Intervistë: Informaliteti është një luftë që duhet fituar patjetër
Intervistë me Adrian Civici, botuar në Mapo Online, 27.11.2014
“Efekti nga rritja e taksave rezulton rreth 160 milionë euro, që në fund të fundit nuk janë gjë tjetër veçse një zvogëlim i kësaj shume nga xhepat e konsumatorëve dhe bizneseve, pra një rritje e kostos së jetesës, ulje e kërkesës konsumatore në emër të rritjes së portofolit të qeverisë”
Pyetje: Nga viti në vit, tema e buxhetit po zë vend ndër më kryesoret. Reflekton kjo një proces strukturimi të shoqërisë, që sa vjen e bëhet më e ndjeshme edhe më e ndërgjegjshme për çështjet ekonomike?
Në vendet e zhvilluara momenti i diskutimit dhe votimit të buxhetit është prova më e vështirë politike. Është momenti kur ndodh ballafaqimi më i madh me premtimet dhe objektivat e programeve qeverisëse, me grupet e interesit, me partnerët ndërkombëtarë, me shtresat vulnerabël të popullsisë. Është momenti kur qeveria del “zbuluar” për mënyrën se si do mbledhë të ardhurat, pra cilin grup interesi, kategori biznesi e shtresë sociale do penalizojë apo favorizojë më shumë; cilin sektor apo kategori shpenzimesh do mbështesë me përparësi. Buxheti është pasqyrimi më i sintetizuar i politikave ekonomike, financiare e sociale të qeverisë, dhe natyrisht që vëmendja ndaj tij është maksimale. Besoj se në Shqipëri po shtohet çdo ditë e më tepër ndërgjegjësimi se buxheti, më shumë sesa sherr politik në parlament, media apo deklarata shtypi, është çështje me rëndësi publike dhe jetike për të gjithë. Por duhet ta pranojmë se akoma jemi larg diskutimit të vërtetë publik, kuptimit të drejtë dhe të qartë të buxhetit nga shoqëria civile, publiku dhe grupet e interesit.
Pyetje: Në relacionin e ligjit thuhet se “gjatë vitit 2014 ekonomia ka hyrë në një fazë rimëkëmbjeje, krahasuar me vitin e shkuar”. A qëndron ky konstatim dhe a mund të shërbejë ai si premisë për të vendosur objektiva si ai i rritjes ekonomike 3%? Pyetja lidhet edhe me faktin se qeveria konsideron se edhe ky buxhet është “buxhet i reformave strukturore”.
Më shumë sesa fazë rimëkëmbjeje do ta vlerësoja si një fazë stabilizimi, transparence dhe vullneti politik të qeverisës për marrjen në dorë të “timonit” të situatës ekonomike e financiare të vendit. Shifrat e rritjes ekonomike të nxjerra nga INSTAT për dy tremujorët e parë të 2014-ës nuk reflektojnë rimëkëmbje, por rritje ekonomikë të dobët në tremujorin e parë dhe negative në të dytin. Megjithatë duhen pritur shifrat e dy tremujorëve të tjerë për të qenë më realist në parashikimet për mbylljen e 2014-ës dhe bazamentin e 2015, mendoj se objektivi për një rritje prej 3% më 2015 është optimist, aq më tepër që duhet të realizohet në një konjukturë ekonomike rajonale e ndërkombëtare jopozitive. Për më tepër, në buxhet nuk evidentohet ndonjë linjë apo politikë e qartë se cilat aktivitete, degë apo sektorë do mbështeten me përparësi dhe si janë bërë llogaritjet që kjo mbështetje do të ndikojë në rritjen ekonomike deri në nivelet 3%. Më shumë duket si një besim në përmirësimin e konjukturës së përgjithshme ekonomike, pra një rritje tendenciale sesa një studim i saktë i faktorëve dhe burimeve të rritjes.
Pyetje: Rritja 3% e parashikuar është e mundshme? Cili është ‘motori’ që do ta realizojë atë, nëse mund të shprehemi kështu?
