Misioni i pamundur i FMN-së
Editorial i Monitor, botuar 31 korrik 2018
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka mbërritur me misionin e radhës në Tiranë për të këshilluar qeverinë shqiptare. Por, me gjasë, do të ndeshet në murin “krenar” të saj, i cili ka nisur të ndërtohet gradualisht dhe u kuptua një vit më parë, kur Rilindja prishi marrëveshjen (me program) që i hiqte FMN-së të drejtën e vetos.
Axhenda e këtyre seancave dëgjimore është e lehtë për t’u marrë me mend. Borxhi publik, vitin e kaluar, ishte 71.5% e PPB-së, duke ardhur me rritje që prej vitit 2013, kur ishte 65.5%. Qeveria kishte premtuar se do ta ulte më tej, por ky premtim nuk u realizua. Ky borxh, që tani po na shqetëson të gjithëve, mbetet i lartë, sipas FMN-së, nga koncesionet. Parashikimi i saj është që në vitin 2021, fatura që qytetarët duhet të paguajnë nga buxheti për koncesionet, të jetë gati e barabartë me deficitin buxhetor.
Që kur nisi era e këtyre koncesioneve PPP, e sidomos atyre të pakërkuara, FMN (por jo vetëm ajo) është shprehur hapur publikisht, si rrallëherë, se ato janë të rrezikshme, pasi rrisin, por edhe e fshehin borxhin, nuk kanë analizë kosto-përfitim, janë të dyshimta për shkallën e përftimit të publikut, madje së fundmi ka dyshime për kosto të fryra (lexo në brendësi).
Një fakt i fundit që mbështet argumentin se koncesionet po rrisin kostot e qytetarëve, pa përftim në këmbim, janë rezultatet e koncesionit të “Check-up falas” në shëndetësi. Sipas të dhënave zyrtare, për një kontroll që çdo qytetar duhet ta merrte falas, tani qeveria duhet të paguajë 84% më shumë se çmimi i përcaktuar, pasi fizibiliteti i projektit nuk rezultoi i saktë në terren (lexo monitor.al – “Check -up falas në 2017 kreu vetëm 67% të kontrolleve të programuara, qeveria pagoi 84% më shumë për një vizitë).
Edhe nëse këtë radhë, Misioni i FMN-së e ngre zërin më shumë në takimet dypalëshe, veshi i qeverisë për këtë çështje është i shurdhët, sepse ajo tashmë po avancon me koncesione të reja. Katër koncesionet janë dhënë vetëm brenda kësaj pjese të vitit.
Së bashku me koncesionet PPP të dhëna deri në dhjetor 2017, vlera totale e koncesioneve me PPP është sa 17% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Për shkak të këtyre rrethanave, duket se alternativa e uljes së borxhit publik të vijë përmes ngadalësimit të qeverisë në dhënien e koncesioneve apo, më mirë akoma, stopim të tyre, nuk do të ndodhë.
Që qeveria të rrisë performancën financiare do të duhet të rrisë të ardhurat në buxhet, por kjo nuk po duket si opsion që po funksionon sipas planeve. Siç duket edhe nga vendimet e marra në lidhje me këtë çështje në mbledhjen e fundit, buxheti u rishikua me rrudhje, pasi mbledhja e të ardhurave është e ulët. Ky fakt alarmoi edhe Komisionin Europian që dërgoi një letër ku nënvizon “performancën e ulët”.
Ndërkohë, rritja ekonomike, edhe pse kapi 4% tre muajt e parë, nuk po i hyn në punë as buxhetit e as konsumit, duke vërtetuar hamendësinë se ky rezultat erdhi kryesisht nga 2-3 projekte infrastrukture, që kanë impakt lokal, për shkak të natyrës së tyre. (TAP, Devoll Hydro apo Shell).
Në këto kushte, e vetmja pikë ku “pakti me djallin” mund të ndodhë është rritja e taksave, ose ulja e investimeve nga buxheti (në fakt, qeveria po bën këtë të fundit). FMN mund ta konsiderojë këtë pakt, por kur ajo të ketë ikur, qeveria nuk do ta kërkojë shëlbimin (shlyerja e mëkatit) tek ajo, por te qytetarët.
Ata sot paguajnë rreth 500 milionë dollarë taksa më shumë se katër vjet më parë. Kjo është, në njëfarë mënyre, fatura e arrogancës së pushtetit, sepse rritjes reale të të ardhurave të qytetarit nuk duket t’i ketë shërbyer. Ndaj, një rritje e mëtejshme e taksave është një pikë e panegociueshme për popullatën (lexo elektoratin).
Mesa duket, Qeveria është e qartë për impaktin në vota që do të kishte një veprim i tillë, ndaj gjasat më të mëdha janë që ulja do të prekë buxhetin vjetor të investimeve publike. Një ulje e buxhetit të investimeve publike do të prodhonte pikërisht efektin e kundërt për të cilën promovohen sot projektet PPP, përshpejtimin e ndërtimit të infrastrukturës.
Frika se koncesionet do të ndikojnë negativisht të gjithë ekonominë në të ardhmen është mesazhi për të cilin FMN po “bërtet” me të madhe, por me sa duket, pa vullnetin e duhur te dëgjuesit. Kjo është një lloj e bërtiture që e kemi dëgjuar edhe më parë, përgjatë 25 viteve të marrëdhënies së shtetit shqiptar me FMN-në, në 1996, 2013 dhe tani pas 2018-s, kur “krenaria” false e një vendi sovran, por pa pjekurinë duhur, nuk ka prodhuar dot rezultate të mira.