Shlyerja e borxheve nga qeveria nuk ul kreditë e këqija
Sipas Top Channel, 30.12.2014
Një raport i fundit i Bankës së Shqipërisë konfirmon përmes shifrave se shlyerja e detyrimeve të prapambetura nga buxheti për bizneset private nuk ka ndikuar në uljen e kredive të këqija.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se deri në fund të shtatorit, buxheti i shtetit pagoi 260 milionë dollarë borxhe të vjetra ndaj biznesit. Por, sipas raportimeve, që Banka Qëndrore ka marrë nga bankat tregtare, nga kjo shifër vetëm 1 milionë dollarë kanë shkuar për të shlyer kreditë e këqija. Kjo është më pak se 0.3 përqind e gjithë shumës.
Në fillim të procesit ishin evidentuar mbi 70 kompani private, të cilat figuronin me kredi të këqija në banka, por që njëkohësisht kishin për të arkëtuar para nga buxheti i shtetit në formën e detyrimeve të prapambetura.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në total shuma që këto kompani kishin për të arkëtuar nga buxheti ishte 230 milionë dollarë. Ndërsa kreditë e këqija që ato kanë në banka rezultojnë rreth 48 milionë dollarë.
Vetë ekspertët e bankës shprehen të habitur nga ndikimi i papërfillshëm që shlyerja e borxheve të prapembetura ndaj biznesit ka patur në uljen e kredive të këqija. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë ka nisur një proces të verifikimi të hollësishëm mbi atë se çfarë ka ndodhur.
Burime nga kjo bankë i thanë Top Channel se do të verifikohet e gjithë lista e kompanive që kanë përfituar pagesa nga buxheti i shtetit deri më tani dhe gjendja që ato kanë në sistemin bankar. Raporti që pritet të dalë shumë shpejt do të japë një përgjigje më të saktë mbi atë se çfarë ka ndodhur me shlyerjen e borxheve të prapambetura dhe pse shlyerja e tyre nuk po i ul kreditë e këqija.