Drejt një politike të re sociale

AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI

A është sot koha për ndryshime, përmirësime dhe përsosje të mëtejshme të reformave në politikat sociale? Kjo pyetje është bërë objekt i shumë diskutimeve në nivele të ndryshme shoqërore, institucione të shoqërisë civile, komunitetit të biznesit, pse jo edhe të politikës.

Në shumicën e mendimit në mes të këtij debati, përgjigjja është PO, duke kuptuar se karakteristikë e pandryshueshme është që politika sociale është në funksion të sistemit ekonomik. Shpërndarja e të mirave në shoqëri dhe mbështetja me të ardhura apo shërbime sociale që shkojnë tek individë dhe grupe në nevojë, si edhe investimet e politikës sociale shkojnë për të mirën e shoqërisë dhe garantimin e rregullit shoqëror. Pra, politikat sociale nuk mund të mos konsiderojnë dhe zhvillimin ekonomik, mundësitë ekonomike e financiare të shtetit dhe momentin kur duhen bërë dhe përmirësuar ato. Por më parë se …

ÇFARË ËSHTË POLITIKA SOCIALE DHE QËLLIMI I SAJ?

Edhe pse politika sociale është një koncept që ka pasur përcaktime të ndryshme, të evoluuara në kohë, qëllimi i saj është thuajse i njëjtë. Disa e konsiderojne atë si “strategji kolektive që u drejtohet problemeve sociale” (Jansson, B. S., 1984:6), përcaktim ky që vlen veçanërisht për vendet në zhvillim, që ndeshen me probleme sociale të mprehta si varfëria, papunësia, emigracioni, etj.

Kjo qasje e konceptit të politikave sociale gjithnjë e më shumë sot ndërthuret me instrumentet që i ndihmojnë individët/grupet të gjejnë forcat e të mobilizojnë energjitë e tyre pozitive për përmbushjen e nevojave sociale. Kjo është vënë re edhe në evoluimin e programeve sociale gjatë këtyre 30 e me shume viteve të tranzicionit në Shqipëri. Mendimtarë të tjerë të politikës sociale në London School of Economics e përcaktojnë politikën sociale si “një subjekt ndërdisiplinor dhe i zbatuar në ndëhyrjen e shoqërisë ndaj nevojave sociale”.

Ndërsa ata të Qendres Malcolm Ëiener për politikë sociale në Universitetin e Harvardit e përcaktojnë politikën sociale si “politikë publike dhe veprimtari praktike në fushat e kujdesit shëndetësor, shërbimeve, drejtësisë kriminale, pabarazisë, edukimit dhe të punës”. Mendimet dhe përcaktimet janë nga më të ndryshmet, ku në disa prej tyre politikat sociale zgjerohen dhe me politikat shëndetësore, ato të emigracionit, të kujdesit shëndetësor, të edukimit dhe disa të tjera i përjashtojnë disa nga këto elementë. Pavarësisht nga diversiteti i mendimeve, përafrimi mes këtyre koncepteve është më i madh se diversiteti i tyre dhe qëllimi i politikës sociale konvergon në faktin dhe është pothuajse i njëjtë: “mbrojtja, garantimi dhe zhvillimi i të drejtave sociale të njeriut, si kusht për ruajtjen e rregullit shoqëror.

Në këtë kuptim, të gjithë kanë interes të njohin procesin dhe institucionet e politikës sociale”. Karakteristikë e pandryshueshme është që politika sociale është në funksion të sistemit ekonomik. Shpërndarja e të mirave në shoqëri dhe mbështetja me të ardhura apo shërbime sociale që shkojnë tek individë dhe grupe në nevojë, si edhe investimet e politikës sociale shkojnë për të mirën e shoqërisë dhe garantimin e rregullit shoqëror. Shteti shqiptar si bazë ligjore për hartimin dhe zbatimin e politikave sociale ka Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Një kre i veçantë i saj u kushtohet objektivave sociale dhe më tej sanksionohen të drejtat themelore sociale të shtetasve. Kushtetuta e Shqipërisë, kreu V “Objektivat Sociale”: a. Punësim në kushte të përshtatshme të të gjithë personave të aftë për punë b. Plotësimin e nevojave të shtetasve për strehim

c. Standardin më të lartë shëndetësor, fizik e mendor të mundshëm

d. Arsimimin dhe kualifikimin sipas aftësive të fëmijëve dhe të rinjve si dhe të personave të pa zënë me punë e. Një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjik të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm f. Përkujdesjen dhe ndihmën për të moshuarit, jetimët dhe invalidët

g. Zhvillimin e sportit dhe veprimtarisë ripërtëritëse h. Riaftësimin shëndetësor, edukimin e specializuar si dhe përmirësimin në vazhdimësi të kushteve të tyre të jetesës i. Mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare, kulturore dhe kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe (Neni 59, Fletore Zyrtare e RSH nr. 28, 1998). Në zbatim të këtyre objektivave sociale janë zhvilluar institucionet bazë të politikës sociale në vendin tonë. Krahas shumë dokumenteve të rëndësishme të organizatave ndërkombëtare neë dobi të Politikës Sociale, si ato të OKB, Organizatës Ndërkombëtare të Punës, Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës, Bankës Botërore etj., veçohet fakti i rëndësishëm se: “Në vitin 2012, Organizata Ndërkombëtare e Punës ka sjellë rekomandimin nr. 202 në lidhje me Themelet në Arkitekturën e Sistemit Kombëtar të Mbrojtjes Shoqërore. `Politikat e mbrojtjes shoqërore, luajnë një rol kritik në realizimin e të drejtës për mbrojtje shoqërore për të gjithë, zvogëlimin e varfërisë dhe të pabarazisë, mbështetjen e rritjes gjithëpërfshirëse duke zhvilluar kapitalin njerëzor dhe produktivitetin, mbështetjes së kërkesave të shoqërisë dhe lehtësimit të transformimeve strukturore të ekonomisë kombëtare` (ILO, 2014:xxi)”. Ky rekomandim përbën instrumentin e parë ndërkombëtar që njeh në mënyrë të qartë “rolin e trefishtë të mbrojtjes shoqërore si një e drejtë universale e njeriut, si një domosdoshmëri ekonomike dhe sociale1

2-PSE TANI NJË POLITIKË E RE SOCIALE?

Një analizë e politikës sociale fillon me vlerësimin e nevojave sociale të paplotësuara, të cilat shndërrohen në probleme sociale të shoqërisë sonë në tranzicion. Kjo, e pashkëputur nga niveli i zhvillimit ekonomik dhe financiar te vendit. Gjithashtu, politika sociale e tranzicionit të shtetit tonë shihet në krahasim me përvojën e sotme evropiane, duke qene  se jemi në rrugën e procesit të integrimit të plotë në BE. Ndërtimi dhe zbatimi i një politike te re sociale në këtë moment është i lidhur, pra, me disa faktorë, kryesisht të brendshëm, por edhe të jashtëm.

Së pari, ffektet, pasojat e katër krizave (të mëdha) të 15 viteve të fundit që kanë prekur edhe vendin tonë, kriza e viteve 2008-2010, pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019, kriza e koronavirusit 2020 e në vazhdim dhe kriza si rrjedhojë e luftës në Ukrainë (ndërprerja e zinxhirit të furnizimit me mallra dhe lëndë të para, kriza energjetike, kriza ushqimore, rritja e çmimeve dhe e inflacionit etj.).

Së dyti, situata ekonomike e financiare dhe përballja me dy krizat e fundit.

Së treti, analiza e pasojave për shtresat që u prekën, u goditen më shumë nga dy krizat e fundit (shtresat në nevojë, pensionistët, të paaftët për punë, të papunët, punonjësit me paga të ulëta e mesatare, bisnesi, etj.)

Së katërti, situata e tregut të punës në vend, raportet me tregun ndërkombëtar të punës dhe nevoja për frenimin e emigracionit, Së pesti, krahasimi i rezultateve të politikes sociale në vendin tonë (paga, punësimi, pensionet, kujdesi shëndetësor etj.) me vendet e rajonit dhe objektivat e integrimit në BE.

Referuar këtyre faktorëve, analizave të bëra, vlerësimeve të institucioneve të vendit tonë (Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Bankës së Shqipërisë, Institutit të Statistikave, FMN, BB, BERZH, etj., është arritur në përfundimin se ekonomia shqiptare ka performuar pozitivisht, se përballja me krizat e fundit ka qenë rezistente (falë zhvillimeve të brendshme ekonomike dhe politikave monetare e fiskale, të harmonizuara optimalisht), duke realizuar tregues më pozitivë se pritjet e parashikuara për efekt të krizës. Inflacioni i çmimeve të konsumit erdhi në rënie gjatë dy muajve të fundit të vitit 2022.

Pasi kulmoi në nivelin 8.3% në muajin tetor, norma e inflacionit zbriti në 7.4% në fund të vitit. Në aspektin e shportës, rënia e inflacionit pasqyroi rënien e çmimeve të naftës dhe të disa artikujve ushqimorë, të diktuara nga ecuria e ngjashme e këtyre çmimeve në tregun ndërkombëtar. Ndërsa normat e inflacionit të shërbimeve dhe të artikujve të tjerë mbeten në nivele të larta, të krahasueshme me ato të muajve paraardhës, por ndërkohë presionet e brendshme inflacioniste mbeten ende të larta.

Ato ushqehen nga kërkesa relativisht e lartë për mallra dhe shërbime, nga rritja e shpejtë e punësimit, e pagave dhe e kostove të prodhimit, si dhe nga pritjet ende të larta për inflacionin të agjentëve ekonomikë. Gjithashtu, aktiviteti ekonomik në vend vijoi të rritet edhe gjatë gjysmës së dytë të vitit 2022. Rritja ekonomike u përshpejtua në 4% në tremujorin e tretë. Në këndvështrim sektorial, rritja ekonomike u mbështet nga zgjerimi i aktivitetit në sektorët e ndërtimeve dhe të shërbimeve, ndërkohë që aktiviteti industrial u tkurr dhe prodhimi bujqësor ishte pothuajse i pandryshuar. Në këndvështrimin e kërkesës, rritja ekonomike u ushqye nga rritja e konsumit familjar dhe e investimeve private, ndërkohë që sektori publik dhe shkëmbimet tregtare me jashtë neto patën efekt frenues. Rritja ekonomike është shoqëruar me rritje të punësimit dhe të pagave.

Punësimi u rrit me 4.2%, shkalla e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.6% dhe paga mesatare në sektorin privat u rrit me 12.3% në tremujorin e tretë. Ecuria pozitive e tregut të punës krijon premisa për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në të ardhmen, por sinjalizon edhe për rritje të shpejtë të kostove të prodhimit dhe presione mbi çmimet e konsumit.

Tregjet financiare kanë funksionuar normalisht… Situata dëshmon se inflacioni do të bjerë gradualisht gjatë vitit 2023 dhe do të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024. Paralelisht me të, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet, ndërsa treguesit kryesorë të stabilitetit financiar pritet të mbeten në kontroll (rritja ekonomike e vendit pritet të mbetet në territor pozitiv, megjithatë, ritmi i rritjes ekonomike pritet të vijë në ngadalësim të lehtë gjatë vitit 2023 dhe t’u kthehet ritmeve historike të rritjes në afatin e mesëm e të gjatë).

Por, duke marrë parasysh faktin se kriza vazhdon dhe ajo ka ndikuar dukshëm në nivelin e jetesës se popullsisë, sidomos të shtresave në nevojë, komunitetin e biznesit dhe se situata sociale e ndikuar nga dy krizat e fundit ka thelluar edhe diferencën mes shtresave sociale, atëherë tani është momenti për të korrigjuar këto disproporcione shoqërore, sidomos në nivelin e jetesës për të ofruar më shumë drejtësi ekonomike, financiare e sociale. Këtij objektivi mund t’i vijë në ndihmë zbatimi i një POLITIKE TE RE SOCIALE.

Në fakt, më e drejtë do të ishte për ta zhvilluar e thelluar më tej këtë politikë sociale, tashmë e nisur me politikat (paketat) e zbatuara për të përballuar pasojat e krizës së koronavirusit dhe të luftës në Ukrainë. Kjo duhet të mbështetet në vendosjen e një ekuilibri të ri të kujdesshëm mes shpenzimeve kapitale (të cilat deri tani i kanë dhënë një shtytje pozitive rritjes ekonomike dhe, nga ana tjetër, atyre për politika sociale (paga, pensione, ndihma sociale, kujdes shëndetësor etj.), për të përballuar më me pak dhimbje pasojat e krizës (rritjen e çmimeve, inflacionin, nevojat për kujdes shëndetësor). Më konkretisht, kjo Politike e Re Sociale duhet të synojë thellimin e reformave tashmë të porsanisura, në disa drejtime:

Së pari, reformimin e sistemit të pagave në vendin tonë. Kjo, jo thjesht duke rritur fondin e pagave, por njëhershmi duke targetuar disa objektiva. Duhet rritur paga minimale (nga 34.000 në 40.000- 45.000 lekë. Shqetësimet që mund të paraqesin bizneset për këtë çështje mund të zgjidhen duke përdorur instrumente të përkohshme financiar apo subvencionist për një periudhë. Njëhershmi, paga mesatare duhet gradualisht t’i afrohet nivelit mesatar të saj në vendet e rajonit.

Gjithashtu, është momenti që ritmi i rritjes së pagave në sektorin shtetëror duhet të ndjekë ritmin e rritjes në sektorin privat. Dhe ajo çka është më e rëndësishme të mos ketë barazi në përdorimin e fondit të pagave, duke i rritur njësoj të gjitha pagat në sektorin publik, por të ketë një rritje të diferencuar sipas rëndësisë së funksioneve në administratë dhe në veçanti i profesioneve të nevojshme, që vlerësohen të domosdoshme falë mësimeve të dala nga dy krizat e fundit dhe zhvillimeve marramendëse të revolucionit 4.0, të cilat siç e theksoi Kryeministri Rama, tashmë janë në fokusin e qeverisë.

Politika të tilla i shërbejnë përballimit të krizës, zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm dhe zvogëlimit të ritmeve të emigracionit. Së dyti, thellimi i reformës së siguri meve shoqërore. Reforma e nisur vite më parë në këtë drejtim, edhe pse do duhet kohë që të shënojë kthesën pozitive në situatën financiare të sistemit të sigurimeve shoqërore, për të lehtësuar sadopak koston e buxhetit të shtetit, do të duhet të përshpejtohet e të thellohet nga njëra anë duke bërë disa korrigjime në rritje të pensioneve në përgjithësi, të disa lloje pensioneve të veçanta, dhe, nga ana tjetër, në përdorimin e disa instrumenteve të rinj, për të zvogëluar gapin e krijuar midis të ardhurave dhe shpenzimeve të këtij sistemi.

Së treti, thellimi i reformës në sigurimet shëndetësore, në të dy sektorët, por veçanërisht në sektorin privat ku ky produkt është minimal. Hapja e një debati dhe shndërrimi në vendimmarrje dhe realitet i kësaj çështjeje, si dhe reformës në lidhje me kujdesin shëndetësor (nisur nga mësimet e nxjerra nga kriza e koronavirusit dhe paketat e ndihmës së aplikuara gjatë kësaj pandemia) dhe mbështetja me e madhe për asistencën sociale, pagesën e papunësisë, pensionet e invaliditetit, apo një vlerësimi me i mirë i një sërë statusesh të profesioneve shëndetësore e sociale, do të ishin elemente të shtuara te një politike ndryshe sociale, tashmë të nisur, por që duhet përshpejtuar e ridimensionuar…

Së pesti, Sektori i Edukimit dhe Sportit në vendin tonë mbetet gjithashtu element i rëndësishëm edhe i politikes sociale. Nismat e nisura për zhvillimin e sportit në shkolla (klasat sportive), ndërtimi i fushave dhe ambienteve sportive, ndërtimi i stadiumeve etj., janë dëshmi e kthesës së marrë në këtë drejtim që duhet vazhduar. Koha drejt një politike të re sociale ka filluar, tashmë ajo duhet thelluar e përshpejtuar.

1 Merita (Vaso) Xhumari. Procesi dhe institucionet e politikës sociale, botimi i pestë. Botime Pegi, Tiranë, 2018, fq.1-18.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi