Reformat dhe troku i protestave

Nga Fatos Çoçoli, botuar në Panorama Online, 2.12.2014

Fatos-Cocoli-320x240Reformat në rregullimin e territorit, në energjetikë dhe në pensione, qeveritë e mëparshme nuk guxuan t’i nisnin mirëfilli. Është në meritën e kësaj qeverie që guxoi t’i niste, por duhet të bëjë kujdes se çfarë do të korrë me farërat që ka hedhur. Prishjet e ndërtimeve pa leje kanë bërë me mijëra të pakënaqur, pse me dekada e vite ishin mësuar të jetonin dhe fitonin nga paligjshmëria e tyre. Për sipërmarrësit e konsoliduar, të cilëve u janë prishur dyqanet që kishin dhënë me qira apo restorantet e ndërtuara pa leje, qeveria dhe strukturat e saj të ndihmës sociale nuk kanë pse të tregojnë ndonjë vëmendje, por për ato qindra familje që jetonin me dyqanin, kioskën apo restorantin e marrë me qira, tashmë të prishur dhe që rrezikojnë të hyjnë në zonën e varfërisë, menjëherë duhet të funksionojë skema sociale dhe të papunët e vërtetuar që janë të tillë të nisin të marrin pagesën e papunësisë. Një minë të stërmadhe me sahat e përfaqësojnë dhjetëra mijëra veta që janë të varfër e tejet të varfër, që s’kanë pasur kurrë mundësi të paguajnë faturat e energjisë dhe që do të kishin provuar ta vidhnin atë edhe në rast se shteti ynë në këto 24 vite pluralizëm do të ishte treguar i rreptë me të gjithë shqiptarët që vjedhin korrentin. Qeveria po tregohet sot e tillë me të gjithë, pa përjashtim. Ndoshta këtu qëndron gabimi i saj, që mund të rezultojë fatal në pak muaj. Nëse futet në burg ndonjë sipërmarrës që riprovon të lidhë jashtë ligjit një linjë paralele korrenti, këtu morali publik ngelet i pacenuar. E njëjta gjë dhe për familjet e mesme shqiptare, në rast se do të zgjedhin sërish të paguajnë faturistët nën dorë për të faturuar më pak energji. Edhe ato janë jashtë ligjit dhe moralit. Por morali i shtetit ligjor dhe i rreptësisë pa dallim pëson një të çarë të madhe kur ke të bësh me mijëra njerëz të varfër e shumë të varfër, të cilët e kanë pasur zgjedhje të detyruar vjedhjen e energjisë, që të mund të merrnin dritë e të ngroheshin. Te këta qeveria dhe shteti duhet të veprojë me ngritjen e rrjetit social, me ndihmë të gjithanshme. Kompensimi i çmimit të energjisë për 300 kilovat-orët e para nuk u jep asnjë ndihmë reale njerëzve, që edhe sikur të vijonte të ishte fasha mbrojtëse, nuk do të kishin mundësi ta paguanin. Dhe të varfër të tillë, që përgatiten të përballojnë një dimër shumë të vështirë, ka në qytetet tona kryesore, si dhe në fshatrat e thella malore. Për ta ushtrimi i çfarëdolloj rreptësie dhe arsyeje të shtetit ligjor do të ishte i padrejtë, pse sado të ndershëm të jenë, nuk kanë mundësi reale të paguajnë faturat e energjisë. Prej një mase të tillë të prekurish nga reforma më e thellë e 20 viteve të fundit (rreptësia në energjinë elektrike është më e forta dhe tronditësja pas rritjes njëzetfish të çmimit të bukës në vitin 1993), mund të vijë protesta e vetme e moralshme kundër përpjekjeve të qeverisë për të vendosur shtetin ligjor. Do të ishte një paradoks fatkeq pse katarsisi në energji bëhet pikërisht për të ndaluar vjedhjen si mjet jetese, që nga të ardhurat në këtë sektor të mund të përfitojnë të gjithë në shërbime publike më cilësore, sidomos më të varfrit. Dhe opozita nuk do të ketë skrupuj fare që të përziejë revoltën e kësaj shtrese me pakënaqësinë e sipërmarrësve e shqiptarëve të mesëm, vjedhës të energjisë elektrike, si dhe me atë të të prekurve nga shembjet e ndërtimeve pa leje. I kanalizuar dhe i tejshtuar nga interesat më dritëshkurtra të një opozite që do të rikthehet sa më shpejt në pushtet, troku i protestave kundër reformave qeveritare mund të marrë një hov të rrezikshëm në pranverën e ardhshme, pas grumbullimit të revoltës, inatit e zemërimit dimëror nga të prekurit e reformave. Nëse kjo qeveri e sotme do t’i mbijetojë një revolte në rritje, i duhet t’u heqë të zemëruarve armatën e atyre që vërtet preken jo moralisht, të varfërve. Duhet ta bëjë sa më shpejt dhe me një program të gjerë ndihmash e asistence sociale, nëse nuk do të ngecë e mbytet nga pirgu i rrënojave antiligjore që ekskavatori i shtetit ligjor po prodhon.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi