Strategjia e munguar për shtetin modern

Nga Romeo Gurakuqi, botuar në Panorama Online, 19 dhjetor 2014

romeo-gurakuqiKoha në të cilën po jetojmë po e përforcon edhe me tepër bindjen se Shqipëria e ka të vështirë të përparojë në demokraci dhe liri pa një mbështetje të fuqishme politike dhe ekonomike nga jashtë, pa një monitorim të partnerëve perëndimorë dhe pa ndërmarrjen e disa reformave modernizuese në sistem, që do të konsolidojnë demokracinë, parlamentarizmin, rendin e lirisë dhe ligjit, të mbështetur në një konsensus të gjerë të brendshëm, gjithëpërfshirës, jo edhe aq partiak. Jemi një vend pa një sistem ekonomik të impostuar në një terren real dhe për rrjedhojë të pamjaftueshëm, të cilit, korrupsionet sistematike, nuk i japin qëndrueshmëri sistemit politik dhe nuk i imponojnë qëndrueshmëri jetës sociale. Tre muajt e fundit të vitit 2014 treguan qartë se jemi një komb pa udhëheqësi të kthjellët politike, që rend e rend turbullt në kënetën e cekët shqiptare dhe detin e trazuar ballkanik, pa një strategji të menduar reformuese për krijimin e një Shteti e Kombi modern dhe serioz. Edhe kësaj radhe, ky vend po vuan nga drejtime politike papërshtatshme, me formime të cunguara në kulturën demokratike, liberale, sociale mbi shtetin e perëndimizuar, që në forma ciklike po sorollatin të ardhmen e tij. Kur të gjithë këtij boshllëku formativ në lidership u shtohen: a. frymëzimi komunist, nostalgjia për kujtimin e etërve vrastarë të kombit shqiptar 1944-1990; b. përpjekja konstante korruptive e ndërtimi i grupimeve të kastës selektive; c. dhunimi i të drejtave të punësimit e përfaqësimit të barabartë krahinor e social, e ardhmja duket krejt e zymtë, pretendimet për reforma dhe ndërtimin e një shteti modern, si tallja e radhës me një popull të vonuar në histori, për arsye te brendshme të mungesës së kohezionit politik dhe kulturor.

Modernizimi shtetëror nuk ka asnjë lidhje me dhunën disproporcionale, e zhbalancuar të organeve policore. Ajo është vetëm një fushatë e drejtuesve të dëshpëruar partiakë, që ndodhen nën stresin e arritjes së objektivave politikë individualë me çdo kusht, pa një plan reformash të sistemit bazor konstitucional, pa një strategji të përllogaritur teknikisht në perspektivë. Vetëm më reformën e parë që kanë bërë, ekipi i sotëm drejtues e ka ndarë kombin në pjesë të privilegjuara dhe jo të privilegjuar, mbi bazën domenëve elektoralë partiakë. Kjo sipërmarrje do të rezultojë, ose me instalimin e një kaste shtypëse komunistësh të rinovuar me një koperturë modernizuese, që do të përdorin me kujdes dhunën në underground; ose do të rezultojë me dërgimit e vendit në kaosin e radhës dhe shpërbërjen e rendit të gjërave në Shqipëri. Kjo ecje kështu e pozitës zhvillohet ndërkohë që opozita nuk arrin dot të krijojë një ekip të spikatur të një shadow governement, ekspertësh administrativë, një opozitë që mbyll hapësirat e lirisë së saj të brendshme organizative dhe që lë në hije edhe ato pak njerëz me vlerë që ka brenda saj përmes votimeve të pilotuara dhe të kontrolluara; një opozitë që nuk din të nuhasë e shfrytëzojë edhe avantazhin e ndjesisë popullore dhe prirjes së përgjithshëm për krijim të shtetit serioz; një opozitë që nuk prodhon ekspertizë, që nuk ka plane konkrete të bëra publike dhe as edhe një zgjidhje adekuate për reformat.

Shqipëria ndodhet vërtet në një udhëkryq historik dhe rendet mes tri alternativash, të imponuara nga rrethi fatkeq ku e ka futur politika: 1. krijimit të një shteti policor majtistësh me koperturë modernizuese dhe demokratizuese; 2. rikthimit të shtetit tallava, kaotik dhe rural; 3. apo modernizimit të njëmendtë shtetëror, liberalizmit, demokratizimit të mëtejshëm dhe afirmimit të shtetit social të së drejtës. Detyra historike e munguar e klasës politike shqiptare në fakt është opsioni i tretë dhe unë dua të besoj se angazhimi i Kryeministrit për krijimin e shtetit modern, është një sipërmarrje serioze, pavarësisht se indikacionet më të fundit të veprimtarisë së qeverisë së tij, të lidhura me terrenin që u ka dhënë klientelizmit komunist dhe neokomunist në këshillim dhe vendimmarrje, reformimin territorial përçarës, antidemokratik e jopatriotik, përdorimin e ngjashëm politik të shtetit policor etj., ma zbehin, në mos ma hedhin poshtë teorikisht dhe praktikisht këtë dëshirë, shpresë e aspiratë të drejtë të publikut. Unë jam i një mendjeje me divizën e hedhur së fundmi që Shqipëria ka nevojë për të ndërtuar shtetin modern, i munguar për shkak të ndërprerjeve antidemokratike, herë pas here, edhe nga të gjithë, përfshirë edhe këtë qeveri. Por, nga ana tjetër më duhet të shtoj se, për të fillue me e ba këtë, Shqipëria ka nevojë për sjellje njëfaqëshe, të drejta e të ndershme; ka nevojë për një ekspertizë akademike konstitucionale, administrative dhe mbi të gjitha ekonomiko-financiare, munguese deri më tash në të gjithë udhëheqësinë aktuale të qeverisë. Mbi të gjitha qeveria aktuale ka nevojë të nxjerrë jashtë drejtimit të saj politike, mamuthët e korrupsionit tradicional e këshilltarët komunistë dhe të hapë rrugën për gjithëpërfshirje të atyre forcave të pakta akademike që ka ky vend, pa dallim politik, për integrim në këtë sipërmarrje bazore. Kryeministri mendoj se duhet ta këtë të qartë që afirmimi i shtetit modern, social të së drejtës në Shqipëri, do të ndërmerret, në një vend me një evolucion të ndërprerë në fillesë të shtetit liberal, nga një diktaturë e ashpër kriminale komuniste dhe me një ripërtëritje liberalizuese postdiktatoriale që promovoi kaosin në vend të lirisë nën ligj. Për rrjedhojë, bazamenti nga i cili merr thelbësisht karakteristikat moderniteti shtetëror në Shqipëri, është mungues dhe qeveria aktuale ka mbi supe edhe një kastë të tërë komunistësh intransigjentë, që do të rendojnë edhe më shumë mbi pavendosmërinë dhe pamjaftueshmërinë filozofike, politike, demokratike dhe liberale të udhëheqësisë.

Kryeministri ynë i nderuar, mbas një përvojë 19-mujore në pushtet, ka nevojë të ndërrojë qasje, të rreshtojë masa dhe reforma mbi një linjë logjike të atillë përshtatshmërie, që kanë nevojë ndryshimet e sistemeve, dhe mos të ngatërrojë forcën e veprimit administrativ të shtetit dhe dhunës që shteti ushtron për shtypjen e sjelljeve shoqërisht të rrezikshme, me konceptim e reformës modernizuese shtetërore. Shumë e rëndësishme në parapërgatitjen e reformës modernizuese shtetërore është klima e lirisë politike që i paraprin krijimit të atmosferës demokratike. Kjo do të thotë: para së gjithash me e dashtë vendin dhe popullin tand dhe me i buzëqesh sinqerisht ma shumë; me denue krimet e komunizmit me rastin e 70-vjetorit të instalimit të vëllavrasjes; mos me ndërhye në formë presive dhe me respektue heshtjen politike, orë dhe ditë para vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, në një moment kyç për të ardhmen e një prej reformave më të debatuara; me i shtri dorën e sinqertë bashkëpunimit opozitës në procesin e rikthimit të normalitetit të parlamentarizmit, qoftë edhe me lëshimin e ridiskutimit të metodologjisë së përdorur për ndarjen territoriale, apo edhe me pranue respektimin nga ana e pozitës të konsensusit të vitit 2013 për ligjin mbi administratën publike; me rikthye në administratë të gjithë punonjësit me statusin e nëpunësit civil dhe me shkollime në universitetet elitare perëndimore, që janë pushue nga puna për t’u hapur rrugën militantëve të ekstremit majtist e enverist. Në fund fare, klima e re modernizuese kërkon dorëheqje nga taktikat administruese të shtetit policor, rikthim në administrimin e një shteti kushtetues e parlamentar dhe garantim të lirisë nga ndërhyrja e pajustifikuar. Perceptimi kulturor i dallimit në mes mekanizmave juridikë dhe atyre ekstrajuridikë të caktimit e administrimit të pushtetit, është karakteristika themelore e kulturës juridike të botës së europianizuar, që ndahet qartazi me botën postkomuniste ballkanike.

Këto në këndvështrimin tim janë kushtet paraprake për ndërmarrjen e reformave modernizuese: Një shtet modern reformën do të duhet ta nisë me ridimensionimin e detyrave të shtetit:

1. Shteti destinohet në garantimin e rendit dhe sigurisë, të praktikave e politikave jo-intervencioniste në ekonomi, duke zgjeruar sferën e subjekteve të destinuara të të drejtave dhe lirive të garantuara dhe duke njohur forma të reja të “lirisë në shtet” (të drejtat politike: lirinë, barazinë e votës dhe të organizimit në parti që funksionojnë në forma demokratike jo autoritariste dhe joklienteliste) dhe “lirisë nëpërmjet shtetit” (të drejtat shoqërore; shëndeti publik, arsimimi dhe mbështetja shoqërore).

2. Një vend jo aq paqësor në vetvete në planin e brendshëm social ka nevojë për një kushtetutë të shkruar hollësisht, me një sistem të vërtetë të drejtësisë dhe për një sistem qeverisës më me shumë pushtete të zgjedhura drejtpërdrejt nga populli, për të balancuar pushtetin e një Ekzekutivi që historikisht, çdo mandat, priret gjithnjë e më shumë për të marrë pushtete që nuk i takojnë dhe për të ndërhy në institucionet e pavarura, duke abuzuar me pushtetin më të lartë të Parlamentit, që është ndërtuar i bazuar në një maxhoranca të sajuara nga një ligji elektoral klientelist dhe jo realisht përfaqësues, jo aq balancues dhe jo aq i lirë konkurrencial.

3. Një kushtetutë që nuk përkufizon në mënyrë të qartë kufijtë e pushtetit dhe parashikimet, që ndalojnë një institucion nga ushtrimi i pushteteve të një tjetri, është një kushtetutë jo qartësisht në përputhje me doktrinën e ndarjes së pushteteve dhe për rrjedhojë ka nevojë të rindërtohet.

4. Procesi i rishkrimit të Kushtetutës do të duhet të nisë nga një preambul kushtetutare, e cila do të përfshijë pjesën më të madhe të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (ECHR) brenda ligjit të brendshëm shqiptar, pavarësisht që një nen i saj e imponon këtë. Kjo sepse praktikat më të fundit të sjelljeve governative, kanë treguar se qytetarët, edhe pse i kanë të garantuara liritë negative, d.m.th. liritë nga ndërhyrjet e pajustifikuara, organet ekzekutive nuk ia respektojnë. Modernizim do të thotë një qeverisje e bazuar mbi të drejtën. Parimi i ligjshmërisë kërkon që organet e qeverisë të veprojnë nëpërmjet ligjit dhe së drejtës. Në qoftë se policia ka nevojë të burgosë një qytetar, ose e ka e nevojshme të vjelë taksa dhe detyrime të prapambetura, zyrtarët e interesuar qeveritarë duhet të jenë në gjendje të tregojnë autoritetin ligjor për veprimin e tyre, pa shkelur Kartën e Lirive dhe duke mbajtur parasysh rekordet pararendëse të plotësimit të detyrimeve shtetërore. Këto argumente janë të përforcuara prej faktit që e drejta për një gjykim të ndershëm është e mbrojtur prej European Convention on Human Rights, neni 6.

5. Afirmimin e parimit demokratik të sovranitetit popullor, që garanton pjesëmarrjen politike të qytetarëve nëpërmjet instituteve tradicionale të demokracisë përfaqësuese. Afirmimi i pluralizimit, d.m.th. njohja dhe promovimi i autonomisë së formacioneve shoqërore e kulturore, d.m.th. bashkësitë e ndërmjetme në mes individit dhe shtetit, bashkësive territoriale, duke respektuar historinë dhe etnografinë e këtij vendi.

Parimi që qeveria duhet të jetë e drejtuar sipas së drejtës është një çështje shumë e rëndësishme. Shqiptarët kanë nevojë për një qeveri që ndërhyn në mënyrë konkrete në sistem, për përmirësimin e tonit të jetës së të gjithë popullsisë, duke mbështetur përfshirjen shoqërore dhe ekonomike të atyre që nuk arrijnë një nivel të ardhurash minimale, dhe jo aq për një qeveri që shkel të drejtat negative dhe nuk kujdeset për jetët e mijëra e mijëra njerëzve të varfër të këtij vendi dhe krahinave që edhe më tutje, me këtë ndarje territoriale, do të mbesin edhe më tutje xhepa të varfërisë. Shteti modern shqiptar do të duhet të konfigurohet si shteti i së drejtës dhe i mirëqenies sociale, i reformuar në mënyrën e ndërtimit të autoritetit shtetëror, balancimit të Ekzekutivit përmes një kontrollueshmërie të dyfishtë të prejardhur nga vota popullore, reformimit të sistemit të drejtësisë, duke shmangur ndërhyrjen governative dhe duke respektuar organin përfaqësues të unitetit në kombit dhe çlirimit të energjisë politike nga kontrolli jodemokratik i partive të korruptuara politike.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi