Përse duhet reformuar sistemi i Drejtësisë
Nga Qemal Stafaj, botuar në Shqiptarja.com, 11 dhjetor 2014
Sistemi i drejtësisënë Shqipëri ka dështuar. Sistemi është i korruptuar dhe i politizuar në një shkallë që, po t’u referohesh sondazheve dhe opinionit, të trondit. Kjo gjendje ka ardhur për dy shkaqe kryesore: ndërhyrja dhe përdorimi politik i Gjykatave e Prokurorisë dhe mangësitë ligjore, mbi të cilat është ngritur dhe funksionon sistemi i Drejtësisë.
Politika deri më sot nuk ka dashur t’i japë sistemit të Drejtësisë pavarësinë që formalisht i garantohet në Kushtetutë. Drejtësia është përdorur në ekstrem, politikisht. Nga ana tjetër, vetë sistemi, me mirëkuptim të ndërsjelltë, ka shfrytzuar politikën, gjithashtu, për interesat kryesisht klienteliste e private. Kjo gjë i ka sjellë një dëm të madh shoqërisë shqiptare. Anarkia, vetëgjyqësia, korrupsioni dhe mungesa e shtetit – për të mos përmendur varfërinë – janë disa nga plagët e prodhuara nga kjo aleance interesash jolegjitime.
Për shkak të impaktit themelor që ka në mbarëvajtjen e shoqërisë sistemi i Drejtësisë, mënyra si funksionon ai ndikon drejtpërdrejt në mënyrën si funksion vetë shoqëria në tërësi. Fakt është se kombet me një sistem të konsoliduar dhe të pavarur të Drejtësisë, janë edhe kombet me prosperitetin më të lartë ekonomik dhe shoqëror. E kundërta ndodh tek kombet që kanë një sistem drejtësie të korruptuar, të politizuar dhe mosfunksional. Një nga shembujt është shoqëria jonë, e cila nuk do të jetë as demokraci e përparuar dhe as e begatë përsa kohë nuk do të krijojë begati, punë dhe sidomos drejtësi të barabartë për të gjithë.
Po a mund të ndryshohet dhe reformohet sistemi i Drejtesisë? Po, nëse ka vullnet të plotë politik. Deri tani, ky vullnet politik ka munguar. Në fakt, politika është përgjegjësja kryesore për gjendjen ku ndodhet Drejtësia. Gjasat për një ndryshim dhe marrëveshje gjithëpërfshirëse të politikës aktuale për reforma të thella, që kërkohen në sistemin e Drejtësisë, janë të pakta, për të mos thënë të padëshiruara, të paktën nga një pjesë e saj.
Shumica aktuale politike në pushtet, pavarësisht se i ka numrat e kartonave në Kuvend për të ndërmarrë iniciativa për ndryshime kushtetuese të nevojshme, deri tani nuk ka bërë asgjë. Duhet që reformat në përgjithësi të jenë gjithëpërfshirëse dhe të kenë një konsensus sa më të gjërë, me qëllim që të jenë afatgjata dhe të shëndosha. Për këtë, duhet bërë gjithshka është e mundur. Por, nëse ajo nuk arrihet, gjërat duhet të shkojnë përpara, pasi reformat në Drejtësi nuk duhet të ngelen peng i politikës dhe as vendi peng i sistemit të deformuar tëDrejtësisë.
Nëse vërtet do të duam të kemi një sistem të shëndoshë dhe të pavaruar drejtësie, mendoj se duhet filluar me ndryshimin e Kushtetutës së vendit. Madje, unë do të sugjeroja që ribërja e Kushtetutes do të ishte një zgjidhje më e mirë, pasi vetë amendimet, që do të kërkohej t’i bëheshin asaj ekzistuese, do të ishin aq të shumta dhe të ndryshme, sa në një farë mënyre do ta zhbënin atë.
Që të reformohet dhe, në një farë mënyre, të ringrihet sistemi i Drejtësisë, duhet të garantohet me Kushtetutë heqja e ndikimit politik mbi sistemin dhe sanksionimi i funksionimit të pavarur të tij. Kjo mund të arrihej:
Së pari, me sanksionimin në Kushtetutë të zgjedhjes së gjyqtarëve të të gjitha niveleve, ndoshta dhe prokurorëve, drejtpërdrejt nga votuesit. Kohëzgjatja në detyrë, kriteret e zgjedhjes dhe modalitet e tjera duhen shkruar në Kushtetutë.
Së dyti, me garantimin e pavarësisë së funksionimit të Gjykatave dhe Prokurorive dhe trajtimin e tyre të veçantë financiar, si dhe garantimin e sigurisë së tyre e familjeve të tyre fizikisht, materialisht dhe me benefite të tjera.
Së treti, me parashikimin në ligj të dënimeve maksimale penale dhe administrative për gjyqtarët dhe prokurorët,që kryejnë veprime të kundraligjshme dhe shkelje flagrante të ligjit në ushtrimin e detyrës së tyre.
Së katërti, me krijim nga Parlamenti të një këshilli, ku Presidenti mund të jetë si kryesues, i cili të ketë të drejtën e kontrollit mbi veprimtarinë e organeve të Drejtësisë dhe për shkeljet administrative e të ligjit të ketë të drejtën të marrë masa administrative dhe të kallzojë penalisht gjyqtarët dhe prokurorët, kur ata kryejnë vepra penale.
Së pesti, në kuadër të reformës së sistemit, do të ishte logjike, e dobishme dhe efektive, që të suprimohej Gjykata Kushtetuese dhe funksionet e kompetencat e saj t’i kalonin Gjykatës së Lartë. Kjo, edhe për ekonomi gjykimi, shmangjen e pasjes së një luksi si ai i një Gjykate të tërë për gjykimin e disa çështjeve në vit, si edhe për të shmangur përplasjen institucionale për kompetencat në të ardhmen.
Së gjashti, në kushtet e reja të ndarjes administrative të vendit, si dhe duke parë perspektivën e zhvillimit të territorit dhe të popullsisë në të ardhmen, do të ishte më produktive – dhe më efektive, gjithashtu – të reduktohej numri i Gjykatave dhe Prokurorive të Apelit, në maksimalisht tre gjithsej për të gjithë vendin.
Këto janë disa masa, të cilat mendoj se do të kontribuonin në reformën e thellë dhe të balancuar të sistemit të Drejtësisë. Megjithatë, këto janë thjesht mendime dhe sugjerime, për atë se si mund të funksionojë më mirë sistemi. Përsëri, është në dorë të politikës për ta shpëtuar dhe rilindur atë. Shpresojmë që të ndodhë një reformim real dhe jo një farsëe radhës.
Në fund, i ftoj gjyqtarët dhe prokurorët e vendit të marrin iniciativën dhe të bëhen zë i fuqishëm dhe aktiv i reformimit, jo si deri tani, kur mbeten në mëshirë të politikës që të bëjë atë, që ajo dëshiron me ta.