Absurdi i një marrëveshjeje PD–PS

Nga Roland Lami, botuar në Mapo Online, 22 dhjetor 2014

rama-basha-cfare-shikimi1Këto ditë është pritur me shumë interes vizita e përfaqësuesve të lartë të PE për të finalizuar marrëveshjen ndërmjet dy forcave kryesore politike, me synimin final, kthimin e normalitetit në parlament. Ajo çfarë mbetet interesante për t’u analizuar në këtë rast janë disa fenomene të njohura edhe më parë.

Së pari, pesha e faktorit ndërkombëtar vazhdon të mbetet decizive në zgjidhjen e krizave që subjektet politike i krijojnë njëri-tjetrit. Pavarësisht se përfaqësuesit e lartë të PE nuk janë mandatuar për të folur në emër të publikut dhe ajo që është më e rëndësishmja, nuk kanë tagrin për të zgjidhur ngërçe që kanë natyrë juridike, roli i tyre mbetet parësor.

Anashkalimi i institucioneve vendase dhe injorimi i ligjeve që i kanë aprovuar po vetë subjektet politike duke e pritur zgjidhjen nga përfaqësuesit e lartë të PE-së, i japin statusin sui generis këtyre të fundit. Për opozitën, përsa kohë mazhoranca nuk respekton rregulloren e parlamentit dhe vendimet e gjykatave detyrohet të besoj tek marrëveshja e monitoruar nga ndërkombëtarët që të detyrojë këtë të fundit të zbatojë ligjin. Bëhet marrëveshje për të zbatuar ligjet – një absurd tipik shqiptar.

Së dyti, taktikisht, opozita insiston në një marrëveshje të formalizuar nga ana e mazhorancës në sytë e ndërkombëtarëve dhe publikut, pavarësisht se kjo e fundit ka rënë dakord për plotësimin e këtyre kërkesave. Ajo çfarë është interesante në këtë rast është fakti se ndërtohet një marrëveshje për të zbatuar ligjet që kanë aprovuar vetë, kur ndërkohë, zbatimi i tyre nuk lë vend për interpretime apo marrëveshje që plotësojnë këto ligje, pasi janë detyrime ligjore dhe kushtetuese.

Veçojmë këtu kërkesën për ngritjen e komisioneve parlamentare nga ana e minorancës, respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë linjë arsyetimi ka të drejtë kryeministri kur shprehet se nuk e di çfarë kërkon opozita dhe pse duhet të ketë marrëveshje. Mirëpo absurdin e ka krijuar vetë kryeministri, pasi duhet thjesht të zbatojë ligjin dhe jo të detyrojë opozitën të propozojë një formë tjetër që dublon ligjin apo i jep me shumë forcë detyruese zbatimit të tij. Në njëfarë mënyre absurdi ka prodhuar absurdë.

roland-lami1Së treti, palët tentojnë të diktojnë kulturën e zbatimit të ligjit, ndërkohë që sjelljet e tyre tregojnë për të kundërtën. Parimi mos bëj si bëj unë, por bëj si them unë, materializohet shumë mirë tek të dyja forcat kryesore politike. Mazhoranca nën moton të vendosim kulturën e zbatimi të ligjit, merr masa represive ndaj çdokujt që shkel ligjin, e në krahun tjetër shkel vetë ligjin.

Në njëfarë mënyre, u kërkon qytetarëve të bëjnë atë gjë që nuk e bën vetë. Shkelja e rregullores së parlamentit dhe moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Administrative dhe Kushtetuese janë disa prej tregueseve që tregojnë për dy standarde. Po ashtu, opozita në krahun tjetër vendos si kriter respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë nuk njeh vendimin e fundit që ka të bëjë me hartën e re administrative- territoriale.

Së katërti, tek kjo marrëveshje del në pah fenomeni deja vu i politikës shqiptare. Opozita ndër kërkesat e saj rendit dhënien e të drejtës së kryetarit të grupit parlamentar ose një eksponenti tjetër të mandatuar nga grupi parlamentar i PD për të marrë fjalën sa herë flet kryeministri. Një kërkesë e ngritur kohë më parë nga opozita e djeshme dhe e kundërshtuar nga mazhoranca e djeshme.

Sot, është opozita që rimerr të njëjtën kërkesë dhe mazhoranca (dje në opozitë) e kundërshton me të njëjtat argumente (që dje e kundërshtonte mazhoranca). Pra, aktorët politikë thjesht kanë ndryshuar pozicionet, por argumentet janë po ato.

Së pesti, e vetmja kërkesë që mund të konsiderohet me interes publik është kërkesa e dekriminalizimit të parlamentit. Një kërkesë e tillë kur kemi një sistem zgjedhor proporcional rajonal me lista të mbyllura, kërkon rregullimin me ligj të përjashtimit të kandidatëve me precedentë penalë. Kjo për faktin se publiku edhe në rastet kur ka një informacion për kandidatin e një partie nuk mund ta penalizojë me votë, për shkak se pozicioni në të cilin e ka vendosur lideri në listën shumemërore i garanton atij/asaj mandatin.

Kështu që një amendim ligjor për të frenuar mundësinë e personave me të kaluar kriminale në jetën parlamentare bëhet i domosdoshëm. Mirëpo, edhe kjo kërkesë në thelb ka probleme. Së pari, i hiqet e drejta një kandidati që dikur ka kryer një vepër penale apo shkelje administrative dhe për këtë akt atij i duhet të privohet përjetësisht nga jeta politike, pavarësisht se ligjërisht nuk konsiderohet më si i fajshëm. Në këtë rast ligji synon të atakojë një normë kushtetuese. Nëse x person konsiderohet jo ligjërisht i fajshëm, i mbetet publikut ta gjykojë atë për këtë gjë.

Sistemet mazhoritare në rastin tonë, zgjedhjet lokale e japin këtë mundësi. Mirëpo problemi që kemi ne si shoqëri është se, edhe në rastet kur kemi informacion mbi të kaluarën e kandidatit, kriteret e vlerësimit nuk bëhen mbi aspektet morale, profesionale apo akademike të kandidatit/es por cilësitë pragmatiste të tij/saj.

Në njëfarë mënyre, është grupi social i inkriminuar që voton të ngjashmin e tij, jo e kundërta. Nëse do të kishim një shoqëri me disa norma morale të caktuara, nuk do të ishte e nevojshme të rregullojmë me ligj një gjë që bie në kundërshtim me parimet kushtetuese, pasi ekzistojnë mekanizmat për ta penalizuar atë. Qoftë në rastin e garimit për zgjedhje lokale ku penalizohet kandidati, qoftë në zgjedhje parlamentare, ku mund të penalizohet subjekti politik. Mirëpo këto vite na kanë treguar se grupe të caktuara sociale nuk kanë ndjeshmëri për këtë pjesë, kështu që rregullimi me ligj bëhet i nevojshëm.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi