Modernizimi i shtetit, rruga kundër korrupsionit

Fjala e Kryeministrit Rama mbajtur në Forumin Kombëtar Kundër Korrupsionit:

14-12-10-07-46-41banner_antikorrupsioni_Besoj që për respekt të auditorit ishte një zgjedhje e mirë për të pasur paraqitje të sintetizuara, por, nga ana tjetër, këto paraqitje nuk përfshijnë gjithë spektrin e masave që janë marrë dhe të rezultateve që janë arritur, prandaj nga ky Forum do të dalë edhe një publikim, me të gjitha këto masa dhe rezultate, në dispozicion të të gjithë interesuarve.

Dje, me një transparencë rrëqethëse, Senati amerikan u njoh me çfarë ka ndodhur në brendi të aktivitetit të Shërbimit Sekret Amerikan dhe sigurisht, çfarë ka dalë në dritë, është larg së qenit një pamje për t’u krenuar.

Por ka diçka tjetër që e bën unike, këtë eksperiencë të dhimbshme transparence dhe që është krenari e të qenit SHBA dhe e të qenit dhe aleat me Shtetet e Bashkuara: Vlera supreme e llogaridhënies përpara publikut dhe njohjes së përgjegjësive në raport me publikun, për të respektuar një kontratë të bazuar tek disa vlera dhe parime të Kushtetues së një vendi të lirë.

E, unë besoj se ky është një nga shembujt më fantastikë për të kuptuar epërsinë e jashtëzakonshme të demokracisë, edhe në atë që mund të duket si brishtësia e vet më e madhe. Asnjë sistem tjetër nuk e garanton dot, këtë gjë. Në asnjë sistem tjetër nuk ndodh që Qeveria apo Presidenti i një shteti të kërkojë nxjerrjen në mënyrë transparente përpara publikut dhe të ballafaqohen me fakte si ato të raportit të Shërbimit Sekret Amerikan, siç ndodh në një demokraci që është shembullore në këtë drejtim.

Unë besoj që, padashur të bëjmë krahasime pa vend, edhe vendosja në sistemin tonë të qeverisjes e një rutine raportimi publik, gjë që është bërë nga çdo ministri, gjë që është bërë në ministri të caktuara për çështje të caktuara, është në fakt, vendosja e kësaj vlere të madhe, të respektit për qytetarët dhe të të respektuarit të kontratës me qytetarët, në themel të qeverisjes.

Ky Forum dhe kjo paraqitje nuk është një paradë suksesesh, as është krijimi i një mundësie për të rrahur gjoksin përpara publikut, apo për t’u hedhur hi syve partnerëve tanë ndërkombëtare, por është vetëdija se i detyrohemi të gjitha palëve, transparencë në raport me çka kemi bërë dhe me çka duam të bëjmë.

Një vit më parë, ne, në të njëjtin format morëm përsipër disa sfida dhe sot, një vit më pas jemi këtu për t’u ballafaquar me realizimet, por edhe për të nënvizuar se jemi ende larg objektivit tonë.

Çdo qeveri ka një përcaktim që ia jep vetes me mënyrën sesi qeveris. Unë do të dëshiroja që përcaktimi për Qeverinë tonë, në fund të procesit tonë qeverisës, të ishte që kjo është një qeveri e modernizmit të vendit tonë. E do të dëshiroja që në fund të mandatit qeverisës, tek çdonjëri nga ministrat e kësaj Qeverie, tek çdonjëri nga ministret e kësaj Qeverie, publiku të identifikonte modernizmin e sektorit. Sepse unë besoj se lufta kundër korrupsionit nuk është gjueti shtrigash dhe as nuk mund të shihet e kufizuar në betejën ndaj të korruptuarve.

Lufta kundër korrupsionit është lufta për modernizimin e shtetit; Lufta për transformimin e një sistemi që korrupton njerëzit, në një sistem që është i pakorruptueshëm, pasi nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, është sistemi që korrupton njerëzit. Nuk është një drejtor që korrupton një sistem, por është sistemi që korrupton të gjithë drejtorët. Le të marrim rastin e drejtorive arsimore dhe rastin konkret të një drejtorie arsimore, ku u zbulua një skemë mitmarrjeje e kthyer në sistem. Sigurisht, masa e marrë është masa e duhur, veprimi i menjëhershëm i policisë për të arrestuar drejtuesin është veprimi i duhur. Sigurisht që shpresa që ky drejtues në procesin ligjor do të marrë ndëshkimin e merituar, është shpresa e duhur. Por, në rast se ne besojmë se me ndëshkimin e këtij drejtuesi apo të 20 drejtuesve, po të doni, si ky, ne kemi fituar betejën mbi korrupsionin në atë sistem, ky është një iluzion. Për sa kohë sistemi do të jetë i tillë, për aq kohë, gjithkush do të jetë i cenueshëm, i tundueshëm dhe i korruptueshëm potencialisht. Kështu që, në vazhdimësi do të kemi njerëz të korruptuar.

Paralelisht me masat që u morën, u veprua me shpejtësi për të vënë në jetë një element të reformës tërësore në arsim, që konsiston në ndryshimin e sistemit të rekrutimit të mësuesve, duke mos e lënë më sistemin në duart e individëve drejtues dhe duke mos e lënë më rekrutimin e mësuesve në dorë të drejtuesit si individ, që subjektivisht vendos se kë merr në punë dhe kë heq nga puna, por duke ngritur sistemin e një testimi kombëtar të sekretuar dhe tërësisht transparent, në njëjtën kohë, që do të sjell si rezultat një rankim të mësuesve në gjithë territorin e Shqipërisë, rajon për rajon. E kështu, çdo mësues do të ketë kreditet e veta në bazë të testimit dhe çdo drejtori, në nevojë për të rekrutuar një mësues, do t’i referohet rankimit për të marrë sipas klasifikimit, pa pasur të drejtën të kapërcejë në klasifikim dhe pa pasur të drejtën që të kapërcejë të gjithë ata kufij, të vendosur nga kriteret dhe standardet e rekrutimit. Në këto kushte, edhe drejtuesi që sot është prapa hekurave, në rast se do të rikthehej në detyrë, apo në rast se do të kishte qenë më parë në detyrë me këtë sistem, nuk do të ishte sot prapa hekurave, sepse nuk do të kishte mundësi të merrte para.

Ky është ndryshimi mes një shteti modern dhe një shteti rrumpallë. Ky është ndryshimi mes BE dhe nesh. Nuk janë as gjermanët, as francezët, italianët jo e jo, më të ndershëm sesa shqiptarët. Nuk janë as më pak të tundueshëm nga korrupsioni, por e kanë më të pamundur të korruptohen, kur vjen fjala tek kontakti me qytetarin dhe kur vjen fjala tek mënyra se si funksionon administrata. Nuk e kemi mundësinë të bëjmë një eksperiment, por, nëse do të merrnim 50 nëpunës gjermanë e t’i çonim në disa struktura, nga këto ku korrupsioni vazhdon të bëjë kërdinë, të jeni të sigurt që të 50-të, jo pas 1 viti, por pas 3 muajsh do të ishin bërë shqiptarë. Në rast se do të merrnim 50 shqiptarë nga po këto struktura e t’i çonim në Gjermani, në administratën gjermane, të jeni të sigurte se asnjë nga ata nuk do të kthehej me më shumë sesa kursimet e rrogës së vet, në Shqipëri, sepse do të ishte e pamundur. Për këtë arsye, fokusi ynë në të gjithë sektorët është padyshim ndëshkimi, por në radhë të parë modernizimi i sistemeve.

Shikoni ç’bëhet me energjinë. Parafytyroni sikur të gjithë ta kishin paguar energjinë në këto 20 vjet, se ku do të ishte Shqipëria sot. Sot, borxhi që ndeshet brenda sistemit energjetik shqiptar, brenda Kompanisë së Shpërndarjes, për shkak të vjedhjeve apo mospagesave të energjisë është sa 6,3% e Prodhimit tonë Kombëtar. 6.3% e Prodhimit Kombëtar të një vendi, që sot ne e kemi në formën e një borxhi të akumuluar.

Parafytyroni sikur çdo vit, 150 milionë euro, që ata që paguajnë energjinë, por që paguajnë dhe taksat, i paguajnë për të kompensuar vjedhjen, të shkonin për të bërë punë të tjera. Do të kishim 150 shkolla moderne, të standardeve europiane, në vit dhe në 10 vjet, 1500 dhe në 20 vjet, 3000. Do të kishim 100 kilometra rrugë kombëtare të standardeve europiane në vit dhe në 10 vjet, 1000. Do të kishim as më shumë, as më pak, dyfishimin e të ardhurave nga të gjitha kompanitë që bëjnë biznes në Shqipëri. Pra, mjafton të paguajnë energjinë dhe të mos vazhdojmë në rrugën e vjetër të vjedhjes apo të mospagimit të saj , për të pasur në llogaritë e shtetit, dyfishimin e kontributit të kompanive private. Do të kishim dyfish të ardhura, për të paguar ndihmën ekonomike dhe aftësinë e kufizuar, duke paguar energjinë. Do të kishim mundësinë të ndërtonim çdo vit 6 spitale moderne rajonale. E nuk do të ishim sot, në këtë derexhe ku jemi, ku vetëm brenda kompanisë u pushuan disa qindra njerëz që supozohet se duhet të marrin paratë e të tjerëve dhe ndërkohë nuk paguanin energjinë elektrike prej vitesh. Në këtë orë po kryhet hetimi brenda Policisë së Shtetit dhe përsëri, shifra është alarmante, e personave që punojnë në Policinë e Shtetit dhe që nuk paguajnë energjinë elektrike dhe që janë debitorë për vite të tëra.

E kështu do të krihen të gjitha institucionet dhe në çdo institucion, në çdo strukturë që mbahet me paratë e atyre që e paguajnë dhe energjinë, që paguajnë edhe taksat, ka individë të cilët janë borxhli ndaj sistemit me vite. Si mund të diskutojmë ne, për luftë kundër korrupsionit, përveçse duke modernizuar sistemin! Sepse nuk mjafton që këta njerëz do të ndëshkohen, sepse do të ndëshkohen. Jam vërtetë i habitur me shprehjen e një shqetësimi se pse unë apo ne e përmendim kaq shpesh ndëshkimin. Ndërkohë që në vendet e BE-së, ndëshkimi nuk përmendet përveçse në Itali, kohët e fundit, nga Qeveria apo nga Kryeministri, për arsyen e thjeshtë se as nuk diskutohet. Askujt nuk i shkon ndërmend se mund të vjedhë energjinë elektrike dhe mund të shkojë të nesërmen në punë, të marrë dhe rrogën, të bëjë dhe pushime, të jetë dhe anëtar i sindikatës, të bëjë dhe protesta. Nuk i shkon në mend. Sepse askujt nuk i shkon në mend të kërkojë dhe para për të bërë punën e tij dhe për të rekrutuar mësues. Askujt nuk i shkon në mend që të ndërtojë në tokën publike, të legalizohet, të behet dhe pronar e kështu me radhë.

