Ndihma ekonomike dhe varfëria në Shqipëri

Nga Leonard Strazimiri, botuar në Panorama Online, 24 nëntor 2014

Leonard-StrazimiriThellohet gjithmonë e më shumë hendeku i njerëzve që jetojnë në varfëri. Numri i familjeve që jetojnë në skajet e varfërisë po bëhet tepër i lartë në vendin tonë.
Varfëria në vetvete bazohet në treguesit e të ardhurave për frymë dhe në aftësinë e individëve për të përmbushur nevojat jetësore bazë.
Si pasojë e krizës globale financiare dhe situatës së përgjithshme makro të ekonomisë në vendin tonë, varfëria në Shqipëri është rritur.
Sipas LSMS 2012, varfëria në Shqipëri është rritur nga 12.4% që ishte në vitin në 2008, në 14.3% në vitin 2012. Kjo është varfëria zyrtare, por ajo reale është shumë më e lartë.
Rritja e varfërisë është shoqëruar me rritje të varfërisë rajonale dhe kryesisht me një rritje më të lartë të shkallës së varfërisë urbane. Sipas anketave të bëra dhe të publikuara, rezulton se varfëria nuk është më një fenomen rural, por ajo është zhvendosur tashmë kryesisht në zonat urbane.
Ndërsa popullsia rurale në varfëri, sipas INSTAT, ka rënë me rreth 12%, popullsia urbane në varfëri është rritur me rreth 37%.
Varfëria me sa duket tashmë ka një përhapje më të gjerë dhe nuk është më e përqendruar në zonat rurale. Indikatorët e varfërisë në Shqipëri bazohen kryesisht në vlerësimin e konsumit dhe jo në të ardhurat, pasi informacioni mbi të ardhurat në vendin tonë nuk është shumë i saktë në krahasim me informacionin mbi konsumin.
Gjithmonë te ne të dhënat janë të fokusuara dhe lidhen kryesisht me nivelin absolut dhe ekstrem të varfërisë. Shpesh jemi përpjekur të kuptojmë se çfarë e ndan varfërinë ekstreme nga ajo absolute!!!
Shpesh në praktikë dhe në jetën e përditshme u kemi vënë shenjë barazimi këtyre dy koncepteve – “të varfër”!!!
Këto janë terma që po shoqërojnë çdo ditë e më shumë realitetin e vështirë ekonomik me të cilin po përballen familjet shqiptare. Varfëria ekstreme, sipas një përkufizimi tashmë të zyrtarizuar, paraqet ato familje apo individë, të ardhurat e të cilëve janë me më pak se 1 $ në ditë për person, kurse pjesa tjetër e të varfërve ndodhet në kushtet e varfërisë absolute.
Treguesit më të rëndësishëm të nivelit të varfërisë janë:
– përqindja e popullsisë (rreth 14.3%) që jeton në varfëri absolute (e përcaktuar në Shqipëri si numri i personave me konsum mujor real nën 4891 lekë);
– përqindja e popullsisë (rreth 2.2%) që jeton në varfëri ekstreme e përcaktuar si numri i personave që kanë vështirësi në përmbushjen e nevojave bazë ushqimore).
Këto kategori familjesh apo individësh janë pjesë e skemave sociale, të cilat financohen nga buxheti i shtetit, d.m.th. nga taksat e qytetarëve shqiptarë.
Por sa eficiente janë skemat sociale, të cilat mbështesin këto kategori në nevojë, në Shqipëri, për të luftuar dhe amortizuar në një farë mënyre varfërinë ekstreme, si dhe për të nxjerrë pjesën tjetër të të varfërve, nga linja e varfërisë?
Le të ndalemi pak, për të bërë një analizë më të thellë, se sa mund të ndikojë pagesa e ndihmës ekonomike për t’iu ardhur në ndihmë këtyre kategorive në nevojë!
Papunësia në rritje, si pasojë e pseudoreformave, si dhe përkeqësimi i klimës së biznesit në vend, e cila është një ndër indikatorët më të rëndësishëm, të luftës kundër papunësisë, detyrimisht bën që të rritet niveli i varfërisë dhe si rrjedhojë do të rritet dhe numri i familjeve që do të aplikojnë për ndihmë ekonomike.
Sot aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike trajtohen rreth 80 mijë familje dhe individë në nevojë, nga rreth 1.1 milion familje që janë në shkallë vendi, d.m.th. rreth 7.3% e familjeve shqiptare trajtohen me ndihmë ekonomike. Por në realitet nuk është ky numri i familjeve që kanë nevojë për mbështetje nga skema, pasi fluksi i kërkesave është shumë më i madh.
Sipas Strategjisë së Mbrojtjes Sociale 2008-2013, mbështetur në “Hartën e varfërisë” dhe në përputhje me të dhënat e LSMS, ishte parashikuar që në vitin 2013 të përfshiheshin në këtë skemë vetëm 70 000 familje, me një buxhet prej 7.6 mld lekësh, kjo ka bërë si duket kufizimin e numrit dhe largimin nga skema të mijëra familjeve në nevojë.
Mirëpo Strategjia e Mbrojtjes Sociale është hartuar në kushte të tjera, ku rritja ekonomike paraqiste ritme të larta, të qëndrueshme dhe reduktimi i numrit të familjeve që do të përfitonin nga kjo skemë do të vinte në mënyrë graduale, mbështetur kjo dhe në reformat e politikave sociale që do të ndërmerreshin për përmirësimin e kësaj skeme.
Absurditeti ka të bëjë me faktin se treguesit e ulët të rritjes ekonomike në vend dhe papunësia në rritje në mënyrë drastike për vitin 2014, shoqërohen me reduktim të familjeve që duhet të përfitojnë nga programet sociale në përgjithësi dhe nga skema e ndihmës ekonomike në veçanti.
Kjo duket qartë n.q.s. i referohemi numrit të familjeve dhe individëve që janë trajtuar në skemën e ndihmës ekonomike ndër vite, ku shohim se deri në vitin 2013 kemi një ndryshim progresiv të numrit të familjeve në skemën e ndihmës ekonomike në raport me përqindjen e nivelit të varfërisë në shkallë vendi, d.m.th. sa herë ulet niveli i varfërisë në vend, ulet dhe numri i përfituesve nga skema e ndihmës ekonomike dhe e kundërta, kurse buxheti për këtë kategori ka ardhur duke u rritur që nga viti 2005. Kështu, në vitin 2005 janë trajtuar në skemën e ndihmës ekonomike rreth 127 000 familje, me një fond nga buxheti i shtetit prej 3.2 mld lekësh, ku niveli i varfërisë sipas LSMS 2005 ka qenë 18,5%, në vitin 2008 numri i familjeve që u trajtuan në skemën e ndihmës ekonomike u reduktua në 95 000 familje, me një fond nga buxheti i shtetit prej 3.4 mld lekësh, pasi dhe niveli i varfërisë sipas LSMS 2008 u ul në 12,4%, kurse për vitin 2012, numri i familjeve që u trajtuan në skemën e ndihmës ekonomike u rrit në 100 000 familje, me një fond nga buxheti i shtetit prej 4.2 mld lekësh, kundrejt një rritjeje të nivelit të varfërisë sipas LSMS 2012 në shifrat e 14,3%.
Pak më lart thamë që varfëria ekstreme paraqet ato familje apo individë ku të ardhurat e tyre janë me më pak se 1 $ në ditë për person. Por nuk e di se cili mund të jetë ndryshimi i të qenit ekstremisht i varfër, midis kësaj kategorie personash dhe atyre që përfitojnë 1.1 $ apo dhe 1.2 në ditë?! Unë mendoj se nuk ka asnjë ndryshim në thelb. Pse? Sepse kjo kategori personash do të përfitonte vetëm 3 $ apo 6 $ më shumë në muaj, të ardhura të cilat nuk është se përbëjnë ndonjë ndryshim të ndjeshëm dhe të prekshëm për të përmbushur nevojat bazë jetike për këtë kategori në nevojë.
Ndihma ekonomike, ndryshe nga vlerësimi i indikatorëve të varfërisë, të cilët bazohen kryesisht në vlerësimin e konsumit, ajo targetohet mbështetur në të ardhurat e familjeve aplikuese, ku sa më të larta të jenë të ardhurat, aq më e ulët është masa e ndihmës ekonomike.
Po të bëjmë një analizë të hollësishme të nivelit të varfërisë për familjet e skemës së ndihmës ekonomike, sipas disa llogaritjeve tepër të thjeshta, na rezulton se të gjitha këto familje jetojnë në varfëri ekstreme, pasi të ardhurat e tyre nga pagesa e ndihmës ekonomike nuk e kalon 1 $ në ditë për person, gjithmonë bazuar në deklarimin e të ardhurave, pasi në këtë skemë trajtohen familjet pa të ardhura apo me të ardhura të pamjaftueshme.
Skema e ndihmës ekonomike në Shqipëri funksionon mbi bazën e pagesave fikse për familje, e përcaktuar sipas strukturës së familjes. Kjo pagesë nuk mund ta kalojë vlerën e 8000 lekëve të rinj, sado i madh të jetë numri i pjesëtarëve të një familjeje, që do të thotë se të ardhurat për frymë nga kjo pagesë vijnë duke u ulur me rritjen e numrit të pjesëtarëve të familjes.
Përmirësimi i kësaj skeme është i domosdoshëm, pasi ajo është kthyer në një skemë parazite, ku vegjetojnë prej vitesh familje dhe individë të cilët përfitojnë pagesa nga kjo skemë, pa bërë as përpjekjen më të vogël për të dalë nga kllapia e varfërisë. Por kjo nuk mund të bëhet duke larguar familjet nga skema e ndihmës ekonomike sipas dëshirave të njërit apo tjetrit, por duke hartuar strategji dhe politika të qarta sociale, të cilat do të ndikonin në përmirësimin e klimës së skemës si dhe do ta kthenin atë nga një skemë pasive dhe parazite, në një skemë aktive dhe produktive.
*Ish-drejtor i Ndihmës Ekonomike

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi