edhe Zef Preçi, nga Qendra Shqipëria për Kërkime Ekonomike. Ai thotë se, nëse ky borxh i ri i fshehtë, i cilësuar PPP, merret në një kohë që fuqia ripaguese e ekonomisë, nuk është e mundur të rritet, shtohen rreziqet. E nëse këto para shkojnë për investime fasadash, pllakash, lulesh, etj., pra nuk hapin vende pune, nuk zhvillojnë industrinë, bujqësinë, etj., përsëritja e skenarit të dhimbshëm grek është e pashmangshme, shtoi ai.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi