Hapësira publike është elementi më demokratik i qytetit
Richard Rogers
Arkitekt britanik, fitues çmimesh, i njohur për veprat e tij, përfshirë Qendrën Pompidou në Paris si dhe ndërtesën e Lloyd dhe Kubenë e Mijëvjeçarit në Londër, shqipëruar nga www.bota.al
Nëse botën do ta qeverisja unë, të gjithë qytetet tanë do të ishin vende të qytetëruar, me hapësira publike të projektuara dhe mbajtura mirë, që do i shërbenin takimit të miqve dhe të panjohurve.
Unë mendoj se streha është një e drejtë themelore e njeriut, bashkë me ushqimin, arsimin dhe shëndetësinë, dhe ky lidhet me shumë më tepër se sa banesat bazë. Ai përfshin projektimin e ndërtesave dhe hapësirave publike, si dhe qyteteve që mund të formojnë zemrën e jetës moderne. Kështu që, është skandaloze se sa pak vëmendje i kushtojmë ne rrugëve, shesheve, parqeve të lojërave dhe parqeve të tjerë, që formojnë hapësirën tonë publike.
E drejta e strehimit duhet të përfshijë një të drejtë të hapësirave publike të projektuara dhe mbajtura mirë.
Të gjithë duhet të jenë në gjendje të shohin një pemë nga dritaret e tyre, apo të kenë një stol ku të ulen. Pas vetëm disa minutash shëtitje, duhet të jesh në gjendje të mbërrish në një nga qendrat e qytetit, në një park pushimi apo lojërash, me pak pemë, stolash për bashkëbisedim dhe kolovajsesh për fëmijë. Pak minuta më tej duhet të jesh në një prej parqeve të mrekullueshëm që formojnë mushkëritë e qyteteve tanë; vende ku të shkosh me miqtë për piknik, shëtisësh qenin, të admirosh lulëzimin e pranverës, të takosh të panjohur, të luash me top, apo të ulesh e të kalosh kohë vetëm me mendimet e tu.
Dhe të ecurit në këmbë apo me biçikletë në qytet përmes parqeve apo rrugëve të shtruara mirë është kënaqësi, qoftë rrugës për në punë, apo edhe thjeshtë për një shëtitje. Dikur kam takuar një burrë në Verona, i cili më tha se kishte ardhur aty nga Napoli vetëm për shkak se rrugët e bukura atje i jepnin kënaqësinë e passeggiata-ave të përsosura gjatë mbrëmjeve.
Kur vizitojmë qendra urbane dhe qytete, nga Bath në Barcelonë, janë rrugët dhe sheshet që formojnë zemrën e përvojës sonë. Ndërtesat mund të jenë të bukura në vetvete, por janë hapësirat publike që ato kornizojnë dhe formojnë që e krijojnë qytetin, duke formuar kështu zamkën që bashkon ndërtesat. Por, sado rëndësi që i japim me fjalë rëndësisë së hapësirës publike, asnjëherë nuk arrijmë të shkojmë më tej me kujdes dhe para.
Londra është e mbushur me sisteme njëkalimësh të projektuar keq, që ua dorëzojnë rrugët makinave dhe kamionëve, në vend që këto të ndahen me çiklistë dhe këmbësorë. Krah tyre ka trotuarë të shtruar keq, të zbukuruar me çakëll, të mbushur me shenja të panevojshme, dhe një rrëmujë që bën shumë kontrast me rrugët që mund të shohim në shumë qytete të kontinentit.
Këto janë rrugë ku duhet të nxitosh e t’u kthesh shpinën, të kërkosh libra të përdorur, të admirosh pamjen, të lëvizësh me skateboard apo të bisedosh me miqtë para një filxhani kafeje apo një pije. Siç vëren shkrimtarja amerikane Jane Jacobs, janë “sytë në rrugë” që krijojnë siguri, dhe jo trafiku apo kamerat CCTV.
Hapësira e mirë publike e qytetëron qytetin, sjell ngjyra, dritë dhe gëzim në jetën e përditshme, si dhe rrit shëndetin tonë qytetar. Ndërkohë që popullsia rritet, qyteti kompakt është e vetmja mënyrë e qëndrueshme e jetesës. Rritja e popullsisë do të thotë qytete me dendësi më të madhe; dhe janë hapësirat publike të mëdha dhe të projektuara mirë që e bëjnë të funksionojë dendësinë si dhe e dallojnë qytetin kompakt nga qyteti i mbushur.
Begatia ekonomike zë rrënjë në rrugë dhe sheshe të mirë, ashtu sikurse, në mos më shumë, në aeroporte dhe zyra. Një qytet si Londra, për shembull, një prej më të kushtueshme në botë, nuk do të jetë asnjëherë në gjendje që të konkurrojë me megaqytetet e ekonomive në zhvillim mbi bazën e kostove, por ajo mund të ofrojë diçka shumë më pak të imitueshme apo të transplantueshme – cilësinë e jetës urbane që do të tërheqë mendjet më krijuese, dhe do të veprojë si magnet për studentët, turistët dhe bizneset nga e gjithë bota.
Përmirësimi i hapësirës publike është një prej investimeve më të mirë që mund të bëjmë. Nuk kërkon injeksionet e mëdhenj që kërkojnë aeroportet e rinj, hekurudhat apo kanalizimet, por ka nevojë për ndërhyrje në çdo shkallë, të planifikuara me kujdes për të marrë maksimumin dhe për të rritur atë që kemi, si dhe për të sjellë gradualisht përmirësime – në të njëjtën mënyrë sikurse planifikuesit e iluminuar krijuan një shëtitore fantastike përgjatë Bregut perëndimor të Tamizit, e që sot është hapësira publike më e bukur e Londrës.
Hapësira publike është elementi më demokratik i qytetit, që përdoret që nga banorët e lagjeve të varfëra, deri tek më pasanikët. Një shoqëri e qytetëruar varet nga hapësirat e mira publike. Prandaj duhet t’i mbrojmë./Prospect Magazine/