Mundësia e realizimit të rritjes 3% dhe qëndrueshmëria e saj në vitet në vazhdim lidhet ngushtë me strukturën e burimeve të rritjes, ose e shprehur ndryshe, me shkallën e kontributit të sektorëve të veçantë në rritjen ekonomike. Në Shqipëri nuk duket se ka ndonjë “motor” specifik ose “degë lokomotive” që tërheq përpara rritjen ekonomike siç janë p.sh., nafta, gazi, turizmi, IHD në sektorë të teknologjisë së lartë etj. Tradicionalisht, rritja është ushqyer nga shërbimet, bujqësia, ndërtimi, transporti, turizmi dhe industria. Duke e parë në këtë prizëm është e vështirë të gjesh një lidhje të fortë shkak-pasojë ndërmjet buxhetit 2015 (masave stimuluese dhe nxitëse të tij) dhe rritjes së këtyre sektorëve. Rritja nga 2% në 3%, pra vetëm me një për qind është objektiv relativisht më i lehtë për t’u realizuar, por në këtë fazë zhvillimi e nevojash, Shqipëria ka nevojë për një rritje të qëndrueshme prej 5, 6 apo 8%, dhe kjo është sfida më e madhe që kërkon reforma të thella strukturore, klimë biznesi optimale, konsensus politik për prioritetet e zhvillimit, cilësi të lartë të kapitalit njerëzor, IHD sa më të larta, vizion rajonal e europian zhvillimi etj. Kur ne flasim pa reshtur për “modelin e ri ekonomik” që ka nevojë ekonomia shqiptare në këto momente, në fakt duhet ta thjeshtojmë dhe orientojmë debatin në strukturimin e kontributit të degëve të ekonomisë në PBB, në mbushjen e shpejtë të “gropës” që është krijuar nga rënia e remitancave, ulja e kontributit të ndërtimit, ulja e efekteve të privatizimeve etj.
Pyetje: Përfaqësi të biznesit vendas kanë patur pretendime për paketën fiskale, duke kërkuar madje edhe rikthimin drejt taksës së sheshtë. Kjo nuk u mor parasysh? Si mund të ndikojë ky element nisur edhe nga ecuria e vitit 2014?
Mendoj se për shumë arsye Shqipëria nuk duhej të hiqte dorë me një të rënë të lapsit nga taksa e sheshtë. Avantazhet e saj janë të njohura, sidomos thjeshtësia e të kuptuarit dhe zbatuarit nga bizneset, qytetarët dhe strukturat publike. Edhe në qoftë se qeveria vlerësonte se duhej të rriste të ardhurat nga tatimet dhe taksat, ndoshta më eficente do të ishte rritja e dyshemesë së taksës së sheshtë nga 10 në 15% për shembull, duke lënë jashtë këtij kufiri pagat apo të ardhurat nën 30000 apo 40000 lek. Taksa progresive për pagat ka efekte vetëm për 12–15000 individë që konsiderohen të pasur apo me paga të larta dhe që përgjithësisht i përkasin shtresës së mesme të menaxherëve më të mirë që ka vendi, pra mbetet më shumë një argument politik se ata që fitojnë më shumë paguajnë më shumë pa ndonjë efekt real në ekonomi apo në të ardhurat e buxhetit.
Pyetje:Nëse mund të bëjmë një vëzhgim, çfarë dominon në këtë projekt: aspekti social, ai i zhvillimit, apo nevoja për stabilizim të financave publike?
Duke e parë buxhetin me kujdes, në strukturën e mbledhjes së të ardhurave dhe zërat e shpenzimeve, duket se kemi të bëjmë me një buxhet eklektik që synon gjithsesi një lloj stabilizimi të financave publike, kontrollit të deficitit buxhetor dhe fillimit të një strategjie të re për uljen e borxhit publik. Një filozofi e tillë ndikohet dhe nga detyrimet që duhet të zbatojmë në kuadër të marrëveshjes me FMN-në. Përtej këtij objektivi gjenden elemente të politikave mbështetëse sociale apo mbështetjes së biznesit, por pesha specifike e efekteve të tyre mbetet e vogël.
Pyetje: Qeveria thotë se kemi një buxhet të reformave strukturore. Është folur më herët edhe për nevojën e ristrukturimit të ekonomisë. Si harmonizohen këto të dyja në kuadër të buxhetit?
Ristrukturimi i ekonomisë do kërkonte vizion dhe reforma strukturore të rëndësishme si p.sh, kalimi i bujqësisë nga faza ekstensive e mikrofermave në një fazë zhvillimi intensive e rritje të fuqisë eksportuese të saj; krijimin e një skeleti të qëndrueshëm industrial të vendit duke rigjallëruar minierat, industrinë e përpunimit dhe prodhimit industrial; ndryshimin cilësor të shërbimeve që ofrohen në Shqipëri; reforma për rritjen e konkurrueshmërisë së eksporteve; investime për dy apo trefishimin e prodhimit të energjisë duke marrë seriozisht në konsideratë dhe energjitë e rinovueshme; ristrukturimin tërësor të sektorit hekurudhor dhe eficencën e porteve, sidomos atij të Shëngjinit dhe Vlorës; përdorimin më të mire të territorit për projekte zhvillimi rajonale, etj. Në një buxhet të vetëm këto është e vështirë të realizohen, por e rëndësishme është që në 3-4 vitet në vazhdim, në buxhetet respektive të shihet qartë konsolidimi i përparësive të tilla.
Pyetje: Ka një debat të gjerë për paketën fiskale dhe rritjen e disa taksave, si ajo e qarkullimit, akcizës së disa mallrave, e interesave të depozitave bankare etj. Cili është efekti i kësaj politike në drejtim të rritjes së kostos së jetesës, marrëdhënies me kërkesën konsumatore dhe të ardhurave që merr qeveria?
Efekti nga rritja e taksave rezulton rreth 160 milionë euro, që në fund të fundit nuk janë gjë tjetër veçse një zvogëlim i kësaj shume nga xhepat e konsumatorëve dhe bizneseve, pra një rritje e kostos së jetesës, ulje e kërkesës konsumatore në emër të rritjes së portofolit të qeverisë. Në kushtet kur Shqipëria vuan nga kërkesa e ulët konsumatore, kur një pjesë e bizneseve deklarojnë se punojnë nën kapacitetet e tyre optimale dhe janë të detyruar të reduktojnë kostot, rritja e taksave apo tatimeve nuk ndihmon që ato të shtojnë aktivitetin prodhues, punësimin dhe pagat. Mbetet për t’u parë nëse rritja e të ardhurave të qeverisë do të konkretizohet me projekte e investime që ndikojnë direkt në klimën e biznesit dhe rritjen ekonomike e punësimin, apo do “thithet” nga shpenzimet jo produktive siç ka ndodhur rëndom në këto vite.
Pyetje: “Indeksi i Tregtisë me Pakicë, që është një “tregues indirekt” për konsumin e mallrave, tregon një rigjallërim të konsumit, ka shenja për një rigjallërim të eksporteve dhe investimeve private, referuar ecurisë së importit të mallrave kapitale, makineri e pajisje dhe materiale ndërtimi. Ky është refleks i vitit buxhetor 2014? A cenohet kjo prirje nga ndryshimet fiskale që po bëhen për 2015?
Treguesit e mësipërm janë sinjale pozitive, sidomos importi i mallrave kapitale, makinerive dhe pajisjeve, ndërkohë që besoj se ato janë dhe efekt direkt i masave të qeverisë për shlyerjen e borxheve të prapambetura të biznesit. Në këtë pikë efekti i buxhetit 2014 ka qenë pozitiv. Edhe në buxhetin 2015 duket se shlyerja e borxheve të biznesit është prioritet dhe me siguri që do të japë ndikim pozitiv në disa prej treguesve ekonomikë, veçanërisht investimet private dhe rigjallërimin e disa sektorëve të ekonomisë.
Pyetje: Cili është ndikimi ekonomik që ka rënia e sektorit të ndërtimit, por edhe e vendimit të qeverisë për të pezulluar çdo leje në disa nga rajonet kryesore të Shqipërisë? Të paktën sa i përket punësimit?
Sektori i ndërtimit mund të konsiderohet si një sektor “lokomotivë” i tranzicionit shqiptar, me efekte deri në 10% të PBB në disa vite rresht. Por, 2–3 vitet e fundit ky sektor po kalon një krizë të dukshme: deklaron se po punon me 60 -70% të kapaciteteve të tij; një pjesë e rëndësishme e kredive të këqija apo me probleme i përkasin operatorëve të këtij sektori; lejet e ndërtimit kanë ardhur duke u reduktuar nga viti në vit duke u pezulluar muajt e fundit; kërkesa për shtëpi banimi po vjen në ulje; etj. Pezullimi i lejeve të ndërtimit për një afat të pa caktuar natyrisht që e asfikson këtë sektor me të cilin lidhet ngushtë punësimi dhe aktiviteti i një numri të konsiderueshëm biznesesh anekse të lidhura ngushtë me të si prodhimi i çimentos, hekurit, pllakave, dyerve e dritareve, materialit elektrik, tjegullave, bojërave, betonit, drurit,etj. Kontributi i reduktuar i sektorit të ndërtimit, mund të jetë më i madh se efekti i një rritje ekonomike 3%.
Pyetje: Qeveria deklaron se një nga “faktorët kryesorë që do të mbështesin arritjen e objektivit të uljes së borxhit është lufta e vijueshme dhe pa tolerancë ndaj evazionit fiskal”. Kjo u shënua edhe për rritjen e të ardhurave. A mund të jetë instrument i parashikimit financiar, me efekte të matshme, lufta ndaj evazionit?
Shqipëria hyn në grupin e vendeve me shkallë shumë të lartë informaliteti e për pasojë dhe evazioni fiskal. Shifrat e informalitetit shkojnë deri në 35- 45%, çka dëshmon se përpjekjet për reduktimin e këtij evazioni mund të japin efekte e rezultate të dukshme qoftë dhe në periudha afatshkurtra. Duke bërë një llogaritje të thjeshtë me një nivel informaliteti 40% rezulton se afërsisht 4 miliard euro PBB nuk i nënshtrohet sistemit fiskal, dhe në kushtet kur ne pretendojmë të mbledhim rreth 27-28% të PBB nga sistemi fiskal, atëherë rezulton se rezervat, apo pjesa e pambledhur e taksave dhe tatimeve nga sektori informal është gati 1.2 miliard euro në vit. Mendoj se vlerësimi dhe objektivi i qeverisë që të rrisë të ardhurat duke zvogëluar evazionin fiskal është plotësisht i realizueshëm dhe me efekte pozitive nëse vullneti politik do të mbetet deri në fund i tillë. Është një luftë që duhet fituar pa tjetër, nqs duam të flasim për një ekonomi serioze me themele të shëndosha zhvillimi.
Pyetje: Çfarë roli ka bujqësia në perspektivën ekonomike shqiptare, pasi po bëhet e qartë se thuajse braktisja prej 24 vjetësh e këtij sektori po jep kosto të mëdha?
Bujqësia duhet konsideruar me urgjencë si një sektor prioritar zhvillimi. Mungesat apo indiferenca ndaj këtij sektori reflektohet më së miri nëse do t’u referohemi disa shifrave: më pak se 1% e kreditit bankar në total shkon në sektorin rural; megjithëse jemi një vend me vokacion agrar, importet bujqësore janë 7 – 8 herë më të mëdha se eksportet duke bërë që Shqipëria të importojë mesatarisht 800 – 900 milion euro produkte agroushqimore në vit; bujqësia këto vitet e fundit ka kontribuar me 17 – 22% në PBB ndërkohë që nuk ka marrë kurrë më shumë se 0.7 – 0.8% të shpenzimeve buxhetore; pjesa më e madhe e popullsisë së varfër dhe relativisht të varfër është e përqendruar në zonat rurale dhe periurbane; kontingjentet më të mëdha të emigrimit dhe migrimit të brendshëm e kanë zanafillën nga zonat rurale; përqindja më e vogël e shkollimit profesional apo universitar rezulton në zonat rurale të vendit etj. Na duhet një vëmendje e shtuar ndaj gjithë sektorëve të bujqësisë dhe agroindustrisë, ndaj zgjerimit të shpejtë bujqësisë intensive dhe serrave, shtimit të frutikulturës dhe ullinjve, shtimi i kapaciteteve të agropërpunimit, zmadhimit të sipërfaqes së fermave dhe mekanizimit e ujitjes me skema moderne e eficente, përmirësimi i materialit gjenetik bimor e shtazor, shtrirja e shërbimit ekstensiv cilësor sa më gjerësisht në funksion të fermerëve, organizimi i tregjeve rurale, rajonizimi i prodhimit dhe mbështetja financiare maksimale e fermerëve, sidomos atyre që aplikojnë teknika e teknologji të reja inovative etj. Një përmirësim qoftë dhe 10-15% i kontributit të bujqësisë në PBB është i barabartë me efektin total të një rritjeje ekonomike prej 3%!