Kujt i intereson shoqëria e inkriminuar
Nga Gani Elezi, botuar në Shekulli, 7 dhjetor 2014
Një përqindje e madhe e popullsisë nuk e paguan energjinë elektrike, ujin dhe detyrime të tjera. Shumë të tjerë ndërtojnë pa leje. Bizneset, edhe ato të mëdhatë, nuk i paguajnë taksat, as edhe energjinë. Shkollat japin diploma përkundrejt miqësisë dhe pagesës. Në spitale duhet të paguash që të marrësh shërbimin e nevojshëm. Ashtu edhe në administratë. Avokatët, prokurorët, gjykatësit “bëjnë” drejtësi me para. I madh është numri i vrasjeve për arsye konkurrence, gjakmarrjeje, për shkaqe politike dhe ordinere. Një pjesë e mirë e të rinjve, nxënësve, sidomos në arsimin parauniversitar, është futur në rrugën e drogës dhe krimit. Në zona të thella të vendit, edhe pas aksionit të policisë në Lazarat, banorët ende mbjellin kanabis. Përballë këtyre fakteve është e vështirë të mos e pranosh realitetin. Domosdo, ne nuk guxojmë të themi se shqiptarët janë kriminelë. Kjo do të ishte e rëndë të thuhej. Shqiptarët nuk janë kriminelë, por del se ata jetojnë në një shoqëri të inkriminuar, pjesë e së cilës jemi të gjithë. Jemi, kështu, në një pikë kritike në raportin mes të mirës dhe të keqes.
Nëse ky raport ndryshon në favor të të keqes, në favor të krimit e korrupsionit, shoqëria jonë rrezikon të bëhet totalisht shoqëri që bashkëjeton, pa vrarje ndërgjegjeje, me krimin. Është një rrezik i madh për të sotmen dhe për të ardhmen e kombit tonë. A kemi qenë gjithmonë kështu, shoqëri e inkriminuar? Edhe pse krimi, në çfarëdo forme që të paraqitet, është shfaqje që konstatohet në të gjitha shoqëritë, fenomene të tilla te ne ka patur më shumë pas viteve ‘90. Ka ndodhur kështu për arsye se në këto vite, liria e shumë dëshiruar, u interpretua si liri pa kufizim. Por edhe ky interpretim i gabuar i lirisë, nuk ka të bëjë kryesisht me prirjet e qytetarëve tanë. Ka të bëjë shumë me modelin dhe kohën që jetojmë. Në këtë model konkurrenca konsiderohet mekanizmi kryesor në përmbushjen e synimeve të individëve apo të grupeve të interesit, mekanizëm që shpesh të çon në kriminalitet. Pikërisht, sepse liria, sipërmarrja e lirë dhe konkurrenca keqpërdoren, është i domosdoshëm një shtet i fortë. Në këto vite, në Shqipëri shteti nuk ka funksionuar si një institucion që garanton liri e të drejta. Paaftësinë e shtetit në këto vite e kanë vuajtur më shumë qytetarët, të cilët, shpesh herë, pa menduar se shprehin ndonjë qëndrim politik, i kthehen përvojës së viteve para ‘90. Nuk kishte si tani kaq shumë krime, nuk kishte korrupsion, nuk kishte gjakmarrje, nuk kishte vjedhje të këtyre përmasave. Shtetin e fortë e kërkojnë edhe të tjerë, jo vetëm ne në Shqipëri, as edhe vetëm “nostalgjikët” e socializmit, si thonë disa teoricienë. Hantingtoni, duke kritikuar gabimet e amerikanëve, që çuan në dështimin e Pranverës Arabe”, thotë:
“Amerikanët asnjëherë nuk e kuptuan se nuk ka rëndësi se kush është në pushtet: feudali, diktatori, komunisti apo demokrati, rëndësi ka shkalla e qeverisjes”. Rëndësi ka mënyra e të qeverisurit. Edhe ne na duhet, patjetër, të ngremë shkallën e qeverisjes në nivelin që të mund të shpëtojmë shoqërinë tonë nga kjo gjendje e kriminalizuar, qoftë edhe duke sakrifikuar. Nuk ka rrugë tjetër. Aksioni që ka filluar qeveria e kryeministrit Edi Rama për të vendosur rregull, për të bërë të mundur që çdo qytetar, përkrah të drejtave e lirive të tij, të shlyejë edhe detyrimet ndaj shoqërisë dhe ndaj shtetit, është i një rëndësie kapitale. Çdo tentativë për ta penguar këtë aksion, siç po bën opozita, gjoja për të mbrojtur qytetarët nga “dhuna” e qeverisë, është përpjekje për ta mbajtur edhe më tej shoqërinë tonë në kufijtë e një mase njerëzish të kriminalizuar. Në këtë hulli të çon thirrja e këtyre ditëve e kryetarit të PD-së, Lulzim Bashës, dhe e atyre që i qëndrojnë pas, për protesta të vazhdueshme deri në “rrëzimin e kësaj qeverie të papërgjegjshme”. Opozita është në të drejtën dhe ka përgjegjësinë e saj që të mos lejojë që qeveria të abuzojë në këtë aksion të madh kombëtar, por nuk mund ta përdorë këtë të drejtë në dëm të interesave të vendit. Përndryshe, me qëllim, kërkon ta mbajë shoqërinë shqiptare edhe më tej të inkriminuar. Një shoqëri e tillë u intereson vetëm grupeve të interesit politik dhe ekonomik, klaneve mafioze, sepse duke qenë e tillë ajo nuk mund t’i “shikojë” dhe jo më t’i ndëshkoje aferat korruptive. Në të kundërt qytetarët, pa përjashtim a rreshtim politik, duan shtet të fortë, që të jenë të sigurte për të drejtat dhe liritë e të gjithëve, jo vetëm të një grupi të privilegjuar, edhe nga krimi e korrupsioni. Ata nuk e presin këtë shtet vetëm nga socialistët, vetëm nga demokratët, apo nga parti të tjera politike. Kjo është sfidë dhe përgjegjësi e përbashkët e të gjithë klasës sonë politike.