Demokracitë hibride dhe disa pikëpyetje

Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama Online, 11 dhjetor 2014

Rexhep_MeidaniNjë demokraci jo liberale ose hibride

Në dekadat e fundit, forma jo liberale (“illiberal”) e demokracisë është bërë pjesë e klasifikimit politik mbi qeverisjen. E njëvlershme me të është dhe e ashtuquajtura “demokraci hibride”. Sidoqoftë, pavarësisht emrit, demokracia hibride apo demokracia jo liberale, në thelbin e vet, shpreh një sistem qeverisës ku edhe pse zhvillohen zgjedhje formalisht të rregullta, votuesit, pas votimit, mbeten të shkëputur nga procesi politik e qeverisës, deri dhe duke përjetuar mangësi në liritë civile të tyre. Në fakt, zgjedhjet e lira dhe demokratike janë një kusht i nevojshëm për demokracinë; por, ama, vetëm këto zgjedhje janë të pamjaftueshme. Bile, ato nuk mjaftojnë as për demokraci të stabilizuara, nëse ato nuk shoqërohen me kushtet e mjaftueshme, konkretisht me: një qeverisje transparente, një pjesëmarrje të mjaftueshme dhe kulturë qytetare, një media kritike e konstruktive dhe shoqëri civile serioze (që, së bashku, duhet të luajnë rolin e një auditi social për qeverisjen). Në këtë kuptim, edhe demokracitë perëndimore të konsoliduara prej kohësh, nëse ato nuk ushqehen si duhet dhe nuk mbrohen me kujdes, mund të deformohen ose të pësojnë një korrozion të vlerave të demokracisë. Situata bëhet më problematike në të ashtuquajturat demokraci të reja, shumë më të brishta, aq më keq po të mos plotësohet standardi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, siç ka ndodhur, shpesh, në proceset zgjedhore shqiptare!…
Demokracia jo liberale si bazë “orbaniste” e organizimit shtetëror
Sipas Fareed Zakarisë, janë shtuar në botë demokracitë jo liberale vitet e fundit, gjë që shpesh është reflektuar dhe në kufizime të lirive të qytetarëve, që ato përfaqësojnë. Ndërkohë, sipas tij, demokracitë zgjedhore dhe liritë civile (fjalës, fesë etj.) duhet të ecin në mënyrë paralele, gjë që ndodh jo gjithmonë në mjaft demokraci të reja; madje edhe kur pretendohet se po ecet në mënyrë paralele (!). Në përgjithësi, një demokraci pa liberalizëm ligjor e kushtetues e lehtëson ose e favorizon zhvendosjen drejt regjimeve të centralizuara, e ushqen erozionin e lirive civile e politike, gjeneron presion ekonomik, tensione politike dhe konflikte sociale. Vetë qeveritë jo liberale, për fat të keq, besojnë se e kanë mandatin për të vepruar në mënyrë të tillë për aq kohë që po mbajnë zgjedhje të rregullta dhe i fitojnë ato. Shpesh dhe duke u kapardisur me votat e fituara! Pikërisht, mbi një sistem të tillë shtetëror jo liberal e sheh të sotmen dhe të ardhmen e vendit të tij, kryeministri i Hungarisë Viktor Orban. Bile, sipas interpretimit të tij (në një fjalë të mbajtur më 2014), shteti i tij jo liberal nuk i hedh poshtë vlerat e demokracisë liberale, por kjo e fundit nuk konsiderohet më si një element qendror i organizimit shtetëror.
Tipare të regjimeve hibride
Sipas matjeve të treguesit EIU (Economist Intelligence Unit) në një shkallë dhjetëshe (të 60 indikatorëve të grupuar në 5 kategori -procesi elektoral e pluralizmi, liritë civile, funksionimi i qeverisjes, pjesëmarrja politike e kultura politike), bëhet ky klasifikim me 4 tipa qeverisjesh:
-Demokracitë e plota, me tregues në intervalin: 8-10;

-Demokracitë me të meta apo me defekte, me tregues në intervalin: 6 – 7.9;

-Regjimet hibridë me tregues në intervalin: 4 – 5.9;

-Regjimet autoritarë me tregues nën vlerën 4.
Sipas këtij klasifikimi, Shqipëria ndodhet ende në zonën e regjimeve hibride me një tregues 5.91(pra, ajo ka nevojë për 0.09 pikë për të kaluar në zonën e demokracisë me të meta). Për krahasim, Mali i Zi, një vend tjetër kandidat e ka treguesin 6.57, d.m.th. është një demokraci me të meta, kurse Kroacia tashmë vend anëtar i BE-së e ka këtë tregues 7.04 (po një demokraci me të meta). Në thelb, një regjim hibrid është një regjim i ndërmjetëm midis dy formave qeverisëse: demokracisë me defekte (me të meta) dhe asaj autoritare. Edhe tek ne, fatmirësisht, është tejkaluar faza autoritare (sidomos ajo totalitare), por ajo shpesh synon të shndërrohet në një objektiv qeverisjeje! Ajo përpiqet të ngrihet përsëri, të ringjallet brenda politikës e institucioneve, të kultivohet në trurin e disa protagonistëve politikë, të pushtojë media jo profesionale e mendje njerëzish, duke krijuar varësi të gabuara midis pushtetarit e qytetarit, shtetarit e shtetasit. Gradualisht, ushqehen situata shqetësuese e helmuese, deri dhe patologjike, që çojnë në veprime jo ligjore e vendimmarrje të një cilësie të ulët. Për më tepër, një rrugë e tillë, në vazhdimësi, e bën qeverisjen problematike e antipatike, të mbarsur me gabime. Dhe kjo, në kohë, mund të favorizojë krijimin e një spirale keqësimi e përplasjeje, që nëse nuk ndërpritet në momentin e duhur mund të çojë në shkatërrim e thyerje politike-sociale. Dhe tranzicioni shqiptar e ka ilustruar në disa raste potencialin votues e shkatërrimtar të kësaj thyerje. Prandaj, rekomandohet vigjilencë maksimale e reagim politik e qytetar për të mos lejuar asnjë projekt, të thjesht apo të sofistikuar, në instalimin e autokracisë. Mbi të gjitha, duhet ngritur zëri politik e publik ndaj përpjekjeve që synojnë të prekin e dhunojnë kushtetutën. Të tilla në qeverisjet e fundit kanë qenë të shumta! Por, po aq e rëndësishme është dhe lufta kundër shkeljeve e dhunimeve të tjera që dëmtojnë demokracinë e pjesëmarrjen qytetare, liritë dhe të drejtat e njeriut, ku e drejta e pronës është fondamentale. Po ashtu, mund të radhiten edhe këto çështje:

-Kontrolli i informimit dhe opinionit publik (me fshehje informacioni, bllokim të atij të vërtetë dhe shpërndarje gënjeshtrash për ta deformuar e shmangur në maksimum informimin publik);

– Blerja apo manipulimi i votës në zgjedhjet institucionale apo partiake;

– Trysnia politike e zyrtare mbi prokurorinë dhe gjykatat;

– Uzurpimi i fuqive të pa deleguara;

– Monopoli qeverisës për qëllime politike;

– Militarizimi apo policizimi i detyrimeve ligjore;

– Subversioni deri shitblerja politike;

– Bllokimi (supresioni) i investigimit (deri “pompuar” në ekran takimin e shtetarit më autoritativ mbi Prokurorinë me atë që po hetohet nga kjo e fundit!)

– Përdorimi i ligjit për të shtypur konkurrencën politike e ekonomike;

– Goditja e drejtpërdrejtë e mekanizmave të kontroll-balancimit;

– Krijimi i një klase zyrtarësh e oligarkësh me forcë mbi ligjin;

– Shndërrimi i të drejtave dhe detyrave në privilegje;

– Shtimi i varësisë së njerëzve nga qeveria;

– Rritja e paditurisë publike mbi detyrat e tyre civile;

– Shfrytëzimi i ngjarjeve apo manipulimi i tyre; etj.

Sa më tepër elementë të tillë deformues të shfaqen në qeverisje aq më tepër i largohet ajo demokracisë dhe i afrohet autokracisë. Ky është shqetësimi që ka shoqëruar qeverisjet shqiptare të periudhës së tranzicionit…
Por, a mund të bllokohet një proces i tillë nëpërmjet të cilit kërkohet të “zverdhet” e zëvendësohet potenciali demokratik pozitiv nga ai negativ ose me ngjyrosje autokratike? A mund të pakësohet më tej niveli i hibridizimit në shërbim të demokratizimit? Pa dyshim, por kjo lidhet jo vetëm me qeverisjen konkrete, por dhe kushte të tjera vendore, rajonale e globale. Në veçanti, ajo varet nga pjekuria politike, vigjilenca civile, reagimi i qytetarëve! Dhe, mbi të gjitha, nuk duhen mbyllur sytë ndaj prirjeve të hapura, të kamufluara e të sofistikuara të çdo natyre autoritare, sidomos duhen hapur mirë këto sy ndaj “dëshirave” autokratike personale e grupore!…
Disa pikëpyetje
A mos po synohet të krijohet një rindërtim vertikal i autoritetit? A nuk është kjo një fyerje e re ndaj dinjitetit qytetar e pritshmërisë demokratike? A mos është ky një zgjim ndaj rrëmujës, një kundërvënie ndaj “rastësive”, shkeljeve e mungesës së ligjshmërisë në trajtë horizontale; apo thjesht është një “marifet” për akumulim pushteti?! A mund të lejohet që, me çlirime shthurëse energjie, nga protagonistë e neo-protagonistë të ndryshëm (përfshirë deputetë, shefa dikasteresh, drejtorë, analistë, zëdhënës, ushqyes shumë-emërorë e multiplikativë në blog-e kryetarësh, pjesëmarrës aktivë në media sociale etj.), të na rindërtohet hap pas hapi sistemi i dhunës, presionit psikik e frikës? Aq më tepër që, dje, në Shqipëri, një përpjekje e tillë pushtet-akumuluese (sado e zbukuruar sot në kushtet e një teknologjie më të avancuar dhe të një demokracie jo liberale), ka prodhuar krizën e tmerrshme të piramidave (e përjetuar si një krizë e gjithanshme politike-institucionale dhe ekonomike-sociale). Ose akoma, a mund të mendohet se çdo problem në demokraci mund të zgjidhet vetëm me forcë, me policin dhe autoritetin e pushtetit, me hierarkinë dhe vrazhdësinë e tij?!…

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi