Qeverisja që po rilind opozitën
Nga Mark Marku, botuar në Panorama Online, 23 nëntor 2014
Qytetarët shqiptarë i janë përgjigjur me pjesëmarrje masive thirrjes së Partisë Demokratike për të protestuar kundër mënyrës se si Kryeministri Rama po e qeveris vendin. Natyrisht, merita kryesore për këtë masivitet i takon PD-së dhe kryetarit të saj Basha, që gjeti momentin e duhur për të kanalizuar shqetësimet e qytetarëve për qeverisjen e vendit. Prej disa muajsh PD po kërkon të realizojë një komunikim më efikas me qytetarët shqiptarë nëpërmjet takimeve që kryetari i saj z. Basha dhe eksponentë të tjerë të PD-së kanë pasur nëpër zona të ndryshme të vendit, si dhe nëpërmjet prononcimeve publike. Ky komunikim duket se e ka dhënë rezultatin e parë, dhe kjo mund të shihet si një shenjë e fillimit të ringritjes së opozitës shqiptare pas tronditjes së pësuar nga humbja e thellë në zgjedhjet e fundit elektorale. Por, opozita shqiptare do ta kishte shumë të vështirë të mblidhte kaq shumë njerëz në shesh sikur qytetarët të mos ishin shqetësuar për mënyrën se si po qeveriset vendi. Tashmë ka kaluar gati një vit e gjysmë dhe janë kristalizuar disa prirje ndaj të cilave individë, grupe dhe shtresa të tëra sociale ndihen tejet të shqetësuara. Është pikërisht kjo opozitë e pashprehur, gjithnjë në rritje, që e mbushi sheshin. Është pikërisht kjo opozitë e pashprehur, gjithnjë në rritje, që ende nuk i besojnë PD-së në aksionin e saj që mund të mbushë në të ardhmen gjithnjë e më shumë sheshet e Shqipërisë. Për momentin kanë dalë vetëm ata më të kërcënuarit ose ata që e kanë lakun në fyt. Mendoj se opozita e heshtur, opozita që nuk do ta bashkojë pakënaqësinë e saj me aksionin politik të PD-së, është shumë më e madhe se ajo që ishte dje në shesh. Dhe kjo jo për shkak se nuk e duan PS-në apo Edi Ramën apriori, por sepse ndihen të rrezikuar dhe të pashpresë nga mënyra se si po qeveris e majta shqiptare. Qeveria duhet ta njohë ekzistencën e kësaj opozite gjithnjë në rritje e ta kuptojë që shkaktar i saj është vetë ajo. Por është koha e duhur që kjo opozitë dhe problemet që e lindën atë të identifikohet si nga maxhoranca, ashtu dhe nga opozita. Sidomos ajo nuk duhet stigmatizuar.
Po a mund të përshkruhet ajo dhe problemet që e shqetësojnë? Një pjesë e saj sigurisht janë kundërshtarët politikë të së majtës të ndëshkuar nga ndërrimi i pushtetit. Mes tyre gjen edhe njerëz të korruptuar që kanë humbur privilegjet dhe që kërkojnë rikthimin e pushtetit që u garanton privilegjet e pamerituara. Por, një pjesë e mirë e tyre janë njerëz të ndershëm, qytetarë të mirë të këtij vendi, të rreshtuar politikisht djathtas, që kanë humbur vendin e punës për shkak të arbitraritetit që karakterizon riformatimin e administratës shtetërore sa herë ndërrohen pushtetet në Shqipëri. Pasi i kanë humbur vendet e punës në mënyrë arbitrare, ata protestojnë pikërisht kundër arbitraritetit që kanë pësuar në kurriz. Ky është kontingjenti politik që e kanë të garantuar për çdo protestë, si të majtët, ashtu edhe të djathtët, pasi alternojnë pozicionet me njëri-tjetrin sa herë ndërrohen pushtetet në Shqipëri. Këtë kontingjent e kishte PD dhe në një protestë të mëparshme që rezultoi e dështuar. Pra nuk e mbush dot sheshin pa ndihmën e qeverisë. Dhe ndihma e qeverisë ka qenë jo e paktë. Opozita e shtuar e këtij vendi është heterogjene, por e shkaktuar nga pasojat e qeverisjes. Kanë dalë në shesh, dhe mund të dalin edhe më shumë në shesh ata që ndihen të kërcënuar nga masa e pakuptimtë e qeverisëse për rritjen drastike të çmimit të energjisë. Vendi më i varfër i Europës kërcënohet me rritjen e çmimit të energjisë elektrike pikërisht nga qeveria e vet, në prag të dimrit, dhe në vendin që e prodhon energjinë me koston më të ulët, pasi e prodhon nëpërmjet burimeve të veta hidrike. Vetëm dy popuj në Europë janë të kërcënuar në prag të dimrit nga prerja e energjisë: ukrainasit dhe shqiptarët. Ukrainasit nga qeveria ruse, shqiptarët nga qeveria e tyre. Natyrisht, në opozitë me qeverinë janë edhe ata që e vjedhin energjinë dhe që qeveria me plot të drejtë po i ndëshkon, por është faji i qeverisë pse aksionin për ndalimin e vjedhjes së energjisë e bashkoi me rritjen e çmimit të energjisë. Janë në opozitë me qeverinë ata mijëra qytetarë që menduan se bashkë me qeverinë e re do t’u jepej ndonjë shans për një punë, pagë dhe shërbime publike më të mira. Punë nuk ka, pagat kanë rënë, çmimet dhe taksat janë ngritur, investimet publike janë pakësuar dhe depresioni social është rritur. Ka një pakënaqësi në rritje për moszgjidhjen e problemeve të rënda me të cilat ndeshet qytetari shqiptar prej shumë vitesh. Qeveritë shqiptare mendojnë se meqenëse janë të ndryshme nga qeveritë e mëparshme, mund t’i shmangen përgjegjësisë për zgjidhjen e problemeve të kaluara duke ia hedhur fajin qeverisë paraardhëse, duke harruar se fija e durimit hollohet gjithnjë e më shumë, dhe se qytetarët nuk kënaqen me fajësimin e së shkuarës, por me zgjidhjet e së tashmes.
Qeveritë shqiptare harrojnë se realiteti shqiptar është një bombë sociale që mund të plasë nga momenti në moment. Janë në opozitë me qeverinë të dëmtuarit nga prishja e ndërtimeve pa leje, të mashtruarit nga ata që prisnin lejet e premtuara, ndërtuesit e bllokuar nga qeveria përmes një vendimi që bllokon dhënien e lejeve të ndërtimit. Fadroma e qeverisë i ka kaluar mbi shpinë njëlloj si të fajshmit, ashtu edhe të pafajshmit. Janë në opozitë ata që e mendojnë seriozisht demokracinë dhe që kanë kapacitetin intelektual për ta kuptuar se vullneti për ndryshim i zotit Rama shpeshherë ecën përpara përmes shkeljes së ligjit, kushtetutshmërisë, shpërfilljes së institucioneve. Ata që nuk e prisnin që socialistët e 2014-s të tundin ende nëpër takime portretet e diktatorit Enver Hoxha, atyre që nuk u shkonte kurrë në mendje se qeveria shqiptare që i është pranuar kandidatura për në Europë, në vend që të reflektonte për të shkuarën komuniste dhe të bënte gjeste pajtimi me ish-të persekutuarit e regjimit të Enver Hoxhës, organizon festa për nostalgjikët e regjimit komunist, krijon komisione për rishikimin e teksteve të historisë që ka si kryetar një historian që e ka shpallur publikisht qëndrimin e tij në favor të Enver Hoxhës. Ka pra një qëndrim opozitar në rritje, dhe ai shprehur në shesh është vetëm një pjesë e tij. Ka një opozitë që e ka kuptuar këtë dhe që po riorganizohet politikisht duke e artikuluar pjesërisht atë. Ka një qeveri që ka ardhur me premtimin për të rilindur vendin dhe ekonominë, por që po rilind opozitën kundër saj.