Në Europë populizmi po pushton edhe qeveritë
Intevistë e filozofit gjerman Jyrgen Habermas,
dhënë në gazetën La Repubblica, shqipëroi bota.al, 3.12.2014
Filozofi Jyrgen Habermas mbështet idenë e një forcimi të Unionit mes vendeve të Kontinentit të Vjetër dhe analizon në këtë intervistë kontradiktat e BE-së, duke bërë thirrje për një ndryshim drejtimi. Sipas këndvështrimit të tij, vetëm një qeveri ekonomike e përbashkët e vendeve të bërthamës europiane do të ishte në gjendje të luftonte pabarazitë sociale në rritje në brendësi të eurozonës.
Habermas, duket se euroskepticizmi po fiton terren kudo. A jemi dëshmitarë të një krize të Bashkimit Europian?
Po, euroskeptikët fitojnë terren në të gjithë shtetet e BE-së, sidomos për shkak të krizës që është ulur këmbëkryq prej pesë apo gjashtë vitesh: e cila është bankare dhe financiare, por në të njëjtën kohë një krizë e borxhit publik. Nëse eurozona zbulohet të jetë e brishtë, kjo ndodh mbi të gjitha sepse në Maastricht, në momentin e themelimit të unionit monetar europian, politikanët e ngarkuar nuk gjetën kurajën që të parashikonin pasojat e atij hapi, si dhe të krijonin premisat që, nga unioni monetar të krijohej një union politik. Në këtë moment, politikat fiskale, ekonomike dhe sociale mbeten prerogativa të shteteve anëtarë. Por në fakt, vetëm një qeveri ekonomike e përbashkët e atyre vendeve që përbëjnë bërthamën europiane, e angazhuar për të çuar përpara një politikë të bashkërenduar, do të ishte në gjendje që të zbuste kushtet jo optimale në të cilat ndodhet unioni monetar europian. Në gjendjen aktuale, nuk bëhet aq sa duhet për të shmangur të paktën rritjen e hendkut mes ekonomive të shteteve të ndryshme.
Nuk mendoni që qorrsokaku politik rrezikon t’u japë të drejtë liberistëve, që do të shpresonin një hapësirë të thjeshtë të shkëmbimeve të lirë tregtarë?
Duhet të shohim nëse jemi të gatshëm të dorëzohemi para asimetrisë që karakterizon tashmë marrëdhëniet mes politikës dhe tregut. Një zgjedhje në këtë kuptim do të shkaktonte jo vetëm braktisjen e projektit të një demokracia mbikombëtare, por edhe heqjen dorë nga modeli social që vazhdojmë të themi se duam ta mbrojmë. Duhet të bëjmë kujdes që të mos përmbysim shkaqet dhe pasojat. Dhe në vijim të liberalizimit botëror të tregjeve financiarë, hapësirat e manovrimit të qeverive janë ngushtuar gjithnjë e më shumë, dhe presioni ekonomik është rritur deri në atë pikë që shtetet nuk disponojnë më nivele mbrojtës të mjaftueshëm për sistemet e sigurisë sociale. Nëse ende ekziston një e majtë jo e dorëzuar, angazhimi i saj duhet të shkojë në këtë drejtim.
Si e interpretoni vullnetin për pavarësi që manifestohet në Skoci, apo në Katalonjë?
Kur pabarazitë sociale në rritje krijojnë ankth dhe një sens pasigurie tek popullsia, atëherë lind menjëherë tundimi i një mbylljeje brenda kufijve të njohur, ku njerëzit mendojnë se mund të besojnë; si dhe dëshira për t’u kapur pas asaj që është “autoktone” – gjuha, kombi, historia, të trashëguara ose edhe të fituara. Parë në këtë këndvështrim, sipas mendimit tim, rikthimi i flakëve të rajonalizmit, në Skoci ashtu si në Katalonjë dhe në Fjandra, është të paktën në planin funksional, ekuivalent i suksesit të Frontit Nacional në Francë.
A nuk ju duket se tërheqja e shteteve-kombe në vetvete është në rend të ditës?
Sigurisht. Në BE po shohim një rikthim të nacionalizmave, që nuk përfshin vetëm popullsitë por edhe qeveritë respektive. Sigurisht, sensi i deklasimit, frika e degradimit nuk transformohen automatikisht në paragjykime antieuropianë; dhe as nuk mund të thuhet që këta të fundit janë domosdoshmërisht të lidhur me paragjykime ndaj kombeve të tjerë. Kjo sindromë, që mund ta quajmë populizëm i të djathtës, lind parasëgjithash nga një interpretim i caktuar i krizës bankare dhe borxhit publik, që edhe parti të ndryshme në qeverisje e lexojnë në mënyrën e tyre. Sipas këtij interpretimi, fakti që një shtet është kolektivisht “fajtor” apo jo për borxhin e vet shpjegohet me dallimet në fushat e kulturës dhe ekonomisë kombëtare. Për më tepër, është një mënyrë për të larguar vëmendjen e opinionit publik nga “fati i klasave” – që sigurisht nuk njeh kufij – të atyre që në këtë krizë janë fituesit dhe humbësit. Si provë e kësaj tërheqjeje në interesat kombëtare mjafton të shohim klimën dekurajuese të grindjeve në Këshillin Europian. Të gjithë kundër të gjithëve, duket sikur termi solidaritet i përket një tjetër kontinenti. Nuk është për t’u habitur që prej atij Këshilli nuk buron asnjë impuls për rilançimin e bashkimit europian.
Rikthimi në një formë hegjemonie, a i imponon Gjermanisë një përgjegjësi të veçantë?
Për shkak të epërsisë ekonomike dhe demografike, në këta vitet e fundit të krizës Gjermania ka marrë në Europë një rol udhëheqjeje që pjesërisht i është imponuar. Një rol që duhet t’i shkaktojë drojë. Sigurisht, ky pozicion – edhe pse kanë prirjen të mos e thonë – është avantazhues nga pikëvështrimi i interesave të saj kombëtarë. Kështu, pak e nga pak, Gjermania vjen e gjendet sërish përballë dilemës së atij “pozicioni gjysmë-hegjemon” ku ishte gjendur në vitin 1871, dhe që arriti ta lërë pas vetëm pas dy luftërave botërore, si dhe falë bashkimit europian. Por pikërisht Gjermania ka interesin më të madh për të nxjerrë Bashkimin Europian nga kjo fazë e zhvillimit të tij, ku vendimet mundet dhe duhet të merren nga një fuqi dominuese.
Gjermanët mendojnë se vendet e tjerë duhet të bëjnë përpjekje përmes kursimit, që ata vetë, pra gjermanët, i kanë bërë. Francezët preferojnë një politikë të rilançimit të ekonomisë…
Fakti që Gjermania dhe Franca janë sot në mosmarrëveshje nuk është ogur i mirë për të ardhmen e BE-së. Në emër të interesave të saj, qeveria e Berlinit refuzon të rifitojë kohën e humbur në çështjen e solidaritetit, dhe nuk di të korrigjojë politikën e saj kokëfortë të kursimit, ndërkohë që vetë ekonomistët gjermanë kërkojnë më shumë investime. Qeveria franceze kërkon me të drejtë këtë solidaritet, por e bën në qëllimin për të koordinuar mes tyre politikat kombëtare në kuptimin teknokratik. Krerët e shteteve dhe të qeverive duhet të lënë pas grindjet dhe të bien dakord për disa pika: 50 miliardë kursime nga njëra anë, përkundrejt 50 miliardëve investime nga ana tjetër. Por dy pozicionet bllokohen reciprokisht. Nga njëra anë mohimi i solidaritetit, nga ana tjetër refuzimi për të paguar çmimin e kërkuar për një ndryshim të politikës. Dhe si nga njëra anë, ashtu edhe nga tjetra, kapen pas një sovraniteti të shtetit-komb, që sot është i zbrazur nga çdo lloj domethënieje.
Po si mund të pajtohet hapësira e përbashkët europiane me një konfirmim në rritje të një sfere publike botërore?
Nuk duhet të jetë problem, nëse Europa do të vinte në veprim fuqinë e saj edhe në nivel botëror, për të qytetëruar kapitalizmin dhe forcuar të drejtat e njeriut.
Cfarë duhet të bëjë Europa për të përfaqësuar sërish një ide mbi të ardhmen?
Në shtetet anëtarë nuk duket se ka një debat real mbi problemet konkretë të unionit, as edhe në mundësitë praktike të bashkëpunimit. Partitë e shumta politike dhe qytetarët që vetëm e përqeshin BE-në duhet të lënë pas disfatizmin e tyre dhe të kenë kurajën që të përballen me një kundërvënie të pozicioneve të përcaktuar qartë. Vetëm një debat i qartë, i sinqertë për të ardhmen e BE-së mund t’i japë një të ardhme Europës./la repubblica/