Samiti Ekonomik Kinë-Europa Qendrore dhe Lindore, në Beograd
Beograd, 17/12/2014
Kryeministri Edi Rama kryeson delegacionin shqiptar në Samitin Ekonomik dyditor Kinë-Europa Qendrore dhe Lindore, në Beograd, i njohur si Samiti 16+1, me pjesëmarrjen e kryetarëve të qeverive të 16 vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore dhe Kryeministrit të Kinës, Li Keqiang.
Në ditën e parë të Samit, i treti mes liderëve të këtij rajoni me Kryeministrin kinez, është diskutuar për zbatimin e nismave e projekteve konkrete që mbështesin progresin ekonomik të rajonit.
Liderët e rajonit dhe delegacioni kinez i kryesuar nga Kryeministri Li Keqiang kanë diskutuar eksplorimin e mundësive ekonomike që ofron rajoni si i tërë dhe çdo vend i tij dhe shtrirjen e investimeve kineze në rajon. Si fusha të interesit të përbashkët janë identifikuar infrastruktura rrugore dhe portuale, energjia dhe telekomunikacioni. Projektet me interes të përgjithshëm rajonal si ato për lidhjen rrugore dhe hekurudhore mes vendeve të tij kanë qenë në fokus të Samitit.
Kryeministri Rama e ka konsideruar Samitin me rëndësi madhore për Shqipërinë dhe rajonin, një nismë konkrete për të zhvilluar projekte konkrete bashkëpunimi rajonal. Me palën kineze, Qeveria shqiptare është duke diskutuar edhe një sërë projektesh dypalëshe në infrastrukturë, zonat industriale dhe në sektorin bujqësor për financimin e rehabilitimit të sistemit të ujitjes dhe kullimit.
“Ne sot finalizojmë një përpjekje 1 vjeçare që na ka çuar në një formulë të re inovative për financimin e Rrugës së Arbrit. Formulë që nga Kryeministri kinez do t’i propozohet disa vendeve të tjera që nuk mund të thellojnë borxhin dhe të marrin garancitë sovrane. Nga ana tjetër, kemi një sërë kontaktesh të rëndësishme me të tjerët në rajon, për të folur dhe për finalizuar, shpresoj, një qëndrim të propozuar prej nesh, për të gjithë sistemin hekurudhor të rajonit. Sikundër edhe një sërë projektesh të tjera me palën kineze, në marrëdhëniet mes nesh dhe Kinës, për infrastrukturën, për zonat industriale dhe me shumë shpresë dhe me shumë këmbëngulje për mbështetjen e mëtejshme të rilindjes së bujqësisë, përmes një financimi të ndjeshëm në rehabilitimin e gjithë sistemit e ujitjes dhe kullimit, që për fat të keq është katandisur në një derexhe që nuk thuhet,” – është shprehur Kryeministri Rama në nisje të ditës së parë të Samitit.
Në përbërje të delegacionit shqiptar është edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj dhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim dypalësh me Kryeministrin e Republikës Popullore të Kinës Li Keqiang.
Gjatë këtij takimi, Kryeministri Rama theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën, si në rrafshin ekonomik dhe tregtar, ashtu edhe në atë kulturës dhe arsimit.
Kryeministri Rama kërkoi nxitjen e bashkëpunimit në bujqësi dhe rritjen e investimeve kineze në energji dhe infrastrukturë.
Kryeministri Li Keqiang i vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve të shkëlqyera dhe shprehu kënaqësinë për takimin e tretë brenda një viti me Kryeministrin shqiptar.
Në emër të Qeverisë kineze, Kryeministri Li Keqiang shprehu dëshirën për të rritur importet bujqësore nga Shqipëria, si dhe për të rritur investimet e kompanive kineze në prodhimin e energjisë dhe zhvillimin e infrastrukturës, që do të ndihmonte jo vetëm Shqipërinë, por edhe ndërlidhjen e vendit tonë me akset kryesore në Ballkan dhe Europën Juglindore.
Kryeministri kinez lajmëroi zhvillimin e takimit të katërt mes krerëve të qeverive të 16 vendeve europiane dhe kreut të Qeverisë kineze, takim që do të mbahet vitin e ardhshëm në Kinë.
Kryeministri Rama ftoi Kryeministrin Li Keqiang për të vizituar Shqipërinë në një moment të afërt e të përshtatshëm