Sfida e ekonomisë përballë konsolidimit fiskal

Nga Olindo Shehu, botuar në Shqip, 28.11.2014

al_Olindo_ShehuQeveria ka vendosur në krye të prioriteteve të saj për Paketën Fiskale 2015 konsolidimin fiskal, me fokusimin tek ulja e nivelit të borxhit dhe zvogëlimin e deficitit buxhetor. Kjo paketë fiskale mund të konsiderohet një vazhdim i politikës së kësaj qeverie që parashikon rritje të nivelit mesatar të taksimit.

Një numër i madh studimesh ekonomike shpjegojnë marrëdhënien midis politikave fiskale dhe rritjes ekonomike. Eksperienca ka treguar se politika fiskale mund të shndërrohet në një nga instrumentet më të rëndësishme me anë të së cilës qeveritë mund nxisin rritjen ekonomike dhe zhvillimin e vendeve të tyre. Në këtë kontekst, recetat për politikën e duhur fiskale janë të ndryshme në varësi të situatës ekonomike, konkurrencës rajonale e një numër faktorësh të tjerë.

Politikat fiskale “kundërciklike” janë gjerësisht të pranuara nga ekonomistët dhe të provuara si orientuese për qeveritë për nga zbatimi me sukses i tyre në praktikë. Parimet e këtyre politikave fiskale flasin për një korrigjim në të kundërt të ciklit në të cilin ndodhet ekonomia, d.m.th. rriten taksat në kohën e ekspansionit ekonomik dhe ulen në periudha tkurrjeje të ekonomisë. Ndërsa politikat fiskale “prociklike”, të cilat kanë qenë masivisht të përdorura deri nga vitet 80’, kanë si fokus reduktimin e borxhit publik dhe fuqizimin e gjendjes financiare të shtetit përkatës, duke kompensuar deficitet fiskale gjatë recesionit ekonomik, nëpërmjet rritjes së taksave.

Konkretisht, qeveria ka propozuar një paketë fiskale që dallon për nga incentivat në sektorë si bujqësia, agrobiznesi, peshkimi dhe mbetet e dukshme mbështetja për industrinë fasone apo favorizimi i prodhimit vendas. Këto incentiva janë një përgjigje e mirë për kërkesat e këtyre bizneseve dhe synojnë një rritje dhe zgjerim të këtyre industrive që janë identifikuar edhe më parë nga qeveria si industri me prioritet strategjik për vendin.

Nga ana tjetër, një ndër pikat më delikate për biznesin në Paketën Fiskale 2015 ka qenë rritja e tatimit mbi të ardhurat në burim nga 10% në 15%. Argumentimi i Ministrisë së Financave për këtë rritje ka qenë harmonizimi i këtij tatimi me rritjen mesatare të tatimit të realizuar vitin e kaluar, pas rritjes në 15% të normës së tatim-fitimit dhe kalimit nga tatimi i sheshtë në atë progresiv. Në fakt, kalimi në tatimin progresiv për të ardhurat solli një rritje modeste të të ardhurave nga të punësuarit në sektorin privat prej vetëm 3 për qindësh. Qeveria pranon (në relacionin e projektbuxhetit 2015) se tatimi progresiv tek të ardhurat nga punësimi u shoqërua me fenomenin e nëndeklarimit të pagës reale për efekt të pagimit të një takse më të ulët. Po kjo rritje e dytë çfarë efekti do të ketë? Le të shohim disa shpjegime të thjeshta:

