Shtet ligjor apo policor?
Nga Fatos Çoçoli, botuar në Shqiptarja.com, 6 dhjetor 2014
Arrestimet e kohëve të fundit ndaj vjedhësve të energjisë kanë shumëfishuar konsideratat e disa përfaqësuesve të opozitës për vendosjen e një shteti policor tek ne. Po sa të bazuara janë ato? Togfjalëshi “shtet policor” nënkupton një diktaturë të policisë ose ushtrisë.
Në të dyja rastet, policia e një shteti përdor dhunë masive ndaj protestuesve apo kundërshtuesve tëqeverisë së vet. Kjo dhunë shkakton edhe viktima. Ia vlen të tregohen rastet konkrete kur ky shtet ka funksionuar si i tillë. Shtet policor ose gati ushtarak ka patur Greqia e kolonelëve në vitet 1967-1974, ose më larg Kili i kohës së Pinoçetit apo Argjentina e Juntës Ushtarake e viteve 1975-1978.Greqia njeh me qindra të vrarë, Kili me qindra mijëra, Argjentina me dhjetra mijëra.
Në të gjitha këto raste, janë futur me mijëra e qindra mijëra protestues e kundërshtues të këtyre regjimeve në burg, ku shumë prej tyre edhe kanë humbur jetën. Vetëm Argjentina ka të paktën mbi 30 mijë “desaparesidos” (të zhdukur), të rinj ose intelektualë, kundërshtues të rregjimit, që arrestoheshin dhunshëm në shtëpitë e tyre ose në rrugë, dhe pastaj nuk u gjendej as nami, as nishani. Dhjetra arrestimet e vjedhësve të energjisë elektrike në nëndor dhe dhjetor të këtij viti tek ne, nuk kanë asgjë të përbashkët me një shtet policor.
Arrestimet bëhen në emër të respektimit të autoritetit të shtetit, jo në emër të mbijetesës së një rregjimi diktatorial. Më në fund, pas 25 vitesh rrëmuje totale në pagesat dhe menaxhimin e energjisë elektrike në vendin tonë, kjo qeveri po kërkon të vendosë autoritetin e shtetit. Po kërkon të dënojë me burgim ata që vjedhin një pronë të shtetit, e cila është energjia elektrike. Dhe vjedhja e pronës publike, sikurse edhe asaj private, dënohet me Kod Penal.
Energjia elektrike, kjo pronë publikeështë shumë e vyer, pse kushton 600 milionë euro në vit dhe nëse 250 milionë euro vidhen çdo vit e nuk arkëtohen, kuptohet se sa pa të ardhme është Buxheti i Shtetit dhe janë shërbimet për njerezit në nevojë e për pensionistët, për arsimin e për shëndetësinë publike. Janë edhe investimet në energjinë shqiptare, që ai potencial i jashtëzakonshëm i energjisë ujore e diellore të mos ngelet peng e klientelizmave dhe e abuzimit publik. Arrestimi i këtyre vjedhësve sot dhe toleranca mirëfilli zero(më në fund një tolerancë zero, pas shumë mashtrimesh me këtë vullnet shtetëror!) ndaj edhe vjedhjes më të vogël të energjisë, çon ujë në krijimin e një shteti ligjor tek ne.
Në sjelljen e autoritetit tëShtetit tonë nga përtokë, në një qëndrim të paktën në gjunjë. Sa të forcohen edhe shërbimet e tjera publike dhe të mos tolerohet vjedhja edhe në sferat e tjera. Nëse ka raste tejkalimi të së drejtës shtetërore(përshembull, rasti i nënës që arrestohet së bashku me fëmijën 5 vjeçar, nëse është i vërtetë, duhet dënim shembullor i atyre policëve që fusin këtë nënëme arrest në burg me fëminë e mitur) qeveria do të bëjë mirë të marrë masa drakoniane. Njerëzit, edher vjedhësit e energjisë mes tyre(familje që merrnin energji pa u takuar ajo sasi, numërohen të paktën 180 mijë në Shqipëri), janë të lodhur e të tensinuar. Janë të tensionuar pse nuk vjedhin dot më energjinë me atë lehtësi qëe bënin deri dje.
Pse nëse vijojnë ta vjedhin, rrezikojnë sot realisht burgun. Dhe këtyre të tensinuarve, nëse u lejon edhe një rast të vetëm ekstrem ku forca policorer ushtrohet pa të drejtë(si rasti i mësipërm me nënën me motakun në krahë), janë vetëm një hap larg për të shpërthyer.
Edhe pa të drejtën morale mes tyre. U mjafton një shkëndijë, një e drejtë morale e shkelur nga policia diku gjetkë, dhe këta shfryjnë e turfullojnë mëritë e tyre personale. Qeveria i ka hypur një fuçie të mbushur me zemërim popullor, ta quajmë kështu, të “popullit” të vjedhësve,, pse të tillë janë me qindra mijëra. Kjo fuçi do vetëm një shkëndijë të shpërthejë dhe qeveria duhet të bëjë të gjitha përpjekjet që të mos e provokojë shkëndijën. Vetëm kështu nuk do të dalë në asnjë rast me trajtat e një shteti e qeverie policore.