Energjia për ne është një beteje për jetë a për vdekje. Është një betejë për jetë a për vdekje për ekonominë shqiptare. Kush e sheh ndryshe, nuk e kupton se në çfarë sfide të madhe jemi dhe nuk e kupton sesa shumë kjo betejë lidhet me sigurinë, sesa shumë kjo betejë lidhet me investimet e huaja, sesa shumë kjo betejë lidhet me investimet publike, sasa shumë kjo betejë lidhet me ligjshmërinë. Shteti ligjor fillon aty.

Dhe në momentin kur ne do të kemi realizuar objektivin tonë, që askush që e konsumon energjinë të mos i ikë detyrimit për ta paguar, në Shqipëri, ne kemi vendosur shtetin ligjor, sepse në atë moment, ju siguroj se do të kemi ndikuar përmes qeverisjes me drejtësi, edhe tek vetë sistemi i drejtësisë. Nuk ka drejtësi në gjykatë në një vend që qeveriset me padrejtësi. Nuk ka! Është e kotë ta kërkosh! Trajnoi gjykatësit sa të duash, bëj reformë në drejtësi sa të duash, silli sa herë të duash nga Brukseli të mbajnë fjalime këtu, këta miqtë tanë. Nuk ka! Në një vend ku qeveriset me padrejtësi, në një vend ku ministrat e deputetët parkojnë ku të duan, pinë duhan në çdo mjedis publik që duan dhe sillen si të duan me ligjin nuk ka drejtësi në gjykatë.

Pse funksion sot, ligji antiduhan në Shqipëri?

Për arsyen e thjeshtë se nuk ka më ministra me çibuk, siç kishte, që i bënin sfidë ligjit mu në mes të Tiranës, për arsyen e thjeshtë se nuk ka më të fortë që i bëjnë ligjit sfidë mu në mes të Tiranës. Për këtë arsye, sot askush nuk pi duhan në një lokal. Por edhe për arsyen se ne ndryshuam sistemin e trajtimit të këtij fenomeni dhe të monitorimit të këtij fenomeni.

Pse sot kemi situatë tërësisht ndryshe me parkimet?

Sepse të parët që u përvëluan me gjoba ishin ministrat, deputetët.

Dhe kur kemi realizuar që në kafenenë e Parlamentit të mos ketë më tym duhani, më besoni, nuk ka gjë që nuk bëhet në Shqipëri. Nuk ka gjë që nuk bëhet në Shqipëri!

Po kështu besoj që ligjshmëria lidhet me territorin. Nuk mund të këtë drejtësi në gjykatë, s’mund ta kërkosh nga gjykata ta bëjë drejtësinë, në qoftë se nuk ka drejtësi në territor, në qoftë se kush është më i fortë pushton tokën e të tjerëve në mes të pallateve, ndërton lokalin, bën aheng deri në 2 të natës, në fund fare i fut edhe ca krisma pistolete për të shprehur entuziazmin dhe merr edhe legalizimin.

Përpara pak ditësh ishim në Shkodër. E dini sa legalizime janë bërë në Pukë, në 8 vjet? Në 8 vjet, vetëm një! Dhe e dini çfarë legalizimi është ai? Ndërtim pa leje aty ku do ndërtohej rruga, i bërë për një javë, pas një jave, letrat për shpronësim në Ministrinë e Transportit, mbas një jave shpronësimi për të hapur rrugën. Dhe pse vetëm një? Sepse në Pukë nuk ka interes të legalizosh, në rast se do të fitosh para me legalizim. E dini sa përqind e legalizimeve që janë bërë në 8 vjet janë për familjarë? Më pak se 15%. Gjitha pjesa tjetër janë për biznes. Dhe e dini për çfarë biznesi? Për të legalizuar gjithë ato që ne u detyruam të shpronësojmë në krah të universiteteve, për të legalizuar në zonat monument kulture, për të legalizuar në akset e rrugëve, për të legalizuar ngjitur me rrugët kombëtare, ku është e ndaluar të ndërtosh me ligj.

Sot dalin e thonë se ne jemi selektivë. Ne jemi selektivë, sepse, kur fillojmë proceset e prishjeve, ndeshemi në mes të trotuarit, me një lokal të legalizuar me letra si pronar dhe në qoftë se ai prishet, 10-fish duhet të paguash, pastaj në gjyq se ai është bërë pronar i trotuarit, është bërë pronar i rrugës, është bërë pronar i zonës brenda së kalasë, është bërë pronar i tokës në Parkun Kombëtar që është e ndaluar me ligj të imagjinosh, jo të ndërtosh.

Ligjshmëria në territor është pjesë e patjetërsueshme e shtetit ligjor. Le të ndëshkohen ministra e figura të mëdha sa të doni ju, në qoftë se nuk vendoset përfundimisht ligji në territor, se çfarë nuk është toka jote, ti nuk e prek dot për të ndërtuar dhe në tokën tënde, ti nuk ndërton dot pa marrë leje, sepse ti ndërton këtu, por ngjitur me ty është ai tjetri që ka edhe ai të drejtën e dritës së diellit, është e kotë të pretendojmë se do të kemi shtet ligjor në Shqipëri. Fakti që sot në Shqipëri ka një rënie drastike, për të mos thënë eliminim, por rënie drastike të ndërtimeve pa leje dhe fakti që sot në Shqipëri ka një operacion të prishjes së ndërtimeve pa leje në zonat urbane, që nuk do të ndalojë në 4 vitet e mandatit tonë, nuk do të ndalojë asnjë ditë, është përsëri dëshmi se ne duam të vendosim shtetin ligjor aty ku shteti ligjor është në funksion të qytetarit. Të çdo qytetari.

Çuditërisht për ndonjë, por aspak çuditërisht për mua, operacioni i energjisë ka një mbështetje konstante të publikut, 85-90%. Kjo është një shifër që është shumë e rrallë për Shqipërinë ku, përgjithësisht, opinioni ndahet mes palësh dhe ku, përgjithësisht, çdo gjë politizohet.

Vizitova Librazhdin dhe në Librazhd që është një nga zonat më të varfra të Shqipërisë kemi nivelin më të lartë të arkëtimeve të energjisë, në vite. E nuk më doli një njeri nga të gjithë ata që ishin atje, në mes të ditës, në rrugë, sepse janë të papunë, që të thotë “çfarë është kjo që po bëni me energjinë, se s’kemi lekë”. Por, ama, dëgjova shumë që të kërkonin, çojeni deri në fund, boll paguajmë ne, edhe për ata që nuk paguajnë. Dhe ne këtë do ta çojmë deri në fund, me bindjen se nuk janë të varfrit që e kanë krijuar këtë borxh. Janë të korruptuarit në shtet dhe në pushtet, bashkë me ata që e kanë ndjerë veten më të fortë, bizneset e mëdha që e paguajnë energjinë si furrë buke, bizneset e mëdha që e paguajnë energjinë si pensionistë kryefamiljarë, borxhlinjtë më të mëdhenj. E, mbi të gjitha, njerëz hajdutë brenda strukturave të shtetit. Ne nuk kemi marrë në dorëzim, një kompani të shpërndarjes së energjisë. Ne kemi marrë në dorëzim, një bandë. Një bandë të strukturuar kriminale, të shtrirë në gjithë territorin e Shqipërisë, që në bashkëpunim me hajdutët në gjithë territorin, apo me qytetarët që e kanë parë më të lehtë t’i paguajnë banditit 5 lekë, sesa t’i paguajnë shtetit 7 lekë, është një sistem i tërë që duhet çmontuar dhe ne po e çmontojmë ditë pas dite.

Për t’u kthyer tek modernizimi, sigurisht që kush brenda kompanisë nuk ka paguar rregullisht energjinë, është larguar tanimë nga kompania dhe kush i ka shpëtuar kontrollit të parë, nuk do t’i shpëtojë të dytit. Katër drejtorë rajonalë janë prapa hekurave. Nëse të tjerë do të zbulohen, të tjerë do të shkojnë prapa hekurave. Por, përsëri, unë nuk besoj se zëvendësimi i tyre me ca të tjerë do të ndryshojë situatën. Çfarë do ta ndryshojë situatën është modernizimi i sistemit. Përsëri vijmë tek modernizimi. Prandaj ne, paralelisht po punojmë për projektin e matësve të zgjuar. Pra, të shfrytëzojmë teknologjinë e re, të vendosim në gjithë Shqipërinë, një sistem matjeje ku të mos ketë më fatura aforfe, ku mos paguash më se çfarë të shkruan ai analfabeti që vjen atje të lexojë sahatin dhe që ka mbaruar universitetin, por s’ka mbaruar të mesmen dhe ku çdo njëri të mund të dijë ekzaktësisht, në kohë reale, sesa ka shpenzuar konsum energjie.

Kështu vendosemi në pozita të barabarta, sepse jam shumë i vetëdijshëm se ç’po heqin njerëzit sot, nëpër sportele, nga fluksi i madh i njerëzve, por edhe nga një shërbim i degjeneruar për vite të tëra. Ai nuk është Shërbim, por është një bandë. Një bandë e jashtëzakonshme, e paparë, e cila nuk ka menduar t’u kthejë përgjigje, e dini sa njerëzve? 50 mijë njerëz i kanë të depozituar aty, me vite, ankesat e tyre dhe banda nuk ka kthyer asnjë përgjigje me shkrim. Çfarë kompanie është kjo!

Por, vetëm në një vit, gjërat janë vendosur në rrugën e kthesës. E duke u kërkuar ndjesën më të thellë, të gjithë qytetarët që sot kanë probleme me Shërbimin ndaj Klientit, unë i siguroj se në fund të mandatit, gjithë kjo histori e tmerrshme do t’i duket një ëndërr e keqe, që do jetë lënë pas. Dhe në fund të këtij mandati, çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë do të ketë një marrëdhënie krejt të re me Shërbimin ndaj Klientit të Kompanisë së Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe në fund të këtij mandati, falë modernizimit të sistemit, ne do të kemi ndërtuar një nga historitë më të bukura të suksesit midis vendeve që trajtojnë këtë problem. Se nuk jemi vetëm, kemi edhe të tjerë, por nuk i kemi në Europë, i kemi në Afrikë, në Amerikën Latine, i kemi larg, por i kemi. Dhe me siguri jemi në rrugën e duhur.

I dëgjoj kur thonë, të ikin se nuk ulën energjinë elektrike. Premtuan ta ulin dhe nuk e ulën. Të ikin se nuk e bënë shëndetësinë falas. Të ikin se nuk i bënë legalizimet falas. Dhe ndërkohë që në një vit, ne po vendosim gurët e themelit të një shteti modern të shqiptarëve. Shtet, ne mund të kemi pasur tek-tuk, por shtet shqiptar me institucione që shërbejnë, pavarësisht sektorëve, në të gjithë horizontin, ne nuk kemi pasur. E, për më tepër, kush ka punuar dhe e di se ç’është puna, e di shumë mirë se çdo punë kërkon kohën e vet.

E njëjta gjë tek shëndetësia. Ne përsëri shohim rezultate si pasojë e modernizimit të sistemit. Demonizimi i mjekëve, demonizimi i njerëzve në sistemin shëndetësor nuk i ka shërbyer as dreqit. U arrestuan mjekë, u bënë ca histori skandaloze, u fut Shërbimi Sekret nëpër spitale, bënin si të sëmurë që të kapnin mjekun duke u marrë lekët. Çfarë ndryshuan? Asgjë! Zero! Ndërkohë që thamë do ulin çmimin e barnave dhe ulëm çmimin barnave, thamë nuk do mungojnë me barnat nëpër spitale, nuk mungojnë më barnat nëpër spitale.

Sigurisht ka ende, akoma shumë për të bërë. Ka ende shumë për të bërë padyshim, edhe në tatime dhe dogana, por nëse ka një histori suksesi, përpara të cilës të gjithë mund të shohin se kush është vizioni ynë për të ardhmen, se kush është filozofia jonë për modernizimin e shtetit dhe se kush është rruga për të luftuar korrupsionin, të shikojnë tatimet dhe doganat e Republikës së Shqipërisë. E tha ministri i Financave se çfarë kanë sjellë në rritje të ardhurash, por përtej rritjes së të ardhurave, sot nuk ka më në kurriz të biznesit një qeveri që bën planin e të ardhurave me gjoba dhe nëse në qeverinë paraardhëse, gjobat tek biznesi, që u kthyen në një makth, u kthyen në një tmerr, përbënin zë të ardhurash prej 10%, pra, 10% e të ardhurave realizohej nga gjobat, sot kjo nuk ekziston më.

Unë kam qenë shumë krenar për këtë Qeveri, kur kam dëgjuar dhe kam lexuar në raportin e bërë nga auditimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, se në shlyerjen e borxheve ndaj biznesit nuk ka pasur asnjë rast të konstatuar nga auditorët ndërkombëtarë të FMN-së, për të vënë në dyshim procedurën transparente dhe kthimin transparent të çdo qindarke që ua kishte borxh, Qeveria e kaluar, po që po ua lajmë ne. Ashtu sikundër nuk kam dëgjuar një rast të vetëm, që një sipërmarrës të ankohet për rimbursimin e TVSH-së. Kemi trashëguar, në mos gabohem, rreth 140 milionë dollarë borxh ndaj TVSH-së së parimbursuar, arbitrarisht, që është detyrim ligjor dhe kemi kaluar në një epokë ku rimbursojmë TVSH-në për 60 ditë, automatikisht. Ndërkohë që kemi bërë një pjesë të konsiderueshme të TVSH-së së vjetër dhe rimbursimi, dikur bëhej duke ndarë lekët, ma kthe atë TVSH, të të jap kaq, jepi atij kaq, të më vijnë mua aq. Kjo nuk ndodh më! Por nuk ndodh më se është vendosur një sistem tjetër, jo sepse kanë ikur ca njerëz të pagdhendur dhe kanë ardhur disa të ndershëm, por sepse është vendosur një sistem i qartë. Kush është i pari brenda, është i pari jashtë. “First in, first out”. I pari në radhë e merr, ikën. Nuk e merr dot i dyti, pa e marrë i pari, nuk e merr dot i treti, pa e marrë i dyti dhe kështu me radhë. Kështu po shlyhen borxhet, kështu po shlyhet TVSH-ja.

Nga ana tjetër, përpara pak ditësh kemi asistuar në veprimin e parë të personit të autorizuar. 150 sipërmarrës të mëdhenj, që u rritën, u bënë me fëmijë, po bëhen gjyshër, u thinjën, kanë ndërruar gjithë sistemin e dhëmbëve, duke pasur në kurriz doganierë, rregullisht, 20 vjet, sot nuk kanë më nevojë, fare, të ndalojnë në doganë.

Shkojnë ndalojnë në parkimin e biznesit të tyre dhe gjithë procesi i zhdoganimit bëhet online dhe e bëjnë vetë. Dogana jep vetëm një miratim që zgjat sa ç’është koha nga nisja në pikën hyrëse deri tek kompania. Pra, kur kompania ka mbërritur në stacion, aty del përgjigja e doganës, pikë e kuqe apo pikë jeshile. Në qoftë se është pikë e kuqe, makina nuk hapet, vjen dikush nga dogana që asiston në hapje për të parë nëse ka ndonjë problem. Gjëra që edhe në ëndërr nuk kanë guxuar t’i shohin, se mos vjen ndonjë doganier dhe u thotë pse i sheh ti në ëndërr, duhet të më japësh mua shtesë, bakshishin.

Po kështu, Reforma Territoriale.

Reforma Territoriale është një transformim historik në luftën kundër korrupsionit. Kemi një sistem të korruptuar nga koka deri te këmbët, në të gjithë shtrirjen horizontale të shtetit, për shkak të një ç’organizimi të organizuar. Kjo e energjisë është vërtetë një gropë shumë e madhe, por ka një gropë tjetër më të madhe se kjo e energjisë, – të cilës i vjen radha më mbrapa, se s’mund t’i vijë radha më përpara, pa sistemuar energjinë, – që është uji. Është një gropë e jashtëzakonshme. Po si të mos jetë gropë, kur gjithë sistemi i administrimit të gjithë kësaj pasurie të madhe të shqiptarëve, – jemi vendi i dytë më i pasur në Europë me ujë, pas Norvegjisë, si dhe vendi i dytë më i pasur në Europë për burime hidroenergjitike dhe ndërkohë që Norvegjia që 100 vjet më parë ishte një vend nga ku iknin nga uria, sot i quajnë Sheikët e Europës vetëm për shkak të burimeve të tyre energjetike, – ne, në vend që t’i kishim këto burime përftimi, i kemi problem. Problemi jonë më i madh është pse kemi shumë ujë. Problemi ynë më i madh është pse kemi shumë burime hidroenergjetike dhe në vend se me këto të bënim pasuri nga ku të përfitonin të gjithë, kemi akumuluar vetëm borxhe. Borxhe pas borxhesh.

Një sistem ujësjellësish që administrohet nga “banda” në të gjithë territorin e Shqipërisë. “Banda” të zgjedhurish. Atje nëpër Borde nuk duan t’ia dinë fare as për Kryetar Bashkie, as për politika rajonale. Ndajnë ato sahatet e matësve. Një histori e tmerrshme. Por, përsëri, nuk ka të bëjë me njerëzit. Mund t’i zëvendësosh ata njerëz me njerëz të tjerë, e njëjta gjë do të ndodhi. Ka të bëjë me sistemin! Dhe duke kaluar në një sistem tjetër, me Reformën Territoriale, ne praktikisht hedhim një hap të madh drejt modernizimit dhe përmes modernizimit garantojmë sistemin nga korrupsioni.

Ka shumë ende, gjëra për të thënë, por unë dua të përmend Kodin Doganor. Ne nuk na e kërkoi Bashkimi Europian, Kodin Doganor të BE-së. BE-ja vetë e bëri në 2012-n. Me ato hapat e përcaktuara nga integrimi, kushedi kur do t’i vinte koha të thoshin bëni Kodin Doganor të Bashkimit Europian. Ne e bëmë vetë dhe në 1 janar të vitit të ardhshëm hyn në fuqi Kodi Doganor i Bashkimit Europian, në Shqipëri. Që është një sfidë shumë e madhe që ne ia bëjmë vetes, sepse ai Kod nuk është bërë për doganierët e Faik Konicës, por, nga ana tjetër, vetëm kështu, ne mund të luftojmë edhe më me efikasitet korrupsionin dhe kontrabandën. Sepse ai Kod krijon shumë më tepër hapësira, siç është e duhura, për sipërmarrjen, për importuesit, për eksportuesit dhe mbyll çdo hapësirë për përfaqësuesit e shtetit që bëjnë ç’të duan dhe sillen me doganën sikur është port privat, si parkimet private që i bëjnë në mes të pallateve. Ti shkon për në shpi, ai thotë “ndalo këtu, më sill lekët, se ky është parkimi im”.

Por, nga ana tjetër, sfida jonë më e madhe dhe këtu dua të përfitoj nga prania e miqve tanë në Bashkimin Europian, për t’iu kërkuar të bëjnë një reflektim serioz, është reforma në administratën publike. Në fund fare, një shtet modern, një administratë primitive nuk mund të jetë. Që të kemi shtetin modern që duam, duhet të kemi një administratë moderne dhe jo një administratë që merr rrogën për të fituar “Solitaire”-n. Nga gjithë këto qeshje e kuptoj që e njihni se për çfarë flas. Unë e kam mësuar duke pasur fatkeqësi që të hyj ndonjëherë në ndonjë zyre, pa e pritur nëpunësi. Edhe aty, me ato “fant”, “derr”, “çupë”. Ne duhet të fusim në administratën publike kriteret e performancës dhe të konkurrueshmërisë. Unë jam shumë dakord që ishte koha për të pasur një ligj të ri për administratën publike dhe ne e votuam atë ligj. Por ai ligj ka nevojë për disa përmirësime shumë serioze, në rast se ne nuk duam të mbetemi pre e parazitizmit në administratë dhe pre e një parazitizmi që prodhon korrupsion vetvetiu, sepse ndjehet i mbrojtur.

Sigurisht që Gjermania, Franca, vendet e Europës Veriore janë shembuj ekselentë për të mos u shqetësuar, por Italia dhe Greqia janë shembuj ekselentë për t’u shqetësuar. Shikoni se çfarë po heq Italia dhe Greqia për shkak të burokracisë së tyre. Shikoni se çfarë problemesh ka Italia dhe Greqia me korrupsionin dhe me pengesat e jashtëzakonshme që i krijohen gjithë forcave që kontribuojnë për rritjen ekonomike për shkak të administratës. Dhe ne duhet të jemi vetëdijshëm për këtë. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për nevojën që askush në administratën publike të mos e ketë vendin e vet të garantuar përjetë, pavarësisht se nuk performon apo performon, pavarësisht nëse jep rezultate apo nuk jep rezultate. Në këtë aspekt është shumë e rëndësishme që ne të mos demotivojmë më të rinjtë dhe të mos demotivojmë ata që vijnë pasi kanë bërë shumë shkollë, kam mbaruar shumë studime, qoftë jashtë, qoftë brenda dhe nuk e kanë të mundur që të jenë pjesë e administratës publike, sepse janë ca të tjerë që ose duhet, larg qoftë, të vdesin, ose duhet të dalin në pension. Kjo duhet parë shumë seriozisht.

Sikundër duhet parë shumë seriozisht nevoja që këto konkurse që sot, – jam dëshmitar, janë konkurse reale falë këtij ligji, – të mos jenë vetëm për ata që hyjnë sot në administratë, por të kthehen në test për këdo që është sot në administratë. E tha ministrja e Administratës, mbi 5 mijë konkurrentë, vetëm 38 arritën të fitojnë konkursin, ndërkohë që vendet e tjera u rihapën përsëri dhe tani janë 7 mijë konkurrentë. Kjo tregon që të paktën nga pikëpamja e besueshmërisë, konkurset janë plotësisht të besueshme, sepse asnjë ministër nuk vendos dot asgjë lidhur me kush rekrutohet. As Kryeministri nuk vendos dot asgjë, pavarësisht se kjo mund të duket si çudi, po është kështu, sepse ka një juri të pavarur. Por, mbi të gjitha, juria vetë nuk di fare se kë do të marrë në provim. Sikundër, ata që do të japin provim nuk e dinë fare se kë kanë në juri. Dhe, mbi të gjitha, kush fiton, sipas klasifikimit, e përcakton vetë se ku shkon. Nuk bëhen më konkurse, hajde se është një vend bosh te Ministria e Ekonomisë, hajde se është një vend bosh te Ministria e Kulturës, por bëhen konkurse për financier, bëhen konkurse për inxhinier e kështu me radhë. Kush fiton si financier i ofrohen vendet bosh, zgjidh sipas klasifikimit. Kjo është perfekt. Por, nga ana tjetër, ne duhet të kemi testim të vazhdueshëm brenda për brenda administratës. Gjithkush duhet të provojë se është ai njeriu më i aftë për ta mbajtur atë vend dhe jo ta mbajë atë vend, pavarësisht se çfarë bën. Aq më tepër, absurditeti pastaj, që po të largohet, paguhet si drejtor gjithë jetën.

Besoj që janë hapësirat për të përmirësuar ligjin, nëse duam dhe ne duam që të kemi një administratë që të sillet siç sillet sektori privat ndaj klientit dhe të jetë një administratë që sillet tamam si shërbim ndaj klientit, e interesuar për t’i shërbyer klientit, jo që t’i thotë “hajde nesër, se pasnesër nuk jam”.

Në fund fare do të doja të bëja një mbyllje duke thënë, për këdo që na dëgjon, që sot, në këto kushte, lufta kundër korrupsionit kalon patjetër nga bashkëpunimi i qytetarëve me Qeverinë dhe me të gjitha strukturat e shtetit. nuk mund të jetë një luftë e njëanshme. Problemi i besimit të qytetarëve është shumë i madh. Qytetarët nuk besojnë, se kaq shumë vite u mësuan që të mos besojnë që, nëse ata bëjnë një denoncim, denoncimi i tyre do të sjellë ndonjë ndryshim. Madje dyshojnë se mos denoncimi u kthehet në bumerang. Dhe për këtë arsye, ministri i prezantoi ato masa që ne kemi menduar të marrim. Ne kemi ndërtuar dhe do të fusim në fuqi në 1 janar, një sistem të drejtpërdrejtë komunikimi të çdo qytetari me ministrin përgjegjës dhe me Kryeministrin, përmes një sistemi që në një klik të vetëm të jep mundësinë që të denoncosh korrupsionin, kudo qoftë ai. Pas çdo kuadrati qëndron një skuadër, e cila merret drejtpërdrejtë me ankesën tënde. Çdo ankesë i referohet ministrit përgjegjës, i cili ka detyrimin të ndjekë ankesën duke monitoruar skuadrën që merr ankesën dhe sektorin që duhet ta zgjidhë ankesën dhe zyrës së Kryeministrit që, kështu e solli jeta, monitoron ministrin. Çdonjëri nga kuadratet përmban praktikisht të gjithë sektorët dhe kemi lënë edhe një sektor “Etj.”, sepse fantazia e shqiptarëve nuk mund të kufizohet në një kuadrat, sado i madh që të jetë ai kuadrati. Dhe në këtë aspekt besoj që na jepet mundësia që edhe të mësojmë. Kështu që mos u çudisni, nëse sot një vit do të kemi një dritare më të madhe, me më shumë kuadrate, s’do me thënë që është zgjeruar korrupsioni, por janë zgjeruar kufijtë e fantazisë.

Nga ana tjetër është vendosur një kuti shërbimesh online, e cila gjendet në faqen e Kryeministrit dhe të çdo ministri dhe ndiqet edhe kjo nga një skuadër e tërë mbrapa, që është vetëm për vonesat. Pavarësisht se aty shkruajnë edhe për UEFA-n, ankohen për Platininë, por ajo është vetëm për vonesat. Çdokush që has një vonesë në dhënien apo në marrjen e një shërbimi mjafton të klikojë në kutinë e Shërbimeve Publike të ministrit përkatës apo të Kryeministrit. I gjithë ky është një sistem postar i Qeverisë, i lidhur online dhe brenda 10 ditësh ka përgjigjen për ankesën. Ndërkohë që ministri ka detyrimin të marrë masë, nëse vonesa ka qenë e pajustifikuar.

Këtu vijmë përsëri të çështja e administratës. Çfarë ndodh me ligjin aktual, kur vonesa është e pajustifikuar, e një nëpunësi? Është një histori që nuk mbaron. Çfarë ndodh kur vonesa përsëritet? Është një histori që zgjatet edhe më shumë. Ndaj këtu, ne duhet të kemi një masë të qartë në ligj, që penalizon nëpunësit të cilët vonojnë. Ne kemi bërë edhe një propozim që për vonesa që identifikohen qartësisht si përgjegjësi individuale e 1, 2 apo më shumë nëpunësve, nëpunësi duhet të paguajë nga xhepi deri në pikën kur duhet të largohen, në rast se janë përsëritës. Nuk është një shpikje e jona, është një përpjekje e suksesshme e bërë në disa vende.

Duke pasur këto dy hapësira të drejtpërdrejta dhe duke i fshirë të gjitha ato numrat e gjelbër, numrat e kuq dhe të gjitha që janë në të 4 anët, por duke pasur vetëm një pikë komunikimi me gjithë Qeverinë, për çdo rast ankese apo vonese në të gjithë sistemin, ne kemi hedhur bazat, besoj, të vendosjes së një besimi reciprok me qytetarët. Qytetarëve u garantohet konfidencialiteti dhe vetëm në rastet kur ata dëshirojnë ta çojnë më tutje, bashkë me ne, përpjekjen për të çuar në shkallët e ndjekjes penale, në rast se vërtetohet se janë kushtet për ndjekje penale, atëherë identiteti i tyre zbulohet.

Vitin e ardhshëm, ne hyjnë në fazën e modernizimit total të shërbimeve ndaj qytetarëve, gjithmonë duke iu rikthyer asaj që thashë gjatë gjithë kohës, nuk mjaftojnë këto, ne duhet të modernizojmë sistemin. Është sistemi që iu shërben qytetarëve, nuk janë zyrtarët. Zyrtarët thjeshtë bëjnë punën që sistemi të funksionojë. Do të fillojmë me një numër shërbimesh që do të mund të merren në qendrat tregtare. Në të gjitha qendrat tregtare të vendit do të mund të merren shërbimet e shtetit online. Mjafton të plotësosh siç plotësohen në aeroport të dhënat për të marrë biletën online dhe nuk ka më nevojë fare të shkosh te sporteli.

Paralelisht më këtë, së bashku me Bankën Botërore, ne do të fillojmë ndërtimin e Qendrës së Shërbimeve Publike, që do të jetë një qendër fizike në Tiranë, e shpërndarë në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe që do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve në një sportel unik, për të gjitha shërbimet e shtetit që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me qytetarin, në formën e dokumenteve, licencave, pasaportave e të gjithave me radhë. Kjo do të mund të bëhet në atë qendër. Kjo do të mund të bëhet në të gjitha pikat postare. Kjo do të mund të bëhet në të gjithë qendrat tregtare dhe në të gjitha ato pika të tjera ku ka frekuencë njerëzish dhe ku Qeveria bën një marrëveshje për të pasur shërbime. Kjo e decentralizon tërësisht shërbimin dhe kjo e largon tërësisht nëpunësin nga kontakti i drejtpërdrejtë me qytetarin dhe nga monopoli i zgjidhjes së problemit të qytetarit. Atëherë nuk është se shqiptarët do jenë bërë gjermanë, por nuk do mund dot të kenë mundësi të mbajnë peng njerëz, sepse të gjithën do ta bëjë sistemi.

I gjithë sistemi është i planifikuar të ngrihet i plotë në 5 vite, por qysh vitin e ardhshëm janë më shumë se 100 shërbime, në mos gabohem, që do të jepen. Fillon me 25, por deri në fund të vitit të ardhshëm besoj që do të shkojmë tek më shumë se 100 shërbime. Të mos harrojmë që teknologjia është mundësia e jashtëzakonshme e një vendi të prapambetur, për të bërë kapërcime që vendet e tjera i kanë bërë hap pas hapi, për të bërë një kapërcim të menjëhershëm, por kërkon bazë të dhënash. Këtu, ne kemi problemin kryesor. Se përndryshe mund ta fillonim menjëherë. Sepse baza e të dhënave të pronave, ju e dini vetë si është, baza e të dhënave në shumë shërbime të tjera, ju e dini vetë si është trashëguar. Por besoj që vitin e ardhshëm, po këtu në Tiranë dhe po në këtë Forum, ne do të mund të flasim me rezultate për të gjitha këto që mbase sot mund të duken si utopi. Nuk janë aspak utopi, janë projekte të qarta, të iniciuara bashkë me partnerë seriozë ndërkombëtarë, që do të na sjellin në një situatë të re dhe do të rrisin jashtëzakonisht shumë besimin e njerëzve tek shteti dhe besimin tonë të përbashkët se përmes bashkëpunimit, ne mund ta bëjmë shtetin modern të shqiptarëve.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi