Kostot e Europës jopolitike

Nga Jean Paul Fitoussi*, botuar nga bota.al, 25 nëntor 2014

kostot“Fiscal Compact”, “six paks”, tremujori europian: janë këto shprehjet që skicojnë sot kornizën e politikës europiane. Me ato pengesa të vetëvendosura nga qeveritë e djeshme dhe që u janë imponuar atyre të sotme. Kjo gjendje e gjërave dhe e të drejtës ngre dy pikëpyetje: njëra politike, tjetra ekonomike. E para ka të bëjë me demokracinë e çuditshme që karakterizon vendet e eurozonës, qytetarët e të cilës kanë të drejtën të ndryshojnë qeverinë, por jo të ndryshojnë politikën. Me fjalë të tjera, një demokraci në formë, por jo në përmbajtje.

Prej këtu lind pyetja ekonomike. Nëse politika e vënë në zbatim sipas kushteve të Traktatit do të kish patur rezultate të lumtur sa i përket punësimit dhe standartit të jetesës, atëherë do të ishte racionale të vazhdohej në të njëjtën rrugë; por nëse ajo do ta çonte ekonominë europiane në buzë të greminës, atëherë të paktën do të duhej të ngriheshin dyshime mbi vlefshmërinë e saj. Sigurisht, mund të kundërshtohet se kjo politikë nuk ka për qëllim mirëqenien e popullsive, por reduktimin e borxhit. Por edhe në raport me këtë objektiv, rezultatet janë dështakë. Jo vetëm që inflacioni mbegtet nën objektivin e vendosur nga Banka Qendrore Europiane, por edhe deflacioni, i cili tashmë i kanoset disa shteteve, është duke rrezikuar vetë Eurozonën në tërësinë e saj.
Qeveritë që e kuptojnë aritmetikën (raportin mes borxhit publik, rritjes ekonomike dhe inflacionit) kanë guxuar “me drojë” që të kërkojnë që ky rreth vicioz të ndërpritet; por u është kërkuar menjëherë të rrijnë “gati-tu!”
Si shpjegohet kjo këmbëngulje e institucioneve europianë? Jemi pothuajse në metafizikë: “Përpjekjet tuaja nuk janë ende të mjaftueshme për të korrur frutet; vazhdoni dhe do të shpërbleheni”. Por premtimet për një të ardhme të ndritur nuk kanë goditur. Nuk ekziston asnjë teori, as edhe prova empirike, që të tregojnë se nga strategjia e shtrëngimit mund të dalë një botë më e mirë. Europa është e sëmurë nga doktrina që po vetë e ka skalitur në Traktatët e saj, në emër të të cilës kërkohet sot me çdo kosto – ekonomike dhe sociale – Graali i ekuilibrit të buxhetit.
Por një politikë e tillë nuk ka asnjë perspektivë suksesi. Dhe kjo për arsyet që i kam shpjeguar në librin tim “Teorema e abazhurit”. Qeverive nuk u mbetet më asnjë hapësirë manovrimi, përveçse për vënien në zbatim të reformave strukturore, rezultati “i paqëllimtë” i të cilave mund të jetë deflacioni. Të privuar nga instrumentat e pushtetit – politika monetare, e buxhetit, e këmbimit dhe politika industriale – tashmë nuk kanë burim tjetër, përveç atij të çuarjes përpara të një politike konkurueshmërie afatshkurtër, instrumenti i privilegjuar i të cilës është ulja e kostove për pagat. Për të arritur këtë objektiv, mund të kenë disa leva në zotërim: subvencione për kompanitë, në formën e reduktimit të detyrimeve sociale, liberalizimin e tregut të punës (ose nëse duam të flasim troç, më pak mbrojtje për punonjësit) si dhe shkurtime në shpenzimet sociale të vendit.
Por nëse një shtet fiton në konkurueshmëri, kjo do të thotë që të tjerët kanë humbur.
E megjithatë ekziston një tjetër strategji, me më pak risk, duke qenë se nuk mundet në asnjë rast të shkaktojë deflacion; një mënyrë më bashkëpunuese për të ulur koston e përbashkët të punës dhe rritur në këtë mënyrë nivelet e konkurueshmërisë, jo përmes uljes së pagave, por duke rritur produktivitetin e punës. Instrumenti i saj i privilgjuar: investimet, si private, edhe publike. Këta të fundit në fakt çojnë në përmirësimin e efiçencës së sektorit privat (mjaft të mendosh për rrjetet e transportit dhe telekomunikacionit). Por kjo strategji është e përjashtuar në shumicën e shteteve të eurozonës, për shkak të pengesave të buxhetit.
Aspekti më shqetësues i këtyre politikave europiane, të paarsyeshme në planin ekonomik, është ashpërsia e tyre ndaj atij social. Mbrojtjet për qytetarët zvogëlohen pikërisht në momentin kur shoqëria ka më shumë nevojë për të qenë e mbrojtur. Modeli social europian, i konceptuar në një periudhë punësimi të plotë po çmontohet në mënyrë progresive, pikërisht në momentin kur është më i nevojshëm. Me fjalë të tjera: kur ka punë për të gjithë, premtohen ndihma të mëdha për të papunët, që më pas reduktohen, me pretekstin e një menaxhimi më të mirë financiar, ndërkohë që papunësia sa vjen e rritet.
Për të dala nga rruga qorre ku ndodhemi, do të ishte më mirë të pranonim se arkitektura europiane është e brishtë për shkak të të metave në ndërtim, si dhe të përpiqeshim që t’i ndreqnim. E meta kryesore është që kemi konceptuar unionin politik dhe monetar si një hapësirë ku borxhet kombëtarë janë sovranë, ndërkohë që monedha nuk ka sovran. Nuk bëhet fjalë për një formulë. Shtetet anëtarë të eurozonës emetojnë hua në një valutë mbi të cilën nuk kanë kurfarë kontrolli. Në këtë mënyrë i lihet rrugë e lirë humoreve dhe profecive vetërealizuese të tregjeve. Nëse këta të fundit nuk kanë besim tek një shtet i caktuar, kapitalet nxitojnë të largohen prej tij, duke krijuar brenda këtij shteti një krizë likuiditetesh (një zhvlerësim) dhe si pasojë gjithçka shndërrohet në një krizë të aftësisë paguese. Në atë pikë, shteti mund të marrë hua vetëm me norma të larta interesi, duke qenë se nuk mund të detyrojë bankën qendrore të tij për të nxjerrë titujt e vet. Por ka më keq: ky kërcënim ndaj aftësisë paguese të një shteti vë në rrezik sistemin e tij bankar, nëse titujt publikë që ai zotëron zhvlerësohen dhe depozitat bankare bien për shkak të reduktimit të masës monetare. Dhe i takon Bankës Qendrore Europiane, edhe ajo e vetëdijshme për këtë problem, që të ofrojë “ilaçin”.
Zgjidhjet janë të lehta për t’u thënë me gojë, por janë të vështirë për t’u vënë politikisht në zbatim. Më logjikja do të ishte ajo e mbylljes së hapësirës spekulative në të cilën po përmbyten tregjet; ose me fjalë të tjera, krijimi në Eurozonë i një titulli borxhi publik, dhe në të njëjtën kohë duke i caktuar një sovran monedhës. Padyshim ishte krijimi i monedhës së përbashkët që i dha fund spekulimit në tregjet e valutës. Por në vend që të riskonin një integrim më të madh, vendet e eurozonës preferuan strategjinë e kursimit.
Ajo që rrëfeva është një histori e trishtë. Historia e një defiçiti të demokracisë që rritet, e shkatërrimit të një kapitali njerëzor dhe shoqëror, e një zhvlerësimi të të ardhmes. E megjithatë Europa është e pasur, për nga burimet, cilësia e jetës, kapitali i dijeve, aftësia e grave dhe burrave të saj. Një politikë e ndryshme do të kish mundur t’i zbulonte këto pasuri. Edhe për sa kohë do të paguajmë kostot ekonomike dhe sociale të mungesës së një Europe politike?
* Jean-Paul Fitoussi është ekonomist francez. Ai është aktualisht Profesor i Ekonomisë në Institutin e Studimeve Politike në Paris.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi