Roth: Të rishndërrohet parlamenti në vendin e debatit e përballjes demokratike

Intervistë e DW me ministrin gjerman Michael Roth, 22 nëntor 2014

rothDeutsche Welle: Konferenca e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, në fund të kësaj vere, ishte një hap i parë konkret në angazhimin e fuqishëm të Gjermanisë dhe BE-së për intensifikimin e bashkëpunimit rajonal, si dhe nxitjen e programeve dhe projekteve zhvilluese si në infrastrukturë, energjitikë etj. Si po ecën deri më tani ky proces sipas pikëpamjes tuaj?

Michael Roth: Konferenca e vendeve të Ballkanit Perëndimor ka qenë një sinjal mjaft i rëndësishëm i mbështetjes, që ne duam t’u japim këtyre vendeve. Në fakt, perspektiva e anëtarësimit të tyre në BE është e ditur, por ne nuk duam t’i lëmë vetëm vendet e Ballkanit Perëndimor, përkundrazi, ne dëshirojmë të japim një kontribut konkret që ky proces të jetë i suksesshëm si për ato vende, ashtu edhe për vetë Bashkimin Evropian. Unë jam tejet optimist se sinjali që u dha me zhvillimin e konferencës së vendeve të Ballkanit Perëndimor – se jemi duke folur tashmë për një proces të Berlinit – do të vazhdojë edhe më tej. Kështu konferenca e radhës do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Vjenë. Ky është tregues i qartë se kemi të bëjmë me një angazhim jo vetëm gjerman, por me atë të shumë shteteve të BE-së në mbështetje të procesit të integrimit për të gjitha vendet e Balkanit Përendimor.

Deutsche Welle: Sa rrezik ka kthimi i regjimit të vizave për qytetarët e vendeve të rajonit në lëvizjen e tyre në territorin Schengen të BE-së? Konkretisht për Shqipërinë, sa problem është niveli i azilkërkuesve në Gjermani?

Michael Roth: Procesi i liberalizimit të vizave është një zhvillim që na sjell të gjithëve së bashku në Europë, është një provë e besueshme për një Europë pa kufij. Sigurisht që nuk ka arsye pse procesi i liberalizimit të vizave që erdhi për qytetarët shqiptarë prej vitit 2010 të rikthehet apo të zhbëhet. Një çështje tjetër është ajo e rritjes së numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria: kemi të bëjmë me një shifër rreth 6 mijë për vitin 2014. Por dua të sjell në vëmendje se është vetëm 1 përqind e tyre, që arrijnë të marrin statusin e azilantit në Gjermani.

Deutsche Welle: Nga koha kur Shqipëria arriti marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësimin në BE a shikoni ndonjë përparim konkret në rrugën e reformave?

Michael Roth: Dhënia e statusit të vendit kandidat është një sukses i madh për Shqipërinë, që e dallon atë edhe nga vende të tjera të rajonit që aspirojnë anëtarësimin. Për mua është e rëndësishme të bëhet e qartë se Bashkimi Europian nuk është thjesht një treg i brendshëm i përbashkët, apo një union ekonomik, përsëpari është një bashkim vlerash, ndaj dhe probleme ose tema të tilla, si demokracia, shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pavarësia e sistemit të drejtësisë, pavarësia e medias, respektimi i të drejtave të pakicave etj., këto duhet të jenë në plan të parë kur flasim për BE-në.

Pas marrjes se statusit të vendit kandidat ajo që ndodhet në qendër të vëmendjes lidhet me reformat në sistemin e drejtësisë, që janë në qendër të përpjekjeve të qeverisë shqiptare. Ne dëshirojmë ta mbështesim këtë shprehimisht. Por gjithashtu nevojitet që qytetarët e këtij vendi të kenë siguri ligjore, kjo është një e drejtë e tyre. Pasi ndër të tjera, siguria ligjore është mjaft e rëndësishme për investitorët e mundshëm dhe sipërmarrjet, që duan të bëhen aktivë në këtë vend. Dëshiroj të theksoj në fund, dhe ky është mesazh i vizitës sime, se ajo që Shqipëria ndërmerr në kuadër të reformave të veta nuk është thjesht në interes vetëm të BE-së, por së pari është në interes të qytetarëve dhe vendit, që aspiron të bëhet pjesë e këtij bashkimi vlerash, që përfaqëson BE-ja.

Deutsche Welle: Në agjendën tuaj të qëndrimit në Shqipëri ishin përfshirë kontakte me përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës. Nisur dhe nga klima e tensionuar politike, ku në parlament prej muajsh merr pjesë vetëm mazhoranca, cili është në thelb mesazhi që ju përcillni për klasën politike dhe autoriteteve shqiptare?

Michael Roth: Gjëja më e rëndësishme që procesi i integrimit europian të jetë i suksesshëm do të ishte që shoqëria civile, në tërë larminë e saj, të mund të përfshihej në të gjitha hapat e këtij procesi, të bëhej pjesë e tij. Në mënyrë që demokracia të funksionojë, të jetë e gjallë, kjo kërkon një qeveri të fortë, por dhe një opozitë të fortë. Këto dy elemente janë pjesë të së tërës. Ajo që unë pres nga personat përgjegjës në Shqipëri, është që ata të tregojnë gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar dhe për të gjetur konsensus në çështjet thelbësore që kanë të bëjnë me procesin e integrimit europian dhe me atë që kanë të bëjnë me reformën në sistemin e drejtësisë.

Në një demokraci parlamentare vendos shumica dhe për këtë nuk ka diskutim. Por ajo që kërkohet është gatishmëria e opozitës për të diskutuar dhe debatuar rreth çështjeve thelbësore në parlament. Vendi për të kryer këtë lloj debati është në parlament dhe jo në rrugë. Ndaj unë dëshiroj t’u bëj thirrje të gjithëve në Shqipëri, edhe opozitës, që të mund ta rishndërrojë parlamentin në vendin e debatit dhe të përballjes demokratike, duke iu rikthyer punës normale.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi