Obama lëshon urdhër ekzekutiv për emigracionin
Washington, 21.11.2014
Rreth 5 milionë emigrantë që jetojnë në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund t’i shpëtojnë deportimit, pasi Presidenti Obama njoftoi për ndryshime rrënjësore në politikat amerikane të imigracionit.
Në një fjalim televiziv, Presidenti i Barack Obama shpalosi planin e tij, duke anashkaluar Kongresin. Urdhri ekzekutiv për emigracionin revoltoi republikanët, të cilët u shprehën se veprimi është përtej autoritetit të presidentit dhe do të cënojë ndjeshëm marrëdhëniet me të.
Në fjalën e tij Obama tha se ajo që ai po propozon nuk ofron amnisti masive dhe nuk lejon deportime në masë.
“Në qoftë se ju i plotësoni kriteret, ju mund të fitoni të drejtën me ligj. Nëse ju jeni një kriminel atëherë do të dëboheni”, u shpreh Obama. Gjithashtu ai shtoi se emigrantët pa dokumenta që ndodhen në SHBA prej të paktën 5 vjetësh dhe kanë fëmijë me shtetësi amerikane, ose me dokumenta të rregullta nuk do të deportohen.
Këta emigrantë duhet të kalojnë kontrollin e biografisë për të vërtetuar se nuk kanë pasur probleme me ligjin dhe të jenë të gatshëm të paguajnë taksa.
“Kjo është tërësisht në përputhje me veprimet e mëparshme të presidentëve, të cilët kanë ushtruar autoritetin e tyre ekzekutiv”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Senati Amerikane e aprovoi ne 2013-ten paketën e reformave në emigracion, por Dhoma e Përfaqësuesve nuk e dha dritën jeshile. Republikanët kërkojnë bashkëpunim, siç tha kryetari i Dhomës se Ulet, John Boehner, do të luftojnë dhëmb për dhëmb me presidentin nëse vazhdon të ndjekë rrugën e nisur. Për kritikët, reforma do të kishte kosto shumë të lartë, edhe pse mjaft ekspertë besojnë se ajo do ta zgjeronte ekonominë amerikane.
Presioni i presidentit për reforma në politikat e emigracionit filloi vitin e kaluar menjëherë pas kapërcimit të frikës për një krizë të re financiare dhe rihapjes së qeverisë.