Nacionalizmi
Nga Nexhmedin Spahiu, botuar në Tema Online, 27.11.2014
Nacionalizmi është ideologji laike e kohës moderne. U paraqit në histori atëherë kur u paraqiten kombet. Nacionalizmi ka për qëllim forcimin e kombit. Kombet pa nacionalizëm nuk mund të mbahen si njeriu që nuk jeton dot pa ujë. Por edhe kombet me dozë të madhe nacionalizmi i bëjnë dëm vetës (dhe të tjerëve). Njeriu pa konsumuar ujë vdes, po edhe njeriu që konsumon tepër ujë vdes.
Ashtu sikur njeriut që i duhet një masë e caktuar e konsumit ditor, javor, mujor e vjetor e ujit, ashtu edhe kombi ka nevoje për dozë të caktuar të nacionalizmit. Sa më e përshtatshme të jetë doza e konsumimit të nacionalizmit për një komb aq më i shëndetshëm do të jetë kombi në fjalë. Gjetja e dozës së përshtatshme është mjeshtëri në vete. Nga këtu edhe varet qëndrueshmëria dhe fortësia e kombit. Fuqia e kombit, natyrisht, varet edhe nga madhësia numerike. Mirëpo madhësia nuk është e vetmja komponentë që përcakton fuqinë. Kombi izraelit është 10 herë më i vogël se ai egjiptian, por është më i fuqishëm se ai.
Natyra e një kombi përcakton edhe natyrën e nacionalizmit. Nëse një komb është monoetnik e monofetar (kombi grek, serb, bullgar, kroat, boshnjak etj) ikonografia fetare e etnike janë pjesë e nacionalizmit të kombit në fjalë. Nëse kombi është monoetnik e multifetar (shqiptar, hungarez, gjerman etj), atëherë ikonografia fetare nuk është pjesë e nacionalizmit. Nëse kombi është multietnik e monoifetar (turk, belg, etj), atëherë ikonografia etnike nuk është pjesë e nacionalizmit.
Nacionalizmi prodhohet nga elitat, zhvillohet dhe bartet nga shtresat e mesme, ndërsa konsumohet nga shtresat e ulëta. Ky proces bëhet më i dukshëm kur teprohet me nacionalizëm. Nacionalizmi shqiptar- Pse Edi Rama u bë nacionalist?
Një mik i imi nga Tirana më shtroi pyetjen: Si u bë që Edi Rama u bë nacionalist kur ai erdhi në pushtet pikërisht ngase nuk ishte nacionalist.
Përgjigjja ime qe: po a nuk ka ndodhur e njëjta gjë me Enver Hoxhën, e me Ahmet Zogun? Enver Hoxha erdhi në pushtet duke vrarë e prerë nacionalistët më të shquar, pastaj mori flamurin e nacionalizmit. Ahmet Zogu erdhi në pushtet duke hequr dorë nga Shqipëria në kufij etnikë, por më vonë shpalli vetën mbret të të gjithë shqiptarëve.
Nga ky transformim?
Këtë e bënë natyra e pushtetit. Në një vend anarkik nuk mund të kesh pushtet. Duhet rregull e rend që të ushtrosh pushtet. Po për të krijuar rregull e rend nevojitet ushtrimi i dhunës (gjë të cilën e kanë bërë edhe Zogu edhe Enveri, në përmasa të ndryshme që janë varë nga koha e rrethanat, ideologjia dhe karakteri personal i tyre). Por në kohën moderne ku ekzistojnë organizata si Lidhja e Kombeve ose mekanizmat pararendës apo të mëpastajmë si OKB etj. nuk mund të ndërtosh shtet personal si në Mesjetë. Në kohën moderne gjithë shtetet përfshi edhe atë shqiptar të paktën formalisht është pronë e kombit. Ashtu si është kombi ashtu është edhe shteti. Kombi i fortë krijon shtet të fortë dhe anasjelltas, fortësia e një shteti dëshmon fortësinë e një kombi. Dhe natyrisht, njerëzit që aspirojnë pushtetin duan që ta kenë atë sa më të madh. As Zogu as Enveri nuk mund të kishin pushtet në një vend anarkik. Kur Enveri vrau e preu elitën e kombit, Shqipëria u soll prapë në pikën zero të komb-formimit. Kështu nacionalizmi jo vetëm për Zogun po edhe për Enverin u bë domosdo për të pasur mbi çka të sundojnë.
Hapja e Shqipërisë post-komuniste goditi nacionalizmin izolacionist shqiptar të Enver Hoxhës. Nacionalizmi shqiptar u bë kopja më e zbehtë e nacionalizmave evropianë, gjithsesi aspak i mjaftueshëm për të mbajtur në këmbë shtetin shqiptar pa ndihmën e atyre kombeve që i krijuan shqiptarët si komb. Ardhja e Edi Ramës në pushtet përkon me ardhjen në pushtet të një gjenerate që ka shijuar Perëndimin. Një gjeneratë që është ballafaquar me nacionalizmat evropianë dhe në mos për asgjë tjetër për hir të egos personale prodhojnë nacionalizëm të paktën aq sa për tu dukur si evropianë.
Sa i përket dozës, mendimi im është se Shqipërisë i duhet një dozë shumë më e madhe nacionalizmi për ta bërë atë më të shëndetshme. Natyrisht, një nacionalizëm jo që drejtohet kundër kombeve tjerë por që garon me kombet e tjerë, për të ndërtuar një shtet sa më të fortë e një demokraci sa me funksionale.
Nacionalizmi kosovar
Nacionalizmi kosovar është akoma i nivelit të një nacionalizmi të një lëvizjeje kombëtare dhe jo i nivelit të një kombi që tashmë ka lindur. Shumica e shqiptarëve të Kosovës e ndjejnë vetën më shumë si minoritarë se sa si pjesëtarë të kombit. Shumica e kosovarëve, Shqipërinë e quajnë shtet amë, ngase shtetin e Kosovës nuk e ndjejnë shtet të vetin. Arsyeja është se Kosova është ngritur si shtet më shumë në saje të kontributit të shteteve protektorë të sajë se sa me kontributin e qytetarëve të saj. Nacionalizmi kosovar shfaqet më tepër si ndjenjë anti-serbe se sa si ndjenjë mobilizimi i një komuniteti për ngritjen e institucioneve.
Liderët politikë kosovarë, ngaqë se sa pushtet do të kenë, varet më shumë nga qëndrimi i ambasadës amerikane se sa nga cilësia e organizimit të shoqërisë kosovare, nuk e ndjejnë të nevojshme ngritjen e ndjenjës nacionaliste. Vetëm për arsye elektorale, politikanët kosovarë konsumojnë nacionalizëm të tipit folklorik i cili nuk është aspak në funksion të forcimit të institucioneve.
Kosovarët duhet të heqin dorë nga nacionalizmi folklorik dhe të shtojnë dozë nacionalizmi për të forcuar institucionet e Kosovës. Ky lloj nacionalizmi duhet të gjenerohet nga elita intelektuale, përmes filtrimit të teksteve të historisë e letërsisë, librave të leximit në shkolla fillore e të mesme, miratimit të rregulloreve nga Komisioni i Pavarur për Media, si dhe predikimit në kisha e xhamia. Të gjitha këto mund t’i drejtonte një ligj i veçantë që do t’ishte në frymën e Kushtetutës së Kosovës, të cilës nuk i mungon fryma patriotike por kjo frymë nuk është e implementuar sa duhet përmes ligjeve.