Modelet shoqërore
Nga Ilir Kalemaj, botuar në Ballkanweb, 18 dhjetor 2014
Një nga problemet më pak të diskutueshme janë modelet që riprodhohen strukturalisht, nga institucione të tilla si familja, shoqëria shkolla apo media, të cilat në shoqërinë post-industrialiste ku jetojmë janë duke sendërtuar njeriun e ri. Ky njeri i ri që jeton dhe vepron në dimensionet e një shoqërie konsumi, është gjithnjë e më tepër i varur nga një sistem të cilin pak arrin ta kontrollojë. Sasia e punëve dhe informacionit me të cilat përballet sot është e shumëfishtë krahasuar me çdolloj periudhe të mëparshme të zhvillimit shoqëror. Stresi, sëmundjet moderne, koha e paktë në dispozicion, faturat në rritje dhe kompleksiteti i jetës në përgjithësi, e bëjnë thuajse të pamundur emancipimin e mëtejshëm të qenies njerëzore. Kjo të paktën për filozofë aq të ndryshëm sa Henry Thoreau, Bertrand Russell apo Marx, që do kishin rënë dakord se parakusht i patjetërsueshëm është vënia e kohës në dispozicion të individit dhe jo e anasjella, pra që individi të shndërrohet në skllav të kohës. Vetëm kështu mund të arrihet ai emancipim që është rezultat i lirisë plus kënaqësisë utilitare që sjell koha për të menduar, reflektuar, arsyetuar dhe riprodhuar në mënyrë shoqërore. Njeriu si ‘kafshë politike’ – nëse përdorim një gjuhë aristoteliane – që nuk ekziston thjesht dhe vetëm në kufijtë margjinalë të ‘ekzistencës së vetëmjaftueshme’ (bare existence), siç do shprehej Agamben.
Modelet shoqërore, koncepti i familjes tradicionale, roli i fesë dhe moralit, edukimi formal dhe forma të tjera të disiplinimit kolektiv janë duke humbur terren ndaj lirisë anarkike me individin në qendër. Liria e qenies njerëzore, dhënia e mundësive individit për të bërë zgjedhjet e tij/saj duke i marrë njëkohësisht pjesë të pushtetit komunitetit, qoftë ky shtet, institucion fetar, shkollë, fis apo familje, është një trade-off që shpesh është shoqëruar me lindjen e globalizmit dhe sistemin dominant të demokracisë liberale. Këto në vetvete janë bazuar në triumfin e mendimit racional, parimet e shekullarizmit, konstitucionalizmin, shenjtërinë e pronës private, e të drejtave të pakthyeshme si e jetës, shprehjes dhe besimit, ndarjen e pushteteve e me radhë. Kjo lloj e-demokracie, e-politike dhe e-ekonomie ku jetojmë sot, në epokën virtuale të informacionit dhe të know-how, është sa nxitëse për zhvillim të përgjithshëm socio-ekonomik, aq edhe deprimuese për vlera të caktuara, të cilat shpesh burojnë nga faktorët e përbashkët që na lidhin me njëri-tjetrin. Pra, me fjalë të tjera, është liria e individit përkundër vlerave të përbashkëta shoqërore. Është në njëfarë mënyre si përshkrimi që i bën Thomas Freedman globalizimit, kur në mënyrë metaforike i quan këto të dyja si “Leksusi përkundër Pemës së Ullirit”. Leksusi në këtë figuracion letrar përfaqëson shpejtësinë me të cilën lëviz treni i globalizimit, ndërsa “pema e ullirit” vlerat tradicionale që mbajnë shoqëritë bashkë.
Për të kaluar nga ky nivel disi abstraksionist i diskutimit në një realitet më empirik, nëse shohim zhvillimet e të paktën dy dekadave të gjysmëanarkisë, gjysmëdemokracisë nëpër të cilat kemi rendur, mund të vëmë re përçudnimin e disa institucioneve tradicionale, ndërkohë që të tjera janë rivitalizuar. Për shembull, të gjithë mund të jenë dëshmitarë të faktit që familja tradicionale është në shpërbërje e sipër. Divorcet me shpejtësi po kapin trende evropiane, ku më tepër se një në tri çifte të reja nuk po rezistojnë dot më tepër se tri vite martesë. Institucioni i edukimit formal gjithashtu ka humbur terren ndjeshëm ndaj presioneve shoqërore dhe rolit gjithnjë e në rritje të masmedias, internetit dhe relativitetit që po pëson sistemi i vlerave në përgjithësi. Për të mos folur pastaj për degradimin e cilësisë së sistemit shkollor, qoftë parauniversitar (sikundër dëshmonte një raport i vendeve të OECD-së ku ishim diku nga fundi), qoftë universitar, ku kërpudhizimi i universiteteve nuk shërben aspak për të shitur sapunin për djathë.
Nga ana tjetër, paralelisht me këtë ka ardhur fuqizimi i institucionit të besimit fetar, i lidhur veçanërisht me shpërhapjen e shpejtë dhe pluralitetin të kulteve të besimit. Pas më tepër se katër dekada që nga shpallja e ateizmit dhe nxjerrja forcërisht jashtë ligjit e praktikave fetare, duket se kemi një rikthim të rolit përmbushës shpirtëror dhe moral që luan besimi në jetën e njeriut. Duke rivendosur njëfarë ekuilibri në anarkinë e vlerave me raste të dyshimta që karakterizojnë këtë fazë kalimtare që po zgjat ca si tepër. Një fazë ku kjo anarki shkon kah për kah inflacionit të ideve, kaosit të informacionit dhe relativitetit të principeve themeltare të tilla si drejtësia shoqërore.
Shqiptarët, të lodhur nga sensi komunitar i imponuar me dhunë shtetërore, nga kolektivizimi i detyruar dhe vënia e çdolloj pengese iniciativës individuale, duket se nuk kanë reshtur ende së vlerësuari lirinë personale mbi çdo formë imponimi shoqëror. Kjo nga njëra anë pengon format më elementare të krijimit të rrjeteve komunitare të bazuara në kapitalin social, besimin dhe sistemin e përbashkët të vlerave, por nga ana tjetër, lejon të zhvillohet më tepër shpirti i sipërmarrjes, i konkurrencës dhe i realizimit së prirjeve egoistike që shoqërojnë njeriun në gjendje natyrore. Në disa aspekte duket se jemi përshtatur me dinamikën e globalizimit dhe modelin kapitalist të të menduarit, vepruarit dhe punuarit (apo minimalisht jemi në përshtatje e sipër), ndërsa në të tjera ndajmë elementë mjaft të rëndësishëm të jetës komunitare ku roli i familjes, me gjithë metamorfozën, mbetet ende thelbësor.
Por ende kemi mungesa themeltare sido që të mundohesh që ta shohësh gotën gjysmëplot. Nuk jemi as konkurrues në ide, inovacion dhe praktika, nuk kemi as etikë të punës dhe sjellje morale të shëndosha. Nuk kemi as ritmin me të cilin duhet të punojë një sistem kapitalist, aq më tepër vend në zhvillim, as strukturën apo bazën shoqërore ku rriten ideale apo modele të përbashkëta që çojnë drejt një paqeje sociale. Përkundrazi, edhe masmedia, veçanërisht bota televizive ushqen modele të mbrapshta, ku shpesh i ngrihet kult përtacisë, sjelljeve konjukturale apo injorancës. Të shohësh shumicën e emisioneve televizive (të cilat në pjesën dërrmuese janë kopjime të dobëta të formateve televizive të vendeve perëndimore), sheh ose kacafytje ‘gjelash’ në arena të improvizuara, ose grupe të rinjsh mbyllur në ‘kafaz të artë’ (të quajtur së fundmi “big brother” pa pikë kreativiteti), ose kumar televiziv që nxit edhe më tej ndjenjën e vrarë të punës në vend. Dhe pafund debate politike që nuk kanë asnjë lidhje me politikat publike.
Roli i cunguar i familjes dhe institucioneve fetare (kuptohet kur këto luajnë rol konstruktiv), është i pamjaftueshëm për të ruajtur një sistem vlerash koherent në shoqërinë shqiptare që ende vuan nga shoku post-traumatik. Fuqizimi i sistemit të edukimit në tërësinë e tij, duke synuar cilësinë mbi sasinë është një prej faktorëve kryesorë që mund të çojë në rritjen e ndërgjegjes qytetare. Kjo e parë në ndërveprim të ngushtë me dijet teorike dhe praktike që shkolla duhet të kryejë si rol parësor në filozofinë dhe funksionet që mbart. Po aq i rëndësishëm është roli i masmedias, veçanërisht asaj me audiencë më të gjerë, që është televizioni, pasi për impaktin që ka sot (ku roli i shtypit të shkruar është duke u rrudhur ndërsa era e internetit nuk ka trokitur ende fuqishëm), është vital në sendërtimin dhe riprodhimin e modeleve të caktuara shoqërore. Që modele të së nesërmes të mos jenë këngëtarja gjysmëlakuriq dhe politikani i korruptuar, por sipërmarrësi i suksesshëm, shtetari i ndershëm apo gazetari i guximshëm, ashtu sikundër shumë të tjerë nga çdo nivel i shoqërisë.