PE: Pakt për rikthimin e opozitës në Kuvend
Sipas mediave, 10 dhjetor 2014
Partia Demokratike ka publikuar një njoftim në lidhje me takimet e kryetarit të saj, Lulzim Basha, gjatë kongresit të CDU, ku shprehet për herë të parë për negociatat që po zhvillohen në Bruksel për rikthimin e opozitës në Kuvend.
“Kreu i opozitës vlerësoi dhe mirëpriti angazhimin e përfaqësuesve politikë të së djathtës dhe të majtës në Parlamentin Europian, të cilët duke vlerësuar me shqetësim situatën politike në Shqipëri kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar në adresimin e krizës parlamentare në vend,” thuhet në njoftim.
Ndërkohë pas takimit që ka pasur me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckeinstein ka lënë të kuptohet që grupimi i djathtë dhe i majtë në Parlamentin Europian janë pranë një marrëveshjeje për rikthimin e opozitës në Kuvend. Knut Fleckenstein është shprehur, se shpreson që opozita do të rikthehet në Kuvend para fundit të këtij muaji.
“Mesazhi kryesor është që ne duam të mbështesim proçesin e reformave. Mendoj, që për këtë është shumë e rëndësishme, që opozita të marrë pjesë në punimet e Kuvendit . Unë kam bërë disa propozime dhe do t’i diskutoj ato me disa kolegë të Partisë Popullore Europiane këtë mbrëmje. Ne ndoshta mund të ndihmojmë që Partia Demokratike të ribëhet pjesë e punimeve të Parlamentit. Shpresoj, që opozita do të kthehet në Kuvend në fund të këtij muaji”, u shpreh ai.
Sipas gazetës Mapo, gjatë vizitës në Bruksel, kryeministrit Rama i është propozuar një pakt. Kryeministri Edi Rama tha se po kthehej optimist nga Brukseli, por pakti në fjalë nuk duket se krijon shumë ambient për optimizëm. Opozita shqiptare ia ka dalë me sukses që të fusë në diskutimet e eurodeputetëve çështjen e kriminalizimit të Kuvendit. Për këtë arsye, në një platformë me pesë pika, që i është propozuar palëve për të kthyer opozitën në Kuvend, flitet për një projektligj për dekriminalizimin e Kuvendit. Projektligji duhet të nisë diskutimet që në janar. Mbetet sërish e paqartë se çfarë duhet të përmbajë ky projektligj, por ai vjen në një kohë kur opozita po akuzon vazhdimisht se Kuvendi është kriminalizuar. PD thekson se personi që goditi deputetin demokrat, Gent Strazimiri, është me precedentë penalë.
Në datat 22 dhe 23 dhjetor përfaqësuesi i Partive Popullore Europiane Eduard Kukan dhe Knut Flenkeishtein nga radhët e socialistëve dhe demokratëve do të jenë dy negociatorët e dërguar nga Brukseli.
Ata do t’i ulin palët në tryezën e bisedimeve, qëndrimet e të cilave tashmë janë përafruar shumë. Arritja e një marrëveshjeje u paralajmërua në konferencën e përbashkët për shtyp të kryeministrit Edi Rama me kreun e parlamentit europian Martin Shultz, por edhe dhe pas takimit të liderit të opozitës Luzim Basha me kristiandemokratët e CDU-së. Ndërkombëtarët ia kanë dalë edhe këtë herë të zgjidhin ngërçin politik në Shqipëri.
Në funksion të gjetjes së një kompromisi ishte edhe shtyrja e seancës së fundit për t’i dhënë kohën opozitës të ulej në karriget e saj dhe të shpëtonte djegien e mandateve. 24 dhjetori është data kur mbushen gjashtë muaj nga mungesa e deputetëve opozitarë.