Auditimi dhe sfida me emrin “antikorrupsion”
Nga Albana Gjinopulli, botuar në Shqiptarja.com, 22 dhjetor 2014
Korrupsioni është si kanceri për një vend dhe nuk ka komb që të mund të përballojë kostot sociale, politike dhe ekonomike që ai shkakton. Nëse rrënjët e këtij djalli nuk shkatërrohen, ai ka tendencë të rritet gjithnjë e më shumë, dukë gllabëruar themelet gjithshkaje që është ndërtuar e zhvillohet. Korrupsioni nuk helmon vetëm vetveten por ai është infeksion dhe si i tillë ka aftësinë të tundojë dhe të tjerët përreth që të bëjnë të njëjtin mëkat. Në një ambient korruptiv, jo vetëm kush merr duhet të dënohet por dhe ata që ofrojnë, pasi këta të fundit inkurajojnë dhe nxisin të keqen tej kufijve ekzistues.
Lord Akton ka thënë “pushteti ka tendencë të korruptojë, pushteti absolut korrupton absolutisht”. Korrupsioni nuk bën dallime ekonomike, ai infekton të gjitha format e qeverisjes, dobëson dhe ul besimin e publikut në institucionet publike dhe çon drejt shkatërrimit të shtetit ligjor, devijon shpërndarjen e burimeve, minon konkurrencën në treg dhe ka efekt shkatërrues mbi investimet, rritjen dhe zhvillimin. Ai vendos gjithashtu në mënyrë të pabarabartë çmim më të lartë mbi të varfrit, duke u mohuar tyre të drejtën për shërbime bazë jetësore.
Sfidat e auditimit në ambientin ku korrupsioni është i pranishëm
Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, mashtrimi dhe korrupsioni përfaqësojnë një nga sfidat më serioze me të cilën përballet komuniteti mbarëbotëror. Sot kostot ekonomike, sociale dhe politike që ky fenomen sjell janë të jashtëzakonshme dhe prekin çdo nivel të shoqërisë si në vendet e pasura ashtu dhe të varfra, megjithëse të dhënat tregojnë se këto të fundit i vuajnë në mënyrë më të egër pasojat.
Sidoqoftë është me vend të alarmohemi lidhur me këtë fenomen.
Roli i Auditimit të Lartë Shtetëror mund të ndryshojë në mënyrë të konsiderueshme, në varësi së mandatit dhe legjislacionit kombëtar. Për më tepër, duhet theksuar se krahas KLSH ka dhe institucione te tjera që kanë si qëllim luftën kundër korrupsionit. Për disa prej tyre roli dhe përgjegjësia shkojnë përtej atyre që KLSH ka lidhur me zbulimin e mashtrimeve dhe korrupsionit. Megjithatë është shume e rëndësishme që audituesit të jenë të mirëndërgjegjësuar për mandatin e tyre për standardet që ata përdorin dhe legjislacionin përkatës kombëtar lidhur me luftën kundër mashtrimit dhe korrupsionit.
Gjithashtu është thelbësore, që ata të kenë njohuri të mira rreth procedurave për raportimin rasteve të konstatuara, pra procedurat se ku dhe çfarë duhet të raportohet , ku dhe si duhet të raportohen rastet, kur dyshimi për korrupsion dhe mashtrim është i pranishëm.
Korrupsioni pengon cilësinë e shërbimit të auditimit dhe dobëson institucionet e qeverisjes së mirë. Ai nuk bën dallim , sulmon si strukturën e sektorit publik ashtu dhe bizneset private. Korrupsion është vjedhje ndaj qytetarëve apo kompanive të një vendi.
Një ambient i mbushur me korrupsion vendos plot sfida për profesionin e audituesit. Praktikat korruptive në mënyrë të pashmangshme janë kundër punës audituese duke çuar gjithnjë e më poshtë besueshmërinë dhe rëndësinë e raporteve të auditimit e cila jep efekte akoma dhe më gjerë në humbjen e reputacionit dhe të besimit për profesionin e auditimit në përgjithësi.
Korrupsioni është një fenomen mjaft kompleks. Shume prej veprimeve korruptive ndodhin në forma jo zyrtare ( të pashkruara) dhe nën mbulesën e errët të kontakteve të fshehta. Ka raste kur ai nuk kërkon te thuhet as edhe një fjale. Thjesht kontakti i syve mund te vendose një lidhje korruptive.
Audituesit e gjejnë veten të kryqëzuar me qëllimet e shoqërisë. Pritshmëritë e shoqërisë shkojnë përtej rolit efektiv në uljen e korrupsionit deri në eliminimin e tij. Audituesit, profesioni i të cilëve i bën ata të përqendrohen në evidencat, të dhënat fizike dhe dokumentacione, prandaj shpesh e kanë shumë të vështirë tí gjejnë praktikat që mbartin raste korruptive të shkruara. Në këto raste ndjehen të pafuqishëm, ndjejnë se nuk mund të bëjnë shume kundër korrupsionit. Çfarë duhet të bëjnë ekzaktësisht audituesit në të tilla situate.
Në ushtrimin e profesionit të tyre , ndërsa punojnë në subjekte qeverisëse dhe burokratike, audituesit mund “të nuhasin”korrupsionin, por ndjehen të padobishëm për ta adresuar atë. Atyre u mungojnë mjetet për të shikuar të “padukshmen”për të dëgjuar “memecen”që të mund të marrin në dorë problemin.
Audituesit e dinë se ata nuk mund të shohin e prekin fizikisht të gjithë transaksionet dhe të gjithë situatat. Në mënyrë të ngjashme audituesit ndodhen para situatave të tilla në çështje të korrupsionit politik, social bile dhe kulturor. Edhe nëse i përjashtojmë këto fusha , audituesit përballen me korrupsionin në zyrat e institucioneve publike të cilat bien në rrjetën e rutinës së punës së përditshme audituese. Mund të ketë dhe situate kur në sektorin publik ku ligjet dhe rregullat janë shumë të rrepta, pra konsiderohen se rrallëherë mund të dështojnë, përsëri korrupsioni lulëzon si rezultat i implementimit të dobët të këtyre rregullave.
Ky është rasti kur audituesit mund të vënë gishtin mbi këto dobësi si një burim potencial për korrupsion. Ligjet dhe rregullat apo dhe standardet operacionale të subjekteve publike shpesh lënë hapësira apo mangësi, të cilat krijojnë mundësi për korrupsion apo dhe të mbrojnë korrupsionin.
Audituesit e sektorit publik përballen më një sfidë të veçantë në luftën kundër korrupsionit. Mashtrimi dhe korrupsioni kanë efekte gërryese, veçanërisht në vendet në zhvillim ku dhe qytetarët janë më të varfër. Korrupsioni nuk ka kufij dhe shpërndahet në të gjithë botën, edhe në vendet që janë konsideruar “të pastra”. Dhënia e ryshfeteve, mashtrimi financiar dhe korrupsioni janë bërë problem dhe shqetësim konstant i ligjvënësve në mbarë globin, përderisa shpërdorimi i fondeve publike dëmton kontrollin parlamentar si dhe “thesin e parave publike”. Ky shpërdorimi i fondeve publike grabit dhe plaçkit burimet publike duke penguar që të prodhohen të mirat që ishin parashikuar të realizoheshin me këto burime.
Sigurisht që ekzistojnë rregulla dhe norma të sjelljes dhe etikës që drejtojnë sjelljen e nëpunësve publikë në vendet në zhvillim, por procesi i korrupsionit është shumë i padukshëm duke lenë shumë pak apo aspak prova të dokumentuara.
Rastet e korrupsionit të sjella në vëmendje rrallë janë marrë seriozisht dhe pjesërisht për këtë arsye shoqëria sikur është bërë më tolerante ndaj korrupsionit. Përgjegjësia i mbetet vetëm “peshqve “të vegjël , ndërkohë që peshqit e mëdhenj mbeten të pa prekur. Kjo është një situatë që krijon efekt mjaft demoralizues për audituesit të cilët besojnë se është e padobishme të zbulosh dhe të raportosh korrupsionin në një vend ku shkalla e përgjegjshmërisë është e ulet.
Mashtrimi dhe korrupsioni në sektorin publik bëhen të pranishme atëherë kur përgjegjshmëria dhe transparenca mungojnë. Raportimi dhe auditimi i mirë financiar ndihmojnë në zvogëlimin e keqdeklarimeve të cilat fshehin veprimet mashtruese dhe kequdhëzojnë dhe shtrembërojnë drejtimin e përdoruesve të raporteve të auditimit. Auditimi ofron sigurinë e dëshiruar që raportet dhe deklarimet e tjera financiare apo jo financiare mund të jenë të besueshme dhe pasqyrojnë me vërtetësi rezultatet e veprimtarisë së subjektit të auditor publik. Auditimi mund të sjellë ndryshime të rëndësishme dhe konstruktive me raportimin dhe rekomandimet e tij, nëse këto të fundit janë të dobishme, të zbatueshme dhe në kohë.
Ekziston një mangësi midis pritshmërive të palëve të interesuara dhe mandatit të auditimit përsa i përket zbulimit të mashtrimit dhe korrupsionit. Tradicionalisht , se përgjegjësia kryesore për parandalimin dhe zbulimin e korrupsionit u përket organeve të posaçme të administratës publike si policia apo njësitë antikorrupsion. Auditimi nuk e ka parë goditjen e korrupsionit si qëllimin;qasja ka qenë për të parandaluar korrupsionin në fushë e jo zbulimin e aktiviteteve të paligjshme.
Megjithatë publiku beson se audituesit duhet të kërkojnë të zbulojnë mashtrimin dhe korrupsionin. Ky është hendeku që tashmë pritet të adresohet nga auditimi publik , i cili duhet tí vendosë më shumë theks zbulimit të mashtrimit dhe korrupsionit dhe të tkurrë këtë hendek midis pritshmërive dhe traditës.
Audituesit duhet që në vazhdimësi të luajnë rol aktiv në rritjen ë ndërgjegjësimit rreth risqeve të mashtrimit dhe korrupsionit dhe të nxisin qeverisjen e mirë dhe standardet e sjelljes së mirë, por kjo kërkon që ata të shkojnë akoma më tutje për parandalimin dhe zbulimin e mashtrimit. Indeksi i korrupsionit të publikuat nga Transaprency International tregon rritje të konsiderueshme gjatë viteve të fundit dhe profesionistët mendojnë që ka tendencë në rritje. Kostoja për publikun dhe bizneset mund të matet me sasinë e krimeve ekonomike-financiare që nuk raportohen.
Pikërisht këtu auditimi mund të ndikojë në uljen e kostove të korrupsionit. Gjithkush duhet të kuptojë se mashtrimi nuk është një krim pa viktima. Kostoja e mashtrimit dhe vjedhjes shpërndahet ndërmjet të gjithëve. Nëpërmjet vendosjes së kontrolleve të përshtatshme, kërkesave më të rrepta ndaj audituesve, kërkesa për zbatimin e kodit të etikës dhe rritja e integritetit janë hapat që duhet të ndërmerren për intensifikimin e luftës kundër korrupsionit.
*) MPA, CIPFA Kontrolli i Lartë i Shtetit