Padrejtësia e madhe e një shoqërie meritokratike

A mund të ekzistojë një demokraci e bazuar tek “më të mirët”? Rikthimi i librit të sociologut Michael Young

meritocracyKush e përcakton Meritën? – pyeste disa muaj më parë Scott Jaschik, drejtor i “Inside Higher Ed.”, në një debat lidhur me këtë temë me udhëheqësit e instituteve më mëdhenj universitarë amerikanë. Një pyetje aspak e re, por gjithnjë e më shumë domethënëse dhe e lidhur me çështje domethënëse etike, teknike dhe financiare. E ngritur nga Platoni që në fillimet e traditës sonë, kur fliste për “qeverisjen e më të mirëve”, ajo është parashtruar disa herë me thekse të ndryshëm nga filozofë, ekonomistë, politikanë pa mbërritur asnjëherë në një përgjigje shteruese.

Nëse merita është e drejta për një shpërblim shoqëror apo material, në bazë të cilësive të caktuara dhe punës tënde, cili arbitër neutral mund t’i japë këto? Sa prej këtij shpërblimi i atribuohet talentit të lindur dhe sa angazhimit? Dhe si duhet vlerësuar kushtëzimi shoqëror edhe i atyre që veprojnë, edhe i atyre që gjykojnë? Pra, çfarë marrëdhënieje ka mes meritës dhe barazisë, si dhe mes meritokracisë dhe demokracisë?
Një antidot i vendosur i entuziasmit në rritje që e ka bërë konceptin e meritokracisë një lloj parulle që e ndan e majta dhe e djathta, vjen tashmë prej ribotimit të librit brilant të sociologut anglez Michael Young – pjesëtar i partisë laburiste dhe promotor i reformave sociale – me titullin “Mbërritja e meritokracisë”. I shkruajtur në vitin 1958 në formën e distopisë, një zhanër i ngjashëm me atë të Orwellit dhe Huxleyt, “Mbërritja e meritokracisë” paraqitet si një botim sociologjik i botuar në vitin 2033 kur, pas një lufte të gjatë, meritokracia është ulur më në fund në fron në Mbretërinë e Bashkuar. Pas çrrënjosjes së nepotizmit të shoqërisë së vjetër paraindustriale, ende e lidhur me privilegjet e lindjes, dhe përgatitur nga një seri reformash në shkollë, në regjimin e ri jepen postet vetëm në bazë të meritës dhe aftësisë.
Pra gjithçka ok? Eshtë ëndrra që kemi të gjithë, e një shoqërie të drejtë, qeverisur nga një klasë drejtuesish të përzgjedhur në bazë të kritereve të barabartë dhe transparentë? Mjaftojnë faqet e para – që flasin për trazira të provokuara prej grupeve “populistë” që i kundërvihen “partisë së teknikëve” – për të manifestuar, bashkë me jehonën e madhe të aktualitetit, edhe qëllimin real të autorit. Që është ironikisht përdhosje e asaj ideologjie meritokratike që ai bën sikur lëvdon.
I habitshëm fakti që disa lexues, si Roger Abravanel, këshilltar politik i ministrit të arsimit në ish qeverinë Berlusconi, kanë rënë pre e këtij ekuivoku, duke e marrë fanta-traktatin e Young dhe futur në librin e tij “Meritokracia”, duke e konsideruar një elozh real të meritokracisë. Për pjesën tjetër, për të larguar çdo lloj dyshimi në lidhje me karakterin radikalisht kritik të veprës së tij, në gazetën The Guardian të 19 qershorit 2001, autori akuzonte Tony Blairin se kishte marrë pozitivisht një paradigmë, si ajo e meritokracisë, të mbushur me kundërfekte negativë.
Cilët? Në thelb, ai i të besuarit të përzgjedhjes së klasës drejtuese asaj që filozofi John Rawls e quan “lotaria natyrore”, domethënë pikërisht atyre kushteve fatlumë të trashëguar që në lindje – klasa sociale, etnia, gjinia – që nuk duhet të merren në konsideratë. Sigurisht, këto duhet të integrohen me cilësi të tjera subjektive, si angazhimi dhe kultura. Por është e qartë se këto nuk janë të pavarura nga të parat, duke qenë se kanë lidhje me kontekstin shoqëror në të cilin maturohen, siç thoshte edhe Rousseau.
Por elementi edhe më distopik – aq sa ta bëjë shoqërinë meritokratike një skenar makthi – në rrëfimin e Youngut është kriteri i matjes së meritës, që konsiston në shkencën e trishtë të koeficientit të inteligjencës (K.I.) Ky i fundit, i zbuluar që në krye të herës çdo pesë vjet, kur përpunohen metodat parashikuese të llojit gjenetik, bëhet i përcaktueshëm që përpara lindjes. Në këtë mënyrë mund të mësosh menjëherë se çfarë lloj pune duhet të përcaktosh, për të sapolindurin kur ky të rritet. Nëse ky është i ëprshtatshëm për një punë intelektuale apo punë krahu, me qëllim që të ndahen që gjatë rrugëtimit shkollor “inteligjentët” nga “budallenjtë”, “dhitë” nga “dhentë”, “gruri” nga “kashta”. Pasi përcaktohet në mënyrë të qartë shkencore merita e individëve, do të shmanget pakënaqësia e të disavantazhuarve. Ata nuk do të mund të ankohen se trajtohen si inferiorë, sepse në fakt të tillë janë. Pasi rregjistrohet K.I. në skedën e gjithkujt, identiteti social do të jetë një herë e mirë i qartë. Ata që, ndryshe nga njerëzit me më shumë merita, do ta kalojnë jetën duke boshatisiur bidonë dhe ngritur pesha, në fund do të mësohen me statusin e tyre dhe ndoshta edhe do të kënaqen.
Tek kjo shoqëri e lumtur meritokratike, ku vetëm në fund duket se shfaqen flakë rebelimi, mbërrihet gradualisht me hapa të ndërmjetëm: fillimisht duke ndërtuar një shkollë superpërzgjedhëse, kundër “besimit të verbër në edukueshmërinë e shumicës”; më pas duke ia nënshtruar dijen e llojit humanistik, asaj të llojit tekniko-shkencor; në fund duke zëvendësuar më të rinjtë me më të moshuarit, që janë më pak të gatshëm të mësojnë e si pasojë, të zbritur në funksione gjithnjë e më të përulur. Rezultati tërësor është zëvendësimi i eficencës me drejtësinë dhe reduktimi i demokracisë në një liberalizëm autoritar.
Këndvështrimi i Young bëhet i qartë në faqet e fundit, ku i referohet një Manifesti imagjinar të Chelseat, jo shumë larg prej projektit të reformave që ai vetë propozonte, ku thuhet se inteligjenca është një funksion kompleks, jo e matshme me tregues matematikorë dhe as e reduktueshme në një shprehje të vetme. Qëllimi i arsimit, në vend që të “margjinalizojë” individët që “piqen më ngadalë”, duhet të promovojë shumëllojshmërinë e sjelljeve dhe qasjeve, sipas idesë që çdo qenie njerëzore ka një talent të ndryshëm, por jo domosdoshmërisht më pak e denjë se të tjerat. /il giornale/
shqiperoi/www.bota.al

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi