Tradita europiane e koalicioneve të mëdha dhe dobia e koalicionit PDK – LDK
Nga Adri Nurellari, botuar në Shqip, 25 nëntor 2014
Arritja e një marrëveshjeje qeverisëse mes PDK-së dhe LDK-së në prani të Presidentes Ahtifete Jahjaga mori bekimin jo vetëm të ndërkombëtarëve, por edhe të gjithë faktorit shqiptar, duke pasur parasysh këtu deklaratat mbështetëse të liderëve kryesorë të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Maqedonisë e Malit të Zi. Mirëpo paralel me këtë mbështetje, dolën edhe shumë zëra kundër që e konsiderojnë këtë koalicion si të panatyrshëm dhe kërcënim për demokracinë. Faktikisht koalicioni i madh nuk është aspak një gjë e jashtëzakonshme për vendet demokratike, përkundrazi, kontinenti europian ka një traditë shumë të madhe e të konsoliduar. Koalicioni i madh (grand coalition) është një term që përdoret nga studiuesit e politikës së krahasuar për të përshkruar ato sisteme multipartiake ku krijohen mazhoranca që përfshijnë dy partitë kryesore më të mëdha që historikisht kanë garuar kundër njëra-tjetrës. Përpos kësaj, koalicioni i madh ka edhe disa avantazhe që shkojnë shumë për shtat me rrethanat aktuale dhe nevojat imediate të Kosovës duke e bërë këtë marrëveshje më se të volitshme.
Aktualisht shembulli më i famshëm është Koalicioni i Madh gjerman i Angela Merkelit midis CDU/CSU me SPD në 2005 dhe e njëjta marrëveshje u bë në 27 nëntor 2013. Në të kaluarën, Gjermania ka pasur të tjera raste të koalicioneve të mëdha në periudhën e Republikës së Vajmarit (1919–1933), si dhe Grosse Koalition me Kancelarin Kiesinger gjatë viteve 1966-1969. Greqia formoi një koalicion të madh mes rivalëve Demokracisë së Re dhe PASOK në 2012 duke krijuar një mazhorancë të gjerë me në krye Samarasin. Një version i tillë u krijua në Itali me emrin Qeveria e Marrëveshjeve të Mëdha më 28 Prill 2013 dhe pati në krye të qeverisë Kryeministrin Enrico Letta dhe mandej vijoi me qeverinë e Matteo Renzit. Austria qeveriset sot nga një koalicion i gjerë mes SPÖ dhe ÖVP dhe në fakt ky vend ka një traditë të gjerë të organizimit të qeverisjes në formën e koalicioneve të mëdha. Mirëpo kjo është një traditë në Austri e cila është qeverisur nga koalicione për mbi gjysmën e periudhës së pasluftës (1945-1966, 1987-2000 dhe 2007- sot).
Luksemburgu është rasti ekstrem ilustrativ i koalicioneve të mëdha, pasi e ka këtë formë qeverisjeje si modus operandi. Prej kur ky vend ka krijuar pluralizmin partiak në vitet ’20 të shekullit të shkuar është qeverisur nga një qeveri njëpartiake vetëm njëherë. Nga ana tjetër madje ka pasur dy qeveri, ato të pasluftës, të cilat kanë përfshirë të gjitha partitë që kanë qenë të përfaqësuara në Parlament. Zvicra është gjithashtu një ndër vendet që më së shumti ka pasur koalicione të mëdha. Faktikisht prej viteve 50 të shekullit të kaluar deri në fillim të këtij shekulli është qeverisur nga një koalicion i madh i përbërë nga katër parti Partia Radikale Demokratike, Partia Social Demokrate, Partia Kristian-Demokrate Popullore dhe Partia Popullore Zvicerane.
Edhe Belgjika e ka këtë tipar të theksuar, duke nisur me qeverinë e Koalicionit të Madh në 1960 dhe po ashtu kjo traditë vijoi pas zgjedhjeve të 1986-s. Edhe në Holandë kjo qasje gjendet goxha dendur madje edhe tani qeveriset nga një koalicion i madh i drejtuar nga Kryeministri Mark Rutte. Një tjetër vend me traditë i koalicioneve të mëdha është Finlanda e cila ka pasur një qeveri solide të këtij lloji nga 1995 deri në 2003, si dhe qeveriset kështu tani duke nisur prej vitit 2011. Në Finlandë, Koalicioni i Madh quhet “koalicioni ylber”, pasi përfshin pesë partitë kryesore. Edhe Irlanda mund të thuhet se qeveriset nga një Koalicion i Madh përderisa mazhoranca qeverisëse përbëhet nga e djathta Fine Gael dhe e majta laburiste.
Bashkëqeverisja si formë e drejtimit të vendit përkundrejt sundimit të shumicës ka qenë tipari thelbësor i demokracive të disa vendeve të Europës. Kështu kjo qasje e koalicioneve të mëdha dhe mënyrës së organizimit të qeverisjes që përfshinte ndasitë kryesore është quajtur Konkordanzdemokratie (e kundërta anglosaksone mund të konsiderohet Konkurrenzdemokratie) në Zvicër, ‘Proporzdemokratie’ në Austri apo verzuiling në Holandë, ndërkohë që termi shkencor është Konsocionalizëm. Kur ky term doli e u përmend nga politologu Arend Lijphart gjatë viteve ’60 dhe ishte antikonformist për atë periudhë, pasi sfidoi logjikën e sundimit të mazhorancës duke treguar se demokracia mund të ishte stabël dhe e suksesshme edhe nëpërmjet qeverive që kishin bazë të gjerë e nivel të lartë konsensualiteti me aktorët e tjerë politikë.
Pra ndryshe nga sistemi tipik i vendeve të mëdha demokratike si SHBA, Britani apo Francë, ku qeveria përbëhet nga një parti e madhe (e ndonjë tjetër të vogël në koalicion) dhe nga një garë konstante ku këto parti alternojnë njëra-tjetrën, shumë vende të vogla (p.sh. shtetet e Beneluksit, Zvicra, Austria) kanë një sistem ku partitë akomodojnë divergjencat politike me anë të ndarjes së pushtetit mes shumë aktorësh. Kjo qasje është veçanërisht e suksesshme për vende që kanë pasur fragmentime apo identitete të shumta të brendshme, që kanë pasur dallime të theksuara rajonale, fetare, etnike dhe kjo është një ndër arsyet përse kjo qasje është parë e volitshme për t’u adoptuar në vende me tranzicion post-konfliktual. Rasti i Libanit është shembulli më klasik në këtë rast.
Konsocionalizmi në praktikë nuk lidhet vetëm me koniunkturën e votave në Parlament, por në një pjesë të mirë të rasteve ka ardhur si rezultat i nevojës për të akomoduar sa më gjerë e mirë ndasitë politike, por edhe për të përballur zhvillime apo situata të vështira. Aplikimi i këtij sistemi ka si përfitim kryesor stabilitetin politik, vazhdueshmërinë e institucioneve demokratike, shmangien e përplasjeve apo dhunës politike, si dhe ndërmarrjen e vendimeve të vështira e jopopullore.
Në rastin e Kosovës, formimi i Koalicionit të Madh midis PDK-së dhe LDK-së duket i dobishëm për shumë arsye njëherësh. Pikësëpari, hendeku i thellë bllokues i shkaktuar prej bllokut VLAN gjatë krizës së ashtuquajtur krizë e ngërçit politik që vijoi për pothuaj 6 muaj, solli një ndasi të jashtëzakonshme në politikën e brendshme dhe një frymë konfliktualiteti që ka nevojë të adresohet. Konsocionalizmi sikurse u përmend më sipër është një ndër kurat më të mira e të suksesshme në historinë e demokracisë europiane për të akomoduar ndasitë e brendshme. Në rastin kosovar, koalicioni i gjerë është forma më e mirë për të riparuar thyerjen e besimit dhe përçarjen politike të çimentuar gjatë gjysmës së shkuar të vitit dhe për të shmangur hatërmbetjet, mllefet apo marazet në të ardhmen.
Nga ana tjetër, një koalicion i gjerë e bën shumë më të lehtë që të shtyhen përpara reforma apo vendime politike të sikletshme dhe jopopullore që një mazhorancë klasike me shumicë të brishtë në Parlament do e kishte të vështirë që ta miratonte. Në rastin e Gjermanisë, koalicioni i madh CDU/CSU me SPD mundësoi reformën delikate të pensioneve ndërsa në Greqi koalicioni i madh i vitit 2012 u bë një domosdoshmëri për të mundësuar reformat rigoroze të imponuara nga kriza dhe nga kriteret e Bashkimit Europian, FMN-së apo donatorëve të tjerë. Në rastin e Kosovës sfidat janë të jashtëzakonshme, duke nisur me vijimin e dialogut, ligjet që duhen kaluar për të mundësuar funksionimin e tribunalit special, reformat institucionale që kërkohen për të siguruar marrëveshjen e stabilizim-asociimit dhe liberalizimin e vizave, formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, privatizimet strategjike siç është Trepça, reformimin e sektorëve thelbësor të vendit sikurse është sektori energjetik dhe projekti i TEC-it Kosova C, si dhe reformën zgjedhore. Pra në këtë mënyrë shmanget mangësia e qeverisjes së kaluar, e cila hasi në vështirësi për të siguruar një shumicë solide në Parlament duke bërë të mundur që të mos harxhohet energji e kohë e vyer për të siguruar një konsensus brenda mazhorancës duke u përqendruar kryesisht në sigurimin e një konsensusi dhe bashkëpunimi me partitë opozitare, pakicat, ndërkombëtarët dhe grupet e interesit.