Pakti për (mos)marrëveshjen e radhës

Nga Afrim Krasniqi, botuar Shqiptarja.com, 25 dhjetor 2014

Afrim_KrasniqiSi gjithmonë, natën, në bisedime jopublike, nën presionin ndërkombëtar dhe në minutat e fundit, partitëb kryesore politike nënshkruan edhe marrëveshjen e 13 politike në24 vitet e fundit. Në historinë e bojkotit politik parlamentar kjo është marrëveshja e 5-të në radhë, dhe me siguri, jo e fundit. Aktorët politikë që e “negociuan” dhe e votuan në parlament, natyrisht e cilësuan “historike”, “dhuratë për shqiptarët për Krishtlindje” dhe “arritje e jashtëzakonshme”.

Në fakt, një analizë më e thellë dhe pa emocionet e ditës dëshmon të kundërtën, – marrëveshja ishte dhe mbetet një nga ato dhjetëra copëza politike të tranzicionit, ku politika, pasi krijon krizë politike, detyrohet të bëjë kompromise momenti për të kaluar momentin politik. Vetë autorët e saj përcaktuan një deadline 6 mujore, – një afat me domethënie të dyfishtë: sepse lidhet me zgjedhjet lokale të qershorit dhe në zgjedhje nuk mund të hyhet me marrëveshje konsensuale, dhe sepse tradicionalisht cdo marrëveshje nuk ka zgjatur më shumë se disa muaj.

Përtej retorikave politike të momentit dhe përpjekjeve konsensuale PS-PD-LSI për të shitur si maturi e arritje historike një akt antihistorik dhe produkt të pamaturisë, marrëveshja e re vjen në një realitet specifik dhe krijon dritare të reja debati. Për shembull, Shqipëria bëhet vendi i vetëm në NATO dhe kandidat për në BE ku politika vendore nuk është e aftë as të dialogojë brenda saj dhe për pasojë, kërkohet negocim ndërkombëtar për zgjidhjen e krizave politike ndërpartiake. Pas ftesës për procesin integrues rreth 6 muaj më parë Shqipëria bën hapa pas, rikthehet diku midis viteve 2009-2010 dhe e zhvendos integrimin nga axhenda prioritare politike e shtetërore.

Për herë të parë negociatorëe nënshkrues nga pala shqiptare janë politikanë dytësorë në partitë politike, dhe njëherësh, negociatorë ndërkombëtarënuk janë institucione e politikanë të nivelit të lartë evropian, por nivele dytësore që merren në përditshmëri me Shqipërinë, – një shenjë jo vetëm protokollare vlerësimi për klasën politike shqiptare dhe peshën e cështjeve tona në axhendat vendimmarrëse evropiane.

Vetë liderit politikë shqiptarë nuk u përfshinë, nuk u takuan, nuk biseduan dhe as nuk dëshmuan një ndryshim të sjelljes politike të tyre ndaj problematikave dhe prioriteteve vendore. Së fundi, marrëveshja nuk zgjidh problemet, por krijon mundësi për rrugëzgjidhjen në të ardhmen e disa prej tyre. Ajo vetëm sa shërben si mjet për të justifikuar dicka që të gjithë e dinim që do të ndodhte, – rikthimin e deputetëve të opozitës në parlament. Në terma konkretë, asgjë më shumë.

Duke parë tej reshtave të marrëveshjes, problemet thelbësore që mbeten ende pa përgjigje janë katër: e para, asnjë nga reformat e mëdha nuk ishin pjesë e bisedimeve dhe asnjë nga angazhimet e shprehura në rezolutë nuk ka ende një mekanizëm të detajuar sesi do jetësohet. Sipas traditës, pas cdo marrëveshjeje palët janë grindur mbi intepretime të pikave të marrëveshjeve që kanë nënshkruar, – edhe këtë herë pritet të ndodhë e njëjta gjë.

Së dyti, premtimi për ndarjen e politikës nga personat e inkriminuar është vertetë pozitiv, nevojë dhe standard demokracie, por palët nuk kanë dëshmuar ende asnjë mekanizëm ose vullnet të qartë politik mbi atë sesi do të realizohet ky premtim. Vetë partitë kanë elementë të inkriminuar në strukturat e tyre, deri edhe strukturat e sigurisë nën cdo mazhorancë kanë pasur elementë të tillë, dhe vetë deputetët, 19 prej të cilëve pretendohet se janë të inkriminuar, nuk janë aty për shkak të votave por për shkak të vullnetit personal të kryetarëve të partive respektive në parlament.

Sistemi që vetë partitë kanë zgjedhur për promovimin politik ka qenë jodemokratik, jotransparent dhe dukshëm klientelist. Do ishte utopike të mendonim se ata kanë ndryshuar mendje dhe një natë dhjetori kanë vendosur të ndryshojnë sistemin, autorët e të cilës janë dhe të cilin e kanë mbrojtur dhe vijojnë ta mbrojnë me fanatizëm.

Së treti, Shqipëria ka kushtetutë prej 1998, kemi lidhe organike dhe specifike në cdo fushë qeverisjeje, por periodokisht partitë kërkojnë dhe gjejnë mekanizma jashtë bazës kushtetuese e ligjore për të zgjidhur probleme me të cilat ndeshet politika e ditës.

A mundet që marrëveshjet politike të zëvendësojnë parimet dhe frymën kushtetuese? Në të paktën disa raste kjo zgjidhje ka dështuar. Dështoi me ndryshimet kushtetuese 2008, me ndërhyrjen në kushtetutë 2007, me shumë prej “zgjedhjeve” balancuese më 2002-2004, me ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe me procesin e privatizimit, të reformës në drejtësi dhe të krijimit të administratës publike funksionale. A mund të presim që pas këtij bilanci të frymës së marrëveshjeve mbi frymën kushtetuese të ndryshojnë pozitivisht gjërat? Edhe më optimisti ka të drejtë të jetë skeptik.

Së fundi, politika vijon ta trajtojë publikun dhe qytetarin shqiptar si dicka pa vlerë, pa ndjesi, pa mendim, pa respekt dhe pa sensin e përgjegjësisë. Gjashtë muaj palët politike akuzuan njëri tjetrin për të gjitha krimet e botës, madje shkuan deri aty sa bënë thirrje publike për përmbysjen e palës tjetër me dhunë ose burgosjen e saj dhe në fund, një natë dimri, akuzat harrohen, palët takohen, nënshkruajnë dhe papritur nis një stinë e re dashurie, – e pasinqertë, oligarkike dhe natyrisht, e brishtë.

A kërkoi ndonjë politikan/palë politike falje për retorikën ekstreme disamujore, akuzat pafund dhe tashmë, për injorimin e tyre duke na shitur dështimin e tyre si sukses historik? A munden qytetarët të harrojnë kaq shpejtë dhe të trajtohen si specie pa vlerë, me të cilët politika mund të eksperimentojë, testojë dhe vendosë gjithcka, – shpesh edhe akte të kundërta, dhe cdo herë, pa ndierë as detyrim minimal për ndjesë, përgjegjësi e transparencë? A do vijojmë ta kalojmë me batutat e “karameles elektorale” gjuhën denigruese që politika përdor për të prodhuar politikisht kriza, dhe për të mbajtur të përcarë shoqërinë publike?

A duhet të besojmë ende tek ajo klasë politike e mentalitet sjelljeje, sipas të cilit kundërshtari e kritiku janë armik kur cënohen interesat personale/partiake dhe janë miq e partnerë kur e kërkojnë interesat personale/partiake? Po parimet, po etika, po integriteti, po sensi i masës, po përgjegjësia publike, po morali politik? Asgjë nuk ka vlerë?

Me të gjitha këto pyetje retorike dhe argumente vlerësimi mbi paktin e radhës midis oligarkëve të politikës, po lëmë pas vitin 2014 me shpresën minimale se kjo është hera e fundit, se skena të tilla nuk do përsëriten më, se politika do bëhet më e vemendshme dhe se nga “aksham Pazar”-in e fundit nuk do e pësojë shteti, kushtetuta, ligji dhe interesi qytetar e publik. Një shpresë minimaliste, si shumica e shpresave që risillen dhe urohen cdo fundviti edhe pse të gjithë e dimë se pak prej tyre realizohen.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi