Ja si ndryshohet Kushtetuta

Nga Fehmi Avdiu, botuar në Java, 16 dhjetor 2014

Fehmi-Abdiu-webRreth ndryshimeve kushtetuese ka pasur shumë mendime, opinione e propozime këto muaj. Mund të flitet gjatë rreth kësaj teme, por ajo që duhet thënë më së pari është se ka ardhur tashmë koha, për të diskutuar gjerësisht për këtë çeshtje me rëndësi të madhe për shtetin, institucionet dhe të gjithë shqiptarët. Është pra momenti për të folur për domosdoshmërinë e pastrimit, zgjerimit e saktësimit të shumë koncepteve kushtetuese që nuk gjejnë pasqyrim, ose që gjejnë pasqyrim në tekstin egzistues, por nuk janë të saktësuara, konkrete dhe të qarta, qoftë për publikun shqiptar, ashtu edhe për organet e ngarkuara me zbatimin e Kushtetutës.

Drejt një konkluzioni të tillë duket se na shtyn edhe fakti që të tre pushtetet kryesore në Shqipëri, të përfaqësuara nga parlamenti, presidenti dhe kryeministri, por edhe personalitete të fushës së drejtësisë, kanë ardhur në mendimin e përbashkët rreth nevojës dhe pjekjes së kushteve, për të parë me një sy më kritik Kushtetutën aktuale dhe për ta amenduar atë në disa aspekte. Unë i përkas asaj kategorie specialistësh, që prej disa vitesh jemi rreshtuar në favor të nevojës së ndryshimit të ligjit tonë themeltar. Megjithatë ndryshimi i Kushtetutës duhet të bëhet nëpërmjet një procesi të studiuar mirë, afatgjatë dhe gjithëpërfshirës. Them kështu, sepse nuk mund ta konceptoj këtë proces, pa përfshirjen e të gjithë faktorëve kryesorë politikë, institucionalë dhe të shoqërisë civile shqiptare. Çdo ndryshim i bërë jashtë kësaj kornize, do të ishte i gabuar dhe i nxituar. Së dyti, nëse bëjmë arnime, në vend që të bëjmë një amendim të plotë, sërish do të bënim një gabim.

Kush do ta amendojë ligjin themeltar

Ndryshimet e Kushtetutës duhet të synojnë jetëgjatësinë. Pra duhet vepruar sikur këto dispozita të reja do të qëndronin në fuqi për disa dhjetëvjeçarë. Vetëm duke menduar në afat të gjatë, do të anashkalojmë rrezikun e kalkulimeve politike të momentit.

Për të bërëndryshimet kushtetuese duhet rend dhe qartësi organizative. Së pari mendoj se duhet ngritur një komision parlamentar ndryshimesh kushtetuese, ku të bëjnë pjesë deputetë të të gjitha grupeve kryesore. Së dyti, në funksion të këtij grupimi politik duhet të vihen dy grupime specialistësh; një grup ekspertësh ligjorë nga shoqëria civile, ku mesa kam parë Fondacioni Soros dhe shoqata të tjera po bëjnë përpjekje për të dhënë mendime të dobishme, si dhe një grupim tjetër që t’i përkasë institucioneve të vendit, ku të bëjnë pjesë specialistë të mirëfilltë të fushës në fjalë. Harmonizimi i këtyre tre grupimeve do të krijonte mekanizmin e duhur, për të nisur procesin e diskutimit mbi ndryshimet kushtetuese.

Çfarë duhet ndryshuar

Po të marrim në shqyrtim periudhën 15 vjeçare të jetës që ka Kushtetuta aktuale, do të shohim se veç vlerave të rëndësishme që pati ky dokument madhor dhe rezultateve që ai ka dhënë në drejtim të disiplinimit të veprimtarisë së shtetit dhe pushtetit në Shqipëri, në tekstin e saj janë vënë re edhe mangësi apo boshllëqe që lenë vend për keqinterpretime.

Nëse do të kalojmë në planin konkret, më duhet të them se vizioni i ndryshimit duhet të prekë të gjithë korpusin qëndror të ligjit themeltar. Më së pari, duke nisur nga ajo pjesë e Kushtetutës që rregullon funksionimin e Parlamentit.

Demokracia parlamentare e deformuar

Jeta parlamentare, e cila gjen pasqyrim në rregulloren e Kuvendit dhe në Kushtetutë, duhet përsosur. Veprimtaria e parlamentit ka nevojë për ndryshime të dukshme. Mendoj se duhen shmangur disa ndikime negative që ka pasur dhe ka në Shqipëri, sistemi zgjedhor që kemi. Është fjala për kuptimin e përgjithshëm që gjen pasqyrim në Kushtetutë. Sot demokracia parlamentare është e deformuar, në aspektin e mënyrës sesi organizohet shteti dhe sesi formësohet pushteti, nëpërmjet procesit elektoral. Për të mos folur më pas për referendumit, i cili thuajse nuk egziston fare në vendin tonë. Një formë demokracie që mesa duket ne shqiptarët nuk duam ta njohim dhe ta vlerësojmë.

Parlamentarët tanë, me ndryshimet e viteve të fundit, mendoj se janë shkëputur nga zgjedhësit e tyre. Parimit i përfaqësimit është zbehur dukshëm. Me ndryshimin e sistemit zgjedhor, lidhjet e deputetit me zonën e tij kanë humbur, ato nuk janë më të detyrueshme. Ka deputetët që nuk marrin më takime me zonën e tyre, me muaj të tërë. Mjafton të kesh marrëdhënie të mira me titullarin e partisë dhe bëhesh deputet. Kjo inkriminon parlamentin, aq sa kam bindjen se ky parlament ka brenda deputetë të inkriminuar dhe jo në lartësinë e detyrës që mbajnë.

Një kryeministër i gjithëfuqishëm

Aktualisht individët e fuqishëm që drejtojnë forcat politike, konkretisht kandidatët për kryeministër, kanë në dorë të vendosin për të gjithë konstruksionin e parlamentit të ardhshëm. Ata kanë në dorë të gjithë strukturën e qeverisë, drejtuesit e agjencive. Kanë në dorë të influencojnë zgjedhjen e të gjithë krerëve të gjykatave, të guvernatorit të bankës së Shqipërisë, pa folur për Avokatin e Popullit etj. Sipas meje, me këtë sistem zgjedhor që kemi ndërtuar dhe me këtë pushtet të madh që ka personi i kryeministrit, ky pushtet është bërë i pabalancueshëm, në raport me pushtetet e tjera.

Presidenti, pa ligj organik

Figura e presidentit, që në Shqipëri shihet si kreu i shtetit, nuk i qëndron së vërtetës. Së pari, nuk mund të jetë i tillë një president që zgjidhet, sipas Kushtetutës tonë, me mekanizmin që e dimë të gjithë. Krejt të deformuar, pas ndryshimeve të vitit 2008. Në dekadën e fundit formati i presidentit ka qenë i lidhur me personin konkret. Kur ka pasur president që ka kërkuar pushtet, ai e ka marrë atë, kur ka pasur persona më tolerantë, ata e kanë dhënë pushtetit. Kjo është e palejueshme dhe në mënyrë kategorike kompetencat e kreut të shtetit duhet të jenë të përcaktuara në Kushtetutë dhe në ligj.

Nuk kam gjetur deri më sot shpjegime, për një fakt që e kam ngritur shpesh në media. Sipas nenit 6 të Kushtetutës, të gjitha institucionet kushtetuese funksionojnë sipas ligjit të tyre organik, përjashtuar organet që sipas kësaj kushtetute lejohen të veprojnë ndryshe. Është fjala për Parlamentin, që funksionon me rregulloren e tij. Pas 15 vjetësh të gjitha institucionet kryesore i kanë ligjet e tyre organike, përjashtuar institucionin e presidentit. Edhe pse është thënë shpesh që ligji do bëhet, edhe presidenca aktuale duket se ka hequr dorë për të bërë përpjekje për të nxitur miratimin e një ligji të dedikuar. Po të kishte egzistuar ky ligj, shumë mosmarrëveshje që shohim sot, nuk do të egzistonin, pasi shumë çeshtje të karakterit teorik që debatohen sot mes palëve, do të ishin të zgjidhura nga ligji në fjalë. Nuk mund të ketë President pa ligjin e tij bazë.

Gjykatat, gangrena e riparueshme

Problemi i gjyqësorit është edhe më i rëndësishëm, në funksion të ndryshimeve kushtetuese. Sot në Shqipëri gjykatat shihen si delet e zeza, mes të bardhave. Kjo edhe për arsye të mangësive që vihen re në sistemin gjyqësor, të cilat serioze. Së pari mendoj se duhet riparuar ligji për Gjykatën e Lartë. Nuk mund të pranohet që kjo gjykatë të presë dhe shtyjë mijëra çeshtje, duke i mbajtur në sirtar me vite, madje edhe pasi vendimet kanë marrë formë të prerë. Duhen riparuar gjithashtu mangësitë që ka ky institucion në unifikimin e praktikës së gjykatave, a përmendur faktin që për shumë çeshtje s’ka arsyetime vendimesh, s’ka doktrinë e plot probleme të tjera.

Për të zbritur më poshtë në sistemin e drejtësisë, mendoj se është urgjente që të eviutohen kontradiktat në ligjin për ministrinë e drejtësisë, që i jep atributet e kontrollit kësaj ministrie, edhe mbi prokurorinë e përgjithshme. Duhet parë edhe ligji për KLD, si dhe ligji për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor. Këto tre ligje, të mirtuara në kohë të ndryshme nga parlamenti shqiptar, kanë mjaft probleme, dualizëm dhe kontradikta mes tyre, për të cilat edhe BE, Komisioni i Venecias etj, janë shprehur qartë.

Një tjetër aspekt i ndryshimit të ligjit themeltar në fushën e gjyqësorit, është ai i unifikimit të hallkave të kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë dhe të KLD. Nuk mund të ketë dy të tilla, ato duhen unifikuar. Fakti që KLD e ka ushtruar në mënyrë defektoze funksionin e kontrollit, nuk duhet të na bëjë që të lejojmë fragmentarizim të procesit të kontrollit. I cili duhet t’i takojë, sipas mendimit tim, Këshillit të Lartë të Drejtësisë si funksion, pasi kështu e kanë 90% e vendeve demokratike.

Gjykata Kushtetuese, një terren i rrëshqitshëm

Kapitulli i Gjykatës Kushtetuese ka qenë objekt i diskutimit dhe debatit për ndryshimet kushtetuese. Një nga objektivat e ekzekutivit aktual për reformë, ka qenë edhe ai i kësaj gjykate. E vërteta është se ky institucion ka nevojë të përsosë dimensionet dhe pozicionin e saj kushtetues. Më tej ajo ka nevojë të përsosë edhe ligjin e saj organik. Disa aspekte të mundshme ndryshimi, kanë të bëjnë së pari me subjektet që e venë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Më nenin 134 të Kushtetutës, përcaktohet për shembull se Gjykata vihet në lëvizje edhe nga kontrolli i Lartë i Shtetit. Praktika ka treguar se deri më sot nuk ka ndodhur thuajse kurrë. Në të kundërt, në Kushtetutën tonë aktuale, Gjykatën nuk mund ta verë në lëvizje Prokurori i Përgjithshëm, kur shumica e vendeve ja japin këtë të drejtë organit të akuzës.

Këto aspekte duken periferike, por kanë të bëjnë me zgjerimin e dimensioneve të shtetasve dhe subjekteve që e venë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Të gjithë specialistët e Komisionit të Venecias dhe eskpertët tanë, kanë pranuar se dimensionet e vënies në lëvizje të Gjykatës tonë Kushtetuese janë shumë të vogla. Ky është një handikap që nuk shkon.

Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese duhet të jetë një mjet efektiv për të zgjidhur probleme të caktuara, duke u krijuar shtetasve mundësitë që të shkojnë deri në gjykatën e Strasburgut për të drejtat e tyre, pa pengesa ligjore. Në fakt në ligjin tonë, si rrjedhojë e Kushtetutës nuk gjejnë pasqyrim disa zgjidhje që do t’i jepnin më shumë autoritet Gjykatës, për të ndëshkuar subjekte të caktuara, kur me dashje nuk zbatojnë një vendim të formë së prerë të gjykatave shqiptare.

Një kërkesë tjetër e cila vlen për të gjithë sistemin e drejtësisë, është ajo e përcaktimit të afateve të arsyeshme për dhënien e vendimeve. Ka procese gjyqësore që zgjaten me vite e vite, vendime që kërkojnë mbi dhjetë vjet për t’u marrë. Gjykatat shqiptare duhen të jenë më të shpejta, më të shkathëta për të dhënë vendime, e kjo bëhet duke përcaktuar afate të qarta në ligj.

Referendumi, një e drejtë e panjohur

Ky është një problem më vete, tipik për demokracinë shqiptare. Kjo formë direkte e qeverisjes dhe e ushtrimit të demokracisë që aplikohet gjerësisht në Europë dhe në botë, nuk njihet thuajse fare nga ne. Qysh në vitin 2008, kur u ndryshua ligji zgjedhor, kur u tha se do të mendohej për të gjetur një zgjidhje për referendumet, nuk është bërë asgjë. Është e domosdoshme që ne të ndryshojmë mentalitetin, në lidhje me këtë formë qeverisjeje. Duhen zgjeruar dimensionet e aplikimit të referendumeve. Ligji për referendumet do të ndikonte pastaj që ne të përgjithësonim praktikën e vendeve që kanë filluar zbatimin e tij.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi