Opozita u rikthye në Kuvend pas 6 muajve
Kuvendi i Shqiperise, 24 dhjetor 2014
Opozita më në fund është kthyer në sallën e Kuvendit.
Edhe pse një marrëveshje u arrit që mbrëmë, sërish palët patën disa mosmarrëveshje.
Demokratët kërkuan që të mos kishte rend dite përveç miratimit të rezolutës, por mazhoranca theksoi se do të vazhdojë me rendin e ditës.
Pas një tjetër mbledhje të grupit parlamentar të PD, ligjvënësit e opozitës iu drejtuan sallës së Kuvendit.
Pasi kanë pritur miratimin e ligjeve në rendin e ditës, demokratët dhe të majtët kanë votuar me 126 vota rezolutën e konsensusit.
Përpara votimit, me kërkesë të Palokës, kryetari i Kuvendit Ilir Meta lexoi “Projekt/rezolutën e marrëveshjes politike mes mazhorancës dhe opozitës në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”.
Dakordësia e arritur për miratimin e rezolutës, bëri që Partia Demokratike të thyente bojkotin 6-mujor dhe të zinte vendet e saj në Kuvend.
Në fjalën e tij përpara ligjvënësve, kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka theksoi se marrëveshja e arritur është në favor të të gjitha palëve dhe “një mundësi e mirë për të shpëtuar politikën shqiptare nga zhytja në llumin e krimit dhe korrupsionit”.
Paloka nënvizoi arsyet që e shtynë opozitën drejt bojkotit parlamentar, ndërsa tha se “deputetët rikthehen me kokën lart me vullnetin dhe dëshirën që parlamenti të kthehet në tempullin e demokracisë, mbrojtjes së lirisë dhe të drejtave të qytetarëve”.