Tatimi në burim mbi pagesat e dividendit rritet nga 10% në 15% kur në Shqipëri nuk ekziston asnjë ligj që do ta detyrojë biznesin t’i paguajë këto dividendë. Ne rast se nuk ka nevoja për fonde nga ana e aksionerëve, një alternativë plotësisht e ligjshme për bizneset do të ishte për të mos e paguar dividentin, në kohën kur tatimi mbi dividendin rritet, duke i shtyrë në kohë dhe mbartur atë si fitim të pashpërndarë. Për më tepër, Shqipëria ka afro 40 marrëveshje të eliminimit të taksimit të dyfishtë që e reduktojnë automatikisht tatimin në burim mbi dividendin. Madje, synimi është që ky numër marrëveshjesh të rritet. Këto marrëveshje zerojnë efektin e kësaj rritjeje për një kategori përfituesish të dividentëve, të cilët janë rezidentë të vendeve më të cilat Shqipëria ka marrëveshje në fuqi. Kombinimi i këtyre faktorëve mund të çojë në një impakt të kufizuar në rritjen e të ardhurave në buxhetin që qeveria synon të realizojë nga rritja e këtij tatimi.

Së dyti, mbledhja e një tatimi më të lartë për të ardhurat nga qiratë mbetet një sfidë edhe më e madhe duke pasur parasysh informalitetin e lartë në këtë fushë. Përqindja më e madhe përfituese nga qiratë janë individët, të cilët në mungesë të një legjislacioni efektiv në lidhje me deklarimin e të ardhurave personale, nuk i deklarojnë këto të ardhura, që për rrjedhojë nuk tatohen.

Tatimi në burimin e të ardhurave nga depozitat mund të ketë rezultatet më të matshme, duke qenë se ky është segmenti më i formalizuar që pëson rritje të tatimit me 50%. Gjithsesi, edhe për këtë zë, ndikimi në rritje të të ardhurave në buxhetin e shtetit mund të rezultojë i ulët, duke pasur parasysh normat bazë të interesit ndër më të ulëtat në nivele historike. Gjatë vitit të kaluar, mbledhja e të ardhurave nga ky zë ra me 20% pikërisht për këtë arsye.

Për t’iu rikthyer një panorame më të gjerë, historia dhe eksperienca kanë treguar se pavarësisht llojit të politikës fiskale të zgjedhur (kundërciklike apo prociklike), suksesi apo dështimi i kësaj politike fiskale është pothuajse gjithmonë i lidhur me reformat e duhura dhe strategjitë përkatëse me të cilat qeveria plotëson këto politika fiskale, kundrejt objektivit të zhvillimit ekonomik të atij vendi dhe/ose uljes së borxhit publik.

Sfida e parë e qeverisë do të vazhdojë të jetë formalizimi i tregut. Rritja e bazës së taksueshme, ulja e informalitetit, ulja e evazionit fiskal në fakt përbëjnë në vetvete një potencial të jashtëzakonshëm të rritjes së të ardhurave. Këto reforma janë shumë herë më të rëndësishme në situatën aktuale të vendit, pavarësisht politikës fiskale të përzgjedhur nga qeveria, sepse në kushtet kur niveli i informalitetit është kaq dramatik, biznesi i formalizuar dhe i ndershëm që paguan këto taksa do të ndihet i dekurajuar për të ecur përpara në një treg ku atij i duhet të mbajë barrën edhe për konkurrentët e tij që nuk paguajnë.

Nga ana tjetër, planet e qeverisë për uljen e nivelit të borxhit dhe zvogëlimin i deficitit fiskal, janë padyshim të lavdërueshme në kontekstin e konsolidimit të financave. Por a do të ketë efektin e duhur kjo politikë fiskale e pashoqëruar me reformat përkatëse kundër evazionit fiskal që ka mbërthyer ekonominë shqiptare? A do të munden incentivat në disa sektorë të sigurojnë stimulin e nevojshëm ekonomik, për të shlyer borxhin publik të akumuluar dhe të veprojnë si katalizatorë për zhvillimin ekonomik të vendit?

Këto janë disa pyetje që mbase edhe vetë qeveria është duke u munduar t’u gjejë një përgjigje dhe padyshim që përgjigjet nuk janë të lehta. Pakkush në fakt mendonte se kishim të bënim me një situatë ekonomike të lehtë për t’u zgjidhur.

Në fakt, sfida mbetet e përbashkët. Ne të gjithë duhet të kontribuojmë për ta tejkaluar atë.

*Deloitte Albania & Kosova

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi